POLITIKA KOMBËTARE

Gaforrja në qeveri po na heq edhe statusin e kandidatit

Shkruan: Ilir Nikolla

Është emblematik rasti i Turqisë, i cili ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, qysh më 1999-n, por për shkak të problematikave të egra që ka shfaqur në respektimin e shtetit të së drejtës, s’ka përparuar asnjë milimetër më tej (po të përjashtojmë hapjen formale të negociatave qysh më 2005-n). Mosrespektimi i të drejtave të njeriut, shkelja e të drejtave politike si dhe përpjekja për ndryshimin e kushtetutës dhe shkeljen e laicitetit të shtetit kanë sjellë ngrirjen e marrëdhënieve me BE-në, por asnjë politikan i nivelit të lartë në Bruksel s’ka deklaruar zyrtarisht se Turqisë duhet t’i mbyllen dyert dhe statusi i vendit kandidat duhet t’i hiqet. E njëjta situatë ngrirjeje ekziston edhe në marrëdhëniet e BE-së me Maqedoninë, e cila statusin e vendit kandidat e ka marrë qysh më 2005-n dhe rekomandimin për hapjen e negociatave rregullisht prej 2009-s. Edhe me Shkupin s’ka pasur asnjë kërcënim për heqjen e statusit dhe mohimin formal të aspiratës së banorëve të Maqedonisë për integrim në BE.

E dinim si aksiomë sjelljen e Bashkimit Evropian me vendet aspirante, të cilave u jepej statusi i kandidatit si një konfirmim i rrugës së pakthim – sado e gjatë qoftë – drejt anëtarësimit të plotë. Por dje, një përfaqësues i lartë politik i Gjermanisë, këshilltar i kancelares Merkel shqiptoi frazën fatale: “mund t’ju hiqet statusi i kandidatit”. Kjo gjasë që Shqipërisë mund t’i mbyllet edhe formalisht dera, që shqiptarëve mund edhe t’ju mohohet aspirata për integrimin në BE, po na ndodh në epokën e gaforres në krye të qeverisë. Vetëm me Edi Ramën që harxhon ditët me dy aktivitete; duke i thënë BE-së se s’vlen një lekë dhe duke u përpjekur të asgjësojë opozitën politike në Shqipëri – mund të ndodhë që të merret në konsideratë vendosja e vendit tonë në karantinë.

Në fakt jemi ende një popull me një entuziazëm të lartë për t’u integruar sa më shpejt në BE. Statistikat janë ende në shifra mbi 90 përqind, dhe kjo perspektivë e mban ende gjallë kohezionin e shoqërisë. Por sinjalet se kësaj perspektive mund t’i mbyllet dera janë sinjale që kanë lidhje veç me kryeministrin, pasi është ai që po e prish trendin e marrëdhënieve të ngushta të Tiranës me Perëndimin. Ndërprerja e dialogut me opozitën dhe tentativa për të marrë në dorë krejt sistemin e drejtësisë po rrënojnë çfarëdolloj shprese për mbajtjen së afërmi të zgjedhjeve të lira e të drejta. Ky degradim afërmendsh sjell edhe lulëzimin e korrupsionit si dhe shndërrimin e vendit në një regjim ky pushtetëron oligarkia e Edi Ramës. Fatkeqësisht, afrimi i 21 korrikut si një datë që vendos kalimin e oligarkisë në një nivel të ri pushtetërimi po detyron ndërkombëtarët të shqiptojnë të pashqiptueshmen, po i detyron t’i thonë gaforres në qeveri se s’mund të keqpërdoren për hir të interesave të tij personale. Vendimi i njëanshëm i 21 korrikut do sjellë edhe masën e paprecedentë të Brukselit, heqjen e statusit të kandidatit, me të gjitha pasojat që do sjellë në politikën e në shoqërinë shqiptare. Pas kësaj date, për destabilizimin e pritshëm, përgjegjës i vetëm do të jetë kryeministri i vendit, dhe ecja së prapthi e tij në marrëdhëniet me Brukselin do të jetë ndihma më e madhe që do t’u jepet forcave demokratike në vend për të prishur një status-quo që po rrezikon të komprometojë perspektivën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

One thought on “Gaforrja në qeveri po na heq edhe statusin e kandidatit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *