HISTORIA

Hamit Matjani, legjenda e agjentit shqiptar, viktimë e tradhëtisë së Kim Filbit

Shkruar nga Beqir Sina, New York

Kur në prill të vitit 1954, në fushën e sportit në Lushnje, Hamit Matjani ngjitej në trekëmbësh, si i dënuar me varje, në Washington dhe Londër i vunë një vizë operacionit “Valuable”…

Xhavit Matjani, djali i vetëm i një prej “komandantëve” më të shquar shqiptar në vitet ´30-të, Hamit Matjanit, kur ishte në Amerikë , një vit para se të vdiste rrëfente nga Amerika ekskluzivisht për gazetën “Bota sot” gjithçka që kujtonte ai dhe dinte për babanë e tij “legjendar”. Transferimi i fisit Matjani nga zonat e Burrelit për hirë të hasmërisë në kodrat e Peqinit dhe gjakmarrja e re që e bëri Hamit Matjanin, pas hakmarjes, një nga figurat më të njohura të zonës. Si u çua më pas në Napoli të Italisë, nga mbreti Zog, ku mbaroi shkollën e xhandarmërisë dhe emërimi në qytetin e Fierit. Beteja e trupave të xhandarmërisë së Hamit Matjanit me trupat e Riza Cerovës, gjatë kryengritjes së Fierit në vitin 1935 dhe shtypja e saj me ndihmën e forca të ardhura nga Tirana.

Simbas rrëfimeve të tij atdhetari dhe nacionalisti Hamit Matjani lindi më 1910, në fashatin Matian të Lushnjes, fshat ky i krijuar nga njerëz të ardhur shumë kohë më parë nga rrethi i Matit, për hasmëri. Ky fshat i vogël, ka nxjerrë nga gjiri i tij shumë njerëz patriotë që u dhimbsej atdheu dhe ishin gati të jepnin edhe jetën për të, nëse do ta lypte nevoja. Dhe, me të vërtetë ashtu ndodhi. Shtatëdhjetë djem në lule të moshës, të cilët komandoheshin nga Isa Manastiri, u pushkatuan nga Mehmet Shehu, mes të cilëve gjendeshin shtatë Matjanë. Mes tyre ishin edhe Hamiti me gjithë dy vllezërit, Asllanin dhe Ibrahimin, Hasan, Dalip dhe Hajdar Matjani, nipërit e Hamitit si dhe Veliu, kushëri i tij.

Fatimeja, gruaja e Hamitit, edhe ajo ka bërë dhjetë vjet burg të regjimit komunist, ndërsa pjesën tjetër të jetës e kaloi në kampet e interrnimit në Savër e Gjazë. Shahe Matjani, gjith-ashtu ka bërë dy vjet burg. Po ashtu i gjithë fshati u internua. Historia e Hamit Matjanit fillon më 1929, kur u mobilizua me xhandarmërinë në Vlorë. Gjatë kryerjes së kësaj detyre, ai la përshtypje mjaftë të mira tek eprorët, të cilët shikonin tek ai një djalë trim, të shkathët dhe të zgjuar. Ai gëzoi besimin dhe respektin e tyre edhe pasi u largua nga kjo detyre. Më 1931 kur u largua nga ky shërbim, organet kompetente të asaj kohe, deshën ta mbanin ende në atë detyrë dhe i bënë thirrje të qëndronte pasi shikonin tek ai një njeri mjaft të zotin. Hamiti pranoi ta zgjaste shërbimin e tij, duke rritur aftësinë kualifikuese në kuadër të shërbimit të Xhandarmësisë. Duke parë aftësitë e tij të jashtëzakonshme, organet kompetente të asaj kohe e dërgojnë për studime në Shkollën e lartë të Xhandarmërisë në Napoli të Italisë, të cilën pasi e mbaroi me rezultate mjaftë të mira u kthye sërishmi në Vlorë.

Në prill të vitit 1935, Hamit Matjani transferohet si kuadër i shkolluar në Qendrën e xhandarmërisë në Fier. Më 10 dhjetor të vitit 1935, shpërthen një kryengritje e mercenarëve shqiptarë e pergatitur fshehtazi nga Italia fashiste. Këta mercenarë ishin të paguar nga italia për të përmbysur qeverinë e Ahmet Zogut. Në krye të kësaj kryengritje u vu komandanti, Musa Kraja, i cili qe një antizogist i thekur, i dëshmuar kundër monarkisë. Ai urdhëroi arrestimin e përfaqësuesve të autoriteteve qëndrore, duke shpresuar se shpërthimi i revolucionit do të merrte përmasa më të gjera në gjithë territorin e vendit. Në qytetin e Fierit, Hamit Matjani kishte reputacion të madh dhe bashkë me shokët e tij, ai, krijoi një rezistencë të madhe duke u ndeshur me çetën e Riza Cerovës, të cilën arriti ta shpartallonte duke e detyruar të largohej në drejtim të Mallakastrës, disa kilometra larg Fierit. Qeveria e asaj kohe, u vu në ndjekje të kryengritësve dhe gjatë kësaj lufte u vra edhe Riza Cerova. Ndërsa kryengritësit e tjerë u kapën, dolën para gjygjyt dhe u dënuan. Situata u stabilizua sërish dhe pas kësaj Hamit Matjanin e dërgojnë sërish me shërbim në Vlorë.

Pushtimi Italian në brigjet e Shqipërisë, më 7 prill 1939 në të gjith Shqipërin, nuk u prit me lule por me plumbat e patriotëve shqiptarë, luftëtarëve trima që nga Saranda e deri në Shëngjin, bënë rezistencën. Midis tyre, një rol të vecantë në këtë luftë luajti edhe Hamit Matjani, i cili luftoi me të gjitha mundësitë që ta hidhte në det Italinë fashiste për të mos e zaptuar Shqipërinë. Por kjo nuk u realizua për shkak të fuqisë së madhe ushtarake që dispononte në atë kohë Italia. Italia Fashiste, deklaroi pushtimin e plotë të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me mercenarët e vendit ngriti qeverinë e saj. Por, kjo nisi pik së pari në arrestimin e shumë personave, patriotë dhe luftëtarë që e kishin kundërshtuar planin fashist që çonte në okupimin e vëndit të tyre. Kështu, që edhe Hamit Matjani u arrestua nga pushtuesit Italianët, ku u dënua me vdekje ku do të egzekutohej me varje në litar.

Qazim Dervishi nga Lushnja, ish mik i ngushtë i Hamit Matjanit, njëri nga veteranët e Luftës së Parë Botërore, kur mori vesh lajmin se Hamiti, qe arrestuar nga italianët dhe mercenarët shqiptarë dhe do të varej në litar, mundi të fuste në burgun ku mbahej miku i tij disa ushqime, mes të cilave edhe një sharrë hekuri, e cila do ti shërbente atij që të këpuste hekurat e dritares së qelisë. Kështu Hamit Matjani mundi të dilte e të arratisej duke u larguar në drejtim të fshatit të tij. Atëherë pasi vishet ushtarak, armatoset dhe zgjedh si vendqëndrim pyjet rreth një fshati malor. Arratisja e Hamit Matjanit, solli një shqetësim të madh mes personaliteteve të burgut, të cilët organizuan shumë forca të armatosura dhe u drejtuan drejtë fshatit Matjan për të kapur Hamit Matjanin. Ata nuk mundën ta kapnin Hamitin vetëm sepse ky i fundit zotëronte një dhunti të jashtëzakonshme natyrore, njihte mirë terrenin dhe ishte trim e i zgjuar. Atëherë në shenjë hakmarrje pse nuk mundën të shtinin në dorë Hanmitin, për ta demoralizuar shpirtërisht, vendosën ti interrnonin gjithë familjen.

Por, ky patriot, i shtoi akoma më shumë fuqitë dhe përsosi zotësinë. Ai ngriti çetën e tij me luftëtarë të zotët, djem besnikë dhe u hodh, mal më mal ku ra disa herë në përpjekje. Gjatë viteve 1941-1942, lindën grupet komuniste, të cilat filluan të organizoheshin në çeta të vogla, pastaj kompani, të cilat nisën të bënin një propogandë të madhe bolshevike. Ata afruan pranë tyre njerëz me qëndrime të lëkundura për të shtuar radhët e Partisë Komuniste. Njëri nga këta ishte edhe Mustafa Gjinishi. Pastaj ata i bënë thirrje edhe Hamit Matjanit, që të bashkohej me grupet komuniste, por ai e hodhi poshtë këtë ofertë. Hamiti i tha Mustafait se i vinte keq pse megjithëse ishte një njeri me mjaft kulturë nuk kishte kuptuar ende se komunizmi do të shkatërronte gjithshka në Shqipëri, që nga prona e deri tek identiteti kombëtar.

Në kuadër të kësaj përgjigjje, Matjani i drejtohet Gjinishit duke i thënë se “Ti bashkë me grupet e tua bën mirë të flakësh tej yllin bolshevik, që mban në ballë dhe të vish me mua sepse kjo ishte rruga më e mirë” Pas një debati të gjatë dhe të ashpër nuk u arrit asnjë rezultat dhe si përfundim Matjani i tha Gjinishit se “nëse dëshiron të vdesësh me nder ashtu siç i ka hije një atdhetari eja pas meje, në të kundërt po qëndrove aty ku je do të vdesësh me turp”. Të njëjtën thirrje ai i bëri edhe Sheh Karbunarës dhe mori po të njëjtën përgjigjje që i dha Gjinishi. Më vonë, Sheh Karbunara, bashkë me Gjinishin ranë pre e kurtheve të Enver Hoxhës, ku e pësuan me kokën e tyre. Ata u pushkatuan që të dy. Më 1943, Italia fashiste kapitulloi dhe në Shqipëri hyri Gjermania naziste. Hamit Matjani u vu përballë luftës me gjermanët, por edhe kundër komunistëve që shtoheshin në numër dita ditës. Si komandant i zoti, duke marrë nën kontroll Peqinin dhe Çorovodën si dhe disa zona të tjera, arriti të siguronte një territor për vetën e tij ku nuk qe e lehtë të vepronin komunistët. në kuadrin e luftimeve në të dy krahët , më të rrezikshme ishin luftimet që bëheshin me komunistët, pasi ata, veç luftës me armë përdornin mjaftë mirë edhe instrumentin e propogandës.

Populli nuk qe në nivelin e duhur për ta përballuar këtë propogandë dhe shumica ranë në kurthin e rekrutimit që iu bënë nga komunistët. Më 1944, kur Shqipëria u çlirua prej nazistëve, por jo nga komunistët. Ata morën pushtetin dhe nisën nga larja e hesapeve kundër patriotëve të vërtetë që nuk i kishin përkrahur duke mos u pajtuar me ideologjinë e tyre. Pjesa më e mirë e nacionalistëve shqiptarë e rrasën nëpër burgje, e pushkatuan dhe e dërguan në kampe interrnimi. Hamit Matjani vazhdonte të qëndronte në mal për të luftuar doktrinën komuniste bashkë me çetën e tij. Ai ra disa herë në përpjekje me komunistët. Kjo ndodhi në disa nga zonat më të njohura të asaj ane.

Ai u përpoq të krijonte bindjen në popull se nuk e kishin njohur mirë komunizmin i cili do ti krijonte vendit shkatërrime të mëdha. Ata që e kuptuan, u bashkuan me Hamitin, por rezistenca, për vetë kushtet e krijuara ishte mjaftë e vështirë. Hamiti bashkë me shokët dhe vëllezërit e tij, u rrethua në një pyll nga forca të shumta të ushtrisë dhe policisë. Kjo ndodhi për shkak të tradhëtisë që iu bë atijë nga një person, i cili qe në radhët e tij, por që punonte për sigurimin e shtetit. Rrethimi pati pasoja katastrofike për të, sepse pas një lufte të ashpër ku pati të vrarë nga të dyja palët ai humbi në atë rrethim vëllezërit dhe shokët e tij. Kjo ndodhi i përket vitit 1947. Kjo humbje e detyron Hamitin të largohet nga Shqipëria dhe të vendosej në Greqi bashkë me Nuri Plakun. Gjatë udhëtimit për në Greqi, ata arritën të mblidhnin me vete shumë njerëz të pakënaqur nga qeveria komuniste sepse kishin humbur pronat dhe personalitetin e tyre. Thuhet se kur po kalonin kufirin, rastësisht ata u takuan me një bari, i cili po kulloste aty bagëtinë. Si u përshëndetën sipas traditës, Matjani i jep atij një cop letër, për të cilën i lutet ta çonte në postën më të afërt ku do ia dorëzonte komandantit të postët duke i thënë “Ma dha Hamit Matjani”

Siç është parë më vonë, në këtë letër ai shkruante se “unë Hamit Matjani po largohem nga Shqipëria për në Greqi i plagosur rëndë dhe me shok të vrarë. Por kur të shërohem do të vij opërsëri në Shqipëri për ta vendosur në vend idealin tim. Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. Matjani erdhi në Shqipëri mbi njëzetë e pesë herë ku qëndronte me muaj të tërë nëpër bazat e tij ilegale. Sërishmi është tradhëtia që do ti hajë kokën. Më 1 maj 1953, Hamit Matjani kapet nga agjenti anglez, i cili punonte për shërbimin sekret rus. Ky quhej Kim Fillb.

Anglia mbasi mbaroj Lufta e Dytë Botërore, e mbajti sërish Intiligjent Servisin, që të punonte në mënyrë sekrete kundra rusisë dhe Komunizmit të përbotëshëm, edhe kur Amerika e pa mirë se propoganda komuniste, po shkonte shumë më larg se sa mendohej. Atëhere, Amerikanët dhe Anglezët në lojë kundra Rusisë dhe komunizmit të përbotëshëm së bashku zgjodhën Shqipërinë si vendin më të përshtashëm për të hedhur grupe diversantësh. Shqipëria, mbasi u “shkëput”, dhe nga Jugosllavia, për me i dhënë një grusht të fort Stalinit, me lidhjen Tito – Hoxha, fituan një farë përkrahje Anglo-Amerikane për të vendosur një rregjim sipasë dëshirës së popullit shqiptarë dhe me njëher u bënë thirrje shqiptarve në perendim kush do me luftue dhe me shkue në shqipëri vullnetarisht.

Mirëpo Anglo-Amerikanët gabuan rëndë, siç u pa ma vonë, se ata nuk kishin pastuar akoma shtëpinë e vetë e lë pastaj të pastronin shtëpinë e shqiptarve nga komunizmimi dhe agjenturat serbo-ruse. Sepse që të pastronin Shqipërinë, duke pasë tradhëtinë në derë të tyre , misjonet e tyre për në Shqipëri ishin tradhëtuar qysh në ditët e para të nisjes së tyre. Duke filluar nga Agjenti angles Arnold Kim Filbi, që ishte i rekrutuar qyshë në moshën 17 vjeçare nga KGB-ja. Agjenti më i famëshëm në botë një ndër më të njohurit e agjenturave në botë, kur e mbaroi misionin e tij, të dubëlspiunazhit në dobi të KGB-ës shkoi e vdiq në Moskë, ku thuhet se ai jetonte me një partner mbasi thuhet që ai ishte homoseksual.

Anglo-Amerikanët e interesuar që Shqipëria të shkëputej realisht nga blloku i kuq Sovjetik i BRRSS, kishte analizuar dhe organizuar dhe zbarkime të grupeve diversatësh në Shqipëri, pasi anglo-amerikanët kishin informata të sigurta se rregjimi komunist në Shqipëri, nuk ishte stabil dhe se kishin lehtësira për ndërhyrje të ndrrimit të një rregjimi, mbasi dhe vetë gjëndja në të cilën ndodhej Shqipëria si niveli i ulët ekonomik e politik, i jepte shkas për të ndërrmarr hapa të tilla. Shteti ishte keqësuar , çdo ditë pushka-toheshin njerëz të pafajshëm, burgoseshin e interrnoheshin.

Kjo erdhi si rezultat kur u “keqësuan” dhe u “prishën” marëdhënjet me Jugosllavinë. Të mos harrojmë kjo periudhë i përket 1948 , perudhë kjo kur elementët patriotë, ballistë e zogistët, ende ishin të gjallë dhe ishin mjaftë aktivë.

Kur gjoja Shqipëria u prishë me Jugosllavinë, ajo faktikisht u gjendë e rrethuar nga të katër anët. Si për shëmbull për të shkuar në Hungari, duhej të hipje në një vaporr që nisej nga Durrësi, t’i bije për qark deri në Detin e Zi, të dilje në Konstacë(Rumani) dhe pastaj nëpër Rumani të kaloje në Hungari.

Jugosllavët i pezulluan dhe i bllokuan të gjitha flutrimet ajrore. Jugosllavët, nuk lejonin që të fluturonin aeroplanët që dilin nga Shqipëria mbi Jugosllavi, ata ju kërcënonin ulje të detyrushme dhe me dhunë në territorin Jugosllav. Kjo mënyr zgjati thuajse deri më 1956. Pra, kjo mënyrë e përdorur nga kjo bllokadë nxiti anglo-amerikanët të inkurajojnë forcat e tyre. Kjo kohë koncidojë me atë që Intiligjent Servisi dhe CIA, gjykuan se kishte ardhur koha e momenti i duhur që t’i jepej një goditje e fuqishme imperatorisë komuniste, të kuqve Moskë, Beograd, Tiranë.

Për këtë qëllim Anglo-Amerikanët zgjodhën Dejvid Smajli dhe Xhulja Emeri si dhe grupe të specializuar që bashkëpunuan me këta agjentë. Në Maltë u organizuan nga ana e Smajlit. Kur anglezët kërkuan ndihmën e Amerikanve , amerikanët krijuan një repart diversantësh e agjentësh me rreth 4,000 vetë në Gjermaninë perendimore me emigrantë shqiptar nga të gjitha trevat, Kosova, Maqedonia, Mali i zi, Çamëria e Shqipëria. Këto forca pasi u përgatitën në këto kampe u hodhën me parashuta në Shqipëri, dhe ranë prehë e pabesisë dhe e tardhëtisë, Ata u sollën në Shqipëri me anije dhe aeroplan por u likuiduan thuajse të gjithë.

Për sa dihet sipas dokumnetave të arshivës së Intiligjenc Sërvisit, CIA-s , për likudimin e tyre dihet mirë se vendimtare kanë qënë informatat e sakta që jepte Kim Fillbi, sipuni i KGB-ës, që punonte me një aeroplan zbulimi MI-6 (për agjensinë angleze të kundërsipunazhit), me të cilat Shqipërisë i bëhej e ditur për ardhjen e këtyre forcave dhe vend zbarkimin. Anglezët dhe Amerikanët, sot këtë lojë tradhëtie e kundërsipunazhi ia atribuojnë agjentit me famë botërore Kim Filbi, i cili përmesë Sovjetikve lajmëronte qeverinë shqiptare. Filbi, duke ditur datën dhe vendëndodhjen e saktë të këtyre grupve arrinte të jepte alarmin për aksionet që ata kishin në plan të ndërrmerrnin .

Sipas dëshmive, Mbreti i shqiptarve Ahmet Zogu, i cili kishte kaluar në ekzil, kishte sinjale se në brëndësi të grupeve kishte kundrasipunazh, prandaj dhe nuk i kishte përkrahur këto grupe dhe aksionet e tyre, duke ju bërë thirrje amerikanëve dhe anglezëve se po binin në lojën e sipunazhit sovjetik.

Në vitin 1953 hynë në lojë edhe Amerikanët, këta i’u lutën Mbretit t’ju jepte amerikanve katër vetë midis tyre edhe Zenel Shehun, i cili ishte adjutant i Mbretit. Zenel Shehu hyri i pari dhe ra në duart e sigurimit me gjith paisjen e tij , radio, kodin dhe më vonë me gjith grupin dhe vu në shërbim të sigurimit shqiptar. Kështu përmes Shehut, sigurimi kërkonte armë për”çetat kundër pushtetit”, të cilat kinse ishin krijuar në Shqipëri, pastaj kërkonin dhe njerëz”për ndihmë” të cilët ishin vënë në shënjestër të sigurimit për tu kapur (Zenel Shehu u mbajtë disa vjet në burg, pastaj u zhduk nga Sigurimi i Shtetit).

Hamit Matjani është dekoruar si ‘Martir i Demokracisë’ nga ish-Presidenti Sali Berisha në vitin 1992. Ai ka qenë një nga desantët më të zhdërvjelltë, i cili ka hyrë disa herë në Shqipëri gjatë viteve 1950-54, në kuadrin e operacioneve agjenturore të CIA-s për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës, deri sa u kap i tradhëtuar nga forcat e Sigurimit dhe u var në fushën e sportit në Lushnjë, në prill 1954.

One thought on “Hamit Matjani, legjenda e agjentit shqiptar, viktimë e tradhëtisë së Kim Filbit”

  1. nena Mbretnesh Geraldine tregonte se ajo i ka pas dhane nje kod Zenel Shehut qe te jene te sigurt se mesazhebt vine nga ai. Ajo tregonte se kur pergjegja nuk echte ajo e kodi edhe se kete ia toegoj amerikaneve ,te filet nuk degjuan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *