HISTORIA

Historia e “Via Egnatia”, rruga që bashkonte Perëndimin me Lindjen

VIA EGNATIA APO UDHA E GJATË

Nga Ph.D.C. Melsi Labi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar

Via Egnatia është ndërtuar për të lehtësuar qarkullimin e lirë të njerëzve si dhe për të realizuar lidhjen e Romës me provincat më të largëta. Ajo fillonte nga Durrësi dhe nëpërmjet Ohrit e Selanikut të shpinte në Kostandinopojë. Me një gjatësi rreth 861 km, Via Egnatia ka qenë e përshtatshme për lëvizjen e udhëtarëve dhe të karvaneve. Udha Egnatia niste nga Durrësi e Apolonia, më pas këto dy degë janë bashkuar diku afër Elbasanit për të vazhduar nëpërmjet Ohrit e Manastirit dhe përfundonte në Selanik. Në shekullin IV pas Krishtit, Udha Egnatia u zgjat deri në Kostandinopojë dhe ishte vazhdimi i rrugës së vjetër romake Via Apia. Për nga rëndësia strategjike Udha Egnatia bashkonte Perëndimin me Lindjen.

Via EgnatiaKjo udhë e ka marrë emrin nga ndërtuesi i saj, prokonsulli Cnaeus Egnatius, i biri i Caius. Emri i tij gjendet në dy mbishkrime, që janë në muzeun e Selanikut. Sami Frashëri kur flet për viset shqiptare në volumin II të enciklopedisë Kamus Al-Alam emërtimin Udha Egnatia e ka lidhur me përcaktimin e bërë prej vetë shqiptarëve. Kjo udhë përshkon nga perëndimi në lindje trojet shqiptare dhe fjala “Egnatia” është mbiemri i shqipes (e gjatë), që latinët e shndërruan në trajtën Via Egnatia. Në gjuhët latine dhe greke pjesa e emërtimit Egnatia nuk është e motivueshme kuptimisht dhe kjo vjen se ata këtë emërtim e kanë huazuar prej shqipes “Udha e gjatë” duke e dhënë në gjuhën e tyre “Udha (Via) Egnatia”. (S. Frashëri, Viset shqiptare në Kamus Al-Alam, nr. 3, Logos A, Shkup 2004, fq. 71)

Sipas studiuesit Moikom Zeqo Durrësi ishte porta nistore e Udhës Egnatia. Gërmimet arkeologjike në Durrës kanë zbuluar një hark të madh qendror dhe dy harqe të tjerë simetrikë anash tij. Kjo është gjurma e “Portës së Artë” të Udhës Egnatia. Harku i madh shërbente për kalimin e qerreve, ndërsa dy harqet anash tij shërbenin për kalimin e këmbësorëve. “Porta e Artë” e Durrësit pasohet nga “Porta e Artë” e Skampës në Elbasan, të cilës i kanë mbetur vetëm gjurmët e themeleve, ndërsa në Selanik “Porta e Artë” është ruajtur në gjendje të mirë. Një tjetër “Portë e Artë” gjendet në Kostandinopojë. Përfundimisht mund të themi se Udha Egnatia përshkohej nga katër “Porta të Arta”, dy prej të cilave gjenden në Shqipëri. Ky fakt tregon se Shqipëria ka qenë mitra ndërtimore e Udhës Egnatia. (M. Zeqo, Hulumtime Arkeologjike, Albanopol, Tiranë 2009, fq. 166).

Stacionet kryesore të Udhës Egnatia

Dega kryesore e Udhës Egnatia kalonte pak a shumë në drejtimin e rrugës së sotme automobilistike. Stacioni i parë ishte Clodiana, i identifikuar me Peqinin e sotëm. Stacioni i dytë ka qenë Ad Quintum, që përkon me kompleksin e nimfeut romak në Bradashesh. Udha vijonte drejt Scampis (Elbasanit), në anën veriore të rrugës së sotme automobilistike dhe përputhej me të në stacionin Treieceto diku pranë Mirakës. Pasi kalonte nëpër ngushticat e Shkumbinit udha ngjitej në shpatin e malit të Polisit për të dalë në qafën e Gajorit, që përkon me stacionin Ad Dianam ose Grandavia. Gjurmët e udhës zbresin në Qukës ku gjendej stacioni Tres Tabernas apo In Candabia. Në vijim ngjitej drejt Pishkashit dhe Rrajcës në stacionin Pons Servili për të dalë në Qafën e Thanës, ku gjendej stacioni Clavdanon. Më tej udha vazhdonte për në Lyhnid. (Harta arkeologjike e Shqipërisë, nën drejtimin e P. Cabanes, paraqitur nga M. Korkuti, A. Baçe, N. Ceka, Pegi, Tiranë 2008, fq. 223).

Trasetë e Udhës Egnatia

1-Traseja Durrës-Qafthanë. Trakte të shkëputura të Udhës Egnatia janë gjetur në zonën ndërmjet Qerretit dhe Kavajës. Traseja është rreth gjashtë metra e gjerë. Ajo përbëhet nga plloça guri mesatare dhe të mëdha. Në dy anët e rrugës ka bordura. Trakte të Udhës Egnatia gjejmë në lindje të Kavajës, në Kryeluzaj, në Fatishtë, në lindje të Peqinit si dhe në Bradashesh. Gjurmët e rrugës shfaqen në lindje të Elbasanit në fshatin Mirakë.

2-Traseja Rrogozhinë-Elbasan. Nga qendra e qytetit të Rrogozhinës Udha Egnatia ka kaluar nëpër trasenë e rrugës së sotme automobilistike deri në afërsi të Peqinit. Udha Egnatia ka kapërcyer përroin e Rrogozhinës afërsisht 10 metra në anën veriore të urës së sotme. Në vijim nëpërmjet urave të vogla prej guri ka kaluar përrenjtë e Sineballajt dhe Rushtës për të mbërritur në Peqin. Pranë xhamisë së sotme të Peqinit udha vijonte drejt veriut, rrëzë kodrave duke kapërcyer linjën hekurudhore drejt fshatit Fatishtë. Ndërmjet urës së Fatishtës dhe varrezave të fshatit gjendet një trakt i kalldrëmit me gjerësi rreth 3,4 metra. Trakti i kalldrëmit është i ndërtuar me gurë lumi. Kurrizi i udhës si dhe kufizimet anësore janë ndërtuar me gurë më të mëdhenj se të tjerët. Më tej udha vijonte drejt përroit të Listricës, për të vazhduar në anën jugore të rrugës së sotme automobilistike. Via Egnatia depërtonte në fushën e Lazarenit diku pranë fshatit Lolaj. Duke kapërcyer përroin e Pajovës kalonte nëpër grykën e Bishqemit. Në perëndim të Bishqemit pasi kapërcente Përroin e Zi udha kalonte pranë lumit Shkumbin. (M. Brazia Amore, L. Bejko, Y. Cerova, I. Gjipali, Via Egnatia: rezultate të vitit 2003, Candavia 1, Tiranë 2004, fq. 31-53)

3-Traseja Apoloni-Shkumbin. Dega më e hershme e Udhës Egnatia ka qenë ajo që niste nga Apolonia, për të vijuar drejt kodrave deri në Fier e në Marinëz, në stacionin Stefanaphana. Më tej përshkonte fushën e Roskovecit dhe kalonte lumin Apsos (Semanin) në Kuç. Sipas Tabula Peutingeriana ka pasur edhe një udhë tjetër, e cila shkëputej nga Udha Egnatia pranë Qerretit. Në vijim udha gjarpëronte rrëzë kodrave dhe kalonte Shkumbinin ndërmjet Halilajt dhe Bishtçukës.

4-Traseja Aulona-Scampis. Trakt i një udhe antike është zbuluar në veri të Treportit, pikërisht aty ku fillon laguna e Nartës dhe vijon në brendësi të kënetës para manastirit të Zvërnecit. Gjurmë traktesh të udhës janë gjetur në perëndim të Akërnisë, për të vijuar në Poro, në Boçovë, Shënepremte, Sop dhe mbërrinte në Pojan. Në qytetin antik të Apolonisë dega jugore e Via Egnatias fillon në fshatin Shtyllas. Në vijim drejt kodrave të Kryegjatës për të zbritur drejt në Radostinë e Vadhizë. Duke ndjekur anën e kodrave në anën juglindore udha kalon nëpër fshatin Zhupan. Prej këtej udha vijon në vijë të drejtë në drejtim të kodrave të fshatit Mbyet. Më pas kapërcen përroin e Gjanicës dhe kthehet në anën lindore ndërmjet Frashërit dhe Verbasit. Udha nëpërmjet Urës së Kuçit kalon Semanin dhe arrin në fundin e kodrave të Roskovecit. Ky i fundit është cilësuar si stacioni i Stefanafanës. Udha vijonte në drejtim të Novoselës, Jagodigës, Sukut, Goriçanit dhe Hinkës për të dalë tek Ura e Kuçit. Më pas udha nëpërmjet pllajës së Dumresë del në Peqin. (I. Gjipali, Gjurmë të reja në Via Egnatia, Monumentet, nr. 1, Tiranë 2008, fq. 51-55)

Urat përgjatë Udhës Egnatia

Disa prej urave i përkasin periudhës romake, ndërsa disa të tjera periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës. Urat kryesore janë: Ura e Topçiasit, Ura e Keçit, Ura e Kasharajt, Ura e Fatishtës, Ura e Çopanajt, Ura e Haxhi Beqarit etj. Tre të parat janë ndërtuar gjatë periudhës romake dhe antikitetit të vonë.

1-Ura më e ruajtur është ajo e Topçiasit, e cila gjendet pranë Elbasanit. Gjatësia e urës arrinte deri në 450 metra. Ura përbëhej nga 15 pilastra të vendosura në largësi rreth 10 metra nga njera-tjetra. Pilastrat kanë formë pesëkëndëshe të zgjatur me majën e drejtuar kundër rrjedhës së lumit. Për ndërtimin e tyre janë përdorur blloqe gurësh katërkëndorë, të cilët lidhen ndërmjet tyre me llaç si dhe me ganxha hekuri të plumbosura.

2-Ura e Fatishtës ruhet e plotë dhe e dëmtuar në pjesën e sipërme të saj. Gjithashtu në anën lindore ka pësur një çarje. Ura është rreth tre metra e gjerë. Lartësia e qemerit prej guri kap lartësinë 0,56 metra. Qemeri është i ndërtuar me gurë të gdhendur të lidhur me llaç. Fasolo mendon se ura është ndërtuar në periudhën romake. (M. Fasolo, La via Egnatia da Apollonia e Dyrrachium ad Herakleia Lynkestidos, Roma 2003, fq. 148) Mbi gjurmët e urës romake gjatë periudhës otomane është ndërtuar një urë e re.

3-Ura e Çopanajt gjendet mbi përroin me të njejtin emër. Ajo ruhet në gjendje të mirë, duke u nisur nga fakti se rreth viteve 30-të të shekullit të kaluar mbi të është ndërtuar një urë moderne, përmasat e së cilës janë rreth 3.17 metra. Ura është e ndërtuar me gurë të gdhendur në formë katërkëndëshi, të lidhur me llaç gëlqereje. Qemeri i urës kap lartësinë 0,53 metra dhe është i ndërtuar me tulla romake të lidhura me njera-tjetrën me llaç. Studiuesit mendojnë se ura është ndërtuar në fillim të shek. II pas Krishtit, gjatë viteve të sundimit të perandorit Trajan.

4-Ura e Haxhi Beqarit shërbente për të lidhur fshatin Mirakë me zonën e Polisit. Ura i përket shek. II-III pas Krishtit. Qemerët e urës janë ndërtuar me tulla rreth 70 cm të trasha, ndërsa muret e faqeve të dukshme të murit jugor janë realizuar sipas teknikës opus incertum, e cila konsiston në një rresht gurësh të çrregullt dhe dy rreshta tullash. Ura e Haxhi Beqarit është shkatërruar nga gotët në vitin 479.

5-Ura e Keçit gjendet në anën e djathtë të derdhjes së përroit të Gostimës në lumin Shkumbin. Konstruksioni i urës ka qenë me katër qemerë, që kishin hapësira drite rreth 14 metra. Harqet e qemerëve janë realizuar me tulla. Ura ka qenë e gjatë rreth 95 metra dhe daton në shek. II-III pas Krishtit. (V. Shtylla, L. Papajani, Të dhëna teknike mbi rrugën e luginës së Shkumbinit në antikitet dhe mesjetë, Monumentet, nr. 1, Tiranë 1990, fq. 61-62).

6-Ura e Jagodinës. Në Jagodinë janë zbuluar mbetjet e një ure, e cila i përket periudhës romake. Ura ka qenë e gjerë 4,5 metra dhe ka një hark me orientim verilindje-jugperëndim. Këmba jugore e urës është e dëmtuar, ndërsa ajo veriore ruhet në gjendje të mirë. Harku përbëhet nga 15 rreshta tullash të cilat janë lidhur me njera-tjetrën me llaç gëlqereje. Pjesa tjetër e urës është e ndërtuar me gurë të punuar në faqet e jashtme, ndërsa në brendësi është mbushur me gurë lumi të lidhur me llaç të bollshëm. Pjesa e brendshme e harkut është suvatuar me një shtresë llaçi.

Kërkimet arkeologjike në trasenë e Udhës Egnatia

Pararendësit e kërkimeve arkeologjike në trasenë e Udhës Egnatia kanë qenë C. Praschniker dhe A. Schober, të cilët kanë përshkruar urën antike të Topçiasit. (K. Prashniker. A. Shober, Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, Tiranë 2003, fq 59-61). C. Praschniker ka ndjekur trasenë e degës jugore të Via Egnatias, e cila ishte ruajtur në gjendje të mirë në fushën e Roskovecit. Në librin e tij Praschniker përmend këto stacione: Apoloni-Stefanaphana-Aps-Marusio-Klodiana. Gjithashtu përmend urën e Muriqanit, e cila i përket periudhës turke. Ai gjeti trakte të udhës ndërmjet Durrësit dhe Kavajës. Kërkime në terren ka bërë edhe G. Veith në studimin e tij rreth betejës të zhvilluar në Iliri ndërmjet Cezarit dhe Pompeut, Veith përmend Kuçin (Aps) si vendin ku dy ushtritë janë rreshtuar në dy anët e lumit. Në vitet pas Luftës II Botërore ishte J. Adam, i cili në studimin e tij ka përshkruar udhët antike të Shqipërisë. (J. Adam, Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, Tiranë 1983, fq. 9-23). Adam duke u mbështetur në intineraret e periudhës së antikitetit trajton vetëm arterien kryesore në luginën e Shkumbinit. Në vijim L. Vidman ka bërë një përshkrim të shkurtër arkeologjik dhe epigrafik rreth traktit të Udhës Egnatia nga Elbasani deri në Përrenjas.

H. Ceka ka bërë studime rreth degëzimit që lidhte Apoloninë me Dyrrahun. (H. Ceka, Dega jugore e rrugës Egnatia, Monumentet, nr. 1, Tiranë 1971, fq. 25-35). Në studimin e tij Ceka thekson ekzistencën e një arterie që lidhte Apoloninë e Aulonën me Skampinin. Arteria kalonte nga Ura e Kuçit nëpërmjet Dumresë dhe takohej me Udhën Egnatia në Skampin. Ceka përmend ekzistencën e qytetit antik të Belshit në Dumre. Arkeologët N. Ceka dhe L. Papajani (N. Ceka, L. Papajani, Rruga në luginën e Shkumbinit në kohën antike, Monumentet, nr. 1, Tiranë 1971, fq. 43-59) kanë vëzhguar në terren traktin nga Elbasani në Qafëthanë, duke përshkruar urat dhe stacionet e Udhës Egnatia në këtë segment. Ceka dhe Papajani udhën që përshkon luginën e Shkumbinit në kohën antike e ndajnë në dy periudha: në periudhën pararomake të njohur si rruga e Kandavisë dhe në periudhën e sundimit romak, të njohur si Udha Egnatia. Sipas tyre në shekujt e parë të perandorisë Udha Egnatia ka qenë një rrugë e konsoliduar plotësisht me trase, ura dhe stacione. Gjithashtu ata kanë bërë gërmime arkeologjike në termet e nymfeut në stacionin Ad Quintunum në perëndim të Elbasanit. (N. Ceka, L. Papajani, Nymfeu dhe termet e stacionit Ad Quintum, Monumentet, nr. 4, Tiranë 1972, fq. 29-57).

Vëzhgime rreth ndërtimeve gjatë luginës së Shkumbinit kanë bërë V. Shtylla dhe L. Papajani. (V. Shtylla, L. Papajani, Të dhëna teknike mbi rrugën e luginës së Shkumbinit në antikitet dhe mesjetë, Monumentet, nr. 1, Tiranë 1990, fq. 57-73). Një pjesë e mirë prej tyre janë shfrytëzuar në Tabula Imperi Romani, K-34. (V. Shtylla, Zh. Vinçiç, Traseja e via Egnatias nëpër Shqipëri dhe Maqedoni, Monumentet, Tiranë 1992-1999, fq. 51-84). Valter Shtylla në librin e tij mbi rrugët dhe ura e vjetra në Shqipëri (V. Shtylla, Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri, Tiranë 1998, fq. 19-26). paraqet një panoramë të Udhës Egnatia në tre periudha kohore: antike, romake si dhe të antikitetit të vonë dhe mesjetës, duke përmendur arteriet kryesore dhe stacionet e saj. Në degën jugore Shtylla përmend udhën që fillonte nga Apolonia, e cila kalonte në Mbrostar nëpër lumin Aps për në Divjakë, në vijim takonte Genesis dhe merrte anën verilindore pranë lumit të Draçit ku takohej me degëzimin e Egnatias që vinte nga Dyrrahu. Një degë tjetër që takohej me Udhën Egnatia ka qenë ajo që nisej nga Apolonia, kalonte në Roskovec, në vijim në Barbullinjë, në Rrogozhinë dhe përfundonte në Klodianë.

Punimin më të plotë rreth udhës Egnatia e ka bërë M. Fasolo. (M. Fasolo, La via Egnatia da Apollonia e Dyrrachium ad Herakleia Lynkestidos, Roma 2003). Ky i fundit trajton kryesisht periudhën romake. Objekt i kërkimeve të Fasolos kanë qenë arteriet dhe degëzimet jugore të Udhës Egnatia. Fasolo e trajton kalimin e degëzimit jugor për tu lidhur me Udhën Egnatia në Elbasan duke kaluar në pjesën veriperëndimore të pllajës së Dumresë. Në degëzimin që kalon nga Ura e Kuçit drejt Shkumbinit thekson se rruga antike që vinte nga jugu, pasi kalonte lumin Apsos në Kuç, kalonte nga manastiri i Bokës, Mali i Fierit dhe nëpërmjet Barbullinjës shkonte në Çiflik. Prej aty një rrugë shkonte në Kadaraj, në vijim në Konjat dhe Gramsh. Më tej shkonte në drejtim të Bashtovës në anën e majtë të Shkumbinit. Kalimi nëpër Dumre të shpinte drejt Elbasanit duke kaluar nëpër Kasharaj, Lekaj, Hysëgjokaj, Sopi i Kojdarës, Belsh, Shalës, Murriqan, Ura e Topçiasit. Në territorin ku kërkohet degëzimi i Udhës Egnatia është vetëm një qendër antike qytetare, Gradishta e Belshit, e cila i ka fillesat që në prehistori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *