POLITIKA KOMBËTARE

Guximi politik i Haradinajt dhe pragmatizmi i Bulliqit, ndalin demarkacionin!

Shkruan: Florim ZEQA

Ditë më parë në një debat me një grup bashkatdhetarësh, derisa i ofroja faktet e shkruara dhe audioinçizimet një bashkatdhetari gjakprishur dhe shpirtëlig, rreth një çështje shumë më pak të rendësishme se demarkacioni ,…ky i fundit në vend që të më kundërpërgjigjej me argumente filloi të lavdëroj vetën për të kaluarën e tij jo shumë të ndritshme në vendlindjen e tij,…në atë moment u largova nga tryeza e bisedimeve në mënyrë demonstrative duke ja përseritur edhe një herë faktet e pamohueshme për kontekstin për të cilin ishim takuar.

Gjatë rrugës për në shtëpi, shoqëruesja ime, mbesa e Isa Boletinit më tha këto fjalë; “Ja ke bërë sikurse Ramush Haradinaj në tryezë me Murat Mehën për demarkacionin…” Pa një, pa dy ja ktheva; “Ska pas faj Ramushi, me ata që nuk i pranojnë faktet, me shpirtëshiturit dhe gjakprishurit nuk ke mundësi të dialogosh ndryshe”.

Qëllimisht e fillova në këtë mënyrë shkrimin, që lexuesi të më kuptoj më lehtë dhe futet më thellë në temën që po trajtoj sot. Politika, përveqse art i së mundshmës, është sfidë e pafundme e cila përveq njohurive dhe argumenteve kërkon edhe guxim dhe qendrueshmëri të lartë në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore. Është i pamohueshëm fakti, se sikur të mos kishte qenë Ramush Haradinaj me ja hedhë në fytyrë hartat e falsifikuara Murat Mehës, ndoshta çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të kishte kaluar në heshtje edhe përkundër protestave të opozitës së bashkuar. Ishte veprimi sa i guximshëm po aq edhe energjik i zotit Ramush Haradinajt që bëri të zgjohet ndërgjegja e disa prej deputetëve të përgjumosur në pushtet dhe opinionit të fjetur publik.

Reagimi i guximshëm i Haradinajt nuk ishte kundërshtim vetëm ndaj Murat Mehës dhe komisionit qeveritar, por ishte kundërshtim ndaj qasjes së gabuar qeveritare dhe mbështetësve të tyre ndërkombëtar. Kur ndaj dukurive negative dhe të dëmshme për vendin nuk mirren parasysh faktet, duhet reaguar edhe forcërisht nëse e kërkon nevoja për të mbrojtur të vërtetën, në të kundërtën e vërteta rrezikon të mbytet në heshtje. Nga ai reagim i guximshëm i Ramush Hradinajt në tryezë me kryetarin e komisionit shtetëror për demarkacion, zotin Murat Meha filluan të gjitha kundërshtitë e mëpastajme, jo vetëm në kampin opozitar, por edhe nga radhët e depuetëve të pozitës.

Tryeza e fundit e 3 gushtit 2016, fillimisht e inicuar nga deputeti i pozitës (LDK), zoti Bulliqi, i mbështetur edhe nga 23 deputetë të tjerë të kuvendit të Kosovës, i mblodhi pushtet dhe opozitë, shoqëri civile, profesor universiteti, akademik të fushave të ndryshme dhe ekspert të demarkacionit të kufijëve. Nga debati i gjatë 12 orësh dolën në sipërfaqe të gjitha manipulimet dhe falsifikimet e komisionit shtetëror për demrakacionin me Malin e Zi. Faktet e grupit të ekspertëve, akademikëve, shoqërisë civile dhe banorëve lokal të zonave të prekura nga versioni i ekspertëve të demarkacionit shtetëror, ishin aq fuqishëm të argumentuara, sa që do të jetë e vështirë të votohet versioni qeveritar i demarkacionit nga deputetët shqiptar. Jo me liberalizim të vizave, por me asnjë lloj çmimi tjetër nuk guxojnë të sakrifikohen rreth 9 km territor i shtetit të Kosovës.

Pas debatit të 3 gushtit për demarkacionin, nuk e besoj se do të dali ndonjë deputet, në damart e të cilit rrjedhë gjak shqiptari që mund ta votoj humbjen e rreth 9 mijë metrave katror të tokës shqiptare, të larë me gjak ndër shekuj. Përfundimisht duhet të themi, se guximi politik i Ramush Haradinajt dhe pragmatizmi i deputetit Shpejtim Bulliqi parandaluan një të keqe të madhe për vendin,…në të njëjtën kohë ju tërhoq vrejtja edhe ndërkombëtarëve që të mos manipulojnë me këtë klasë të korruptuar dhe shantazhuar politike për interesa të fqinjëve tanë,…ngase në çdo rrethanë, territorit të vendit jemi të gatshëm t’i dalim zot me të gjitha mjetët, pa kursyer as jetën tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *