OPINIONE

Protestë e kotë e një poeti të papunë

Shkruan: Rexhep SHAHU

Edhe të tjerët e dinin se toka rrotullohet, por kishin fëmijë…

Kështu ma perifrazoi sot miku im poetin e madh Jevtushenko, poezinë e tij për Galileun. A thua kemi mbërri në këtë pikë, në këtë fazë, në këtë gjendje. A thua duhet me ikë nga ky vend se qëndrimi këtu po konsiderohet heroizëm i madh, sakrificë e madhe. A thua kemi mbërri sot në Shqipëri të jemi gjallë pahiri.

Nuk më han as lima as sharra, nuk më hy në sy asgjë, nuk më duhet asgjë. Mbërrina dhe e pashë me sytë e mi se dhunuesi im, ai që më ka përbuzë dhe për përbuzje më ka hedhë në rrugë të madhe, duartrokitet e puthet nga mbrojtësi im, nga miku im, nga ai tek i cili kam shpresuar si te zoti, nga ambasadori i Amerikës.

Reforma e përfolur e drejtësisë është përralla bajate e këtij viti, e kësaj qeverie, e kësaj vere të mërzitshme. Reagimet e mia emocionale rreth reformës e zhvillimeve rreth saj nuk janë mësimet e partisë e të shokut Enver kundër imperializmit amerikan, pasi unë kujtoj se jam në luftë prej kohësh me antiamerikanët e Tiranës që fshihen më së shumti me kryet në rërë e bythët në qiell. Të gjithë e dinë, e shohin, e ndjejnë, por unë jam si ai fëmija i vogël budalla që bërtas e them se mbreti është lakuriq, shihjani bolet sa të mëdhaja i paska, sepse unë nuk di të mos jem fëmijë dhe fatkeqësisht e shoh botën si poet, si një poet i përbuzur nga qeveria që puthet e duartrokitet nga ambasadori amerikan, i cili merr pjesë në protestat e eksponentëve socialistë, në protestë qeveritare kundër opozitës (!!!) dhe nga ajo protestë qeveritare kundër opozitës, rast i rrallë besoj në botë, kërcënohet opozita me udhëzime specifike nga Uashingtoni, për pasoja të rënda afatgjata (jo në shtatë breza).

Mua nuk më përfshijnë ato udhëzimet specifike. Sepse unë nuk jam votues në parlament, as drejtues i lartë, as shtetas amerikan në Shqipëri, as ndonjë njeri i rëndësishëm si spiun. Unë thjeshtë jam një qytetar i botës një milingonë që fati ka dashtë e nuk më kanë shkelë akoma me këmbë pashallarët e këtij vendi, ndonëse bukën ma kanë heqë për hakmarrje.

Ato qytetarët në protestën e rrallë të qeverisë kundër opozitës si kor i ambasadorit amerikan, protestë që nxori si lider të saj e si udhëheqës ambasadorin amerikan, a thua ishin qytetarë amerikanë me pasosha amerikanë.

Ato porositë e veçanta, udhëzimet specifike për pasoja të rënda për sot e për nesër, pse duheshin dhënë në publik, dhe nga prehëri i disa eksponentëve socialistë. Si demaskimet e dikurshme para popullit, i mbaj mend ato demaskime ku ta merrnin bojën. Ka sot shumë zyrtarë, deputetë, eksponentë publikë që kanë qenë demaskues profesionistë për armiqtë e partisë e popullit dhe sot u bëhet leshi kacurrel dhe bëjnë ligjin tek ne.

Sa pak njerëz në atë protestë socialiste? Apo hajt mo sa për recitimin e ambasadorit duhej krijuar ai sfond. Me cfarë fondi a thua u financua protesta qeveritare kundër opozitës. Me fondet e Sorosit mbase, po ai Sorosi mbrojtësi i pakicave, gjithë llojet e pakicave dhe vendosjen e botës në dorë të pakicave, ku po më le mua shumicën. Unë e di akoma se jam shumicë shqiptare në këtë vend edhe pak ditë, muaj a vite sa të shprazet plotësisht ky vend me ndihmën e miqve më të mëdhej të këtij vendi që cimentojnë në pushtet qeveritë më antishqiptare për interesat e tyre meskine, të përkohshme, përsonale e pragmatiste.

A thua a i është drejtuar ndonjëherë më ashpër ndonjë ambasador ndonjëherë qeverisë komuniste të këtij vendi sa iu drejtua ambasadori aktual opozitës së këtij vendi. Çudi, opozita problem, çudi, opozita sikur ka frenat në dorë, çudi. A thua qeveria në hije qenka më e fortë se qeveria në dritë, pra qeveria e opozitës më e fortë se qeveria e pozitës.

A thua do ta votojnë reformën ato deputetët kriminelë që ambasadori ka këkuar të ikin nga parlamenti. Ato 19 deputetet kriminelë. Po ato deputetët që ambasadori i ka kontestuar direkt me emra e mbiemra, a do ta votojnë reformën, a janë thirrë nga ambasadori ta votojnë reformën, a duhet vota e tyre, a vlen vota e tyre, a i jep ngjyrë, shije, aromë vota e tyre reformës së shumëpritur e përfolur. A u bënë të ndershëm tani këto deputetë, a u qepën e u bënë të ndershëm e të virgjër.

Po ato deputetët e deputetet që dikur kanë patur shenja, puçrra, gunga, lytha në fytyrë, që djemve a vajzave u vinte pështirë ti puthnin kur ishin të rij, dhe për të hequr këto puçrra e shenja që të shtohet deshira e puthësve për ti puthë, ata kanë bërë shumë e shumë operacione plastike të kushtueshme në klinika speciale dhe nuk dihet kurrë se si e ku i kanë marrë lekët e këtyre ndërhyrjeve kirurgjikale, a vlen vota e këtyre lloj deputetëve, a është votë e ndershme për reformën më të rëndësishme që nga Ismail Qemali.

Po vota e deputetëve që me ndonjë kioskë janë bërë milionerë e sot miliarderë ndërtues qiellgërvishësish, a vlen për reformen tonë, a janë vota të ndershme votat e atyre që udhëheqin ekonominë gjigante kriminale të vendit dhe që për ta mbrojtur këtë ekonomi drejtohet gishti i akuzës te gjyqtarë e prokurorë që ata të mos guxojnë kurrë të llomotisin.

Po vota e atyre lloj deputetëve ministria a ishministra që u thonin investitorëve të huaj, sa është pjesa ime, përqindja ime në investimin tënd, a vlen vota e këtyre lloj deputetëve.

Po vota e atyre sekserëve për caktim deputetësh a pushtetarësh vendorë apo zyrtarësh të lartë në funksione të ndryshme, që përveçse merrnin para të madhe e thonin ndonjëherë se po i marrim për partinë dhe shpërbleheshin edhe me seks si donin e kur donin e ku donin, brenda e jashtë vendit, a vlen, a duhet vota e ketyre lloj deputetëve, a është votë e drejtë e ndershme e ligjshmë, e virgjër apo është votë lavire.

Shumë ujë ka rrjedhë e do të rrjedhë në këtë vend, shumë ambasadorë do të rrjedhin, reforma do bëhet, bizneset do të shtohen, rjepjety e njerzve do të vazhdojnë të njejta, do të duhet të shkojnë të japin rryshfete jashtë vendit tek të huajt sepse nuk është shipje shqiptare rryshfeti e korrupsioni.

Por reforma rroftë, qejfi juaj u mbaroftë veç reforma do të jetë e kryer në këtë vend kur nuk duhet t’i kujtohet kurrë askujt ajo që iu kujtua sot mikut tim

Edhe të tjerët e dinin se toka rrotullohet
por kishin fëmijë…

A ndive z. Ambasador. Amerika nuk investon para, por Liri, Siguri.
Amerika na ka shpëtuar nga të tjerët dhe ne jemi sot shtet dhe na ka shpëtuar prej Frikës, ajo e vret Frikën.

Unë e besoj thellësisht këtë, para se të vinit ju, tani që jeni ju edhe pasi të ikni ju, se asnjë bandë nuk mund të qeverisë gjithë fatet gjithmonë, nuk mund t’i mbajë peng gjithmonë Fatet e një kombi që ia dëbojnë njerzit përditë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *