POLITIKA KOMBËTARE

Lamtumirë Edi Rama Kryeministër

Shkruan: Agron Gjekmarkaj

Qysh dje në drekë, pas konferencës për shtyp të Ilir Metës, i cili dha pëlqimin e tij për një qeveri teknike për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, Edi Rama mund të konsiderohet një ish-Kryeministër pavarësisht edhe sa kohë do t’i mbetet për t’u trishtuar e pikëlluar mbi karrigen e tij, ndarja me të cilën do t’i hapë brazda në shpirt dhe ndërgjegje.

Edhe nëse Meta ndërron mendje, gjë që do t’ia bënte reputacionin fërtele, pa frikë mund t’i thuhet “bacë u kry” nga pikëpamja e dialektikës politike! Një qeveri kësisoj nuk do t’i mungojë askujt. Rënia e saj thyen dyert e hekurta të pesimizmit ku jemi zhytur. Nostalgjia për të nuk ka asnjë bazë ku të zërë rrënjë. E desh qamet dhe për gjatë atë të uruar ndenjëse Kryeministri ynë.

Një vit kohë harxhoi për të rregulluar zyrën për ta bërë atë me lule e flutura, me kosha e topa. Në krah të saj konceptoi edhe një akcihane për miq e dashamirë, për analistë e klientë. Gjithçka bëri për ta pasur. Ia shiti shpirtin djallit. Sapo e mori, filloi të pështyjë mbi ata që ia bënë hazër. Ulur mbi të iu ngërdhesh gjithë Shqipërisë. U shfaq gënjeshtar dhe arrogant. Në çdo çast i mungoi njerëzia. Të parin shiti pikërisht atë që ia dha pushtetin, Ilir Metën.

Gargujt e tij glaconin çdo ditë mbi profilin human e politik të Metës. Nuk mbajti asnjë premtim dhe u vetërrethua me makutër, servilë me nuanca të forta perversiteti. Grupi i tij i dominimit do të kujtohet gjatë për grykësinë dhe lehtësinë me të cilën menaxhojnë gënjeshtrën, si dhe për mungesën e të skuqurit apo të zverdhurit.

Në tre vjet Shqipëria e Edi Ramës u shndërrua në kopsht i lulëzuar i hashashit dhe narko trafikut, në një vend djerr nga pikëpamja demografike, ku me qindra mijëra braktisën vendin, në një vend ku varfëria të zë frymën, në një vend ku ke frikë të udhëtosh natën, por jo shumë e këshillueshme rruga as ditën, në një vend ku vidhen bankat e dhunohen aeroportet me lehtësinë dhe kohën që duhet për një tekë, në një vend ku përgjohen kundërshtarët politikë në kundërshtim me çdo parim demokratik.

Sundimi është dëshira, ligji, pengesa, lamtumira zgjidhja. Nuk ia doli të lërë një shenjë pozitiviteti. Reformat e propozuara prej tij të kallin shijen e hiles dhe jo të rregullit, të mujsharisë dhe jo arsyes racionale, të mbivendosjes dhe jo të bashkëjetesës. Mungesa totale e veprave publike është një pjesë e dekorit të tij të dështimit. Kriza ekonomike e thelluar e plotëson ende më tej. Koncesionet me qindra miliona euro dhuruar miqve personalë e bën më të zezë pamjen, më mistik perceptimin, më të domosdoshme nevojën për lamtumirë!

Sigurisht Shqipëria që ai gjeti nuk ishte kurrkund një parajsë, një vend me një mijë probleme të çdo lloji, por qasja humane e atij vetë dhe marionetave të tij ishte tallëse, cinike në distancë drite me hallet e qytetarëve.

“Rilindja” e tij nuk qe gjë tjetër veçse triumf i vesit dhe një kolazhi frustimesh historike, krahinore, kulturore dhe ideologjike. Partinë Socialiste e zhveshi nga resurset intelektuale duke i zbuar, fyer, sharë e kërcënuar të gjithë ata që vinin nga bota akademike. Në të parat zgjedhje që organizoi, në lokalet e vitit 2015, futi duart sa mundi e ku mundi, duke i dhënë goditje fatale çdo lloj forme besimi se më të Kryeministër mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Ilir Meta bëri dje një nga deklaratat më të guximshme dhe më të vështirat në karrierën e tij politike, duke gjykuar nga konteksti politik dhe diplomatik. Nga vetja do të shtoja edhe një nga më të dobishmet për vendin. Personalisht nuk e kam votuar kurrë Metën dhe partinë e tij e as kam ndër mend ta bëj.

Gjykimi kësaj here i tejkalon antipatitë politike personale. Në këtë pikë ku kanë zbritur kredencialet e së ardhmes së vendit, mendoj që Kryetari i Kuvendit po sillet si burrë shteti me një qasje patriotike. E di shumëkush do të shqyejë sytë dhe këndellet në habi ngasa po them. Përmbajtja e fjalës së tij dje shpreh një koherencë që Meta e ka shfaqur që nga fillimi deri në fund të procesit të reformës në drejtësi, e cila përmblidhet te fjalët konsensus me opozitën sipas “Venecias”.

Jo njëanshmëri, jo trafikim votash. Sot është dita për të theksuar se një partie si LSI-ja, e cila ka mbledhur rreth vetes 20 deputetë, disa me votë popullore e ca të tjerë të mbërritur më pas, të joshur nga aroma e gjellëve të pushtetit, nuk mund t’i merret mbështetja apriori teksa tentohet të lihet pa teklif jashtë vendimmarrjes në të gjitha nuancat e reformës në drejtësi.

Vendosmëria e Metës e ka bërë më të lehtë betejën e opozitës, këmbëngulja e së cilës e ka përmirësuar këtë draft në masën 90%, duke e bërë klimën trepolare. Ambasadorët e angazhuar në këtë proces duhej ta kishin të qartë se një faktor i tillë vendimmarrës si LSI-ja nuk mund të lihej jashtë procesit dhe të trajtohej si i dorës së dytë.

Fjala “burg” si kolonë zanore e kësaj reforme është përdorur nga Kryeministri dhe ministrat e tij. Reforma, së pari, duhej të ishte parim dhe jo kërcenim. Parimi i kërcënon vetë të gjithë të korruptuarit. Ai s’ka nevojë për zërin e Ramës. Retorika është ombrella e hajdutëve. Unë nuk e di sa i ndershëm apo i korruptuar mund të jetë Ilir Meta dhe nuk vë asnjë bast për të, por me siguri Edi Rama, nga sa shohim dhe dëgjojmë, nuk ka asnjë avantazh moral dhe etik ndaj tij.

Ndërsa në raport me përfoljet dhe skandale në krahasim me ata të PS-së, ministrat e LSI-së të vjen t’i përqafosh me nge e mallëngjim, duke filluar nga Klajda Gjosha, për të përfunduar tek Ylli Manjani. Në qeverinë e “Rilindjes”, LSI-ja ia ka dalë të “purifikohet” dhe të “humbasë” në garën e korrupsionit. Tri forcat kryesore kanë detyrimin madhor që në kohën e mbetur të gjejnë formulën e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi si produkt i përbashkët dhe në sintoni me kërkesën këmbëngulëse të SHBA dhe BE.

Ata që e duan sipas Komisionit të Venecias, përbëjnë shumicën dhe Rama është dukshëm në minorancë. Pas saj Edi Ramës, ashtu siç Meta premtoi, i duhet dhënë lamtumira. Një qeveri kujdestare, e cila e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, është e vetmja garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në momentin kur besimi mes palëve ka vdekur. Kështu, edhe miratimi i reformës merr kuptim dhe çlirohet nga Kapësi nr. 1. Mbetet për t’u parë nëse Rama do të bëhet rrobaqepës siç ka premtuar?

Nuk jam skeptik për suksesin e zanatit të ri. E mendoj dyqanin e tij si një vend me hare, ku Auron Tare sjell bozë të ftohtë me gjym antik e Tan Lame pret shalqinj të ftohur në guvë. Ramën vetë, hokatar me përparëse e me shkumës mbi vesh tek mban me gajret zonjat që kanë shtuar ndonjë kile. Lamtumirë Edi Kryeministër, mirëardhsh Edi rrobaqepës! Me zanatin e tretë mund të mbetesh në historinë e Shqipërisë. Pas dështimit si piktor dhe politikan, beso tek e treta e vërteta! / Panorama

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *