OPINIONE

BREZ MESI

Shkruan: Edison YPI

Nga çmendina e kurvit shqiptari doli i dobët, i uritur, i grisur, i çartallosur. E sollën në vete, e veshën, e mbathën, i dhanë të hajë e të pijë. Për shëndet afatgjatë, që rropullitë e barkut të mos tunden e shkunden si ua do qefi por me rregulla, duhej forcuar mesi. Për forcimin e mesit të shqiptarit erdhën këshilla dhe lutje të pafundme nga gjithë bota. Të gjithë i thanë shqiptarit; Forco mesin. Shqiptari dëgjoi. Për mënyrën dhe mjetet që duheshin përdorur për t’ja arritur këtij qëllimi pati diskutime të larmishme.

Varianti i shtrëngimit të mesit me ushkur u propozua nga koka, por u refuzua nga bytha e cila, përtej meritave historike të ushkurit, vuri në dukje humbjen e kohës për lidhje-zgjidhje, mungesën e prakticitetit.

Llastiku dhe kollajllëku që llastikun e karakterizon u sugjeruan nga kthetrat, mirpo u kundërshtuan nga qurrat të cilat vunë në dukje se po të ishte fjala për lozonjarllëk elastik, qurrat kampione ishin vet.

Kopsat e praruara për mbërthimin e mesit që me aq tërsëllëmë u ngritën në qiell nga gishti i mesit, u hodhën poshtë nga nofullat që me plot të drejtë theksuan rrezikshmërinë e përdorimit të perit dhe gjilpërës.

Kandaturën e përdorimit të rripit të mesit, atij prej meshini me tokëz dhe gjuhëz metalike, për një mes sa më solid të shqiptarit e paraqiti ulluku i kurrizit. Këtë kandidaturë të ullukut që u duk më e mira e mohoi rreptësisht zorra e trashë me argumentin e pakundërshtueshëm se rripi është i mirë por rripi rreh.

U duk sikur çdo propozim i bërë nga dikush refuzohej nga dikush tjetër dhe për ca kohë debati u mek. Kur, befas, ndërhyri ajo që kurrkujt s’ja kishte marrë mendja se do fliste, e aq më pak do thoshte ndonjë gjë të hajrit, sqetulla. Sqetulla tha; Unë zgavra modeste prej mishi leshi dhe kutërbimi, pa dashur t’i ofendoj, nuk mund të jem dakord për përforcimin e mesit të shqiptarit me ushkura shekullorë aspak të volitshëm, llastiqe të kollajshëm por të rrejshëm, kopsa që këputen, dhe Zoti më ruajt, rrip që zhdëp. Propozimi im është një mjet tradicional që me patëdrejtë ka ca kohë nuk përdoret më. E kam fjalën për atë që shqiptarët ndër shekuj e kanë mbledhur disa herë rreth vetes, brezin e mesit. Kandidatura e sqetullës u pranua.

Përdorimi i brezit të mesit prej leshi bagëtie tjerrur në furkë zbukuruar me ornamente popullore, e përmirësoi shëndetin e shqiptarit. Me këtë rast u rehatuan dhe të huajt që deri në atë moment s’rreshtën së thëni forconi mesin. Rropullitë e barkut u rehatuan. Gjymtyrët nisën të lëvizin lirshëm. Qarkullimi i gjakut, funksionimi i zemrës, tretja e stomakut, shikimi, dëgjimi, pjerdhja, shurrimi, dalja jashtë, u përmirësuan goxha. Ftomat, rritjet e temperaturës, gjendjet gripale, teshtimat, rrjedhja e qurrave, u paksuan dukshëm. Mbi të gjitha u paksua çakërrdisja, nisi të punonte normalisht truri.
Nuk vazhdoi gjatë. Shqiptari si shqiptari. Nisën icklat, pëshpërimat sikur demek shtrëngimi i brezit shkaktonte dridhjen e gjunjëve, zmadhimin e kokërrdhokëve të syve, hutimin, marramendjen, vjelljen, ndërsa lirimi i brezit shoqërohej me këputje, lëshim, dobësim.

E para që u ankua haptaz ishte veshka. Veshka, më tepër e bezdisur nga shtrëngimi se sa nga ngrohtësia që brezi i siguroi, shtroi pyetjen; Është shtrëngimi i brezit të mesit që shkakton dobësimin, apo është dobësimi që lyp shtrëngim të brezit të mesit ? Ky sherr nuk u zgjat. Shpejt u muar vesh se pyetjen provokative me dobësim dhe brez mesi veshkës ja kishin sugjeruar cmirëzinjtë qefmbetur ushkuri dhe llastiku. Me tu mbyllur davaja me veshkë dhe llastik, ja behu tjetri sherr edhe më i hidhur me protagonist gishtin e mesit i cili duke j’u kthyer një çështje që ishte shpallur e mbyllur hapi një plagë të vjetër duke vënë në dukje përparësitë e rripit të meshinit ndaj brezit të leshit. Ky kthim prapa u hapi punë ekspertave të shoqërisë civile që nisën të shqyrtojnë përparësitë dhe të metat si të njërit dhe tjetrit, si të brezit dhe të rripit. Ndërkohë që sot e kësaj dite ekspertat vazhdojnë studimet krahasuese pordhologjike me piksynim forcimin e mesit, kanë dalë llafe se së afërmi brezi i mesit do mbajë një fjalim historik që do ta përfundojë me këto fjalë; Mjaft me hajvanllëqe. Brezin e mesit që e kërkuan me vite nga brenda e nga jashtë kuçi e maçi dhe e provuan ta bëjnë por nuk e bënë dot as dreqi e as i biri nga brenda, ua bëra unë. Për zevzekët që u duket sikur forcimin e mesit nuk e bëra mirë, s’kam tjetër përgjigje veç asaj që Noli u dha skeptikëve pasi themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare; Falenderomëni që e bëra. Më të mirë se e bëra unë bëjeni ju po ua mbajti revolucionarja.

Çfarë prisni më prej meje o budallenj ? Të bëhem Myzeqe tu mbaj me bukë ? Tu marr hopa në prehër ? Apo edhe gratë tua mbars unë dhe ju të rrisni kalamajt e mi duke u mburrur se janë tuajt ? Lerini dënglat. Bëni për mua më të paktën që më përket, dy shtatore, një në Tomorr, tjetrën në Tiranë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *