HISTORIA

Zef Mala, mes lavdisë dhe persekutimit

Shkruar nga Gjon Fierza, me rastin e 100-vjetorit të lindjes

Janë të rrallë personalitet të cilët njëherazi janë të persekutuar (burgime, internime, vdekur në burg) por dhe të lavdishëm për vlerat; si intelektual, si drejtues politik e shoqëror, në një vend të vogël si Shqipëria. Për ata që nuk e njohin, Zef Malën, ose ata që e njohin disi ndryshe sipas të pavërtetave në Historinë e PPSH, mund të themi se është një nga figurat më të jashtëzakonshme të politikës – përfaqësues i së majtës shqiptare.

Është ky 100-vjetor i lindjes që mund të themi diçka më shumë dhe të sjellim në vëmendje Zef Malën. Në këto njëzet e pesë vitet e fundit, pas vendosjes demokracisë, për dhjetëra personalitete shqiptare te fushave të ndryshme, të vdekur apo që jetojnë, janë bërë me qindra shkrime e vlerësime, janë dhënë me dhjetëra tituj nderi, dekorata dhe dëmshpërblime, për persekutimin e tyre nga regjimi komunist. Sigurisht ky është një detyrim historik e ligjor i shoqërisë duhet të bëhet në vlerësim të kontributit dhe të sakrificave të tyre deri në flijim. E rëndësishmja është të njihen vlerat dhe meritat reale të persekutuarve politik, personalitetet të vlerësohen sa me realisht. Po kaq e rëndësishme është, të mos harrohen disa personalitete të tjera që ndoshta nuk ka palë të interesuara politike direkte, familjar dhe të afërm që të nxisin apo si thonë të “sponsorizojnë” në njohjen dhe evidentimin e vlerave dhe kontributeve të tyre. Mbetet shume për të bërë, veçohet njëri, të cilit, historianet, mendimi politik e filozofik shqiptar dhe qeverisja e kohës, që vazhdojnë “ti mbeten borxh është Zef Mala”. Te ky personalitet mund të themi se ishin të mishëruara: filozofi e politikani, historiani e shkrimtari, juristi e ekonomisti, esteti e gazetari; ndoshta një njeri unikal i trojeve shqipfolëse. A jemi sot në ditët e së nesërmes së Zef Malës që ai besoj njohjen e meritave dhe mbrojtjen e tij?! A jemi para një amaneti të pambajtur, a duhet të vinë ditë të tjera dhe sa kohë duhet të kalojë që Zef Mala të ketë vlerësimin dhe vendin e nderuar që meriton. Ndonëse ai themeloi e drejtoj njërin ndër grupet komuniste më të rëndësishme në vend, ai nuk u ftua në themelimin e PKSH, pra asnjë dite ai nuk qe anëtar i PKSH. Që në ditët e para të jetës së PKSH, do të ishte kundërshtar i hapur i veprimtarisë së sajë të drejtuar nga Enver Hoxha. Ai u dënua e u persekutua, pasi hapur me fakte dhe argumente, kritikoi Enver Hoxhën, regjimin dhe qeverisjen e tij, regresin që i solli Shqipërisë, duke larguar nga gjiri i Evropës dhe i demokracisë. Edhe pse kaluam një çerek shekulli shtet demokratik, akoma emri dhe vepra e Zef Malës nuk kanë zënë një vend të merituar në shkencën albanologjike, nuk mjaftojnë ato pak gjëra që kanë synuar në publikimin dhe njohjen e veprës dhe kontributit te tij. Ndoshta për herë të parë në vitin 2000 një gazete e ditës do botonte një dossier “Zef Mala e themeloi Partinë para Enver Hoxhës” (D.Kaloçi). Në vitin 2002, me kontributin e vajzave (Maria dhe Esmeralda) dhe të studiuesit L. Ndoja, kemi një botim të disa shkrimeve të Zef Malës ne titullin “Vox Populli-Zëri i Popullit”. Po në ketë botim është “Testamenti politik”- Promemorie e Zef Malës drejtuar Mehmet Shehut. Në veprën “Rrno për me tregue” të ndjerit at Zef Pllumbit ka një përshkrim të njohjes Zef Malën, duke e vlerësuar si njërin ndër intelektualët dhe personalitet me të rëndësishëm të kohës. Në botimin e Ndriçim Kullës (2014), “Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar nga viti 1807 deri në vitin 1957”, Zef Mala do të ishte i përzgjedhur në këtë botim midis 25 personaliteteve të kohës, me disa shkrime publicistike të përzgjedhura nga “Vox populli”. A thua mjafton kaq për të hequr të gjithë atë “baltë të hedhur nga E.Hoxha dhe kalemxhinjtë afër tij”, të konsideruar si; utopist, si tradhtarë dhe përccarës të lëvizjes komuniste, me konceptet ideologjike e politike të kufizuara, etj, e shoqëruar kjo me privim të lirisë deri me dhunim të jetës për 50 vite, sigurisht që jo. Është e udhës dhe si detyrim moral i historianëve, analisteve, politologëve dhe studiueseve të ndryshëm; që të ndriçojnë figurën poliedrike te Zef Malës, si mendimtari i parë politik laik i drejtimit social-demokrat shqiptar, opozitari i shekullit 20-të.

Jeta dhe veprimtaria e tij shumëdimensionale është ndoshta ndër më të spikaturat në messhekullin e 20-të. Në një moshë të re ndoshta me pak se 20vjeçare me shkrimet e tij që në vitin 1934 në revistën “Arbnia” më vonë në revista të tjera, do të shfaqë idetë e një iluministi social-demokrate. Shoqëria shqiptare, qysh nga vitet ’30 të shekullit të kaluar e njihte Zef Malën si një ndër themeluesit si drejtuesin e Grupit Komunist të Shkodrës, njëri ndër grupet kryesore me veprimtari jo vetëm në Shkodër por në Kosovë, Tiranë, Elbasan, Korccë, etj. Veprimtaria e tij kishte një bazë teorike, kishtë një angazhim aktiv politik dhe filozofik, për ndryshim dhe përparim të Shqipërisë. Me këtë qasje (ndryshe një lufte guerile), për më se një dekadë më një veprimtari të madhe politike, publicistike do të kundërshtonte hapur regjimin monarkist të Zogut. Më tej ai aspironte për një Shqipëri në tërësinë e Evropës, si vend të zhvilluar e demokratik.

Zef Mala, tek analizon veprimtarinë e tij thotë: “… Në qoftë se në rininë time të parë, sentimentalizmi e fanatizmi djaloshar më patën shtyrë me përqafue idetë luftarake të lëvizjes komuniste ndërkombëtare si udhën e vetme për të përmbushur aspiratat e popujve për liri barazi, drejtësi sociale e progres të përgjithshëm, pjekuria e mendimit në një moshë ma ta shtyme me studimet e mia në ndërkohë më patën prirë tashma drejt një socializmi demokratik e liberal, humanist e kritik, si udhë e domosdoshme për të siguruar atë liri e drejtësi sociale pas të cilën asnjë shoqni njerëzore nuk mundet të ndërtohet e të përparojë.”

Jeta në liri fizike e Zef Malës qe e pakët, ai u dënua me rreth 60 vjet burg. Ai u burgos dhe u përndoq që nga viti 1937 e deri sa ndërroi jetë në burgun e Tiranës me 31 dhjetor 1979, nga tre qeveri (e Zogut, pushtuesit italian dhe qeveria e Enver Hoxhës). Edhe në periudhat jashtë burgu, ai ishte i izoluar, pra e gjithë jeta dhe veprimtaria e tije mbeti në një mbikqyrje të shtetit komunist. E si të mos mjaftonin gjithë këto dënime, në rrethana të ndryshme i janë zhdukur dorëshkrimet, mjaft libra, studime e botime të ndryshme, të gjitha këto; për të mos u njohur në thelb kush qe Zef Mala dhe vepra e tij. Duke qëndruar hapur kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës (pas viteve ‘50 ishin të pakët ata që mendonin dhe akoma më të paket ata që merrnin guximin të shkruanin e dilnin hapur), por me një shpresë në të ardhmen ai në testamentin politik do të shprehej: “Unë di se në Arkivat shtetërore ruhen arka me dokumente që i përkasin aktiviteteve të mia të dikurshëm, që do të dëshiroja të baheshin publike i bindur, se nuk janë të shumtë ata persona të shquem në horizontin shqiptar tash 70 vjet e këndej që posedojnë qoftë në jetën e tyre private e qoftë në atë politike një pastërti morale e politike të krahasueshme me atë që karakterizon jetën dhe veprën time, prandaj mbrojtjen time ia kam besue Historisë se nesërme, e cila do të më njohë meritat që më takojnë jo vetëm për sa kam ba, dhe nuk asht pak, dikur për vendin tim, por sidomos për atë që nuk kam ba, e nuk kam pranue t’i baj që nga kthimi im në atdhe e deri sot e në mënyrë të veçantë për mendimin tim se e ardhmja e Socializmit kalon nëpër udhën e lirive në realizimin e një shteti të themeluem mbi konsensin e lirinë të vullnetshëm e të gjithë shtetasve të ngritun në shkallë qytetarie e në kuadrin e një pluralizmi e opinionesh që janë refleks i pluralizmit politik, social, ekonomik, kulturor e moral në të cilën merr trajtë e përmbajtje çdo shoqni njerëzore e në çdo sistem qeverimi”

Filozofia, kritika, orientimet dhe qëndrimet politike të Zef Malës janë aktuale dhe në ditët e sotme. Këto pjesë të shkëputura nga artikujt e botuar 70-80 vite më parë, për fatkeq në të shumtën e tyre duken si janë shkruar dje, pasqyrojnë këtë realitet shqiptar, këto çështje sot diskutohen e shtrohen për zgjidhje në jetën dhe politikën shqiptare, etj.

***

Shoqnia shqiptare

“Kështu morali ynë shoqënor sot për sot gjendet në nji gjendje tranzicioni, këndej shpjegohet dhe moskënaqësia e ditëve tona, shrregullimi në të gjitha pikpamjet e jetës shqiptare…. Por me çlirimin politik dhe gjendja morale e popullit pati tronditje të thella, sepse përdhunimi që e mbante të lidhun deri atëhere u shkatërrue tue lëshue shoqëninë shqiptare në nji shregull që ndërronte herë pas here, simbas duerve që merrnin në dorë frenat si drejtues të shumicës. Fati ynë solli që drejtimet e ndryshme politike të jenë shpesh herë edhe në kundërshtim në mes tyne kështu nuk qe e mundun me u konsolidue hëpërhë ajo harmoni që dikush shpresonte se do të arrihej, dhe e cila harmoni do të ishte vetëm vijimi i gjendjes së vjetër, plot korrupsion në çdo shfaqje të sajën. Por megjithate korrupsioni u zhvillue edhe ma tepër tash vonë tue arritë kulmin gja që ndihmoi shumë për të dhanë shkasin për kërkesa të reja”. Mjerimi që po qajmë përditë, në realitet qe nji fat për ne, sepse mospërkimi me frymën e maparëshme ndihmoi me u zhvillue ndjenja e së resë, ndjenja e moskënaqjes me gjendjen e sotme. …”Jeta shqiptare, meqë nuk kemi pasë kurrë nji frymë krejt tonën, nji ideologji që të pasqyrojë aspiratat e popullit shqiptar, të veçuem si shqiptar, nuk mund të sinkronizohet me çdo rrymë tjetër, koha që jetojmë e vendi ku gjindemi, kanë nevojë për baza morale shoqënore krejt të reja që të përfaqësojnë jo të shkuemen por të ardhmen”. Botuar në vitin 1935

Kristalizimi i ideologjisë shqiptare…

“Po kërkuem Zotin e gjejmë në “Njerzinë” po kërkuem idealin e gjejmë në “Dashurinë”. Pra të kërkojmë me dashtë atdheun tonë, të bukurën Shqypni e frymëzimi i kësaj Zoje të shenjtë ka me na ba dashunorë për mbarë njerzimin e për mbarë botën. Të heqim paragjykimet, ambicjet e egoizmat që na kufizojnë…. Të përqafojmë sa ma shumë mundemi. S’ka Zot tjetër përveç dashunisë, s’ka Dashuri tjetër përveç asaj të Njerzisë e s’ka Njerëzi pa Atdhe”. Botuar në vitin 1934

Për rininë

“Në rininë tonë shifet nji plogështi që të merr frymën. E kalon motin tue u endë rrugash ose tue ndejtë ndër vende dëfrimi, kurse i duhet me u ndry mbrenda tue mendue se si kishte mund me i zgjidhë në mënyrë të dobishme çështjet që i përkasin jetës së përbashkët. Nuk kemi kohë me u tallë”. Botuar në vitin 1934

Për politikën

“Në Shqipni, ka pasun kurdoherë grupe dhe parti politike në kundërshtim me programet, në qëllimet, në nevojat dhe në interesat. Edhe pse në të shumtën e herëve luftimi nuk ka qenë e mundum të bahet çiltaz, secili grup asht përpjekë nën dhe, me i ba vorrin tjetrit, e triumfue mbi të”. Botuar në vitin 1935

****

Data dhe ngjarje kryesore në jetën dhe veprimtarinë e Zef Malës.

-Zef Mala, ka lindur me 14 Prill 1915, prindërit e tij ishin Gjoni dhe Shaqja. Gjyshi i tij (nga ka marrë dhe mbiemrin) ka qenë Mal Jaku, i njohur në krahinën e Pultit si i pari i fisit “Pepaj”, patriot e luftëtar në mbrojtje të trojeve amtare. Vendlindja e Zefit, shkruhet Shkodër, ndërkohe që sipas gojëdhënave; thuhet se ai ka lindur dhe jetuar deri në moshën 4 vjecare në lagjen Mahallë në fshatin Plan të Dukagjinit. Gjoni i ati, në kërkim të një jete më të mirë dhe për të shkolluar fëmijët u shpërngul për në qytetin e Shkodrës ndërkohë që dhe bashkëshortja i vdiq, kështu Zefi që i vogël mbeti jetim.

-Në vitin 1933, mbaron “Kolegjin saveriane” të Urdhërit Jezuit në Shkodër me rezultate shkëlqyeshem (nota 10).

-Në vitin 1934, vendoset të jetojë në Tiranë, publikon në gazetën “Besa” artikuj tematik mbi shoqëritë rinore dhe shkruan në rubrikën “Jetë shkrimtarësh të mëdhenj”. Shfaq mendime letrare për shkrimtarët italo-arbëreshë e bashkëkohorë si: E. Koliqi, E.Haxhiademi, etj.

-Në vitin 1934, fiton një bursë shtetërore nga qeveria e Zogut për studime në Universitetin e Vienës në Fakultetin e Filozofisë. Aty ai, bie në kontakt me teoritë e së majtës evropine.

-Në vitin 1935, boton revistën social-politike “Fryma e re” në Shkodër, ndalohet që në numrin e parë.

-Në vitet 1935-1937, punon dhe si redaktor në gazetën “Arbënia” në Tiranë, bashkëpunon me revistat; “Minerva”, “ABC…”

-Në vitin 1936 pas dy vite studimesh, kthehet në Shkodër pasi i ndërpritet bursa nga Qeveria e Zogut.

-Në vitin 1937, themelon grupin komunist të Shkodrës me ndihmesën e Vasil Shantos, Gjovalin Lukës, Niko Xoxit, Tuk Jakovës, Qemal Stafës, etj. Boton materiale propagandistike komuniste e analiza sociale për Shqipërinë. Kritikon sistemin monarkist dhe kërkon organizimin sindikal kundër regjimit të Zogut. Kërkon përfaqësimin e krahut të majtë në parlamentin shqiptar.

-Dhjetor 1938, boton organin politik të grupit komunist të Shkodrës “Buletini jeshil”.

-Janar 1939,”Buletini jeshil” arrin në numrin 3 dhe mbyllet. Zbulohet veprimtaria kundër regjimit, arrestohet Zefi me gjithë anëtarët e grupit dhe kallëzohet në hetuesi, i sekuestrohen materialet propagandistike e mjetet e shtypit.

-Më 11 Shkurt 1939 del në gjyqin e hapur që zhvillohet në Bashkinë e Tiranës. Zef Mala dënohet me 10 vjet burg, me akuzën: “krijimin e një organizate komuniste e thirrje për rrëzim me dhunë të sistemit kushtetues”. Në këtë “Gjyq Politik për propagandë Komuniste” mbi 70 veta kryesisht të rinj akuzohen për lidhjet me Zef Malën. Fillon vuajtje e dënimit në Mbreshtan të Beratit. Çfarë thuhet në historinë e PKSH për këtë gjyq dhe për Zef Malën janë të pavërteta, të qëllimshme për denigrimin e tij.

-Më 6 Prill 1939, bashkë me Vasil Shanton dhe të burgosur të tjerë shpërthejnë burgun e nisen që të organizojnë mbrojtjen nga pushtimi fashist në Durrës, ndërkohë mbreti Zog qe arratisur nga Shqipëria. Ishte tepër vonë, më 7 prill fashistët italianë kishin zbritur dhe tashmë kishin pushtuar Shqipërinë. Ai me shokët ndërroi rrugë e u arratis ne Jugosllavi, ku nuk u pranuan si azilant politik prandaj u kthyen menjëherë.

-Në korrik të vitit 1939 “Për meritë të Zef Malës-u krijua Partia Komuniste Shqiptare” kujton Kasem Trebeshina. Ai jo më shumë se 24 vjeç, me mençuri e tolerancë, mundi të forcojë organizatën, por dhe bashkojë bile dhe njerëz me pikëpamje shumë të kundërta, të vendosë lidhje me partitë e majta italiane. Kjo parti nga E. Hoxha është quajtur si Partia socialdemokrate e Zef Malës.

-Në nëntor 1939, kapet nga fashistët si organizator i demonstratave dhe internohet për 5 vjet në ishullin famëkeq “Ventotene” në kampin e Santo Stefano-s në Itali. Vuan dënimin në shoqërinë e personaliteteve politikë të rezistencës antifashiste italiane, të majtë e demokristianë të De Gasperit; – Sandro Pertini (president i Italisë), Luigi Longo, Pietro Neni, etj. Ne këto vite ai thellon studimet tashmë jo vetëm për filozofi, por dhe për letërsi e arte, për ekonomi e jurisprudencë. Ai tashmë zotëronte mjaft mirë gjuhët e huaja si: gjermanisht, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe latinisht. Përsëri ruan kontaktet me “Grupin e Shkodrës”, mbledh ndihma për të, me anë të P.K. Italiane në Bolonja.

-Në verën e vitit 1943, e kthejnë nga internim në Tiranë për t’u rigjykuar. Gjykata e dënon përsëri me 15 vjet burgim. Ai mundi të arratiset nga burgu i Tiranës me disa komunistë e të tjerë. Mundi të qëndronte i fshehur në Tiranë tek dajat e tij (Luigj, Filip, e Shuk Shukaj). Pas disa ditësh ai me kërkesë të Enverit shkon në batalionin e dytë të Grupit të Pezës ku ndodhej dhe Meladin Popoviçi ..”

-Në verën e vitit 1944-në një takim në Pezë me Enver Hoxha e Miladin Popoviçin pyetet nga Miladini për qëndrimin që duhej mbajtur nga komunistët pas luftës ndaj Kosovës. Zefi shprehet në takimin me “Çështjen e Kosovës do ta zgjidhë populli me zhvillimin e një plebishiti, pas luftës”.

-Më 4 prill 1944, E. Hoxha urdhëron -shokun Nako (Spiru) – “Zef Mala të mos shkojë në Kosovë. Përkundrazi ta dekoroni me një plumb kresë. Ai s’është i mirë dhe duhet të zhduket”.

-Në vitin 1945 shkon në Itali për të operuar sytë. Nga studimet, shkrimet e përkthimet e shumta shikimi ishte pakësuar mjaft. Rivendos kontakte me miqtë antifashistë, tashmë aktivë në politikën italiane. Ju krijuan dhe ju afruan mundësitë për të qëndruar në Itali, por ai nuk pranoi. Ndër kohë ju dha një mundësi për të mbajtur një fjalim në Piaca Venecia – Romë, në “Mbrojtje të çamëve që masakroheshin nga grekët”, fjalim që pati jehonë në shtypin italian.

-Në vitin 1946, pas kthimit në Shqipëri, kur punonte në bibliotekën kombëtare, arrestohet papritur, dënohet me 10 vjet burg. Motivi i dënimit: “Për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me partinë komuniste jugosllave”. Kryen 2 vjet dënim e lirohet me 19 janar të vitit 1949 përmes amnistisë nga ndryshimi i qëndrimit dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë, si viktimë e Kocci Xoxes.

-Me urdhëresën e Kryeministrit nr. 21 datë 8.6.1949, krijohet Arkivi i Shtetit. Ky institucion e kishte vartësinë nga Kryeministria, drejtor u emërua Zef Mala, si themeluesi kryesor, si personalitet me kulturë e vizion, si njeri erudit e njohës i disa gjuhëve të huaja. Në këtë detyrë, ai punon me pasion dhe profesionalizëm. Grumbullon fondet arkivorë të shpërndarë e të shkatërruar në gjithë Shqipërinë, bën kodifikimin sipas sistemit austriak. Ai bashkëpunoi me specialistët në arkiv; Injac Zamputti-latinisht, Sotir Papahristo-greqisht, Jonuz Tafilaj-turqisht. Zef Mala merrej vete me dokumentet gjermanisht-anglisht, ai krijoi fondet arkivore të Lumo Skëndos, Mirash Ivanajt, Mehdi Frashërit, Mustafa Krujës, Fishtës, Luogo Tenenza-s-‘Jakomonit’, Lef Nosit dhe të gjithë ministrave që u qenë konfiskuar arkivat. Gjithashtu arkivoi kodikët e regjistrat e kishave të Elbasanit, Tiranës dhe shkresat zyrtare të Bashkisë të shkruara turqisht etj. Bashkëpunoi ngushtë me Aleks Budën që aso kohe ishte shefi i seksionit të Historisë në Institutin e Shkencave. Zef Mala për pasurimin Arkivit te Shtetit, nisi të blejë materiale të ndryshme me vlera të mëdha nga antikuaristët privatë si: Jashar Erebara, Teki Selenica.

-Në vitin 1950-përgatit një dispencë historie për Institutin Pedagogjik “Mbi Shqipërinë e viteve 1912-1924”, (e konfiskuar dhe e humbur).

-Në vitin 1950, martohet me Afërdita Shahinin, nga kjo martesë i lindin dy vajza, Maria dhe Esmeralda. Afërdita Shaini ishte shkolluar për mjekësi në Francë. Ajo kishte marre pjese në luftën NÇL. Ja ccfarë kujton për Aferditën shkrimtari i madh Petro Marko: “Më kujtohen vitet tridhjetë: kisha vajtur në Korccë për të bërë një anketë për gazetën “Vatra”, ku punoja. Kisha njohur Viti Shahinin (Afërdita), një shoqe shumë e mirë që studionte në Francë, ku pati njohur Halim Xhelon, i cili i jepte materiale për mua. (Ajo më vone u martua me mikun tim të dashur Zef Mala, njeri shumë i kulturuar, themelues i grupit komunist të Shkodrës që më 1937) Njoha dhe vëllane e saj Ilo Shahinin, të cilit i mësova të këndonte “Internacionalen”. Plaku Vangjel, i ati i Vitit dhe i Ilos, pyeti se cc’ishte kjo këngë. Ia shpjeguam dhe ai menjëherë thirri: “Aman, mos e mësoni, se kur të shkoni në Tiranë, në hotel, mund ta këndoni në gjumë e pastaj na merr lumi! Ja ç’frikë na kishte hyrë në palcë”.

-Në vitin 1955, arrestohet e dënohet me 5 vjet burg motivacioni “I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim” .

-Në vitin 1958, një delegacion italian dërguar nga L. Longo i kërkon Enver Hoxhës, lirimin e Zefit nga burgu, lejimin e tij për të shkuar në Itali. Kërkesa nuk u realizua.

-Në vitet 196l- 1964, internohet në Zvërnec të Vlorës ku gjeti dhe krijoj shoqëri me: K. Trebeshinën, S. Gjokën, gazetarin F. Proko, etj. Aty shkroi një traktat filozofik prej rreth 140 faqe të cilin e mori me vete pas dënimit, ky është zhdukur në rrethana të panjohura.

-Në vitin 1965, e thërret në takim kryeministri Mehmet Shehu dhe e paralajmëron: “Po të mos na ngacmosh, as ne nuk do të ngacmojmë më”. Ndonëse jashtë burgut në këtë periudhë, Zef Mala ishte në kontroll, lëvizje të kufizuara vetëm brëenda Tiranes, pra në izolim të plotë fizik e politik.

-Në vitin 1977, Enver Hoxha e shikon nga dritarja e K.Q. (sot selia e Kryetarit të Kuvendit) dhe pamja e Zef Malës i duket sfiduese, ai shëtiste si gjithmonë i vetmuar me një nënqeshje filozofike e sytë depërtues nën lentet me skelet të zi. Si hakmarrës, për armiqësinë e vjetër që kishte Enver Hoxha, dha urdhër dhe ai pas tre ditësh u internua për 5 vjet në Labovën e Zhapës-Gjirokastër. Zefi duhet të shkonte në Malin e Gjerë për ndëshkim, ndërsa vetë E. Hoxha të mbetej në kryeqytetin Tiranë- kujtonte i afërmi i tij Leci.

-Më 15 korrik 1978, nga Labova e Zhapës – shkruan një PROMEMORIE emblematike drejtuar Kryeministrit Mehmet Shehu, pasi ai vite me parë kishte ndërprerë çdo komunikim me Enver Hoxhën.

-Në zgjedhjet e vitit 1978, Zefi nuk pranon të votojë. E arrestojnë e dërgojnë në Tiranë, ku ridënohet me 10 vjet burg. E vuan këtë dënim në burgun e Ballshit ku verbua krejtësisht, ecte me shkop dhe bashkëvuajtësit e ndihmonin për çdo nevojë”- kujton gazetari Foto Proko.

-Më 26 dhjetor 1979, Zef Mala i sëmurë rëndë, i verbuar, ndërron jetë në natën e vitit të në burgun- spital në Tiranë. Shuhet kështu jeta e një personaliteti të shquar me bindje social-demokrate liberale që gjithë jetën ja kushtoj pa lëkundje kësaj kauze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *