POLITIKA KOMBËTARE

Qeveri teknike, me konsensus ose me presion popullor

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka shpallur dje aksionin e ri politik që do nisë që gjatë gushtit dhe do sjellë si rezultat krijimin e qeverisë teknike, si parakushti për të shkuar drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ftesa për dialog politik u drejtohet të dyja partive politike të mazhorancës, por përmbushja e kalendarit politik do realizohet me aleancën më të madhe që ka garantuar PD-ja, aleancën me qytetarin

Paralajmërimi i Bashës: Nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se vendit i nevojitet një qeveri teknike, si kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një bashkëbisedim për gazetarët, kreu Basha foli për zhvillimet politike në vend dhe gjendjen ekonomike ku ndodhet Shqipëria. Kreu demokrat u shpreh se këtë muaj gusht, opozita nuk ka asnjë ditë pushim, por do të prezantojë platformën e saj dhe do të marrë një vendim të cilin do ta bëjë publik për të gjithë qytetarët. “Qeveria teknike është kusht i panegociueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse kjo qeveri nuk reflekton me këto dy rrugë, platformë zgjedhore dhe qeveri teknike, rruga tjetër është me presion popullor”. Kreu demokrat vuri në dukje se opozita nuk i ka votat për të marrë vendime, por të gjithë ju jeni dëshmitarë që opozita ka ndërmarrë dhe përfunduar dy nisma të rëndësishme të saj, siç është dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi. “Me shndërrimin e Shqipërisë në vendin me kultivimin e drogës më të madh në Evropë, qeveritarët sado të mëdha t’i kenë hallet, janë të vetëdijshëm se kjo situatë është rezultat i politikës së kësaj qeverie dhe qytetarët janë duke pjekur një mendim të urtë dhe të mençur se duhet sjellë një ndryshim rrënjësor si nga pikëpamja e sigurisë, ashtu edhe nga ekonomia. Politika duhet të mbartë shpresë për një të nesërme më të mirë dhe ne si opozitë jemi mbartësit e kësaj shprese dhe këtë gusht, opozita nuk do të jetë pushim, por do të bëjë të gjitha përpjekjet për të qenë edhe realizuesja e shpresës shqiptare. Natyrisht, opozita do të jetë e para që të japë lajmin e mirë të kësaj. Të gjithë tashmë e kanë të ditur se opozita ka qenë në krye të disa betejave të rëndësishme, duke nisur nga ligji i dekrimininalizimit. Në mes të krizës së korrupsionit, këtij inkriminimi të pashembullt, opozita ia ka dalë t’i imponojë kësaj mazhorance konsensusin për ligjin e dekriminalizimit dhe ka pasur mbështetjen e SHBA dhe të BE”, tha Basha.

Në vazhdim kreu demokrat theksoi se që opozita ka ndërmarrë dhe përfunduar dy nisma të rëndësishme të saj, siç është dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi. “Së dyti, janë dy ngjarje që ne i kemi përjetuar në impaktin e tyre,  sepse këto ngjarje do të sjellin në Shqipëri standardin evropian të barazisë para ligjit, të individit të fortë: ligji i dekriminalizimit dhe reforma në drejtësi. Këto përbënin kauzën e PD-së. Ndaj jemi angazhuar me mish e me shpirt për suksesin e këtyre dy reformave që sollën çmontimin e planit të Edi Ramës për të çimentuar qeverisjen me krimin dhe kapjen e drejtësisë. Ne luftuam për konsensus dhe arritëm konsensus, që është bazuar në parimet amerikane dhe evropiane dhe sot Reforma në Drejtësi, drafti kushtetues, mishëron këto parime dhe kjo është fitorja. Nuk ka pasur asnjëherë debat duam apo s’duam Reformë në Drejtësi. Është një trillim për të hequr vëmendjen nga ajo që çfarë reforme duam. Drafti kushtetues që u kthye në realitet më 22 korrik e zgjidhi pikëpyetjen në favor të një drejtësie të aftë të zgjidhë korrupsionin. Angazhimi ynë ka qenë pa asnjë dyshim për një drejtësi evropiane dhe kjo hodhi poshtë baltën që u hodh dhe të përfundonte me falenderimin. Rrallë ka ndodhur në Evropë që një opozitë të luajë një rol kaq të rëndësishëm pa pasur forcën e numrave, por duke pasur forcën e vlerave. Kemi kryer kështu një detyrë jo thjesht opozitare, një detyrë për brezat që vijnë, si një busull për brezat që do të vijnë dhe kështu do të ndodhë edhe me 7 ligjet. Kushtetuta e re dikton një proces kushtetues dhe jo politik. Nuk do të ketë më beteja politike siç dëshiron dikush. Do të ketë beteja ligjore, kushtetuese, që do të rrjedhin në shinat e institucioneve, ndaj kushdo që kërkon alibi për të ndezur konfliktin politik do të zhgënjehet thellë. Përmbyllja e këtyre betejave hap siparin e një beteje të re për opozitën dhe jam i bindur – për çdo shqiptar – dhe kjo është beteja për zgjedhje të reja dhe të ndershme”, theksoi Basha. Më tej, ai thotë se zgjedhjet janë të rrezikuara si asnjëherë nga korrupsioni dhe krimi ndaj nis me urgjencë kjo reformë për të bërë nul, përdorimin e parave të pista në fushatën zgjedhore. “Zgjedhje të rrezikuara si asnjëherë nga korrupsioni dhe krimi ndaj nis me urgjencë kjo reformë për të bërë nul, përdorimin e parave të pista në fushatën zgjedhore. Kam marrë siguri nga SHBA dhe liderët më të lartë të BE-së se do të ndihmojnë fuqishëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne, opozita do ta fitojë këtë betejë dhe Shqipëria do ta fitojë këtë betejë dhe ftesa ime sot është që ta fitojë me kontributin e të gjitha forcave politike. Para tre muajsh, Grupi parlamentar i PD-së ka miratuar platformën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një javë më pas kjo platformë është prezantuar zyrtarisht në komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kanë kaluar tre muaj dhe ndonëse në atë takim, mazhoranca nuk shfaqi asnjë kundërshtim, asgjë nuk ka lëvizur. Qeverisja e Edi Ramës po shteron me shpejtësi, mundësinë kohore për implementimin e votimit elektronik dhe biometrik dhe numërimin elektronik. Kjo është e papranueshme. Kjo është në funksion të keqqeverisjes, në funksion të skandaleve të mëdha korruptive, të cilat thithin miliona euro çdo ditë, me pompë, nga ekonomia kombëtare, nga ekonomia familjare, duke përkeqësuar gjendjen ekonomike të çdo shqiptari e duke pasuruar një grusht oligarkësh në krye të qeverisjes. Kjo bëhet bashkë me moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, për të ruajtur sinoret e përbashkëta me krimin dhe për t’i përballur edhe njëherë shqiptarët me zgjedhje të dhunuara, me zgjedhje të trafikuara, me zgjedhje të blera, me zgjedhje të inkriminuara. Ne nuk do ta lejojmë”, theksoi Basha.

Në vazhdim, ai deklaroi se Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, unë kam shpallur në emër të PD-së, para qindra e mijëra demonstruesve, kërkesën tonë për një qeverisje teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Me refuzimin “de facto”, me taktikën e zvarritjes dhe shterimit të kohës, për të zbatuar platformën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që është në përputhje të plotë me standardet e OSBE-ODIHR-t , e konfirmuar nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë që ndodhen prej muajsh në Tiranë, qeverisja e Edi Ramës po fakton se nuk ka ndërmend të lëvizë gishtin për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se po përgatitet të bëjë prenë e radhës, mbi votën e shqiptarëve. Dhe arsyet për këtë dihen botërisht: një bilanc jo zero, por negativ! Nuk flasim për premtime të pambajtura, por për një përkeqësim të plotë të situatës në vend: Nga siguria – tek ekonomia; nga papunësia – tek varfëria ekstreme. Nga rënia në pikiatë e investimeve publike- tek rënia në pikiatë e eksporteve, e importeve, e prodhimit; nga falimentimi i bujqësisë – tek mbyllja e mijëra bizneseve, largimi i investitorëve strategjikë janë produkte të kësaj keqqeverisje. Të vetmit që prosperojnë janë një grusht ministrash dhe oligarkësh të lidhur me ta nëpërmjet koncensionesh abuzive dhe korruptive,  vjedhjes dhe kërdisjes së doganave shqiptare. Ndaj e dinë fare mirë që nuk mund t’i shkojnë asnjë votuesi, opozitar jo që jo, por as socialist e t’i kërkojnë votën, ndaj po bëjnë gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve të tjera. Kjo është një vijë ndarëse! Një rubikon, i cili nuk mund të kalohet. Me asnjë çmim nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Ndaj dua të përsëris sot kushtin tonë se për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme – faqja e refuzimit për tre muaj të kësaj mazhorance për t’u angazhuar në një proces të reformës zgjedhore siç e kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë, siç vetë nuk e kanë kundërshtuar – është dhe mbetet një qeveri teknike si garanci për mos prishjen dhe mos dhunimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri”. Basha u shpreh se Qeveria teknike është kusht i panegociueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Qeveria teknike do të ishte zgjidhja edhe për reformën zgjedhore, do të ishte baza për zhvillimin e saj. Qeveria teknike është proces politik që ka dy rrugë. Ka një rrugë bashkëpunimi politik mes palëve: realizmi. Por unë nuk po e mbyll këtë shteg. Po kërkoj kontributin e çdo force politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse kjo qeveri nuk reflekton me këto dy rrugë, platformë zgjedhore dhe qeveri teknike, rruga tjetër është me presion popullor”.

I pyetur për një koalicion me LSI-në, Basha tha:“Unë thashë që kërkoj bashkëpunimin e çdo force politike, të LSI-së, të PS-së, të cilët, nuk duhet të nisen nga premisa e frikës, e tmerrit nga vota e lira, por duhet të nisen nga përgjegjësia për t’i dhënë shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj e mirëpres kontributin e çdo force politike në këtë drejtim, siç do të kisha mirëpritur kontributin e çdo force politike për të arritur konsensusin e 22 korrikut. Kam përshëndetur LSI-në e në veçanti kryetarin e saj, njëkohësisht kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për shërbimin e jashtëzakonshëm që i bëri vendit për kalimin me konsensus të reformës në drejtësi. Po të njëjtën gjë do të kisha bërë për Edi Ramën nëse ai do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim. Por provat, rrethanat, që janë tani në syrin e çdokujt, vërtetuan të kundërtën: që ai u investua me mish e me shpirt kundër konsensusit, duke rrezikuar edhe reformën në drejtësi vetëm e vetëm për hir të manovrave të tij politike, lojërave të tij politike, që fatmirësisht përfunduan aty ku duhet të përfundonin, në koshin e plehrave”. Më tej, ai shtoi se Për reformën në drejtësi kam kërkuar konsensus që prej fillimit dhe e zgjidhëm me konsensus dhe pjesë e meritës është padyshim e LSI-së dhe në veçanti e z.Meta. “Do të doja të kishte qenë edhe e z.Rama, do të doja ta kisha përshëndetur edhe atë dhe në këtë moment do të flisnim për një kapitull të ri në politikën shqiptare, kur për një interes kaq madhor që transmeton jetëgjatësinë e një mazhorance apo një opozite, palët bien dakord për diçka që shqiptarët e meritojnë: drejtësi të standardit evropian. Por u luajtën qindra lojëra byzantine e intriga pikërisht për t’i ikur konsensusit, pikërisht për t’i ikur normave bazë mbi të cilat është ndërtuar Evropa dhe Amerika. Të njëjtën gjë politikisht mund të them sot për reformën zgjedhore. Është një shans si për Edi Ramën, ashtu edhe për Ilir Metën të tregojnë vullnetin e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një gjë është e sigurt: ne nuk do të presim duarkryq, por do të veprojmë”, tha Basha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *