OPINIONE

Mos e harroni Bujar Kaloshin

Shkruan: Reshat Kripa

Në përvjetorin e rënies (20 vjetorin) së martirit Bujar Kaloshi, nuk e di sepse m’u kujtuan vargjet e një poezie të një poeti anonim, që më ranë në duar disa ditë më parë. Në vargjet e asaj poezie shkruhej:

O Korab, fole kreshnikësh, o çati e Shqipërisë!
Përse e ke ulur kokën, o simbol i trimërisë?
Thellë në zemër më goditën, më goditën në Tiranë,
Në një ditë të nxehtë korriku, zemrën time dysh e ndanë.
Zemrën time dysh e ndanë, ata plumba të mallkuar,
Kur goditën zemrën djalit, trimit tim të paharruar.
Dhjetë vjet kam që lëngoj, dhjetë vjet kam që po pres,
Të vendoset drejtësia, të mos mbetem më me shpresë!

Nuk e di sepse këto vargje e prekën thellë zemrën time. Para syve më doli fytyra e qeshur dhe plot gjallëri e Bujar Kaloshit, në ato ditë të zjarrta të ndërrimit të sistemeve. Djaloshi i lindur dhe rritur baltrave të Plugut dhe Gradishtës, ku ishte internuar familjarisht, nuk kishte si të mos ishte i qeshur dhe plot gjallëri, në ato ditë historike kur zemra e tij vlonte nga dashuria për lirinë dhe demokracinë e mohuar për gati pesëdhjetë vjet. Më dilte para syve fytyra e këtij trimi, që pa hezituar u bë një nga nismëtarët e shoqatës tonë, duke qëndruar gjithmonë në ball të saj. E shihja atë djalë të lidhur pazgjidhmërisht me Partinë Demokratike, me të cilën u bashkua pasi tek ajo shikonte të mishëruara të gjitha parimet për të cilat kishte luftuar fisi i tij i madh.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Më kujtohet ajo ditë e zezë e 26 korrikut të vitit 1996, kur duart kriminale të trashëgimtarëve të etërve sadistë komunistë, qëlluan zemrën e këtij djaloshi. Ato plumba nuk goditën vetëm zemrën e Bujarit. Ato goditën zemrat e mijëra të përndjekurve politikë, në të katër anët e atdheut tonë të martirizuar. Goditja ishte preludi i asaj që po përgatitej prej kohësh, përmbysja e fitoreve të demokracisë së porsalindur dhe rivendosja e pushtetit të ish komunistëve. Kjo gjë u realizua një vit më vonë, nëpërmjet rebelimit të armatosur të vitit 1997.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Kemi njëzetë vjet që atë nuk e kemi më midis nesh. Kemi njëzetë vjet që presim të ndëshkohen kriminelët që qëlluan mbi të. Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Më lejoni të përmend këtu emrat e ndritur të anëtarëve të tjerë të shoqatës sonë që kanë rënë nën breshërinë e plumbave të barbarëve, emrat e Lekë Çokut, Besnik Hidrit, Besim Manolit, Valter Harizajt, Viron Rrapajt, Gëzim Shabanit, Bashkim Shkurtit, Fredi Shehut dhe plot të tjerëve. Të gjithë këta prehen në varr pa gjetur qetësi, pasi fajtorët nuk janë ndëshkuar ende.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Gjaku kërkon gjakun thonë! U ngritën gurët nga varret dhe folën! U ngritën malet dhe thanë dhe më i mbrapmi vrasës u ndëshkua!

Kështu shkruante Shekspiri i madh disa shekuj më parë. Kurse në vendin tonë, në shekullin e XXI-të, ky ligj nuk funksionon. Kriminelët enden lirisht rrugëve Brukselit apo Zurihut, madje edhe atyre të Tiranës, duke kryer krime të tjera dhe shteti shqiptar nuk është i zoti t’ia kthejë drejtësisë. Nuk e dimë, nuk është e zoti, apo mos vallë nuk do që t’ia kthejë? Kjo pyetje kërkon përgjigje nga autoritetet shqiptare.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Ndëshkimin e fajtorëve e kërkon zemra e babait të tij krenar, zemra e nënës së tij të përvuajtur, zemra e gruas së tij të re, zemrat e vajzave që u rritën pa prindin e tyre pranë, zemra e vëllait dhe motrave të tij. Ndëshkimin e fajtorëve e kërkojmë edhe ne, shokët e tij të vuajtjeve dhe halleve. E kërkon edhe shpirti i tij që nuk mund të prehet në paqe deri sa të vendoset drejtësia.

Dhe vargjet e poetit anonim më dalin përsëri përpara syve të mi:

Seç më duket që nga larg, zëri djalit po ushton,
Si një klithëm, si një britëm, nëpër shkrepa uturon,
Uturon sot nëpër shkrepa, zëri i djalit të ri,
Mos më lini në harresë, dua vetëm drejtësi!
S’dua llafe, s’dua përralla, s’dua vargje, s’dua këngë,
Ato le t’i lemë më prapa, ato brezat le t’i nxënë.
Jam këtu mbushur me brengë, nuk po gjej dot rehati,
Dua vetëm drejtësi, të prehem në qetësi!
Ngrihe kokën mal i lartë, mos qëndro i pezmatuar,
Biri yt ka fluturuar lart në qiellin e amshuar!
Lart në qiellin e amshuar, engjëjt e kanë rrethuar,
Si simbol të burrërisë, për jetë i paharruar!
Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Tiranë, 26 korrik 2016.
Botuar në gazetën “55“ Nr. 6509 datë 26 korrik 2016. Ne asnjë gazetë tjetër, nuk u kujtua njeri të përkujtonte këtë përvjetor të këtij njeriu të pa arritshëm. Madje as institucionet për të cila ai dha jetën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *