HISTORIA

Bedri Pejani: Shqiptarët e kërkonin Sanxhakun, jo për shkak të ambicieve imperialiste

VAZHDIM NGA POSTIMI I KALUAR – Dokumente dhe fakte – Shqipëria ndërmjet aspiratave dhe mundësive

Popullata e këtij territori përbëhet gjithashtu nga shqiptarët e sllavizuar dhe nga disa sllav të fesë islame (myslimane). Duke qenë të një feje si edhe shqiptarët, ata janë bashkuar dhe kanë bashkëpunuar gjatë luftës kundër serbëve dhe malazezëve deri më tash. Prandaj, arsye etnike, ekonomike dhe fetare kjo popullatë, e përbërë nga shqiptarët dhe boshnjakët, kërkon që t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë arsye ne, shqiptarët, e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë që të na bashkohen.

Shkruan: Prof.Dr. Haqif MULLIQI

Në mbledhjen në vazhdim të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, gjithnjë sipas këtij dokumenti, pra më 20 janar të vitit 1944 u bë prezantimi i listës së anëtarëve me sa vijon:

Për prefekturën e Prizrenit: Musa Shehu dhe Kolë Margjini;
Për prefekturën e Prishtinës: Sylejman Askiu dhe Mahmut Beg Pasha;
Për prefekturën e Mitrovicës: Arsllan Boletini;
Për prefekturën e Pejës: Bedri Pejani dhe Xhevat Begolli;
Për prefekturën e Dibrës: Ekrem Jegeni dhe Adem Sabriu;
Për prefekturën e Shkupit: Esat Berisha;
Për prefekturën e Sienicës: Nexhip Basha;
Për prefekturën e Maleve të Kosovës përfaqësues do të ishte Rexhë Meta, derisa nuk do të arrinte delegati i kësaj prefekture;
Për prefekturën e Hotit, të Ulqinit, të Triepshi dhe të Grudës pritej një përfaqësues.
Për prefekturën e Tetovës dhe të Gostivarit: Kadri Saliu;
Për zonën neutrale të Sienicës: Nexhip Basha.
Pas zgjedhjes të këtyre anëtarëve të rinj, kryetar u zgjodh profesori Bedri Pejani fjalimin e të cilit po e sjellim në vazhdim, me vërejtjen se fjalim është përkthyer nga gjuha angleze dhe se në aspektin dialektikor nuk përkon me të folurën e B. Pejanit në Kuvend:

BEDRI PEJANI: “Unë do t’u flas për nji çështje shumë të rëndësishme dhe delikate për vendin tonë, çështjen e Sanxhakut.

Sanxhaku është një korridor në mes të Serbisë dhe të Malit të Zi. Para luftës së vitit 1876-1877, ky korridor administrohej nga Vilajeti i Kosovës. Ky territor është i pasur me bagëti, dru dhe prodhime qumështi, ndërsa Kosova prodhon grurë dhe gjëra të ndryshme ushqimore, kështu që këto territore kompletonin ose plotësonin nevojat e njëra-tjetrës, pra ishin të lidhura komercialisht për një kohë të gjatë. Gjatë pushtimit otoman, Sanxhaku ishte i banuar nga shqiptarët (që përbënin shumicën), kështu që ekziston një afërsi sentimentale me Kosovën.

Popullata e këtij territori përbëhet gjithashtu nga shqiptarët e sllavizuar dhe nga disa sllav të fesë islame (myslimane). Duke qenë të një feje si edhe shqiptarët, ata janë bashkuar dhe kanë bashkëpunuar gjatë luftës kundër serbëve dhe malazezëve deri më tash. Prandaj, arsye etnike, ekonomike dhe fetare kjo popullatë, e përbërë nga shqiptarët dhe boshnjakët, kërkon që t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë arsye ne, shqiptarët, e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë që të na bashkohen.

Arsye tjetër për qëndrimin tonë ndaj tyre është se ky territor shtrihet në mes të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku jeton një popull mik i cili kufizohet me kroatët të cilët kanë gjithashtu nju simpati për ne. Ndaj dhe, territori i Sanxhakut është i rëndësishëm për ne si një lidhje me popujt miq të Bosnjës, Hercegovinës dhe të Kroacisë.

Ne e kërkojmë Sanxhakun, jo nga ambiciet imperialiste, por për shkak të shumë arsyeve të lartpërmendura dhe, mbi të gjitha, për shkak të të drejtës së vetë popullit për të zgjedhur. Serbët dhe malazezët janë vetëm një minoritet në këtë territor dhe ne do t’ua japim atyre të gjitha të drejtat që u takojnë.

Populli shqiptar i këtyre ditëve është më i fuqishëm se gjatë luftërave ballkanike sepse ka përfituar përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për të mbrojtur të drejtat e tija. Unë tash p[propozoj që të kërkojmë nga qeveria shqiptare aneksimin e këtij territori të pastër shqiptar, duke përshirë edhe tërë anën e Limit.

Është detyrë e qeverisë që të marr masa të duhura për një aneksim të tillë”, përfundon këtë pjesë të fjalimit të tij një prej figurave më të shquara dhe më emblematike shqiptare të shekullit 20 Bedri Pejani.

Përfaqësuesi i Sanxhakut: Ky vend gjithmonë i ka takuar Kosovës

Më pas, në vazhdim të kësaj dosjeje, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, pjesëmarrës në këtë kuvend, si të një natyre të veçantë, e shquan edhe fjalimin e Hasan Agë Zvezdës i cili p[pikërisht në kuvend vinte nga zona e Sanxhakut, të cilin fjalim po e sjellim në vazhdim të këtij artikulli.

HASAN AGË ZVEZDA:

“Zotëri kryetar dhe delegatë,

Gjatë këtyre katër ditëve të Kongresit unë nuk kisha guxim ta ngisja zërin sepse, duke ardhur nga zona neutrale, e ndieja veten si i huaj, por, pasi dëgjova fjalimin e kryetarit dhe të shumë anëtareve të tjerë, mora guximin që të flas dhe të shpreh aspiratat e vendit të cilin e përfaqësoj: Sanxhaku nuk ka qenë asnjë herë territor serb apo malazias. (Duartrokitje). Siç e vutë në pah Ju dhe si e dëshmon edhe historia, Sanxhaku gjithmonë ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës. Ne, banorët e Sanxhakut, kemi luftuar gjithmonë kundër serbëve dhe malazezëve dhe, kështu, kemi treguar ku janë kufijtë tanë. Ne asnjë herë nuk e kemi toleruar Titon e as Mihajlloviqin, bile edhe tash, kur ne po diskutojmë këtu, bijtë tanë e luftojnë armikun i cili na sulmoi para disa kohësh.

Ne, gjithashtu jemi ankuar edhe në Ju, meqenëse, deri më tash, nuk keni bërë aq sa duhej bërë për ne, mirëpo ne do ta harrojmë këtë dhe do të kërkojmë nga qeveria dhe nga Ju që të ndërmerrni masat e duhura për t’u bashkuar në një shtet të vetëm dhe që të zhduken të gjitha dyshimet që ekzistojnë mes nesh.

Ne e kemi luftuar armikun po aq sa edhe Ju, në mos më shumë se Ju, e, në anën tjetër, ne e kemi vënë re se nuk lejohet që ushqimi të kalojë lirisht nga Kosova në zonat tona.

Edhe prodhimet tjera po na ndalohen kështu që ne po vuajmë nga çmimet e larta më shumë se Ju. Këto janë tri pikat të cilat, në emër të popullit tim, unë po kërkoj që të rregullohen nga qeveria si dhe nga Ju të këtij Kongresi”, përfundoi fjalimin e tij Hasan Agë Zvezda, përfaqësuesi i Sanxhakut në Kuvendin e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.

Më pas, në dosjen e Ministrisë së Jashtme Britanike nga raportuesi i ngjarjes për nevojat e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, vihen në pah edhe vendimet e rëndësishme që u arritën në këtë Kuvend e të cilat ishin me sa vijon:

Komitetin Qendror i Lidhjes do të kërkojë nga qeveria në formë të shkruar që të trajtojë më seriozisht çështjen e Sanxhakut dhe ta zgjidh atë në favor të Shqipërisë.
Kërkohet që qeveria të marrë të gjitha masat për largimin e trupave bullgare nga Prespa, nga Shën Naumi si dhe nga tetë fshatrat e Kërçovës, që u pushtuan nga Bullgaria menjëherë pas kapitullimit të Italisë.
Kërkon nga qeveria që të ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që prefektura e Mitrovicës t’i bashkohet pjesës tjetër të Shqipërisë.
Edhe qeveria, edhe Komiteti qendror duhet përpjekur që të të konsolidohen pozitat tona në Plavë dhe Guci, duke forcuar administratën civile dhe ushtarake dhe duke ndërtuar depo të mëdha për armë, municion dhe ushqime. Elementi malazias duhet shpjer në Mal të Zi.
Qeveria duhet t’i regjistroi të gjitha armët dhe duhet të ndërtojë depo armësh, municioni dhe ushqimi në të gjitha pjesët e Kosovës si dhe rrethinat e çliruara të Shkodrës.
(a) Lidhja do të kërkojë nga qeveria që me nguti t’i ndërtojë këto rrugë të rëndësishme:
Tiepsh-Guci, 40 km
Radavc-Rozhajë, 12-15 km
Prizren-Tetovë 40 e më shumë km
Kolesian-Peshkopi, ?km

(b) Ndërmjet Kosovës dhe pjesëve tjera të Shqipërisë duhet konstruktuar apo edhe përmirësuar lidhjet telefonike.

(c) Duhet hapur më shumë shkolla fillore në të gjitha zonat e çliruara dhe në veçanti në prefekturën e Mitrovicës.

(D) Në bashkëpunim me qeverinë, Lidhja duhet të bëjë përpjekje për të eliminuar spekulimet në transportin e ushqimeve si dhe artikujve të tjerë të rëndësishëm.

(e) Të lejojë transport të lirë ndërmjet shtetit amë dhe të ashtuquajturave zona neutrale, të zonave që përbëjnë prefekturën e Mitrovicës dhe nënprefekturën e Kaçanikut.

Aleksandër Xhuvani: Gjergj Fishta, një prej frymëzuesve kryesor të patriotizmës shqiptare

Në pjesën D të kësaj dosjeje hasim edhe një artikull interesant i cili ka zënë vend këtu, në pjesën e dokumenteve tjera, e që është shkruar me rastin e përvjetorit të vdekjes të At Gjergj Fishtës, siç shkruhet në këtë dokument, njërit ndër poetët e fundit epik të Shqipërisë, ku potencohej fuqishëm se “shpiri i Fishtës, gjegjësisht ai i vëllazërimit dhe i bashkimit, do të ngadhënjente në Shqipëri, tashmë, më shumë se herëve tjera.”

Ideali i tij, shkruhet në këtë artikull, e që kishte qëllim të ushtronte një ndikim të madh tek inteligjencia dhe qytetaria shqiptare në këtë periudhë të kthesave të mëdha historike, pra ideali i Fishtës, Shqipëria etnike dhe e bashkuar, do të jetë ideal i çdo shqiptari që e do vendin e vetë dhe që është përcaktuar të punojë për vendin e tij. “Këshilla e tij (e Fishtës-plot. i H.M.) për të mos luftuar njëri kundër tjetrit, për të respektuar dhe për të qenë mirëpritës, por për të mos i besuar të huajit tash më është urgjentisht më e nevojshme se më për”, shkruan ky artikull po ashtu i shkruar nga Masar Sopoti.

Në këtë dosje, britanikët sjellin edhe një aksent nga shkrimi “Ideali i Fishtës” i shkruar nga Aleksandër Xhuvani, gjithashtu në përvjetorin e vdekjes së epikut të shquar shqiptar Gjergj Fishta, të cilin, siç duket, ekspertët britanik e shihni si një prej frymëzuesve kryesor të patriotizmës shqiptare si dhe një kampion të idesë së krijimit të një shteti të vetëm të shqiptarëve, një shteti në të cilin do të jetonin shqiptarët etnik, në trojet e tyre etnike dhe historike.

Komentuesi i këtij artikulli të Xhuvanit në përvjetorin e Fishtës thotë se edhe ky shkrim tregon se sa të rëndësishme dhe frymëzuese ishin veprat dhe idetë e Fishtës për gjeneratat e ardhme shqiptare. “Ideali i Fishtës ishte ‘Atdheu nëpërmes Zotit”, do të shkruaj Xhuvani, duke shtuar se kësaj ideje Fishta i ngeli besnik gjatë tërë jetës së tij.

“Ai gjithmonë predikoi: UNITET, VËLLAZËRI dhe TOLERANCË, pra tri unitetet kanë nevojë aq shumë shqiptarët e sotëm”, shkruan Aleksandër Xhuvani.

Si u rikthye Shën Naumi nën administrimin e Shqipërisë

Një pjesë tjetër e këtij dokumente bënë një rikthim në kohë, suke sjellë citate dhe komente të shtypit Evropian mbi kryengritjen shqiptare kundër gjon-turqve ndërmjet viteve 1910-1911 me qëllim që administratës britanike dhe në veçanti diplomacisë së saj t’i përafrojë gjenezën e disa problemeve që u bartën për tre dekada e gjysmë si probleme që gjenerojnë konflikte në Ballkan.

Ndërsa, në artikullin F të kësaj dosjeje hasim pyetjen mjaft interesante: I KUJT ËSHTË SHËN NAUMI?

Ja se çfarë shkruan gazeta bullgare “La parole Bulgare” (gazetë kjo që botohej në gjuhën frenge), nr. 822 e datës 18 dhjetor 1943 lidhur me Shën Naumin:

“Manastiri i Shën Naumit dhe kisha e Shën Klementit janë dy vende të shenjta për Bullgarinë Këta të shenjtë e kanë përhapur kulturën bullgare kudo që kanë shkuar. Shën Naumi ishte nxënë s i vëllezërve Cirili dhe Metodije. Ai u dërgua në Maqedoninë Perëndimore nga car Borisi, ngase, ajo pjesë e Bullgarisë po bëhej çdo ditë e më e rëndësishme. Tashmë janë bërë mëse një mijë vjet që kur ai fanar drite qëndron atje si shenjë e kulturës bullgare në Maqedoninë Perëndimore. Sa herë që vendi ynë ndodhej nën shtypjen e huaj, ai manastir ishte gjithmonë një seli e sentimentit bullgar”.

Ja çfarë shkruan pra gazeta bullgare dhe ja çfarë thotë historia, thonë ekspertët britanik lidhur me manastirin e kontestueshëm në cep të brigjeve të Liqenit të Ohrit.

“Pas ndarjes së Perandorisë romake në dy pjesë”, shkruajnë ekspertët britanik, Gadishulli Ballkanik mbeti nën administrimin e pjesës lindore, gjegjësisht të Perandorisë bizantine. Ndodhën shumë invazione, por në shekullin IV, aty u vendosën barbarët sllavë e më vonë edhe bullgarët të cilët u asimiluan shpejtë nga sllavët, bile, para se të kalonin vargmalet”, komentojnë në mënyrë ironike britanikët. “Një pjesë e maqedonasve, të cilët ishin të një familjeje me ilirët, me trakasit dhe me epirotët, u mbytën (vranë), ndërsa një pjesë tjetër u asimilua nga sllavët, ndërsa pjesa tjetër ruajti gjuhën e vjetër (trako-ilirishte ose shqiptare).

Ciril dhe Metodije ishin nga Selaniku, me prejardhje greke. I pari ishte në shërbim të perandorit Bizantin si bibliotekist, i dyti administrator në Azinë e Vogël.

Me qëllim të kundërvënies fesë katolike e cila po përhapej shpejt ndër sllavët e Moravisë dhe të Çekosllovakisë, perandori e dërgoi atje Cirilin.

I (Cirili) zbuloi alfabetin sllav dhe së bashku me vëllanë e tij, ndihmoi shumë në përhapjen e influencës së lindjes në këto provinca. Në mesin e nxënësve të tyre ishin Gorazdi, Angelari, përmirëson alfabetin Lorenci, Klementi, Naumi, etj. Ata detyrohen ta braktisin Moravinë dhe Çekosllovakinë, për shkak të përhapjes së katolicizmit, dhe të shkojnë në Beograd. Më vonë Klementi për t’ u bërë pastaj peshkop i Dembrikës (Dibrës së sotme), me Ohrin si qendër. Naumi u tërhoq në bregun e Liqenit të Ohrit dhe themeloi manastirin i cili sot e mban emrin e tij e të cilin ai vetë e kishte quajtur Shën Arkangjeli. Nga viti 910, kur vdiq Naumi e deri më 1912 ky manastir është administruar nga priftërinjtë që vareshin nga Patrikana e Stambollit, përveç një kohe të shkurtër që zgjati katër vjet, nga viti 1870-1874, kur ai u administrua nga priftërinj maqedonas, të varur nga kisha bullgare, përsëri me seli në Stamboll.

Pas vitit 1912, ky manastir udhëhiqej nga shteti të cilin ia përcaktonin, edhe pse ky manastir ka qenë shkak për grindje në mes të shqiptarëve dhe të jugosllavëve. Në Konferencën e Londrës kjo çështje u zgjodh në favor të Shqipërisë, ndërsa me Protokollin e Firences, në Konferencën e Parisit, në Ligën e Kombeve dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, përkundër të gjitha vendimeve ndërkombëtare, siç do të sqarohet më vonë, ky manastir, faktikisht, mbeti nën Jugosllavi. Pas çanëtarësimitë Jugosllavisë ky manastir erdhi nën administrimin shqiptar.,

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore u mor vendimi që Shqipëria ta rikthejë Shën Naumin dhe nënprefekturën e Prespës

“Në aspektin fetar apo religjioz”, do të konstatojnë me këtë rast ekspertët britanik, ´ky manastir ka më tepër rëndësi për Shqipërinë se sa për Jugosllavinë sepse, çdo vit, gjithnjë e më shumë shqiptarë e kanë vizituar atë ndërkaq kishte shumë më pak serbë. Përveç kësaj, edhe prifti kryesor është një shqiptar nga Berati”, thonë këta ekspert për t’u zgjeruar në këtë pjesë të dokumentit me atë se si është diskutuar në fat çështja e këtij manastiri prej viti në vit, siç thonë ata, dhe prej vendi në vend.

“Më 1913 Konferenca e Londrës ia dha Shqipërisë Bregun Perëndimor të Ohrit”, thonë britanikët, ”nga fshati Linit e deri tek Manastiri i Shën Naumit. Komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufijve filloi të punojë në tetor të vitit 1912. ata filluan ndarjen e fshatit Lin dhe vazhduan lartë deri në malet e Korabit. Më pas, për shkak të dimrit ndaluan punën, për ta rifilluar serish në pranverë të vitit 1914. Vazhduan caktimin e kufijve të Shkodrës. Para se të mund ta fillonin punën nga jugu, atyre iu desh ta ndërprisnin këtë për shkak të luftës botërore. Kështu, çështja e manastirit ngeli edhe çështje e kontestuar. Konferenca e Parisit më 1921 konfirmoi vendimin e vitit 1913, e më pas edhe Konferenca e Ambasadorëve e 6 dhjetorit të vitit 1922, ia dha manastirin Shqipërisë”, shkruajnë profesorët e Baliolit.

Pas këtij vendimi në favor të Shqipërisë, siç ishte e pritur, do të reagonte qeveria e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndaj dhe kjo çështje iu parashtrua Ligës së Kombeve, e cila vendosi që këtë kontest ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë Jugosllave ta zgjidh Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, kështu që, vendimi i 6 dhjetorit të vitit 1922 u rikonfirmua, duke filluar nga Liqeni i Ohrit nëpër bregun perëndimor të Çevarës, nja 750 metra në veriperëndim të manastirit, më pas në afërsi të rrugës Korçë-Pogradec, duke shkuar në lindje, duke e lënë Alikapinë në Shqipëri, e Peshkopinë, Lubanishtën dhe Trabezicën në Jugosllavi. Mirëpo, ky vendim u refuzua nga Jugosllavia.

Kështu, në negociatat që u zhvilluan gjatë vitit 1925, qeveria e Beogradit doli se ishte e gatshme që të hiqte dorë nga Vermoshi që ta merrte Shën Naumin. Ndërsa qeveria shqiptare, e këshilluar që t’i hulumtonte dhe shqyrtonte këto mundësi, në fund e arriti këtë marrëveshje lidhur me këto negociata, kështu që, Shën Naumi iu dha Serbisë, do të thotë Jugosllavisë, me ç’rast u përmirësuan kufijtë rreth Krajës, ndërsa Shqipëria e mori edhe Vermoshin. Gjithashtu, me këtë marrëveshje të kontestuar edhe sot e kësaj dite, trembëdhjetë fshatra rreth Peshkopisë dhe brigjet rreth (në perëndim dhe jugperëndim) manastirit i takuan Shqipërisë..

“Më vonë”, shkruajnë ekspertët e Baliolit, “u mor vendimi (me protokollin e Firences të 26 qershorit 1926) që shqiptarët të mund të shkonin në manastir me varka kufiri,, për të qëndruar, vetëm për çështje fetare, jo më shumë se tri ditë”.

Më pas, me fillimin e Luftës ës Dytë Botërore dhe me shpërbërjen e Jugosllavisë mbretërore, u mor vendimi që Shqipëria ta rikthejë Shën Naumin dhe nënprefekturën e Prespës, aq më tepër duke pasur parasysh faktin se pjesa dërmuese e popullatës së kësaj ane ishin shqiptar etnik. Fillimisht kjo edhe ndodhi kështu, por gjërat ndryshuam më pas, pas kapitullimit të Italisë, kur bullgarët, të prirë nga situata ne porsakrijuar dhe kaosi që po mbretëronte gjithandej, ia dolën që ta pushtojnë këtë territor etnikisht dhe legalisht shqiptar me çfarë shkaktuan çarje të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve gjë që, në këtë kohë mund të konsiderohej e dëmshme sidomos për bullgarët dhe Bullgarinë.

Kroatët dhe shqiptarët, kanë pasur interesa të përbashkëta

Mendojmë se është mjaft interesante për ta pasqyruar brenda këtij shkrimi dhe një shkrim tjetër publicistik që haset në këtë dosje britanike, i shkruar nga Mark Temali i cili, që në hyrje të këtij artikulli konstaton se: “Nga të gjitha racat që erdhën në Gadishullin Ballkanik kroatët kanë qenë të vetmit që kanë pasur qëndrim konstruktiv dhe miqësor ndaj nesh”, shkuan Temali. “Shumë të tjerë janë përpjekur gjithmonë që gjërat t’i rregullojnë ashtu që t’u përshtaten interesave të tyre, ndërsa kroatët”, shkruan Temali, “kanë pasur edhe shkrimtarë të cilët e kanë studiuar çështjen shqiptare nga pikëpamjet tejet objektive”.

Marrëdhëniet mes dy racave”, vazhdon tutje ky artikullshkrues, “në të kaluarën kanë qenë kryesisht të natyrës komerciale. Më vonë ato filluan të zhvillohen edhe nga aspekti intelektual me poetin Gjergj Fishta, i cili studioi në Kroaci. Gjatë historisë marrëdhëniet midis këtyre dy racave kanë qenë gjithmonë miqësore”, thotë autori duke shtuar se ekzistojnë edhe gjurmë të afërsisë mes këtyre dy racave, veçanërisht tek folklori kroat.

Bile, sipas këtij artikullshkruesi del se kroatët e sotëm janë rezultat i kryqëzimit në mes të ilirëve të cilët më parë i kishin në posedim ato territore të kroatëve të cilët aty u vendosën shumë më vonë.

Një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, sipas Mark Temalit, si dhe për krijimin e një klime miqësore ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve, ka dhënë në veçanti historiani dhe intelektuali kroat Millan Shufllaj i cili kishte studiuar historinë me Thallozin dhe Jeriçekun, dy studiues të tjerë të historisë së shqiptarëve.

Pas Thallozit si dhe pas kolapsit të Perandorisë Austro-hungareze dr. Shufllaj vazhdoi studimet e historisë shqiptare dhe në janar të vitit 1031 vizitoi vendin tonë. Fatkeqësisht karriera e tij u ndërpre me vrasjen brutale në Zagreb. Kështu, historia e hollësishme të cilën filloi ai mbeti e pambaruar. Çfarëdo që është kompletuar nga puna e tij është e përkthyer në shqip nga Karl Gurakuqi dhe Zef Fekeci. Vepra e tij ishte e pastër shkencërisht dhe me qëndrim objektiv, sa që edhe historianëve serbë u duheshe të pajtoheshin me atë edhe pse ishte kundër tyre. Veprat e tija (“Serbët dhe shqiptarët” dhe “Qytetet dhe fshatrat shqiptare në mesjetë”) përmbajnë argumente dhe fakte, të prezantuara shkencërisht, që tregojnë të kaluarën e racës sonë dhe të gjitha të arriturat e saj.

Këta dy popuj, shkruan Mark Temali, pra, kroatët dhe shqiptarët, kanë pasur në të kaluarën e edhe tashti kanë interesa të përbashkëta që i afrojnë dhe i mbajnë bashkë. Ne duhet të vazhdojmë këto mundësi bashkëpunimi, shkruan Temali, që i afrojnë dhe mbajnë bashkë.

“Ne duhet vazhduar këto mundësi bashkëpunimi për të mirën e dy popujve në fjalë dhe për paqe në Ballkan”, përfundon në shkrimin e tij Mark Temali, shkrim ky pjesë e dosjes britanike për çështjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë ë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Edhe historikisht Kosova është jona

Mendojmë se është edhe një shkrim mjaft interesant që zë vend në këtë dosje britanik. Është fjala për shkrimin publicistik të autorit Beqir Hagi, në të cilin bëhet një përpjekje mjaft interesante për ta argumentuar faktin se e kujt në fakt është Kosova – e shqiptarëve apo e serbëve.

Ne, me këtë rast, për gazetën, do të sjellim vetëm disa prej pjesë të këtij artikulli interesant.

“Të gjithë historianët janë pajtuar se sllavët kanë ardhur në Ballkan në vitin 550, pas erës sonë”, e nis artikullin e tij pretendues e Beqir Hagi, për të shtuar se në vitin 640 pas erës sonë, perandori bizantin Herakliu ftoi serbët dhe kroatët që të vendosen në Ballkan. Ata vepruan ashtu dhe pushtuan territoret të cilat sot njihen si Serbia Veriore, Bosnja, Hercegovina, Sllavonia, Mali i Zi Verior, vende të cilat ju morën shqiptarëve më dhunë, thotë ky artikullshkrues.

Nga viti 100, shton ky, e deri më 1169, serbët luftuan kundër bullgarëve. Më 1169 serbët formuan një mbretëri të vogël, mbretëri kjo e cila, sipas këtij artikullshkruesi, arriti kulmin e saj si fuqi më 1331 duke përfshirë brenda vetes një pjesë të madhe të Shqipërisë, nën qeverisjen e Car Dushanit.

Më 1258, kur kjo perandori u shpërbë, guvernatori i Zetës formoi shtetin e pavarur shqiptar (1365-1421, me Shkodrën kryeqytet, shkruan autori i këtij shkrimi. Guvernatori i Zetës vetën e quajti Balsha i I-rë, edhe pse Balsha vetë ishte norman, ai shtetin e tij e quajti Shqipëri meqë ky vend, thotë artikullshkruesi, ishte i banuar nga shqiptarët. Ky shtet përfshinte B e H-në dhe Shqipërinë Veriore (Kosovën).

Me ardhjen e turqve, u zhvillua Beteja e Kosovës (1389), një betejë ndërmjet turqve, në njërën anë dhe serbëve dhe shqiptarëve në anën tjetër, thotë Hagi. Serbët e sotëm kërkojnë Kosovën për shkak të betejës së tyre të famshme të vitit 1389, duke u përpjekur që kështu ta argumentojnë se në atë kohë Kosova ka qenë e banuar nga serbët. Mirëpo, shton artikullshkruesi, nuk ekziston asnjë dokument i vetëm që argumenton se Kosova ka qenë plotësisht e boshatisur kur sllavët kanë arritur në afërsi të saj. Bile, shton ky autor, është e logjikshme që të konstatohet se ky territor ka qenë gjithmonë i banuar

Nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur këtu shumë, shumë më parë se serbët. “Pra, vetëm pse serbët luftuan në territorin e Kosovës më 1389, nuk dëshmohet se Kosova tani u takon atyre”, shkruan Beqir Hagi, për të vazhduar me një komparacion mjaft interesant se, “sikur fushat e Belgjikës dhe të Francës ku Velingtoni mposhti Napolonin, t’i takonin Anglisë”.

Në veri të Kosovës, shton ky autor, popullata ka qenë më e rrallë, ndaj dhe serbët depërtuan më lehtë. Por, në vetë Kosovën, sipas tij, nuk ngjau kështu. Më 1879, rreth 100.000 shqiptarë, nga Kurshumlia dhe vraja migruan kah jugu, ngase këto vise, Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Serbisë. Është e vërtetë se serbët e nënshtruan Kosovën për disa qindra vjet, vazhdon ky artikullshkrues, por ata kurrë nuk ia dolën që ta asimilojnë popullatën. “Ndaj dhe të thuash se Kosova i takon Serbisë, është njëlloj sikur të thuhet se Calais i takon Anglisë!”, konstaton Beqir Hagi.

Cili ishte territori i Shqipërisë së vërtete sipas Lordi E. Fitzmaurice

Është interesante mendojmë pjesa kur në shkrimin e tij mjaft të thellë dhe voluminoz, Beqir Hagi sjelle dhe ca sentenca mbi atë se çfarë kanë thënë të tjerë për çështjen e Kosovës dhe çështjen e saj.

Lordi E. Fitzmaurice, përfaqësues britanik, në Trakinë Lindore, në një dokument adresuar tek Foreign Office (Ministria e jashtme) e Britanisë së Madhe, e që mban datën e 26 majit 1889 ndër të tjerat do të shkruaj:

“Territori i quajtur Shqipëri shtrihet nga fshati i Shkodrës, deri tek ai i Janinës dhe në lindje duke i përfshirë pjesët e vilajeteve të Prishtinës dhe të Manastirit. Shqiptarët janë shumicë në lindje të Prishtinës drejt Vrajës, siç dëshmojnë hartat e Kiepertit dhe Stanfordit. Vilajeti i Kosovës, me një përjashtim (pjesa e serbëve në lindje të Mitrovicës), është i gjithi shqiptar”, shkruan për nevojat e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, Lordi E. Fitzmaurice.

Zotëri Alvarez, i konsullatës britanike në Stamboll nënshkruan një raport në lidhje me popullatën shqiptare në territoret etnike. Dokumenti mban datën e 27 gushtit 1880 dhe ndër të tjerat thotë: “… Racat që banojnë këtë territor, gjegjësisht pjesën më të madhe të vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit si dhe të Serbisë së vjetër janë shqiptarët dhe serbët, nga të cilët shqiptarët janë shumë më tepër.”

Një argument më shumë: kur armata austro-hungareze nën Dukën e Rrollshtajnit u mundën nga Turqit, serbët të cilët deri atëherë jetonin në Kosovë migruan në Banat dhe kështu Kosova mbeti vetëm me shqiptarë. (Shih “Ngritja e Mbretërisë”, fq 16, shkruar nga Sixe)

Ekziston gjithashtu edhe një elegji, të cilën e përmend edhe Beqir Hagi në artikullin e tij sipas së cilit tregohet për shqiptarët në një fshat të Drenicës të cilët u masakruan në xhami derisa ishin mbledhur për të kryer një rit fetar. Kjo ngjarje sipas artikullshkruesit ka ndodhur më 1924.

Nga ana tjetër, Beqir Hagi, në artikullin e tij përmend edhe Aqif Blytën, mbrojtësin e Tregut të Ri (Novi Pazarit), duke bërë përshkrimin në faza të ndryshme të betejës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në këtë pjesë të Shqipërisë.

Rreth Mitrovicës, shkruan B. Hagi duke përshkruar gjendjen e Luftës së Dytë Botërore, kufijtë kalojnë nëpër vargamelet e Rogozinës, duke lënë në Shqipëri 32 fshatra të komunës së Kolashinit dhe 6 të tjera rrëzë malit Crni Vërh. “Italianët”, vazhdon ku autor, “duke qenë të ndikuar nga serbët dhe malazezët asnjëherë nuk caktuan kufitarë shqiptar në këtë vijë të kufirit, kështu që çetnikët kalonin lirisht në këtë anë duke rrezikuar Tutinin, Rozhajën, Mitrovicën dhe Novi Pazarin.

“Sulmi i parë ndaj Novi Pazarit”, shkruan tutje Aqif Blyta, “më 1941 erdhi pikërisht nga kjo pjesë e kufirit, gjegjësisht nga Rogozini e Kolashinit, derisa sulmet tjera erdhën nga Kopaoniku, Golijasi dhe Rashka. Kjo gjendje vazhdonte ndërsa shqiptarët ne kësaj ane ishin në rrezik të vazhdueshëm”, thotë Blyta.

Më 5 shkurt të vitit 1944, në fshatrat e Dragoçevës, të Hotit, të Bellancës dhe të Gurbetiqit, janë vënë re banda të përqendruara çetnikësh serbo-malazez. Natën e 6 shkurtit të vitit 1944, u sulmua fshati Jezgroviq i komunës së Ribariqit, në nënprefekturën e Tutinit. Komandanti i garnizonit të Tutinit u nis drejt Ribariqit. Ndërkohë, Aqif Blyta i Novi Pazarit në marrëveshje me nënprefektin e Tutinit, mulla Jakup Kambinin, thërret të gjithë burrat e Tërnavës, të Vojkoviqit dhe t Novi Pazarit që të marrin armët. Këta, së bashku me ndihmën që u erdhi nga Tutini i përballuan për një kohë sulmet që u vinin nga armiku.

Ndërkohë, shkruan Beqir Hagi, mbrojtësit e kësaj pjesë të Shqipërisë Etnike, nëpërmjet prefektit të Mitrovicës, Ibrahim Lutfiut, e njoftuan Pejën dhe Lidhjen e Prizrenit për këto beteja. Ndërsa, nga ana tjetër, çetnikëve u kishin ardhur në ndihmë forca serbe që komandoheshin nga Millan Nediqi. Trupat e ardhura serbe në ndihmë çetnikëve ishin të mëdha dhe përfshinin në vete rreth 1.200 efektivë ushtarak. Mirëpo, derisa sulmet e çetnikëve po vazhdonin, vullnetarëve shqip;tarë u arritën ndihma në efektiv prej afro 10.000 luftëtarësh: 4.000 nga Drenica, 800 nga Peja, 700 nga Oragjaci, 3.000 nga Tutini dhe 1.000 nga Novi Pazari. Kështu, forcat vullnetare shqiptare, jo që i përballuan sulmet e çetnikëve dhe të nediqevcëve, por edhe kundërsulmuan duke marr kështu nën kontroll të plotë fshatrat e Dragoçevës, Gurbetiqit, të Hotit si dhe 32 fshatra të komunës së Kolashinit, duke pastruar këto territore plotësisht nga çetnikët.

Në të gjitha këto beteja u shquan: Qazim Komoni, Shaban Polluzha, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, etj.

Çfarë shkruante Kristo Floqi mbi tezat e Cvijiqit mbi Kosovën si “Serbi e vjetër”

“Kosova ka qenë e akuzuar për qëndrime reaksionare karshi luftës së jugut (të Shqipërisë-plot. i H.M.)”, shkruan Ali Roka, për të shtuar se artikulli i tij, në fakt tregon se qëndrimi i Kosovës ndaj kësaj lufte ishte i kushtëzuar nga shumë faktor. Ky artikullshkrues i cili me qëndrimin e tij e zgjoi interesimin e studimit tek britanikët, thekson ndër të tjerat se vetë politika e ndjekur nga partizanët ishte një ndër faktorët që ka ndikuar në qëndrimet e kosovarëve, pasi që, siç thotë ky artikullshkrues, ata, pra partizanët kishin për qëllim zhdukjen ose shfarosjen e Kosovës dhe kthimin e dominimit serb. “Kosovarët kanë vuajtur më shumë se ç’mund të paramendohet”, shkruan Roka, “Ata ua shtrinë duart fqinjëve të vetë, por këta i qëlluan, ndaj dhe është shumë i natyrshëm reagimi i tyre”, shkruan Roka për të shtuar se, po ta vinte në sprovë Jugu vëllazërinë kosovare, ata do të befasoheshin se çka mund të bënin kosovarët për ta.

Në vazhdim të këtij artikulli do të sjellim një shkrim jashtëzakonisht interesant të komediografit të shquar shqiptar Kristo Floqit, gjegjësisht një polemikë e tija me tezat e Jovan Cvijiqit, profesorit hegjemonist të Universitetit të Beogradit i cili ndërtoi me dhjetëra dhe dhjetëra teza dhe doktrina të rrejshme mbi atë se si Kosova është “djep i Serbisë”, apo edhe “Serbi e Vjetër”.

JA se si fillon ky shkrim i Floqit, që është i radhitur si artikulli M i kësaj dosjeje britanike mban titullin A ËSHTË KOSOVA SERBI E VJETËR?

“Serbët dhe kroatët e pushtuan Ballkanin e me këtë edhe Shqipërinë rreth vitit 640 të erës sonë”, shkruan ky autor. Ata erdhën në Kosovë e cila ishte e banuar nga shqiptarët, pjesëtar të fisit dardan. Gjatë historisë, ky territor u sundua nga serbët dhe nga shqiptarët, por elementi shqiptar ishte origjinal (vendas), ndërsa elementi sllav, siç e dëshmon edhe vetë historia, erdhi më vonë”, shkruan Floqi.

“Emri ‘Serbi e vjetër”, shton ky autor, “është i trilluar nga prof. Cvijiqi dhe nuk haset në asnjë vepër përveçse në veprën e tij. Historiani tjetër serb, Vuk Karaxhiq, i cili ka udhëtuar nëpër Kosovë dhe i cili kishte njohuri të dorës së parë për këtë vend dhe këtë popull, këtë vend e quan KOSOVË e jo ‘SERBI E VJETËR”, konstaton Floqi.

“Një shkrimtar tjetër, bullgar, Dr. ICHIRKOFF (emri mund të jetë i pasaktë pasi që në dokument është shkruar në anglisht e jo sipas origjinalit – vr. E H.M.), në veprën e tij ‘Etudde ethnologichues sur les slavs de Macedonie’, këtë vend e quan Kosovë e jo Serbi e vjetër’. ‘Pas luftës ruso-turke, 1878 u revizuan kufijtë e Gadishullit Ballkanik, mirëpo asgjëkund nuk haset termi ‘Serbi e vjetër’, i aplikuar për Kosovën, por vetëm emërtimi Kosovë.

Edhe hartat e Kiepertit asnjëherë nuk e kanë përdorur termin Serbi e vjetër, kur flitet për Kosovën. Në të gjitha statistikat e mbajtura nga perandoria Otomane”, thekson Floqi, “është përdorur emri Kosovë për këtë regjion. Në të gjitha korrespodencat e ambasadorëve të huaj përdoret vetëm emri Kosovë e jo Serbi e vjetër.

Në të gjitha gjeografit e vjetra serbe, ekskluzivisht përdoret emri Kosovë, ndërsa atë Serbi e vjetër nuk e hasim asnjëherë. Në veprën e G. Verdenit (diplomat francez) për Maqedoninë, kurrë nuk është përdorur emri Serbi e vjetër, por gjithnjë është përdorur Kosovë.

Në fjalorin e madh historiko-gjeografik të Ahmet Rifat Pashës (Grand Dicionare Historique e Geographique -1884), asnjëherë nuk haset termi ’Serbi e vjetër’, por vetëm ‘Kosova’. Në koleksionin e hartave të quajtura ‘Nona Europae Tabula e Decima Europae Tabula’, të botuar në Romë më 1940, botuar në veprën e Ptolemitit, termi Serbi e vjetër nuk përdoret asnjëherë kur flitet për këtë territor, por vetëm termi Kosova.

Kjo që vijon është lista e hartave të cilat dëshmojnë se Kosova, gjithmonë është quajtur Kosovë e kurrë ‘Serbi e vjetër’, dhe se Kosova ka qenë gjithmonë shqiptare:

Theatrum orbis terrareumm sive atlas novees paro tertia, nga Guillaume dhe F. Blaeu, Amsterdam 1650.
Mercuric geographico, nga G. Rossi, Romë 1674
Troisiome partie de la carte d’Europe, Auville 1760
Nuovo atlante geographico universale, Causini 1792
European Domination of the Ottoman or Turkey in Europe nga W. Fadeni, Londër 1795
Karte von dem Osmanischen Reiches ih Europa, nga Franz von Kelly, Vienë 1769
Imperii Osmani sive turcici Europae Tabula ad norman recentessimarum observbationum conciuata Samitibus, botuar nga John Walka, 1979
The European Map, nga A. Arroësmith, Londër
Care de la Turquie en Europe en 15 feuilles, nga p. G. Chaulaire, 1800
Atlanto Veneto, 1694
Përveç kësaj, Pjetër Bogdani, arqipeshkvi i Shkupit, në një letër të shkruar më 10 shkurt 1675, përmend këtë territor duke e quajtur Kosovë e jo serbi e vjetër.

Dy shkrimtarët serb, V. Karaxhiq dhe Ivan Raiq kurrë nuk e quajtën këtë territor ‘Serbi e vjetër’ në veprat e tyre (ata kanë shkruar më 1887 dhe 1794). Bile, edhe Vladimir Ivanoviqi, një përkrahësi i flaktë i Pansllavizmit në Ballkan, në librin e tij “Les Sebes et la mision l’Europe de la serbie fans Europe d’Orient’, B e H-në e quan ‘Serbi e vjetër’, kurse Kosovën e konsideron Shqipëri. Këtë e konfirmon edhe bashkëvendësi i tij Dimitrije Stefanoviq”, shkruan Kristo Floqi në studimin e tij mjaft informativ dhe kurioz për britaniket.

Kosova ka qenë dhe është shqiptare

“Edhe Pougueville”, shkruan më tej Floqi, “ambasadori francez te Ali Pasha i Janinës, në veprën e tij ‘Voyage en Moree, a Constantinopole, et en Albanie 1865’, por edhe Boue, shkrimtari francez, në librin e tij “Redull d’itineraires fans la Turquie d’Europe 1884’, pohojnë se Kosova është plotësisht shqiptare dhe kurrë nuk e quajtën atë ‘Serbi e vjetër’. Të gjithë këto argumente të dokumentuara që dëshmojnë se Kosova është shqiptare janë prova të mjaftueshme për të kënaqur edhe studentin më skeptik dhe më kritik të historisë”, shkruan Floqi.

Voyage en Morée, à Constantinople, en Albanie et dans plusieurs autres parties de l’Empire ottoman pendant les années 1798, 1799, 1800 et 1801. [Tome 3]/ , par F.-C.-H.-L. Pouqueville,…

“Është evidente”, shton ky autor, “lakmia për pasurinë e te tjerëve në veprën e prof. Cvijiqit, lakmi e cila e udhëheq gjykimin e tij, gjer në atë masë, saqë e bënë atë të verbër dhe qesharak. Shumë truqe kanë përdorur serbët për të marr Kosovën dhe për të ç’rrënjosur elementin shqiptar, por, fakti se këtë nuk e arritën është një argument me shumë që shpie drejt të konkluduarit e vërtetë se Kosova ka qenë dhe është Shqiptare.

‘Dashuria e ujkut të vjetër ndaj qengjit’, shtrembëron madje edhe të vërtetën më evidente historike duke e turpëruar historinë dhe pasionin e shkencëtarit për objektivitet, duke përdorur terma të tillë të shëmtuar siç është ai “SERBI E VJETËR”, përfundon komediografi i shquar shqiptar, Kristo Floqi, në polemikën e tij me shkencëtarin serbe Jovan Cvijiqi rreth emërtimit të vërtetë të Kosovës.

Në fund

Pothuaj se, në çdo dokument të cilin e përdoronte në këtë kohë Ministria e Jashtme Britanisë së Madhe, si dhe Ministria e luftës së këtij vendi, Kosova dhe Dibra (me të cilin emër përfshiheshin territoret shqiptare të Maqedonisë nga Shkupi e deri në Ohër) paraqiten si territore të banuara në mënyrë dominante me shqiptarë dhe së kufijtë prezentë pak a shumë janë në raport me kufijtë etnik. Sipas britanikëve, e tërë ajo që mund të thuhej në lidhje me këta kufij është element i fortë etnografik dhe përcaktim po ashtu i fortë i shqiptarëve, jo vetëm për të ushtruar influencë brenda këtyre kufijve, por edhe për t’i mbrojtur toka. Çështja e Kosovës ishte e rëndësisë vitale për shqiptarët.

(FUND)

(Autori është doktor i antropologjisë dhe profesor në Universitetin e Prishtinës” Hasan Prishtina”)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *