POLITIKA KOMBËTARE

A ka të djathtë dhe të majtë në Shqipëri?

Shkruan: Reshat KRIPA

Kjo pyetje sot mbulon faqet kryesore të mediave shqiptare të shkruara dhe atyre vizive. Vazhdon vetëm pyetje por pergjigje nuk ka. Nuk ka sepse nuk dinë se si të përgjigjen apo nuk duan të përgjigjen. Të dy variantet mund të jenë.

Unë në këtë shkrimin tim pikërisht kësaj pyetje dua t’i përgjigjem. Do t’ia arrij vallë? Nuk e di. Por do t’i shpreh mendimet e mia dhe lexuesit le të gjykojnë nëse kam të drejtë apo jo.

Piksëpari dua të sqaroj se me termat i djathtë dhe i majtë kam parasysh të djathtën dhe të majtën e vërtetë evropiane, ato që janë praktikisht në të gjithë botën perëndimore dhe jo të majtën komuniste që dikur sundonte në vendin tonë. Me keqardhje konstatoj se sot në Shqipëri mentaliteti i së kaluarës është ende i gjallë. Ky mentalitet ka bërë që edhe disa figura të njohura të këtij vendi, të djathtë apo të majtë, të mos dijnë se ku e kanë vendin e tyre. Përse? Mos vallë janë bindjet? Aspak.. Është interesi personal që i detyron të zhvishen nga normat reale të jetës dhe të zhyten në llumin e propagandës së të kaluarës.

Kështu vërejmë shumë raste që, në të vërtetë, nuk janë aspak të pranueshme. Vërejmë se deputetë apo funksionarë të së djathtës, pa pritur dhe pakujtuar, hidhen në kampin e së majtës dhe anasjelltas. Çfarë tregon kjo? A kanë bindje këta individë? Unë mendoj se jo. Mendoj se jo, sepse po të kishin bindje nuk do të hidheshin në kampin e kundërt por do të vazhdonin luftën brenda asaj force ku bënin pjesë ose do të krijonin një forcë të re politike të po atij krahu. Kjo tregon se në këta individë nuk ka një qëndrim politik të caktuar, nuk ka një pozicionim të caktuar djathtas apo majtas. Në këta individë zotëron pasioni për të përfituar sa më shumë nga pozicionimi që do të zenë. Pra interesi i ngushte personal mbi idealet. Një gjë e tillë është trashëgimi e përpiktë e mentalitetit të regjimit të përmbysur. Këtë trashëgimi kanë si të djathtët ashtu edhe të majtët që ndjekin këtë rrugë.

Tani le të përqëndrohemi në qëndrimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare mbi çështjet kryesore të së shkuarës dhe të së tashmes. Si rezultat i presionit të paparë të politikës shqiptare, që në shumicën e rasteve është e majtë dhe duke marrë parasysh se prej nga vijmë nuk është e kuptueshme, pse disa individë tradicionalisht të djathtë thyhen dhe nuk guxojnë t’i dalin me ballin hapur së majtës madje, në disa raste, konstatojmë se bashkohen me të me synimin e gjoja të arritjes së një kompromisi apo pajtimi kombëtar.

Le të kalojmë në shembujt konkretë. Para disa ditësh “presidenti” i një shoqate të përndjekurish, që e quan veten “mbarëkombëtare”, sikur kjo paska shtrirje edhe ne trevat e tjera ku banojnë shqiptarë, pruri në shoqatën tonë një ftesë për kryetarin, me anën e së cilës njoftohesh se do të zhvillohej një konferencë për 73 vjetorin e Konferencës së Mukjes. Në ftesë shënoheshin edhe lektorët e kësaj konference. Midis tyre binin në sy përfaqësuesit e dy rrymave. Nga njëra anë ishte një personalitet i njohur i nacionalizmit shqiptar që ka shkruar një serë librash lidhur me të dhe që, ndoshta, është i vetmi që ka kontribuar më shumë në këtë drejtim, nga ana tjetër një “historian’ i epokës së përmbysur që në të gjitha konferencat shkencore të mbajtura në vendin tonë, ka vjellur vrerë kundër nacionalizmit shqiptar duke e quajtur atë si bashkëpuntor të fashizmit dhe nazizmit. Natyrisht duke lexuar këtë ftesë, kryetari ynë nuk pranoi të merrte pjesë. Nuk pranoi sepse nuk mund të ulesh në një tavolinë me ata që vazhdojnë të na quajnë tradhëtare dhe kolaboracionistë. Nuk e di se çfarë u tha atje, sepse nuk u interesova për të, por jam i sigurtë se “historiani” i majtë, me siguri, edhe nëqoftë se nuk ka folur me gjuhën demode të së kaluarës, përsëri nuk ka ndenjur pa hedhur fara helmi mbi nacionalizmin shqiptar.

Si ka mundësi që një parti anëtare e së majtës evropiane, lidhet në aleancë me parti të ekstremit të majtë siç janë Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Partia komuniste 8 Nëntori, të cilat kanë si idhull të tyre diktatorin e përmbysur në vitin 1990 Enver Hoxha? Çudia është se si ka mundësi që kryetari i partisë udhëheqëse të kësaj aleance, që pretendon se i përket brezit të së ardhmes, të pranojë të krijojë aleancë me ato parti që bazë kanë ideologjinë e sistemit totalitar, sistem që ai vetë thotë se e ka hedhur poshtë? Si ka mundësi që në hartimin e programit elektoral të kësaj partie të marrin pjesë edhe elementë tradicionalisht të djathtë? Si ka mundësi që po në këtë aleancë, së bashku me dy partitë e siper përmendura, bënë pjesë edhe një parti e djathtë siç është Partia “Rruga e Lirisë”?

Kjo do të thotë, sikurse thotë një fjalë e urtë popullore. të bashkosh ujqërit me dhentë. Me pak fjalë një çorbë derri që askush nuk e merr vesh se ç’është.

Të gjitha këto tregojnë se partia drejtuese dhe pothuajse e gjithë e majta shqiptare janë shumë larg së majtës evropiane drejt së cilës ato, në mënyrë abusive, pretendojnë se po shkojnë. Po nga e njejta sëmundje vuan edhe e djathta shqiptare e cila për të shpëtuar nga rënia pranon aleanca me parti të krahut të majtë. Natyrisht këtu bëjnë përjashtim disa parti të vogla të këtij krahu të cilat nuk kanë mundur të gjejnë vendin që u takon dhe si pasojë nuk arrijnë të zenë ndonjë vend në parlamentin shqiptar. Që të shpëtojnë nga kjo sëmundje partitë shqiptare duhet të shkëputen një herë e përgjithmonë nga mentaliteti komunist që i karakterizin.

Këtij konkluzionit tim partitë drejtuese në vendin tonë mund t’i thonë: Në rast se konkluzionet tuaja janë të drejta, atëherë si ka mundësi që populli na beson? Përse na voton?

Unë do t’i pergjigjem se votuesit e kanë dhënë verdiktin e tyre me pjesëmarrjen, ku në total është nën 50% dhe ku rekordin e arriti Bashkia e Vlorës në zgjedhjet lokale të vitit 2015 ku pjesëmarrja ishte 38% e votuesve te regjistruar dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë rezulton që kandidati fituesi i këtyre zgjedhjeve me 60% të votave ka marrë votbesimin vetëm të 23% të votuesve. Atëherë lind pyetja: Po 77% e zgjedhësve të tjerë për cilin krah janë? Kjo është një pyetje që duhet të shqetësojë politikën shqiptare.
Nuk e di se sa do i dëgjojnë politikanët tanë këto fjalë. Kam dyshimin se ata besojnë në fjalët që dijetari i njohur Seneka i tha diktatorit Neron kur ky i vuri zjarrin Romës dhe populli rrethoi pallatin perandorak duke kërcënuar perandorin, atëherë ky pyeti Senekën:
– Si do t’ia bëjmë?
Seneka iu përgjigj
– Hidhua fajin të krishterëve.
Në atë kohë krishterimi ishte në hapat e para të tij
– A do të më besojnë? – Pyeti Neroni
Seneka i ktheu përgjigjen lapidare:
– Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret.
Unë mendoj se kjo sentencë i përket një të kaluare shumë të largët. Sot jetojmë ne
shekullin e 21-të dhe populli e di se kur duhet të votojë dhe ku duhet të hedhi votën. Këtë mos e harroni.

Lidhur me sa më sipër dua të dal te pyetja e titullit të shkrimit: A ka të djathtë dhe të majtë në Shqipëri? Unë mund të them me bindje se jo. Në rast se ndokush mendon ndryshe, le të përgjigjet.

One thought on “A ka të djathtë dhe të majtë në Shqipëri?”

  1. Shqiperia nuk ka as politikane dhe as Pluralizem Politik; nuk ka as parti politike, por ka kerpudha parazite, kerpudha pa rrenj, qe fxhihen men yoke, Ai Tartufi. Nuk dihet numuri I sakte, I vargut te Pseudo – Partive, qe mundet ta kaloje numurin 100. Me kete del se ne kemi politike the model it Ramiz Alia. Politike pa te Djsthte dhe pa ta Majte, se e “Djathta” vepron si e majte dhe e Majta sillet me e djathte se Paftia Konservatore. Ne kemi Politik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *