POLITIKA KOMBËTARE

Rugova, pacifist pa të meta – populli i tij nuk e donte luftën

Shkruar nga Halil Matoshi

Pse ndër shqiptarë gjithnjë duhet ta marrësh famën e të huajve që të të duan të tutë!? Pse nuk po binden dot disa ish-komandantë injorantë e mujsharë të gueriles dhe disa politikanë të rinj (si ata të VV-së) se Ibrahim Rugova ishte i pari shqiptar i Kosovës që njohu deri në përmasa perfekte etnopsikologjinë e popullit, ëndrrat dhe synimet, mundësitë dhe dëshirat, duke i artikuluar mirë kërkesat e kosovarëve për liri e demokraci. Përse Rugova nuk e deshi luftën…

Dy deklaratave, që përthekojnë dy ekstremet e qëndrimit ndaj Ibrahim Rugovës – më duhet ta pranoj sinqerisht – nuk kam mundur t’u rezistoj, prandaj po shkruaj sërish për figurën e tij.

E para ishte ajo që po e thoshte Christopher Hill për të dhe e dyta, ajo çfarë i kishte ndodhur Çun Lajçit (gjithnjë sipas versionit të tij) pas një tubimi parazgjedhor të LDK-së, kur ai i kishte vënë plis të bardhë Rugovës, ndërsa pastaj ishte “rrëmbyer dhe marrë në pyetje shpotie nga militantë të PDK-së, të cilët i kishin thënë: “E ke flliq plisin, sepse ia ke vu shkaut”.

Që më 1994 Rugova besonte në intervenimin e NATO-s kundër forcave serbe të sigurisë për arsye humanitare.

“NATO-ja do të na mbrojë” – kishte thënë ai në një intervistë (1994) dhe këtë e kisha vënë për titull.)

Senatori proshqiptar, Bob Dole, e krahasonte Rugovën me Martin Luther Kiingun, liderin e luftës për liri e drejtësi. “E kam një ëndërr”, thoshte King, por ai nuk e priti jetësimin e saj.

Ibrahim Rugova po ashtu. Porse Amerika u bë më e drejtë dhe më normale.

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, besonte se Rugova do të jetë kryetari i parë i shtetit të Kosovës si George Washingtoni.

Presidenti i parë i SHBA-së ndërtoi një shtet modern nga një shoqëri kaotike, e përçarë dhe me plot sfida.

Ibrahim Rugova arriti të ndërtojë themelet e një shteti demokratik po ashtu nga një shoqëri e përçarë dhe e thyer nga ideologjia komuniste dhe pushtimi serb.

Emisari amerikan për Kosovën në vitin 1998, ambasadori Christopher R. Hill, në librin e sapobotuar të kujtimeve për karrierën e tij si diplomat, “Outpost: Life on the Frontlines of American Diplomacy” (Pararojë: Jeta në vijat e para të frontit të diplomacisë amerikane) shkruan ndër të tjera për luftën në Kosovë dhe rreth Kosovës dhe pashmangshëm për profilin politik të Rugovës.

Duke përshkruar një vizitë që kishte bërë bashkë me presidentin historik Rugova në fshatra të Malishevës të përfshira nga flakët e luftës, në nëntor të atij viti, ambasadori Hill shkruan:

“E mora (Rugovën) në makinën time më 3 nëntor (1998) dhe shkuam së pari në fshatin e vogël piktoresk, në Banjë të Malishevës. Minarja e xhamisë së fshatit ishte rrëzuar nga një predhë shumë precize e tankut, dhe kërma të kafshëve të banorëve të fshatit ende po prisheshin në fushë që prej një muaji, kur serbët i kishin përdorur si ushtrim për marrje në shenjë.

Vazhduam pastaj për në fshatin e vogël Ostrozub, ku po ashtu dolëm jashtë në rrugën kryesore, që gëlonte me banorë të kthyer që bartnin dhe tërhiqnin zvarrë plaçkat e veta personale teksa ktheheshin nga mali ku qenë fshehur me javë të tëra në pyll.

Reagimi i tyre kur e panë Rugovën ishte i jashtëzakonshëm.

Njerëzit fillimisht ngurruan kur e panë prijësin e vet prej më shumë se një dekade, pastaj iu afruan dhe iu hodhën me krahë rreth qafe, duke e puthur në faqe.

Disa iu hodhën në përqafim dhe i ranë në gjunjë, duke ia puthur dorën, si të ishte Papë.

U ndala për të kapur pamjen në tërësinë e saj. Për ata që kishin thënë se e ka pasur puna e tij, do të doja ta shihnin tani. Se çka i bën disa politikanë karizmatikë dhe çka jo ka qenë koncept përherë i pakapshëm për mua, por në këtë ditë e pashë se Ibrahim Rugova ishte forcë që duhej bërë hesap – ndoshta arsyeja pse UÇK-ja dhe të tjerë ishin aq të ashpër me të. (Christopher R. Hill, “Outpost”, Simon & Schuster, Neë York, 2014: Fq. 143-144; fragment i përkthyer nga Muhamet Hamiti).

Ibrahim Rugova ka qenë ideator i shtetit të Kosovës, por të konceptuar që të arrihet përmes lëvizjes paqësore, ndonëse për dhjetë vjet nga kundërshtarët e tij politikë, të jashtëm e të brendshëm, projekti i tij dhe i tërë alternatives politike të kohës është cilësuar si ëndërr, pastaj “shtet i ashtuquajtur”, ose madje “Republika fantome”.

Sipas atyre që e njohën, ndoshta Rugova ishte një lider “ideal” për shumicën e kosovarëve, ndoshta edhe nga fakti se ishte neglizhent dhe nuk ndërmerrte asgjë dhe nuk ngutej për definimin e situatave, madje as që kërkonte më shumë sakrificë nga populli të cilit i printe.

Pyetja se a ka mekanizëm të padhunshëm që mund ta ndalë dhunën, ashiqare është e vjetër po aq sa historia e qytetërimit.

Një përgjigje të suksesshme e pati dhënë Mahatma Gandhi kundër kolonializmit britanik, por edhe ai nuk e pranonte nënshtrimin për hir të vet pacifizmit.

Ndërsa shkrimtari Gjergj Konrad angazhohet për një “antipolitikë”.

“Në vend të përgjigjeve kuantitative tepër budallaqe mbi atë se kush është më i fortë, antipolitika propozon një garë të kualiteteve të ndryshme të diferencuara. Kush është më i fortë? Kjo nuk është vërtet pyetje fare interesante. Për antipolitikanin është pyetje shumë më interesante të dijë se sa ka arritur ta ndërtojë fotografinë mbi vetveten një bashkësi, fotografinë e mençur e të sinqertë – se sa të dijë se kush disponon me forcën teknologjike”.

Vërtet kush është më i fortë?

Makineria superiore e luftës apo një politikë tjetër, e ndenjes në proces politik, pa marrë ndonjë shpërblim të shpejtë për këtë, një kualitet i diferencuar ndër kosovarët, një antipolitikë nëse veç me politiken nënkuptohet forca).

Rugova dha një shembull se mund të arrihet diçka me antipolitikë edhe në Ballkanin e daulleve të luftës.

Ç’është e vërteta, suksesi i Rugovës po aq sa i Nanë Terezës i atribuohet opinionit publik, pra fokusimit ndaj medias dhe ndonjëherë manipulimit me to!?

Fundja karriera politike e Rugovës ka nisur në media (si shkrimtar dhe analist i situatave politike) e jo në struktura politike.

Krijimi i opinionit publik perëndimor për të drejtën e shqiptarëve për liri po ngjizej ngadalë falë artikulimit solid të kësaj të drejte nga Rugova në mediat perëndimore.

Serbia me bajoneta sapo kishte fituar disa mile tokë në Bosnjë dhe po synonte edhe Kosovën (çështje kuantitative), por shkatërroi fotografinë e vendit, pra të një bashkësie që synon demokracinë (që serbët synuan gjatë tërë shekullit XX dhe ende nuk e kanë etabluar), sepse në horizontet e asaj bashkësie shkrimtari dhe politikani Vuk Drashkoviq shihte “mortajë, uri dhe vdekje”.

Serbia për të cilën vlente një opinion pozitiv në Perëndim, si popull krenar dhe si viktimë, nga matja e forcës po rrokullisej në një vend që perceptohej si barbar.

Në anën tjetër, për shqiptarët nuk po vinte shpërblimi, por lëvizja e tyre shikohej me simpati. Opinioni publik është sovran dhe lëviz shoqërinë.

“Ligji i opinionit publik është ligj suprem i gravitacionit të historisë politike…”

Për këtë, David Hjume thotë se tema e historisë është që të tregojë se si sovraniteti i opinionit publik është larg asaj të jetë gjakim utopist dhe është gjithmonë pasqyrë e shoqërive njerëzore.

Për të sunduar, opinioni publik është fuqi më e madhe se topat dhe tanket.

Sipas Ortega Y Gasset, ndonëse edhe ai që do të përpiqej të sundonte me ndihmën e jeniçerëve varet nga mendimi i atyre jeniçerëve dhe nga mendimi që kanë për ta banorët tjerë.

“Kështu Taleran i tha Napoleonit: Gjithçka, Sir, mund të bëhet me bajoneta, pos njërës – nuk mund të ulesh mbi to.” (Hose Ortega Y Gasset: “Pobuna masa” (La rebellion de las Masas), Gradac 1988, Fq. 118.)

Në një analizë interne të State Departamentit amerikan për çështjen e Kosovës (“Zëri”, Prishtinë, 22 prill 1995) spikatej suksesi i shqiptarëve dhe rezistenca e tyre paqësore.

“…sidomos me rezistencën paqësore ndaj terrorit serb dhe represionit ushtarak në koloninë e fundit në Evropë”.

Raporti për krijimin e një “shoqërie nëntokësore” (paralele) ishte fascinant, por ende nuk kishte fituar vëmendje të madhe në Perëndim.

Aleatët e regjimit serb do të mundoheshin të prishnin këtë imazh, me gënjeshtra dhe me provokime për të rrënuar kështu bindjen se shqiptarët janë viktima…”

Gazeta beogradase “Nasa borba” e 13 prillit 1998 kishte botuar një vështrim të qytetarit nga Prishtina, Gani Hoxha, i cili kishte cituar Mirko Tepavacin, i cili, në pyetjen se a është vërtet aq e rëndë pozita e serbëve dhe e malazezëve në Kosovë, apo vlerësimet e tilla janë të motivuara nga synimi për dramatizimin (jo vetëm Qosiq) e “çështjes së pazgjidhur serbe”, ishte përgjigjur: “Në pozitë më fatkeqe, edhe atëherë, edhe më vonë, më tepër ka qenë populli shqiptar se sa ai serb në Kosovë. Edhe atëherë edhe më vonë, ka qenë pakrahasimisht më rëndë të jesh shqiptar në Serbi, sesa serb në Kosovë”.

Mirëpo, “kolosi i brishtë” i Kosovës, Ibrahim Rugova, kundërvënien në jodhunë e kishte të mbështetur mirë në dijet teorike, ngase veprat e tij “Kah teoria” dhe “Refuzimi estetik” mund të interpretohen si pararendëse të politikës së tij paqësore.

“Fundja të refuzosh do të thotë të mos pranosh atë që imponohet, dhe kjo varet nga një pozitë personale apo nga një pozitë e përgjithshme (…) Ose lirohemi nga shtypja përmes refuzimit, ose thyejmë qafën dhe bëhemi skllevër. Në këtë plan njeriut i ofrohen dy zgjidhje: “Po” dhe “Jo”; por mënyrat e realizimit të tyre ndryshojnë”.

Nëse merret parasysh forca e vullnetit politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës, sipas parimit plebishitar, krahina ligjërisht nuk ishte pjesë e Serbisë, as e Shqipërisë, por territor i pushtuar nga Serbia më 1913 dhe e riokupuar dy herë me masa administrative-policore.

“Një krah më radikal, gjithnjë i gatshëm të shtojë edhe diçka për aspiratën kombëtare, në fakt ekziston dhe Rugova bën haptazi detyrën demokratike për të mos e mohuar. Virulenca e këtij krahu, të përfaqësuar në veçanti nga shkrimtari Rexhep Qosja, e bën edhe më të çmueshëm pacifizmin pa të meta të Ibrahim Rugovës.” (Marie – Françoise Allain & Xavier Galimiche.)

Nuk u përkiste këtyre dy shteteve – që mjaft gjatë – është krijuar miti në qarqet diplomatike europerëndimore se rreth krahinës së Kosovës zihen Serbia dhe Shqipëria, ngase deklarativisht, me Rezolutën e Konferencës së Bujanit (1944) kosovarët ishin përcaktuar se “si gjithmonë ashtu edhe tani, Kosova e banuar me shumicë nga shqiptarët dëshiron me u bashkue me Nanen Shqipni”, por edhe pozicioni i saj ambiguitativ në ish-federatën jugosllave ishte i karakterit deklarativ.

Sipas Kushtetutës së RSFJ-së Kosova ishte subjekt konstituiv i Federatës, por deklarativisht

(Konferenca e Prizrenit 1945) ajo i ishte bashkuar njëkohësisht “vullnetshëm” edhe Republikës së Serbisë.

Kosova u riokupue me forcën e armëve – siç theksuam – edhe dy herë të tjera pas Luftës së Dytë Botërore, në të dyja rastet në momentin kur Jugosllavia, përkatësisht Serbia, i kishte shteruar masat represive-administrative, për ta mbajtur kontrollin mbi Kosovën.

Së pari, më 1945, kur krahina e posa dalë nga lufta u vu nën regjim ushtarak dhe për të dytën herë më 1989 kur u suprimua autonomia e saj sipas Kushtetutës së Jugosllavisë Federative të vitit 1974, kur Kuvendi i Kosovës ishte rrethuar me tanke.
Por Serbia kurrë nuk mundi të vendoste pushtet legjitim në Kosovë, të pranueshëm nga shumica e popullsisë.

Në rrafshin e së Drejtës Ndërkombëtare, Serbia e konvertuar në RFJ që ende nuk kishte njohje ndërkombëtare, nuk do të mund të arsyetonte pushtetin e vet ushtarak dhe administratën e dhunshme në Kosovë të vënë mbi majat e bajonetave!

Mirëpo, heshtur, nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare, për të mos prishur punë në Bosnjë, Serbisë iu njoh e drejta e sundimit me Kosovën, por se makineria luftarake e Milosheviqit nuk mundi tashmë të ndalej në përdorimin e “forcës proporcionale”, ajo shkoi në shkatërrimin total të shqiptarëve, në të gjitha sferat dhe me të gjitha mjetet.

Akademik Gazmend Zajmi konsideronte se Kosova, sipas Kushtetutës së vitit 1974, ishte e barabartë me republikat e tjera të ish-Federatës jugosllave.

“Në dispozitën e Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, (si akt normativ i njohur sipas së Drejtës Ndërkombëtare) mbi atë se Kosova është pjesë konstituitive e Jugosllavisë (neni 2 i Kushtetutës), thënia se Kosova është në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë ka karakter deklarativ dhe jokonstituitiv, meqë baza konstituitive e gjetjes së Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë është “Rezoluta e Prizrenit” e vitit 1945 (10 korrik) e cila, si e tillë, u derogua me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik 1990”.

Në Deklaratën Kushtetuese (2 korrik 1990) të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, normativisht u rrumbullakua legjislacioni i brendshëm për pavarësimin e Kosovës, që u fuqizua me shpalljen e Kushtetutës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik, prandaj historikisht u quajt edhe si “Kushtetuta e Kaçanikut”.

Ky proces konstituitiv pastaj fitoi edhe legjitimitetin e përmasave plebishitare pas konsultave të qytetarëve kosovarë (Referendumi për pavarësinë dhe zgjedhjet e lira parlamentare dhe presidenciale), duke siguruar legjitimitetin e brendshëm për një udhëheqje kredibile, që ka mandatin e popullit shumicë, për përfaqësim në raport me Serbinë dhe me faktorin ndërkombëtar, si dhe në mbrojtjen e interesave vitale politike të shqiptarëve në Konferencat e ndryshme ndërkombëtare, që pasuan.

Në planin procedural-demokratik, Kosova kishte përmbushur kushtin për të qenë palë në bisedimet ndërkombëtare.
“Kosova, shtet i pavarur e neutral, i hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë”, ishte kredoja politike dhe postulati themeltar i dr. Ibrahim Rugovës, me të cilin postulat edhe hyri në vorbullën e rezistencës joviolente.

Ky projekt politik i kosovarëve, ndonëse nuk u mbështet de jure nga faktori relevant ndërkombëtar, po hynte në etapën e vet të “pritjes historike”, sipas parimit të lëvizjes shoqërore, gjë që nuk paraqet stagnim historik, pra as kthim retrogard historik.
Projekti politik i kosovarëve dhe rezistenca joviolente të identifikuar me figurën e Rugovës po të kihet parasysh ajo që thotë Ortega Y Gasset del të jetë perfekte.

“Shteti është në fillim një imagjinatë absolute, por imagjinata zhvillohet (krahas zhvillimit të vetëdijes së një populli) dhe projektohet në lëvizje të orientuar me vetëdije drejt themelimit të shtetit. (…) Shtetit të formuar i paraprin shteti në formim.” (Ortega Y Gasset, “Pobuna masa”; Fq. 118.)

Ekziston një debat juridik megjithatë rreth konsumimit ose jo të së drejtës për vetëvendosje.

Në këtë debat përmendet Rezoluta e Bunjajt (1943-44) dhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit (1945), e para spikat vullnetin e popullit të Kosovës me u bashkue me ‘nanën Shqipni’ kurse e dyta ‘shpreh vullnetin për bashkim me Serbinë federale’.
Megjithëse, edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës, me 1989, ndonëse nën shtetrrethim, nuk ishte pa ndikim në rrjedhat konstituitive të vendit.

Derisa shqiptarët e Kosovës, me vetëflijim dhe vetëkontroll, pas heqjes së autonomisë i shmangen luftës, por kjo nuk do të thoshte ende se lufta përfundimisht ishte shmangur, dhe në këtë ‘vetënjohje në joviolencë” shqiptarët edhe ndërtuan identitetin e tyre shtetëror, ndërkaq që mbi ta, por edhe mbi Serbinë ende vepronte ‘balanca e frikës’, si postulat i Luftës së Ftohtë.

Por edhe përmendja e shpeshtë nga zyrtarë amerikanë si senatori Bob Dole e të tjerë, e Kërcënimit të Kërshëndellave të vitit 1991 nga presidenti George Bush, Senior, ‘vija e kuqe e cila në Kosovës nuk guxon të kalohet’ e kishte zmbrapsur Serbinë nga ndonjë ndërhyrje për spastrim etnik në Kosovë.
“Në Kosovë, që të dyja palët e duan fitoren, por asnjëra palë nuk e dëshiron luftën” thoshte Philip Han, vëzhgues i OSBE-së (atëherë KSBE) në Kosovë.

“Në Kosovë cenohen interesat amerikane” – pati thënë Wiliam Perry, sekretari amerikan i mbrojtjes, ndërkaq në qershor të vitit 1995 sekretari amerikan i shtetit Christopher, ftoi Rugovën në Washington dhe sipas medieve shqiptare, ai ishte shprehur se ShBA-ja ’nuk do të qëndrojë anash në rast të konfliktit të hapur në Kosovë.

Kjo nuk ishte megjithatë sinjal i qartë që shqiptarët t’ia nisnin konfliktit për ta pasur Amerikën si aleate!?
Kur fliste për liri e pavarësi, Rugova vazhdimisht e përdorte edhe “cilësinë” e kësaj lirie që ishte demokracia.

Më 10 qershor 1999 liria u realizua, porse shteti në formim duhej të priste ende, ndërsa demokracia ende, për guerilen kosovare ishte vetëm frazë e zbrazët dhe e ftohtë, sepse synohej kapja e pushtetit pa u legjitimuar në zgjedhje të lira!?.

Dikur shumëkush e kishte përqeshur që po kërkonte një “protektorat civil ndërkombëtar” në Kosovë…
Dhe koha e tij e njohu këtë me UNMIK-un, kurse paskoha e tij me EULEX-in…
Rugova pra zëshëm kërkonte një protektorat civil ndërkombëtar, me afat të kufizuar, derisa të stabilizohej jeta për të kërkuar zgjidhje politike pastaj, përmes negociatave shqiptaro-serbe me intermediatorë. Porse, atëbotë bëhej ndërkaq presion mbi Beogradin nga Washingtoni zyrtar për ta lejuar rivendosjen e misionit vëzhgues të OSBE-së, e ideja e Rugovës për protektorat, ndonëse ishte vendosur në listën e pritjeve, ndodhi…

Dikur shumëkujt i është dukur utopi ideja e tij për një autostradë Prizren – Peshkopi – Tiranë – Durrës, që kosovarët të “zdirgjeshin’ për kafe e të ktheheshin në mbrëmje në shtëpi…
Ajo sot, mund të thuhet së është projekt madhor, i kryer.

Sado që si pasojë e politikave jokreative të liderëve shqiptarë dhe kosovarë ende projekt “ekonomikisht i vdekur.”
Dhe së fundi, Kosovës i ra hise ta sprovonte veten si shtet funksional në mort, më 2006 kur Rugova vdiq.
Ndonëse në zi për presidentin e parë Kosova funksionoi si shtet normal, madje i krahasueshëm më shtetet me demokraci të zhvilluara.
Trupat e KFOR-it dhe policia e UNMIK-ut kishin ulur në minimum gjendjen e gatishmërisë.
U “kthyen” në vëzhgues ose në dhe fotografë amatorë…

Shtyllat e këtij shteti, si lidershipi, TMK-ja, SHPK-ja (Policia e Kosovës) dëshmuan se janë të ndërtuara me themele të forta dhe në segmentet e veta kruciale nuk ranë në provim faqe botës.
Në një ditë me ngrica, rreth gjysmë milioni njerëz u dyndën në kryeqytet për të manifestuar unitet rreth vizionit të ish-presidentit Rugova, për një shtet demokratik, të lirë dhe për një shoqëri që i ka akseptuar vlerat e qytetërimit perëndimor.
Dhe kur në temperatura shumë të ulëta, njerëzit duke qarë prisnin në radhë të gjata për t’i dhënë lamtumirën e fundit, sërish u rishfaq fuqia ikonike e Ibrahim Rugovës, si të ishte një Papë!?

Në favor të kësaj shkon fakti se ato ditë zie kombëtare nuk ishte shënuar asnjë incident, protokolli i ceremonisë mortore pati funksionuar mirë, por edhe skenografia dhe elementet e tjera që e bëjnë madhështore një zi kombëtare u zhvilluan si në çdo shtet normal demokratik.
Por tek parakalonte nëpër qytetin e tij, qytetari i parë, tashmë i vdekur, ëndrra e tij shihej se ishte bërë realitet.

Ai me amanetin e tij që të pushonte i qetë në varrezat e dëshmorëve sikur me fuqinë e vdekjes tejçoi mesazhin se shoqëria kosovare ka marrë anën e jetës.
Në ato varreza prehen martirë të tri lëvizjeve të mëdha, partizanë antifashistë, luftëtarë të UÇK-së si dhe kampioni i rezistencës së padhunshme, Rugova.
Mesazhi duhet kuptuar drejt.
Ka diçka martire në veprimtarinë politike të Rugovës, dhe për t’u avitur te flijimi i Jezuit, Kosovës i jep ende emër e pietet, edhe i vdekur.
Ai, Rugova, që sot kur shpirti i tij lartësohet, i dha Kosovës një pamje zie të hijshme: Shteti u pa. Është Presidenti i parë i vendit që shkoi në amshim dhe që sot ai zë vendin meritor në historinë e shtetit.

Mrekullia e parë ndodhi: Kosova nisi historinë e shtetit.
Atë të enjte, kur po varrosej lideri i kosovarëve, shtyllat themeltare të shtetit funksionuan mirë dhe të pavarura.
Kosova do të ketë presidentin e dytë… të tretë dhe të tjerët, aq sa do të rrojë njerëzimi.
Që do të mbahen mend si liderë të mirë ose të këqij, që do të lavdërohen ose qortohen…
Ikona e pavarësisë së shqiptarëve është e paqortueshme.
Sepse çdo ikonë është ide pafajësie.

Pra, Rugova është një, ai ka hyrë në mbamendjen e kosovarëve si kundërshtarë i luftës dhe i fatkeqësisë, si mik i njeriut dhe si mendimtar i lirisë.

One thought on “Rugova, pacifist pa të meta – populli i tij nuk e donte luftën”

  1. Po që të bëjmë ne tani që amanetin strumbullar që na la i kemi koshiqt plotë
    po akoma kotë. Rugaova na tha: “Ju në diaspor kopjoni poret e jetes si mbahet
    shteti se i vie koha që na duheni”. Dhe sot e gjithë diten ju shkruajm liderve
    partiak dhe shtetërorë për bashkëpunim si në Kosovë dhe Shqiperi por kot…S’duan
    me na i parë syt………rugova kend e la pasë vajtes t’ija në amshim…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *