POLITIKA NDËRKOMBËTARE

Ipeshkvia e Kosovës bashkëndanë dhimbjen për të rënët e Munihut

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka dërguar një letër Kardinalit të Munihut Sh. T. Rainhard Marx, përmes së cilës ka shprehur dhimbjen e Kishës katolike dhe popullit të Kosovës për aktin e shëmtuar që ka ndodhur dje në qytetin e Munihut.

Imzot Dodë Gjergji, thuhet në letër, bashkëndanë pikëllimin me Kishën dhe popullin gjerman, që dje u trondit nga sulmi vdekjeprurës i shkaktuar nga zemërligësia dhe urrejtja. Pikëllimi është shtuar edhe më shumë kur kemi mësuar se në mesin e të vrarëve janë edhe 3 të rinj shqiptar nga Kosova, thuhet në letër.

I dashur vëlla në episkopat, jam thellë i bindur se Kisha dhe populli gjerman, ashtu si ka treguar mikpritje, pranim dhe dashuri për miliona emigrantë nga të gjitha vendet e krizës, do të dijë të përballë me urti këto akte të shëmtuara të njerëzve zemërlig dhe të mbushur me urrejtje, të cilët duan të mbjellin kulturë vdekjeje, e me këtë po prishin harmoninë shpirtërore të njerëzve të Kontinentit tonë. 

Dashuria e krishterë, që e ka formësuar popullin gjerman, e i ka dhënë shtat Kontinentit të Europës, nuk do të lejojë të mbizotërojë e keqja, por do të vë dashurinë dhe faljen përballë urrejtjes dhe hakmarrjes. Kjo është rruga e vetme që na bënë ri-ndërtues të qytetërimit të dashurisë, si modeli më i mirë për njerëzimin. 

Kisha dhe populli im, bashkohet me Ju në lutje, që me forcën e fesë të përballoni këto momente të dhimbshme për popullin Tuaj.”  Thuhet në letrën e ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *