POLITIKA KOMBËTARE

Përdhosja e shqiponjës së flamurit dhe nderimi i yllit të kuq komunist

Shkruar nga Dane Pelo

Refleksion mbi vitet e luftës civile 1943-1944

Një gazete e majtë ilustronte para dy ditësh një shkrim komunist ku “demaskohej” armiku i popullit i kohës së Luftës së Dytë Botërore me një foto montazh të çetave të Ballit Kombëtar. Në montazhin përkatës në vend të shqiponjës që mbanin plisat e ballistëve ishin vendosur pula. Me këtë gazeta që mbron fort krimet e komunistëve si para ashtu edhe pas luftës, vazhdonte me besnikëri variantet enveriste të filmave të kinostudios se ballistët ishin për të ngrënë pula dhe komunistët ishin për luftë. Në fakt fotoja në fjalë, e cila nuk njihet as prej autorit të shkrimit dhe as prej atyre që e rrethojnë, është një aspekt krenarie i Ballit Kombëtar. Pikërisht janë çetat e kësaj organizate që shkojnë në Kosovë, gati një vit përpara se atje të shkonin brigadat e kuqe nga Shqipëria për t’iu ardhur në ndihmë brigadave jugosllave për të nënshtruar popullsinë e atjeshme shqiptare.

Shkrimin në fjalë, autori, që ka si argument vetëm mllefin komunist, e ka pasuruar me ngjarje lokale nga Shkodra. Me qëllim apo pa qëllim ngatërron ngjarje që i përkasin jetës së karabinierisë, xhandarmërisë, milicisë fashiste apo forcave të familjes Gjomarkaj. I bie shkurt e iu thotë të gjithë “ballistë”. Normalisht se partia e tij nuk kishte kohë të merrej me të vërteta, “armiqtë” i vlerësonte njësoj. Duke u qarë hallin komunistëve që paskan “vuajtur” shumë nga ballistët apo legalistët, autori harron ose nuk do ta kujtojë se vetë shoku Enver e ka bërë të qartë shumë herë në veprat e tij se e ashtuquajtura luftë ishte në fakt marrja e pushtetit prej komunistëve. Në këtë pikë, kush pretendon se është e kundërta, pra që lufta e komunistëve nuk ishte çështje pushteti, nuk ka thënë asgjë nga e vërteta që ka ndodhur. Në ato vite mund të gjesh episode vrasjes kundër komunistëve, por e vërteta është se komunistët e zhytën Shqipërinë në një det gjaku të parë vetëm në pushtimet e 1912-1913. Ka disa arsye për këtë. Kryesisht lufta civile është zhvilluar në vitet 1943-1944. Kur ndodhi pushtimi fashist i 7 prillit 1939, Enver Hoxha luante tavëll në Korçë ndërsa profesorët e liceut të Korçës e studentët e tyre ishin vullnetarë me armë në dorë. Kur Italia fashiste internonte antifashistët shqiptarë, Enver Hoxha pushonte në Bari të Italisë për 3 muaj nga reumatizma. Kur Omer Nishani shkruante artikuj pro Musolinit në gazetën “Tomori”, apo kur paguhej nga Këshilli i Shtetit (deri në vitin 1943 madje), antifashistët shqiptare mbaheshin burgjeve të Italisë. Shumë prej tyre që më vonë u deklaruan komunistë ishin në punë shtetërore. Ishin specialistë në ministri e drejtori të përgjithshme, ishin mësues, ishin teknikë, komandantë, oficerë, gjykatës, drejtorë, etj. Më vonë e justifikonin vepren se bënin gjasme. Por “gjasme” nuk kishin të drejtë të bënin të tjerët si p.sh. regjentët. Vetëm “gjasmja” e këtyre duhet quajtur.

E sigurisht ishin dy komunistë mediokër nga serbo-malazezët e Kosovës ata që formuan Partinë Komuniste Shqiptare, si kreu politik që do udhëhiqte luftën kundër pjesës më të mirë shqiptare për të ftuar e keqja mbi këtë vend. Dhe çfarë shembulli zgjodhën? Modelin e partizanit jugosllav. Morën yllin e kuq komunist dhe e vendosën në kapelat e tyre. Për ca kohë mbajtën edhe shqiponjën, por e hoqën më pas atë. Dhe çfarë bënë. I vunë flakën fillimisht Shqipërisë së jugut. Vranë e prenë njerëz të ditur e të shkolluar. Vodhën sa mundën shtëpitë e tyre. Nuk hëngrën pula se kishin pretendime të thella. Nuk lanë sheleg, lopë e viç të jetë. Nuk lanë tregtar pa gjobitur, nuk lanë bankë pa grabitur, etj. Pasi i vunë flakën Shqipërisë së jugut siç pat bërë greku më 1914, organizuan një kongres malesh ku e shpallën veten të vetmin pushtet në vend. Pas 1 qershorit 1944 iu lëshuan veriut me të njëjtën barbari që i ishin lëshuar më parë edhe jugut. Ishin qartësisht në vijën e tyre terroriste. Këtë terrorizëm e ka konstatuar fare mirë Sejfulla Malëshova, një nga pionierët e lëvizjes komuniste. Tani këta që na zhurmojnë veshët me dashurinë për luftën duhet ta pranojnë terrorizmin komunist të kësaj lufte. Nëse e kanë për krenari, le ta mbajnë, nuk ka kush nevojë për të. Por sigurisht të vënë në radhën e parë të kriminelëve ata që janë. Kanë emra: Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, Enver Hoxha, Shefqet Peçi, Gjeli Argjiri, etj, etj. Lufta që krenohen nuk është gjë tjetër veçse pabesi ndaj shqiptarëve që u dhuroi një pushtet mizerabël 50 vjeçar, plus pasojën e pallogaritshme ende. Kuadrot e kësaj lufte, ishin gati 100% kuadrot e Sigurimit të Shtetit dhe organeve të tjera të diktaturës.

Po le të kthehemi te përdhosja e simbolit kombëtar. Ndërsa e kanë të lehtë ta përdhosin qeleshen shqiptare që e vënë në kokë me servilizëm sa herë luan kombëtarja, e kanë të fortë dashurinë për yllin e kuq komunist që është në fakt një simbol edhe antiligjor. Jo më larg se disa muaj më parë, monumenti në hyrje të rrugës që të çon në Pezë, e që kujtonte mbledhjen e vitit 1942, ishte ngjyrosur me të kuqe në pjesën e yllit. Monumentet nuk lyhen me bojë, por komunistët që kanë pranuar rendin kapitalist, i duan të përjetshme simbolet e rendit socialist. Dhe pastaj të propagandojnë se Peza ishte simbol i bashkimit, pluralizmit, etj.

E vërteta është vetëm një: nacionalistët e asaj kohe u gënjyen e besuan verbërisht se me komunistët e viteve 1943-1944 mund të bisedohej, ndarë pushtet e luftuar së bashku. Gabimi i tyre është dhe ka qenë historik vetëm një: komunistët duheshin luftuar deri në fund në mënyrë që fara e tyre e keqe të mos e merrte më qafë Shqipërinë. Komunistët duhet të zhdukeshin. Në këtë pikë përgjegjësi të madhe kanë edhe ata njerëz që kishin pushtet qoftë edhe kolaboracionistë gjatë luftës. Shumica e tyre ndihmonin komunistët. Shumë prej tyre meritonin një dënim shembullor jo si mbështetës të italianëve e gjermanëve, por si përkrahës të komunistëve. Në mars-prill 1945 në Shqipëri u zhvillua një i ashtuquajtur gjyq special kundër “kriminelëve”. Nëse lexon dokumentet e këtij gjyqi, merr vesh fare lehtë e pa mundim se sa ndihma kanë pasur komunistët nga administrata e luftës, ndaj së cilës u treguan të pabesë se komunistët nuk njohin besë. Me makinë e zëvendëskomandantit të përgjithshëm të karabinierisë (më vonë xhandarmërisë) komunistët shkonin sa herë të donin në Pezë. Në shtëpinë e tij flinin sa herë të donin, shtypnin trakte, etj. Dhe në fund për t’i mbyllur këto i dhanë plumbin e dënimin me vdekje. Vetë Enver Hoxha, hante e pinte për kokërr të qejfin në fabrikën “Flora” të Ibrahim Biçakçiut. Shiste cigare, mish, raki, etj në dyqanin “Flora” po me paratë e Biçakçiut, etj, etj. E pra kësaj lloj sakrificash bënë që erdhën në pushtet.

2 thoughts on “Përdhosja e shqiponjës së flamurit dhe nderimi i yllit të kuq komunist”

  1. Te jesh komunist nuk eshte krenari. Te gjithe shqiptaret qe kane bindje komuniste duhet te reflektojne thelle, te behen dobiprures per kombin per pjesen e jetes qe u ka mbetur.

  2. Shume tolerante solidar idhin me banditet e kuq me klyshet e rusit e jugosllavit.Komunistet ndihmuan ripushtimin e shqiparve dhe terrorin qe e bene mbi ne.Komunistet shqiptar ishin nscional-shkatrrimtar e jo çlirimtar.Dam bene me shum se okupatoret gjerman e italian.Ashtu thojshin pleqt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *