POLITIKA KOMBËTARE

SAFET BUTKA, QË I DONTE SHQIPTARËT MË SHUMË NGA VETJA

Shkruar nga Luan Çipi

Te Safet Butka gjen gjithçka të mirë: Traditën e Atdhetarisë, mbartur nga paraardhësit me pikë kulmore babën e tij, Sali Butka; kulturën dhe arsimimin superior, “dojç kulturë”; kontributin e tij direkt për arsimimin dhe kulturën e popullit, duke qenë deri drejtor dhe protagonist me peshë në Liceun e Korçës, Normalen e Elbasanit, Institutin Tregtar të Vlorës, Normalen e Gjirokastrës dhe Gjimnazin e Tiranës; krijues, studiues e botues librash; antifashist i orëve të para dhe i burgosur e internuar prej tyre; luftëtar për liri e prijës ushtarak direkt në disa aksione gjurmëlënëse kundër pushtuesve Italian e Gjerman dhe hero e trim i pashoq, pse si asnjë tjetër (siç kishte premtuar) vrau veten, për të shuar gjakderdhjen vëllazërore e “luftën civile”.

Sikur vetëm “sintezën” si mësipërm ta lexosh me dashamirësi, do bindesh për figurën madhore sipërore të këtij Atdhetari, që do ta lakmonte ta kish në historinë e vet edhe populli më krenar i botës.

Safet Butka u lind në Butkë të Kolonjës, më 10 gusht, 1901, në një familje me histori të lavdishme atdhetarie. Ai ishte fëmija i pestë i Sali Butkës. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, u dërgua për studime të mëtejshme në Linz, Austri, ku përfundoi shkollën e mesme dhe shkoi së fundmi për të studiuar në Universitetin e Gracit, ku në vitin 1928 u diplomua në filozofi me rezultate të larta.

Gjatë qëndrimit të tij në Austri, ai ishte organizatori i shoqatës studentore Shqiptarë “Albania”, ku aderonin dhe Shqiptarët e tjerë të shquar për kohën: Aleks Buda, Eqerem Çabej, Krist Maloki, Lasgush Poradeci, kushëriri famëmadh Qemal Butka, Skënder Luarasi, etj.

Qysh student Safet Butka u dallua për hulumtime e krijimtari letrare dhe botoi në një koleksion të poezisë së zgjedhur dhe në vitin 1925 kreu një tjetër studim mbi veprën e Naim Frashërit, poetit të madh Kombëtar, prej nga e kanë dhe origjinën e lashtë familja Butka.

Safet Butka, me diplomë filozofi, u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe u emërua profesor në Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1929 ai u martua me Hatixhe Lubonjën, me të cilin pati 4 fëmijë.

Nga viti 1928 deri në 1939, ai punoi si mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të mesme të vendit. Ai u zgjodh Kryetari i Klubit të parë Shqiptar të Mësimdhënësve dhe ishte një nga “profesorët” e parë, që zbatoi në Shqipëri metodat perëndimore në procesin e mësimdhënies. Si kryetar i kësaj shoqate Kombëtare, ai u bë nismëtar në një sërë aktivitetesh patriotike dhe kulturore, si në: vendosjen e pllakës përkujtimore tek Rrapi i Mashkullores në kujtim të dëshmorëve të çetës së Çerçiz Topullit; realizoi memorialin e Koto Hoxhit dhe përkujtimin e figurave të tjera të shquara si: Hoxhë Tahsini, Bajo Topulli etj.; bashkorganizator me Ministrin e Arsimit për kthimin e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia në Shqipëri, etj.

Në këtë kohë ai shkroi artikuj në revista pedagogjike, sociale dhe filozofike dhe botoi mjaft shkrime problemore në shtyp si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po, shqiptarizmit dhe Perëndimit”, etj.

Kulmin, si edukator në shërbim të brezit të ri, ai e arriti gjatë kohës që punonte si Drejtor i Gjimnazit të Tiranës, ku udhëhoqi intelektualët dhe “studentët” në demonstratat e para antifashiste në prag të pushtimit të vendit, qysh më 4 prill 1939, duke kërkuar armë dhe më pas, si mësues i shqipes në Gjimnazin e Shkodrës më 28 nëntor 1939 dhe 30 janar 1940, përkatësisht, kur u vu në ballë të demonstruesve.

Për këto aktivitete, i akuzuar si antifashist i rrezikshëm, u arrestua më 2 shkurt 1940 dhe u internua në ishullin e Ventotenes në Itali. Në ishullin Ventotene, do gjente të tjerë idealistë, intelektualë e atdhetar si: Zai Fundon, Muzafer Pipën, Abas Ermenjin, Isuf Luzajn, etj., si dhe federalistët e shquar italianë Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin. Në Ventotene, siç kanë dëshmuar ish të internuarit politik, gjithashtu ishte në krye: kundërshtoi nderimin fashist dhe vendosjen e shenjave fashiste në flamurin tonë kombëtar; refuzoi të ngrihej në këmbë kur ekzekutohej himni fashist; bënte propagandë kombëtare, si dhe u mësonte shkrim e këndim shqip atyre që nuk dinin. Në këtë mënyrë, Safet Butka, edhe në rrethana tepër të vështira të internimit, nuk përkulej, por qëndronte e luftonte për idealin kombëtar. Ai ishte i bindur dhe i vendosur se rruga drejt lirisë kalonte nëpërmjet luftës së palëkundur kundër pushtuesve. “Çdo gjë tjetër, thoshte ai, është iluzion”.

U lirua në shtator 1942, u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Butkë, ku kishte lënë familjen. Më pas, si u këshillua me miqtë e tij më të mirë: Mitat Frashëri, Hysni Lepenica, Isuf Luzi dhe Abaz Ermenji, doli në mal dhe u bë një udhëheqës i shquar i lëvizjes kundër fashizmit në zonën e Korçës. Bërthama e çetës së tij ishte e përbërë nga 70 luftëtarë të kalitur dhe me shumë përvojë, dhe që në rast nevoje mund të zgjerohej deri në një mijë.
Çeta e Safet Butkës qysh në fillim i dha një ndihmë të vlefshme luftëtarëve nacionalist të Vlorës dhe bëri gjithashtu, një tjetër gjest, sa atdhetar dhe human: mori nga depot ushtarake italiane në fshatrat Dardhë, Suli, Graçan, Progri, Pleshisht, dhe Verbinj gjithë prodhimin bujqësor (misri, duhani, leshi, etj) që kishin grabitur italianët dhe ua ktheu pronarëve.

Forcat e tij, në mars të vitit 1943, sulmuan Italianët në Vithkuq, ndërsa më 25 mars 1943, sulmuan dhe shkatërruan një brigadë Italiane në afërsi të Voskopojës. Kishte shumë të vrarë nga të dy anët. Në Voskopojë, Çeta e Safet Butkës liroi të gjithë të burgosurit politikë, dhe mori nga depot ushtarake Ersekë, një sasi të madhe me armë dhe municione.

Safet Butka ishte një nga themeluesit e Ballit Kombëtar dhe në bashkëveprim me çetat e tjera, bëri aksione të përbashkëta të suksesshme. Edhe pse një nacionalist i flaktë, ai përpoq në kohë të ndryshme për të bashkëpunuar edhe me Frontin Nacional-Çlirimtar, të drejtuar nga komunistët. Kështu më 8 shkurt të vitit 1943 ai organizoi një takim me përfaqësues komunistë të Korçës dhe me 19 mars 1943 u arrit një marrëveshje për bashkëpunim. Ai gjithashtu bëri një marrëveshje tjetër lokale në gusht 1943 dhe më vonë, ishte gjithashtu një nga nismëtarët dhe mbështetësit e Marrëveshjes së Mukjes.
Më 8 gusht 1943 nënshkruan një marrëveshje me majorin e forcave aleate britanike, Billy McLean. Dokumenti në shqip dhe frëngjisht, sanksionon luftën e përbashkët kundër gjermanëve. Me 13 gusht aksioni në Bermash të Kolonjës u krye me sukses, po nga një prej çetave të Safet Butkës që i ishte dhënë në dispozicion David Smileyt, ku u shkatërruan 4 autoblinda, një top dhe duke lënë 25 gjermanë të plagosur e të vrarë.

Kështu gazeta “Daily Telegraph” e 26 marsit 1943, duke evokuar luftën e luftëtareve shqiptarë kundër pushtuesit, vë në dukje se ushtria e luftëtarëve shqiptare përbëhet prej 50 çetave ose grupe atdhetaresh, si i quante ajo.“Një prej grupeve kryesore të atdhetarëve shqiptarë – vinte në dukje gazeta në fjalë – është e komanduar nga profesor Safet Butka, drejtor i kolegjit të Tiranës, që vepron në zonën Korçë-Kolonjë”… Siç shihet edhe nga ky shkrim, burimet e paanshme të informacionit, e shohin luftën e Shqiptareve si një të tërë dhe jo me përkatësi politike, e shohin në funksion të detyrës që kishin të gjithë shqiptarët për çlirimin e vendit. Edhe vetë pushtuesi, në konstatimet dhe analizat, që bënte, nuk theksonte ndonjë dallim midis forcave të rezistencës shqiptare, bazë përkatësisë politike.

Në raportin që i bëhej Ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Anthony Eden, me 30 korrik 1943, nga Miss E. Durham, ku jepet një pasqyrë e veprimeve luftarake në Shqipëri dhe e drejtuesve kryesore të tyre, krahas Hysni Lepenices, Skender Muços, Myslim Pezes, Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Mustafa Kaçaçit thuhej se “Ne krahinen e Korçës, zemra dhe shtëpia e nacionalizmit shqiptar në jug, Dr. Safet Butka, ish-profesor, komandon një njësi vullnetare dhe një numër çetash”. Duke e konkretizuar me tej veprimtarinë e Safet Butkes i njëjti burim theksonte: “Grupi i Dr. Butkes në Korçë, kohët e fundit, ka luftuar me një detashment Italian. Ka sulmuar gjithashtu shtabin Italian në Voskopojë, ku u kapën shumë armë dhe municione dhe liruan një numër robërish Shqiptarë. Kanë sulmuar gjithashtu një kompani këmbësorie italiane në Gjonomadh, në zonën e Korçës, duke vrarë majorin fashist Amedeo, si dhe 2 togerë dhe 21 ushtarë. Çetat në këtë krahinë sulmojnë shpesh depot e ushtrisë Italiane dhe bereqetin e shpërndajnë në popull.”
Ishte përpjekja e përbashkët e çetave partizane dhe çetës së Ballit Kombëtar, për të gjetur rrugët e bashkëpunimit, që u finalizua me marrëveshje në zonën e Kolonjës, më 19 mars 1943. Sipas pikave të kësaj marrëveshjeje, rezulton se të dyja forcat politike në terrenin e Kolonjës, ku vepronte edhe Safet Butka, e gjeten gjuhën e bashkëpunimit, duke njohur dhe individualitetin e njëra-tjetrës. Nga të dyja forcat u shpallej luftë e hapur spiuneve, vjedhësve dhe çdo elementi që komprometonte luftën kundër pushtuesit. Dhe, siç vihej në dukje, në fund të marrëveshjes, kjo punë bëhej me “bindjen e plotë se i sjellin një shërbim Atdheut”.

Siç dihet Safet Butka, u bë komandant i gjithë çetave nacionaliste të Qarkut të Korçës (çetave të Kolonjës, Korçës, Devollit, Pogradecit) dhe atje i zhvilloi luftimet e tij kryesore kundër okupatorëve. Këtë e vërteton dhe Daily Telegraf, që për çetën e Safet Butkës, njoftonte: “Kohët e fundit ky grup shpartalloi një njësi të tërë italiane, duke vrarë ushtarët, ndërsa ata që mbetën u dorëzuan…”

Në kuadrin e përgatitjeve të terrenit për Mbledhjen e Mukjes është domethënës takimi i Safet Butkes me Abaz Kupin në Teqenë e Fushe Krujës në Qershor të vitit 1943. I entuziazmuar nga ky takim Abaz Kupi ishte shprehur: “Lum Shqipnia që ka kësi burrash”. Po kaq thelle do ta shprehte hidhërimin kur mori vesh vrasjen e Safetit: “Medet, po shemben shtyllat e Shqipnisë. Këta janë burrat që e mbajnë atë, ndaluan luftën vëllavrasëse dhe gjakderdhjen”.
Pas denoncimit të Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët shqiptarë, Safet Butka, u dëshpërua deri në shqetësim. Ai, i ndruhej një luftë civile midis shqiptarëve dhe kur u pyet lidhur me këtë çështje, deklaroi: “I pari dhe i fundit shqiptar, që do të vras unë, është vetja ime”.

Pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943, në qytetin e Korçës u organizua një demonstratë masive paqësore, me anë të cilës kërkohej që ushtria Italiane të bashkohej me forcat antifashiste kundër pushtuesit të ri Gjerman.

Në demonstratën u hodhën parulla për bashkimin e popullit dhe u kënduan këngë atdhetare. Në këto rrethana komanda Italiane, në grahmat e fundit, nxjerr autoblindat që qëllojnë direkt mbi demonstruesit me mitraloz duke shkaktuar 59 të vrarë dhe 120 të plagosur. Pas kësaj masakre me 10 shtator 1943, trupat Italiane filluan të tërhiqen në drejtim të Tiranës.

Nga 9 deri në 13 shtator në Poçestë në rrugën Pogradec-Korçë, forcat e Safet Butkës, së bashku me forcat partizane, të drejtuara nga Nexhip Vinçani, sulmuan karvanin Italian që ishte tërhequr nga qyteti i Korçës, duke bllokuar për 5 ditë përparimin e tij. Në këtë luftë të përbashkët ranë dëshmorë dy partizanë: Zenel Skënderi dhe Bato Pojani, si edhe një nacionalist, Nexhip Mileci. Ja se ç’shkruhet në një dokument të kohës: “Ndër ditët 9 deri 13 të këtij muaji, armiku ka qenë impenjuar prej trupave tona të udhëhequra prej Safet Butkes në beteja të ashpra në zonën Pogradec-Korçë. Armiku pësonte humbje të rënda në njerëz, nga ana jonë humbjet janë të lehta”.

Gjashtë ditë pas betejës së përbashkët të Pocestës, çetat partizane, pabesisht, rrethuan nga larg forcat e Safet Butkës.
Një dëshmitar okular atëherë, shkruante: “Ishte më tepër se një rrethim, një grackë, një provokim për luftë vëllavrasëse midis shqiptarëve”. Po viheshin në zbatim vendimet e Konferencës së Dytë të Labinotit, që i shpalli luftë të armatosur Ballit Kombëtar.

Në Teqenë e Melçanit, ku ishin pozicionuar trupat e Safet Butkës, forcat partizane nuk mund të sulmonin, për shkak të diferencës numerike, por edhe të pozicionit gjeografik strategjik të Teqesë, që është një kështjellë e lartë natyrore. Kur dikush nga kryesia e Ballit të Korçës i tha: “T’u biem partizanëve!”, Safeti i revoltuar iu përgjigj: “Vetëm kur të kaloni mbi trupin tim!” Është e bërë proverbiale dhe dihet thënia e tij e përsëritur para vetëvrasjes: “Të parin dhe të fundit shqiptar, që do të vras, është vetja ime”.

I pafuqishëm për të ndaluar gjakderdhjen, Safet Butka, pati një çast dobësimi, një çast tronditjeje fatale dhe realizoi atë që kishte premtuar: Vrau veten më 19 shtator 1943 në Teqenë e fshatit Melçan, duke i qëndruar besnik fjalës së tij, të deklaruar e përsëritur botërisht disa herë.

Për këtë veprim fatal në një çast kulmor dëshpërimi, patën thënë: “Safeti, kur dëgjonte fjalën vëllavrasje, përgjigjej: d.m.th. vetëvrasje”. Një edukator si Safeti e misionar atdhedashurie, me moral e ideal i kalibrit të tij tepër të lart, nuk mund të bindej kurrsesi që, vëllavrasja nuk ishte një vetëvrasje. E, kur puna shkoi me të vërtetë në vrasje, Safeti tha: “Është më mire t’ia nisim nga vetvetja se sa plumbat t’ia drejtojmë vëllait të sëmurë, të cilin duhet të përpiqemi ta shërojmë dhe verdiktin e çdo akti marrëzie, t’ia lemë ta thotë një ditë, Kombi dhe Historia”.

Safeti desh t’i shëronte vërtetë një pjesë të djemve të Shqipërisë, injektuar me virozë komuniste dhe, si udhëheqës me moral filozofi, vendosi t’u japë shembullin e flinisë supreme të tij. “Përpara jetës së Atdheut, nuk ka vlerë jeta ime fizike”. E ku mund të gjendet arsyetim më i saktë e më i argumentuar, për motivet morale e atdhetare, si ato që e çuan Safet Butken në amshim, vetëm e vetëm për t’i zgjatur jetën dhe për të lejuar çlirimin dhe lulëzimin e Atdheut? Duke u shprehur për këtë akt vetëmohimi të Safet Butkës, David Smiley, konkludonte: “Balli Kombëtar humbi një udhëheqës të zotin dhe Shqipëria një nga patriotët e parë, që binin viktimë e komunistëve.”

“Ai do të jetë monumenti i përjetësisë të nacionalizmit Shqiptar.“, ka thënë për veprën e Safet Butkës, korifeu i Nacionalizmit Shqiptar, kryetar i Kongresit të Manastirit, protagonist i Pavarësisë, Ministër i Ismail Qemalit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, Ambasador i Shqipërisë në Greqi, etj. dhe kryetar i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri.

Do ta mbyllja esenë biografike për këtë Atdhetar të shquar, me Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 2008, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në zërin “Safet Butka”, ku mes të tjerash shkruhet: “Studiues, pedagog, drejtues dhe reformator i arsimit kombëtar, veprimtar antifashist i Ballit Kombëtar… Zhvilloi veprimtari antifashiste në radhët e nxënësve e të intelektualëve në Tiranë dhe në Shkodër në prag dhe pas pushtimit të vendit. U burgos dhe më pas u internua për tre vjet në ishullin Ventotene. Bënte pjesë në krahun që kërkonte angazhimin e Ballit në luftë kundër forcave pushtuese. Safet Butka qe themelues dhe komandant i çetave të para të armatosura të Ballit Kombëtar në qarkun e Korçës, që zhvilluan luftime në Grykën e Barmashit kundër gjermanëve (13.08.1943) dhe në Pocestë ( 9-13.09.1943) e në Floq (23.1.1943) kundër italianëve… Është dekoruar me titujt “Martir i Demokracisë” dhe “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.

Le ta kujtojmë me nderim të veçantë atdhetarin e shquar Safet Sali Butka, me shpresë se diku do tërheqim vëmendjen, për një vlerësim më dinjitoz të veprës së tij në dobi të Kombit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *