POLITIKA KOMBËTARE

Politka kosovare, (si kaçikat e pules) me afat të skaduar!

Shkruan: Florim ZEQA

Përderisa në të kaluarën jo shumë të largët, largimi nga vendlindja ishte i motivuar nga regjimi okupues i Serbisë, tani në shtetin e “pavarur” ikja nga Kosova po shkaktohet nga keq-qeverisja e pushtetarëve vendor, këtyre uzurpatorëve të lirisë sonë!

Për humbjen e shpresave të qytetarëve për të jetuar në shtetin e tyre, “merita” ka edhe opozita,…që shpeshëherë u bë krahë i djathë i keq-qeverisjës së pushtetarëve aktual !

Në këto tetë vitet e paspavarësisë, pushtetarët vendor jo vetëm që nuk u kujdesën për mirëqënjen e popullit, ua thyen të gjitha shpresat për ardhmëri në vendin e tyre,…ata u kujdesën vetëm për vetën e tyre, duke i shkaktuar popullatës thyerjën më të madhe shpirtërore në këto tri dekadat e fundit.

Askush nuk e ka pritur që në shtetin e “lirë e të pavarur”, do të krijohet një diskrepancë kaq e madhe mes pushtetarëve dhe qytetarëve; të parët (pushtetarët) u pasuruan skajshmërisht nga shitja e pasurive shoqërore, nga vjedhja dhe plaçkitja e qytetarëve të varfër, ndërsa këta të fundit, qytetarët (popullata) u varfëruan dhe vazhdojnë të varfërohen për ditë e më shumë si pasojë stagnimit të zhvillimit ekonomik.

Për këto tetë vite të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë, e tërë energjia e Qeverisë së Kosovës u konsumua për qytetarët e pakicës serbe, ndaj qytetarëve që nuk e njohin dhe as pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të tyre!
Qasja aktuale politike e pushtetarëve aktual jo vetëm se po e izolon Kosovën, por po paraqet edhe një kërcënim serioz për procesin shtetndërtues, duke krijuar kështu mundësinë për kriza serioze të brendshme politike, ashtu siç edhe është dëshmuar këtyre dy viteve të fundit me bllokada dhe postbllokada parlamentare.

Izolimi dhe mbajtja nën “embargo” e Kosovës, në radhë të parë vjen si rezultat i një lidershipi të dështuar, i një klase të papërgjegjshme dhe një shoqërie civile të heshtur dhe përgjumur. Është e vërtetë se bllokadat artificiale e krijuar në Kuvend dhe institucione i ka bërë të pashpresë qytetarët, por akoma më të pashpresë i ka bërë koalicioni qeverisës në njërën anë dhe në tjetrën çakordimi i opozitës, dikur të bashkuar kosovare.

Populli i Kosovës është duke humbur shkaku i kësaj klase të konsumuar, korruptuar dhe shantazhuar skajshmërisht,…do të thoja të një klsae politike me afat të skaduar sikurse “kaçikat e pulës” që në Kosovë vijnë nga vendet aziatike.

Për vendnumërimin e Kosovës, krizën politike dhe ekonomike, bllokadat dhe post-bllokadat, korrupsionin, krimin e organizuar dhe përhapjen e shumë dukurive negative, përgjegjësia është kolektive, përgjegjës janë e gjithë klasa politike pa dallim, pushtet dhe opozitë, shoqëri civile dhe popullata me heshtjen e gjatë dhe të pambarim…
Në vend që të ndërmarrin iniciativa të shëndosha, janë mjaftuar duke fajësuar njëri-tjetrin për dështimet e njëpasnjëshme në politikëbërjen dhe shtetndërtimin e vendit.

Largimi i menjëhershëm nga mendjet tona i paragjykimeve, tendencave dhe prapaskenave kundër njëri-tjetrit, do të na çlirojë më shpejtë nga “gogoli” i fajësisë kolektive. Ka ardhur momenti për të thyer skemat dhe mitet e vendosura nga e kaluara, për t’u zgjuar nga ëndrrat e këqija, ku lugetërit aktualë të politikës kosovare, të mbajturit peng nga forcat e fshehta të organizatave ndërkombëtare, të cilët, duke ëndërruar shpëtimin e pasurisë së tyre, e thonë sloganin nën mashtrim: “Bashkimi Evropian është objektivi ynë, vizioni ynë!”, për të mbajtur sa më gjatë nën iluzione popullatën me shpresa të humbura dhe zemra të thyera nga dështimet dhe mashtrimet e njëpasnjëshme të tyre.

Populli im i dashur, i kuptoj brengat e juaja; e di që e keni të vështirë të jetoni në varfëri karrshi një klase super të pasur,…por më e vështirë është t’ja kthesh shpinën shtëpisë dhe vendlindjes, vendit më të bekuar në botë.
Ne që jemi largë atdheut, jemi të gatshëm të kthehemi në çdo moment për të shijuar varfërinë, nga e cila ju çdo ditë dëshironi të ikni…por në asnjë rrethanë nuk dëshirojmë t’ju rëndojmë jetën tuaj duke u bërë barrë e shoqërisë, përkundrazi dëshirojmë që kthimit tonë në vendlindje t’i gezoheni edhe ju.

Ju që i sfiduat të gjitha vështirësitë nën përiudhën e gjatë të okupimit barbar serb, qëndroni vetëm edhe pak,…jemi shumë afër ditës së madhe të fitores ndaj pushtetit antipopullor, ta bëjmë bashkarisht kthesën pozitive përmes votës së lirë dhe demokratike, për ta dërguar të keqën një herë e përgjithmonë në “muzeun” e pakthim të harresës.

Ketë e kemi për obligim ta bëjmë për gjeneratat e ardhshme, për fëmijët tonë, për nipat e mbesat që padrejtësisht gjenden largë vatrave stërgjyshore,…për të mos mbetur një komb i shprishur dhe nëpërkëmbur nga të tjerët, për të mos mbetur shërbëtor dhe ndërtues të vendeve të huaja, por të bëhemi Zot në shtëpinë tonë.

Përgjegjësinë nacionale pa dyshim e mbajnë krerët e shtetit, të cilët herët apo vonë, përveqse do të ndëshkohen nga drejtësia, ndëshkimin do ta marrin edhe nga qytetari me votën e lirë apo përmes formave tjera të pakënaqësisë qytetare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *