POLITIKA KOMBËTARE

Qeveri teknike

Shkruan: Edison YPI

Qeverisë teknike, siç kuptohet nga vet emri i saj, nuk i duhen ministri me emra të ngatërruar si për shembull “Ministria e Punës”, por ministri me emra veglash me të cilat shqiptarët janë ambientuar. Për shembull, ajo që deri më sot është quajtur “Ministria e Rendit”, në qeverinë teknike mund të quhet thjesht dhe bukur “Ministria e Hurit” me ministër atë që e meriton, Gent Strazimirin.

“Ministria e Shpartallimit të Vjetërsirave” që do zëvendësojë atë që deri më sot është quajtur “Ministria e Arsimit”, do t’i besohet një Femre që ndryn në vetvete kapacitete intelektuale, aftësi, energji, talente, më tepër se të gjithë burrat e Partisë Socialiste të marrë së bashku, më interesantes shkodrane që njeh historia e rruzullit, Keti Bazhdarit. Simotrën e ministrisë së shpartallimit, “Ministrinë e topave për skrap”, le të vazhdojë ta mbajë Mimi Kodheli.
“Ministria e Zinxhirave të pantallonave”, ta kryesojë kaurresha kuranore Esi Shkjau. “Ministrinë e zinxhirave të rrahjes” mund ta marri ajo budallaqa që jep motin te Klani që ja harrova emrin.

“Ministria e Sapunit”, pra ajo që deri më sot është quajtur Ministria e Shëndetësisë, tu sugjerohet ta udhëheqin dy emrat e shquar të Medicinës së aplikuar, Leonardo Petrela dhe Mentor Solis. Nëse Leonardoja i bisturisë dhe Mentori që e ka trurin plot me rrudha të thella falë mushkërive të oksigjenuara qysh fëmijë me ajër Leskoviku, nuk do begenisin të bëhen ministra, postin e lartë të higjenizimit të shqiptarëve nga zhulat e trupit dhe trurit, mund ta mbajnë fare mirë mjekët gjithaq të shquar dhe të nderuar Halim Dokle ose Anika Kosova.

Francesco Bejtja do jetë “Ministër i Lekut”. Meqënse hëpërhë personi në fjalë s’dihet se ku ndodhet, atë post le ta marri Andi Becchetti. Me këtë rast Sonila Doda do t’i bëjë Mesila Meços një “Kontrata” me plot të papritura të bukura nga jeta private.

“Ministria e Urithit” që do kujdeset për sajtet ku komentojnë rrugaçat e sigurimit të shtetit, të kryesohet nga Çim Bazja ose Mero Peka. Nëse këto dy emra Parlamenti nuk do t’i aprovojë, s’ka pse të mos propozohen dy të tjerë gjithaq të devotshëm, Muç Minxhozi ose Skënder Nanua.

Nëse “Ministrinë e Qelqes”, pra atë të televizionit, do ta refuzojnë si Adi Balla i respektimit të Etikës komunikative dhe Sokol Krasta i hallateve përjashta, le të vijnë nga Italia njëri nga të dy, Pippo Mentana ose Enrico Baudo.
“Ministria e medikamenteve të skaduara por të efektshme” të kryesohet nga dy emra, Tom Lubonja dhe Fatos Doshi. Cili të jetë ministër dhe cili zëvendës ta zgjidhin me njëritjetrin.

“Ministria e gjumit” që në fakt do jetë ministria e hashishit por me emër të maskuar, dhe që do merret me shkuljen e rrënjëve të bimës në fjalë, do tu besohet konservativit me nam Nebil Çika. Nëse Zoti Çika do jetë duke u nxirë në plazh ose i okupuar me Gazetën Minerva, shkuljen në fjalë le ta drejtojë ballisti i orëve të para, i papërtuari Çelo Hoxha.

Talentet e spikatura të Robert Çilit dhe Henri Rakipllarit nuk të lenë te dyshosh për përshtatshmërinë e të parit në krye të “Ministrisë së Rrjedhjes” që do ndjeki korrentet e inovacioneve mësimdhënëse botërore, dhe të dytit në

“Ministrinë e ujit” që do merret me bonifikimin e lëngjeve të tepërta të shkrimeve të gazetave.

“Ministrinë e Diktaturës”, pra ministrinë e sjelljes në vete të shqiptarëve përmes dhunës ngaqë ndryshe nuk zënë ment, le ta marrin nën hyqëm Zonjat e hekurta Elisa Duma dhe Grida Spiropali të cilat për shkak të punës voluminoze që do duhet të përballojnë në atë ministri, do punojnë pa u ndalur 24 orë njëra 24 orë tjetra.
“Ministria e Tekstit” do ketë për ministër Arjan Zhejin ose Artur Vasjarin. Cili nga të dy ta zgjidhin me njërjetrin.
Ministër pa portofol, por me pare, mund të jenë si Jozefina Xhaçka apo Olta Topalli, po ashtu dhe Arta Bregu apo Majlinda Dade.

“Ministria e Gishtit të Mesit të Dorës së Djathtë” do kryesohet nga dy njohës të spikatur të teorive dhe praktikave konspiracioniste. I pari, ai me tru më voluminoz se të Leninit, Alfred Myftaraj. Tjetri, njohësi i zgafellave cirkomvolucionare, kolonjari Kastriot Çako. Me këtë rast korifejtë në fjalë do t’i japin publikut përgjigje për pyetjen cfilitëse; Çfarë ekziston nëse nuk ekziston ekzistenca ?
Andrea Fevziu dhe Blendi Stefani do kryesojnë dy nga dikasteret më të rëndësishme, njëri “Ministrinë e Kuponit” (të bukës), tjetri “Ministrinë e Tallonit” (të kosit).

“Ministrinë e Kalemit” apo të lapsit le ta udhëheqin ata që dinë ta përdorin, Andi Qafoku në bashkëpunim me Roland Bushatin.

“Ministrinë e Kandilit” s’ka pse të mos e kryesojë iluminatori Nikollë Ndroqi me ose pa ndihmesën e vyer të inkandeshentit Ylli Lesi.

“Ministria e Tegut” të ketë në krye Samir Frangaj dhe Aleksandër Mane veç e veç ose së bashku. Këto dy emërime do bëhen me ndërhyrjen time nga inati që kur vajta në Teg për të blerë diçka, edhepse u thashë se për shkrimet nuk paguhem, s’ma ulën që s’ma ulën çmimin.

“Ministria e Fejsbukut” dhe “Ministria e Tuiterit”, do krijohen kur pas përdorimit të pseudonimeve shqiptarët do kenë harruar përgjithmonë emrat që ua ka vënë mami dhe babi.

Për të mos harruar se demokratët rrugët i bëjnë ndërsa socialistat autostradat i vjedhin, do ngrihet “Ministria e Vërrës” që Rama do ta përdori për të çpuar një tunel brenda të cilit do djegi të gjallë të gjithë qeverinë e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *