HISTORIA

Mit’hat Frashëri Ynë

Kumtesë e Profesor Abas Ermenjit mbajtur në mbledhjen përkujtimore, në Banjoli, ITALI, më 27 Nëntor 1949

Kush e mendonte dy muaj më parë, se sot do të mblidheshim për të kujtuar Midhat Frashërin e vdekur! Jo atëhere, por s’na vjen t’a besojm as tani; na duket sikur s’ësht e vërtetë, sikur Plaku i ynë ndodhet akoma pranë nesh, rreth nesh, na shikon me butësi, na flet, na jep këshilla. Fytyrë e ëmbël flokë-bardhë s’don të na hiqet asnjë çast nga mendja, dhe duket sikur na tingëllon vazhdimisht në shpirt ajo fjali e tij aqë e thjeshtë, siç janë mendimet e mëdha, “DUHET TE JEMI SHËRBËTORËT E SHQIPËRISË”.

Mit'hat FrashëriMid’hat Frashëri ; që ndodhej gjithnjë me ne, në çetë, në mal, në këmbë ose hipur në mushkë, por gjithmonë pranë Flamurit ; Midhat Frashëri që s’tronditej kurrë, që ish gjithmonë ai, që s’nxehej e s’ftohej as kur fuqitë t’ona ecnin ne fitore, as kur armiku na ndiqte me zjarr e vdekje, as kur tërhiqeshim nëpër shira e baltra, as kur muarëm udhët e arratisë. Gjithnjë me ne në dërrasat e ashpëra të kampevet, gjithnjë me ne kur duhej rrojtur vetëm me bukë e ujë. S’e dëgjoi njeri t’ankohej, të thoshte “u-lodha” ose “s’jam mirë”. Ai ish i vetëdijshëm për misjonin e tij, ai e kuptonte se ç’fuqi na jepte, se ç’besim na frymëzonte qënia e tij pranë nesh.

Trashëgimtar i denjë i brezit të Rilindjes, atij i binte barra të përsillte në zemrat e reja frymën e Naimit, t’Abdylit e të Vaso Pashës. Ai ish burri që lithte traditën kryengritse të shekullit që shkoi me luftën e ashpër që bëhet sot për liri. Ai mbyllte perden e kohës së perënduar dhe hapte faqen e historisë s’onë të re.

Si i tillë, e ndjente edhe Ai vetë se ç’fuqi ushtronte pranë nesh. Nëpër’të, nëpër syt’ e tij të shkëndijshëm, nëpër atë “krip q’i kish ra bora” na fliste një shekull histori, na çfaqej shëmbulli i dy brezave heronjsh dhe bëheshim tri herë më të fortë.

Midhat Frashëri ish plak i këndshëm e i dashur, fjalë e tij ish gjithmonë e kripur me humor të hollë, që tregonte kthjellëtinë e një shpirti delikat, e një mendjes së gjerë që i merr me buzeqeshje kotësitë e njerëzvet. Por nganjëhere, papritur, humori shuhej nga buzët e tij, vijat e fytyrës thelloheshin si rrudhat e një shkëmbi madhështor, sytë i lëshonin tjetër dritë, dhe Plaku ynë merrte një hije patriarku ; kjo ngjante n’ato raste ku duhej të tregoheshim Shërbëtorë të Shqipërisë. Punët e njerëzve, Midhat Frashëri i merrte përgjithësisht me një tallje të lehtë filozofi, vetëm një ish pasjoni i tij, atje ku s’kish vënd tallja, atje ku lëshohej me misticizmë : – Shërbimi ndaj Shqipërisë.

***

Lindur bashkë me Lidhjen e Prizrendit, n’atë kohë kur lindnin shpresat për një mëmëdhe të lirë, dhe rritur me frymën e nxehtë të Ringjalljes Kombëtare, ish e shpjeguarëshme që Mid’hat Frashëri të bëhej fanatik i një feje, i fesë “Shqipëri”. Dhe këtij kulti i a kushtoi të tërë punën, të tërë jetën e tij, për një gjysëm shekulli.

Veprimtaria e këtij fanatiku Shqiptar shtrihet në të gjitha drejtimet e jetës kombëtare. Që kur ish fare i ri, i përkëdhelur nga shembulli i t’ungjërvet Naim e Sami, nga shembulli i Vaso Pashës, i Jani Vretos e të tjerë burrash pende e mendimi që përpiqeshin, jashtë Atdheut, të punonin gjuhën, të mëkëmbnin idenë kombëtare, t’i tregonin Shqiptarit historinë e tij, detyrat e tij, Midhat Frashëri i u-kushtua mjeshtërisë së shkrimit. Bën pjesë në Shoqërinë e Stambollit, nxjerr Kalendarin Kombiar, drejton në Selanik e Sofie, bashkë me patriotin e çquar Kristo Luarasi, gazetën “Liria”, të përkohëshmen “Dituria”, boton aty-këtu shkrime me karakter letrar ose shoqëror, si “Hi e Shpuzë”, “Plagët t’ona”, merr pjesë më 1908 në Kongresin e Manastirit, ku u-bisedua për të funtmen herë abeceja Shqipe.

Midhat Frashërin e intereson çdo gjë që lidhet me jetën Shqiptare, me gjuhën, me historinë, me nevojat e vendit, me çështjet e Shqipërisë. Prandaj edhe shkrimet e tij janë të shumë-llojshme : aty kallzon prralla me një kuptim moral ose patriotik, këtu shënon ngjarje historie ; atje jep këshilla se si të duam atdhenë, se si të duam njëri-tjetrin, se si të bëhemi t’urtë e punëtorë. Të gjitha këto shkrime janë derdhur me një thjeshtësi të këndëshme, si biseda rreth vatrës. Lufta me pendë, ish pregatitja e luftës me armë. Më parë duhej zgjuar populli, duhej shkundur nga letargjija e qindra vjetëve, duhej të njihte vehten nëpërmjet të gjuhës e të historisë së tij, për të qënë i zoti pastaj t’i përvishej luftës s’organizuar për liri e pamvarësi. Këtë nevojë të ngutëshme e kishin kuptuar mirë flamurtarët e Rilindjes. E marrim me mënt se ç’peshë rëndonte mbi zemrat e atyre burrave, kur shikonin një popull të humbur në terr e që s’njeh dot vet-vehten, kur shihnin gjuhën Shqipe pa një abece të sajnë, Shqipja, gjuhë e Orakujve të hershëm, gjuha me të cilën kumandoi Teuta detin dhe Gjergj Kastrioti hodhi ushtarët në sulm.

Dëshpërimin e atyre zëmrave e kuptojmë nga psherëtima vigane e Vaso Pashës:

“Mori, Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitun me krye në hi.”

N’atë shkollë, n’at’afsh të zjarrtë dashurie për Atdhe, u-mbrujt e u poq shpirti i Midhat Frashërit. Këtu kuptohet fanatizmi i tij për gjuhën për kombin, për historinë, për kufitë, për çdo gjë që prek Shqipërinë.

Por Lumo Skëndua s’kufizohet vetëm në shkrime e këshilla; ai hidhet në vepërim, përzjehet në përleshjet e kryengritjevet, shtyn popullin në luftë për mprojtjen e kufivet, është atje ku ngrihet Flamuri, merr pjesë më 1912 në Qeverinë e Vlorës, merr pjesë në kohë të Wied-it, në Qeverinë e Durrësit.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, përpiqet bashkë me patriotë të tjerë të kthjellojë mendimet e errëta që disa qarqe të jashtëme kishin rreth Shqipërisë. Në mbarim të luftës shkon në kuvendin e Paqes, në Paris, si antar i përfaqësisë Shqiptare, ku mundohet të mprojë, me energji fanatiku dhe hollësi diplomati, kufitë e 1913-ës. Për të hedhur pakë dritë në botën e jashtëme mbi të drejtat e Shqipërisë, shkruan e boton në frëngjisht “L’affaire de l’Epire”, “Les albanais chez eux, et à l’étranger”, “Albanais et Slaves”.

Nëpër konferenca ndërkombëtare mundohet, me shkathtësinë e një diplomati të regjur, të kthejë gjykimet e qarqevet të jashtëme në të mirë të vendit të tij. Shërben si Ministër i Shqipërisë në Paris, më vonë n’Athinë, gjer më 1925. Pastaj hiqet nga dega e dipllomacisë dhe i kushtohet tërësisht misionit t’apostullit.

Zakonin që kish marrë në të ri, që të këshillojë Shqiptarët të duanë vendin e tyre, të bëhen punëtorë të mirë e t’urtë, të ruajnë me dhëmbshuri trashëgimin kombëtar, Midhat Frasheri e mbajti për tërë jetën. Libraria e tij në Tiranë ish një shkollë Shqipëtarie, një vënd ku bisedoheshin pothuajse vetëm çështje që kanë të bëjnë me vendin t’onë, me punët t’ona, me jetën t’onë kombëtare. Nxënës, mësues, shkollarë të çdo dege, njerës të mësuar e të pamësuar hynin e dilnin në librarinë e tij, si në shtëpi të tyre. Gjithsecilit kish diçka për t’i thënë. Njerit i jepte një këshillë, tjetrit i tregonte diç nga ato që kish parë e dëgjuar, ndokuj i kallzonte sesi dëftehen të çkathët Shqiptarët jashtë Atdheut. Pastaj binte biseda mbi Kosovën… Aty rëmohoj plaga më e madhe e tij; dhe Midhat Frashëri fliste e fliste me orë të tëra mbi Kosovë e Kosovarë, i tregonte ngjarjet e asaj ane një nga një, që nga Lidhja e Prizrendit. “Shqipërija Ethnike”, thosh me mallëngjim, “duhet të punojmë për të bërë Shqipërinë Ethnike”, dhe shpesh herë sytë e thellë të Plakut mbusheshin me lot.

Rrebeshi i Prillit të 1939-ës i shkundi edhe një herë nervat e tij dhe i dha forcë të riu. E kuptoi se po hapej një periudhë e re për historinë e Shqipërisë dhe, pa përtuar këmbën, i pëlqeu t’a hedhë ai çapin e parë, me hovin e një djaloshi. Afron patriotët e vjetër, afron të rinjt e ndezur, afron arsimtarët, u thotë të shtrëngohen për një luftë të gjatë. Dhe kështu lindi Balli Kombëtar.

Vimë tani në pikën-kulm të jetës së Midhat Frashërit, n’atë vijë-mendimi të tij që del përmbi të tjerat: Midhat Frashëri i kupton kohët e reja dhe, në vënd që të mbetej i ngrirë në të kaluarën, ashtu si ngjan përgjithësisht ndër pleqtë, ai mori përsipër barrën vigane t’a kapërzejë kombin prej një faze historike në tjetrën. Ai i kuptoi arsyet e mëdha të luftavet të sotëshme, e ndjeu çastin historik ku jetojmë dhe, për të qënë në pajtim me kohën, u dolli përpara nevojavet të reja të Shqiptarëvet me Dekalogun e Ballit Kombëtar.

Me të vërtetë, lufta që bëjnë sot popujt për liri politike, për një ndarje më të drejtë të pasurivet dhe të frytit të punës, është pjella e qytetërimit të kohës, është shtytja e shkencës dhe e maqinës, që i këputi lidhjet e vjetra ndërmjet njerëzvet, që i theu trajtat shoqërore të dikurshme, dhe ngjalli nevojat për një ekuilibër të ri.

Në një kohë kur rrëmbesa e historisë i heq popujt përpara, të duash të qëndrosh i mbërthyer në të kaluarën, është barabar si t’i dalësh valës në ndesh, ose siç kërkon i mbyturi të mbahet nëpër rrënjët e kalbura.

Midhat Frashëri u-dëftye përmbi paragjykime shoqërore, pikëpamje e mënyrëra të menduari që lidheshin me kohën e të rriturit të tij, u-dëftye nga ata prijsa të palodhur që s’mbeten kurrë në vënd por ecin bashkë me kohën.

Ndonëse me moshë i përkiste një brezi tjetër, një brezi që luftonte vetëm për pamvarësinë politike të Shqipërisë, me mendime, Midhat Frashëri kapërceu në kohët e reja, dhe u-tregua burrë që di të sundojë dy epoka. Dijti të qëndrojë në ballë të luftës kur duhej, që Shqipëria të delte zonjë më vehte, por dijti më vonë t’iu shënojë edhe udhën e përparimit Shqiptarëvet, kur erdh koha që populli i ynë të dilte nga gjendja shoqërore e Mesjetës dhe të merrte ndjenjë e shëndet të ri. Dijti të na tregojë shtigjet drejt s’arthmes, me Dekallogun e Ballit Kombëtar. Këtu qëndron lartësia e tij.

E dimë të gjithë se Plakut t’onë i vinte rëndë që t’i thoshnje plak. Përnjëherësh i mvrenjteshin sytë e shkëndijshëm, dhe t’a kish gati pyetjen : – “Cili është plak ?” Me këtë, donte të thosh se ai, qëkurse rrinte me të rinjtë, kish mendimet dhe shpirtin e të rinjvet.

S’më harrohet ajo mbrëmje e Korrikut të 1948-ës, n’Athinë, kur hëngrëm darkë me ‘të, natën e fundit para se të nisej për Turqi. I prekur prej rrethimit t’onë, u-ngrit e foli : – “Çkëputem me mallëngjim prej jush, se e ndjenj vehten i rrethit t’uaj, e ndjenj vehten njëj me ju, djalosh si ju, me shpirt e me mendime”, dhe duke folur, i u-mbushën sytë më lot.

Ashtu ish me të vërtetë. Midhat Frashëri është i brezit t’onë, siç qe edhe i brezit të Rilindjes. Është njeriu i dy epokave; është burri që bashkon shpirtin e Rilindjes Kombëtare me hovin përparimtar të sotshëm. Është ndermjetësi që lith traditën e vjetër Shqiptare me idetë sociale të reja. Luftoi atëhere për çlirimin e Shqipërisë, luftoi tani për çlirimin e popullit Shqiptar. Kur ish afër fitores, komunizmi gjakësor i a preu udhën. U-përpoq t’a thyejë me armë, nuk mundi. Ranë me mijëra Dëshmorë n’atë dyluftim epik. Burrat më të çquar të Shqipërisë dhanë jetën për t’i sjellë vendit liritë demokratike. Rreth Ballit Kombëtar, ndënë urdhërat e Midhat Frashërit, vrapoi lulja e djalërisë. Një pjesë e saj u-korr duke mprojtur traditën e Shqipes. Të tjerët delnin, nëpër ato gjurma gjaku, që vazhdonin punën, vazhdonin luftën.

Ballanca e fuqisë anoi nga ushtëria e tmerrit, pse ajo përfitonte prej peshës së komunizmit ndërkombtar. Atëhere Midhat Frashëri u-shtërngua të tërhiqet, por jo të thyhet. Mori udhët e mërgimit, me flokë të bardhë, ku u-tregua aqë i fortë e i patundur sa kish qënë edhe me flokë të zes. Të gjithë mërziteshin përveç atij. Të gjithë tronditeshin përveç atij. Nga muret e errëta të kampevet u-mundua, me fjalë e shkrime të ndriçojë botën e jashtëme mbi Shqipërinë, mbi çështjet Shqiptare.

Si udhëheqës i Ballit Kombëtar, në bashkëpunim me patriotët e grupeve të tjerë formoi tani vonë Komitetin “Shqipëria e Lirë”, akti i fundit i jetës së tij. Tek po mundehej të ngrinte zërin e Shqipërisë ndër popujt e botës së lirë, ndërhyn vdekja e i tha “mjaft” – dhe Midhat Frashëri ra madhërisht në mes të betejës ashtu si bjenë shampionët e idevet. Atë, që s’mundi t’a shqepë nga rreshti i luftës as lodhia as pleqëria, e shqepi më në funt vdekja.

Ky qe Midhat Frashëri i ynë.

***

Por, si bëhet që neve na duket sikur është gjallë akoma, sikur ndëgjojmë akoma zërin e tij, dhe e kemi shpirtin gjithnjë të mbushur me fytyrën e ëmbël flokë-bardhë ?!

Kjo kuptohet po të mendojmë se tek ne, Midhat Frashëri s’kish vetëm vleftën e njeriut, por na sillte me vehte kujtimin e një shekulli histori. Nëpër ‘të, nëpër sytë e tij të shkëndijshëm, nëpër atë “krip q’i kish ra bora”, na fliste koha që nga Lidhja e Prizrendit, na fliste Ali Pasha i Gucisë, na fliste Hoti e Gruda, na fliste Vaso Pashë Shkodrani, na fliste Naimi, Vretua, De Rada, Fishta, na fliste Kryengritja e Kosovës, na fliste Flamuri i Vlorës, na fliste lufta e djeshme, na fliste lufta e sotëshme.

Nga fjala, nga shikimi i Midhat Frashërit derdhesh në shpirtrat t’onë i tërë ky varg kujtimesh historike, që na nxehte, na dehte, na mësonte t’a lidhim luftën e sotëshme me të djeshmen.

Nëpër punën e Midhat Frashërit, kuptonim sesi shpirti i Shqipërisë rrjeth si një vijë e pakëputëshme, prej kohës në kohë, e prej një brezi në tjetrin.

Midhat Frashëri s’qe vetëm njeriu i Ballit Kombëtar. Ai ish frymëzonjësi i dashurisë kombëtare, ish Flamurtari i Shqiptarëvet, pa dallim partish a prirjesh politike. Kujtimin e Midhat Frashërit duhet t’a ruajnë e t’a nderojnë të gjithë ata shqiptarë që duanë të shohin me të vërtetë një Shqipëri Ethnike, të lirë e të lulëzuar. Duhet nderuar kujtimi i tij, ashtu si nderohen flamujt e betejavet.

Sepse Ai ish njeriu nëpër të cilin rrithte tek ne vargu i kujtimevet historike, prandaj na ngjan sikur s’ka vdekur : se historia e jonë është e pavdekëshme.

Siç na duket i gjallë tani, ashtu do të duket i gjallë më çdo kohë; fytyrë e tij do të kalojë nga ne tek bijët t’anë, tek bijt’ e bijvet t’anë, tek stërnipat më të largët, dhe do të ndrijë e gëzuar gjithsaherë që Shqiptarët të tregohen “Shërbëtorët e Shqipërisë”.

One thought on “Mit’hat Frashëri Ynë”

  1. MBASI E DI PAK A SHUM HISTORIN E FRASHALLINJV SI DO MOS PER SHERBESTARIN KOMBETAR KRIJUSIN E BALLIT DEMOKRAT KOMBETAR.ME VJEN ZOR KUR SHIKOJ DISA MAJMUNE KERKOJNE TE BEJNE AXHITACJONE PER ATE GJI GANT KOMBETAR I MADHI MIH TAT BEU FRASHERI, PO BEJNE CMOS QE TE MAJSHTROJNE POPULLIN SHQIPTAR DUKE VENE NE PER INTERNET TE VETMIN QE KA QEN ANTARI I PARTIS SE BALLIT , SI ANTAR , MBASI NUK KISHTE LIDHJE ME ATE HERO KOMBETAR , VETEM U BE BALLIST SI NE TE TJERET , MBASI NALTESIJA E MITH TAT BEUT NIK ISHTE ME, KA CA DALLKAUKE QE PERDORIN BALLISTIN E VJETER NIHAT BAKALLIN PER TE MASHTRUAR POPULLIN SHQIPTAR KAM NJE PYETJE PER UDHEHEQSIN E PARTIS SE BALLIT , SE KUSH E ZEVENDESOJ SKENDER BENE APO ISMAIL QEMALE, SI KUR NUK MUNDET TE ZEVENDSOHET KARAKTERI I TYRE, MBASI JAN LINDUR PATRIJOTE SHQIPTAR , KURSE SOT DUHET TI QERONI MBETURINAT E KOMUNIZMIT POR SI ZOR SE JU KINI IDETE E PAK A SHUM TE TYRE, LERENI BURIN E KOMBIT ATJE KU ESHTE , SE ESHTE MJAFT E PASTER SHQIPTAR FAMILJARISHT,, E SHTE NJE SHERBESTAR KOMBETAR

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *