HISTORIA

Mehmet Gradica – nacionalisti që nuk u gjunjëzua kurrë

Shkruan: Besim Morina

Meritat kryesore për kapitullimin e forcave fashiste në Europë u kanë takuar SHBA-ve, Anglisë dhe Rusisë. Një ndihmesë shumë të madhe në këtë drejtim kanë dhënë të gjithë popujt liridashës të botës, por që mjerisht, një pjesë e mirë e tyre të cilët luftuan perkrah forcave antifashiste, nuk e gëzuan lirinë.

Ajo që është më e ligë është, se dhunuesit e lirisë quheshin “çlirimtar”. Fati i lig e deshi që edhe populli shqiptar të jetë në mesin e atyre popujve që dhan kontributin e vet në Luftën Antifashiste, por që u nëpërkëmb nga forcat sllave dhe mjeranët shqiptarë të bandave të kuqe kriminale, të cilat ishin pagëzuar nga qendrat e Beogradit e Moskës me emrin, komunist.

E verteta megjithatë duhet te thuhet. Jo për të ndërruar heronjtë, por që atyre t’ju jipet vendi meritor në historiografinë tonë të re. Ekziston vetëm një histori, ajo faktografike, por mjerisht, edhe kjo histori që është shkruar mbrapsht për martirët tanë, quhet histori. Me gjuhën e së vertetës faktografike duhet të nderohen, t’ju jipet vendi i meritur të gjithë atyre burrave të cilët me pendë apo me pushkë, vepruan, punuan dhe u sakrifikun për të mirën e kombit tonë.

Le të jëtë ky punim një shenjë respekti e falënderimi ndaj veprës madhore të nacionalistit Mehmet Gradica, por jo vetëm të tij, por edhe të shumë burrave tjerë që luftuan për lirinë e Shqiperisë: si Prekë Cali, nga trojët etnike shqiptare që sot gjinden nën Malin e Zi, Xhemë Gostivari, nga trojet etnike shqiptare që sot gjinden nën Maqedoni, Muharrem Bajraktari i Lumës, si dhe shumë të tjerë që u martirizuan për dinjitetin tonë kombëtar.

Mehmet Gradica u lind në vitin 1912. Babai i tij quhej Isuf, kurse nëna Çame Berisha nga fshati Gllanasellë e Drenicës. Nëna e Mehmet Gradicës ishte motra e luftëtarit të dëshmuar, Lutë Gllanasellës. Mehmetit, babai i vdes herët dhe një pjesë të mirë të jetës së tij ai e kaloi tek familja e nënës. Ishte bir i familjes së dëshmuar atdhetare Ukaj, të fshatit Gradicë të Drenicës. I rritur në një familje të dëshmuar atdhetare, rrëzë malit të Qyqavicës, mal ky i cili u kishte bërë ballë shumë furtunave të kohës. Ky vënd rriti shumë bijë e bija, por të rrallë ishin ata që do të ishin një me malin e Qyqavicës. Fati e deshi që, Mehmet Gradica të ishte njëri nga ata bijë që lindi ne këtë tokë, jetoi në këtë tokë dhe u martirizua për këtë tokë, duke mos u lëkundur asnjëherë në idealet e tij madhore.

Bashkëluftetarët e tij, kur flasin e evokojnë kujtime, me plot respekt e përkujtojnë komandantin e tyre Mehmet Gradica. Ata tregojnë, se për nga dukja e jashtme ishte mjaft i pashëm, trupgjatë, energjik dhe gjaknxehtë. Gjithnjë rrinte veshur me rrobat e oficerit dhe armët e ngjeshura, që i shtonin edhe më tepër bukurinë. E madhe ishte fuqia e fjalës së Komandantit Mehmet Gradica.

Mehmeti Gradica, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare burgoset në burgun e Mitrovicës. Nga ky burg arrin të arratiset. Më pas kalon në malet e Kosovës. Një pjesë të kohës e kalon në Shqiperinë Londineze. Pas pushtimit të Kosovës nga fashistët, u krijuan rrethana të reja për vendin tonë. Intelektualët së bashku me atdhetarët e shquar, filluan një organizim të ri, duke ju përshtatur kushteve dhe rrethanave të krijuara jo vetëm në Kosovë, por në mbarë hapësirën etnike Shqiptare. Edhepse viset shqiptare ishin nën pushtimin fashist, forcat çetnike të përkrahura nga pushtuesit italian ndërmorën disa sulme të organizuara mbi vendbanimet shqiptare. Në këto rrethana, në vitin 1941, nga Shqipërija Londineze, Mehmet Gradica kthehet në Kosovë dhe vihet në shërbim të Qeverisë Shqiptare, si i ngarkuar me detyrën e postkomandantit të xhandarmërisë. Kishte shërbyer si shef xhandarmërie ne Vushtrri, Skënderaj e Mitrovicë. Në vitin 1943, fiton gradën e togerit. Duhet theksuar ketu edhe inkuadrimin e Mehmet Gradicës në regjimentin e Xhafer Devës, ose siç është shprehur publicisti Idriz Lamaj „burr i shtetit shqiptar etnik“, i cili në atë kohë ishte në postin e Ministrit të Brendshëm të Shqiperisë etnike. Arsyeja kryesore e inkuadrimit të Mehmet Gradicës në regjimentin e Xhafer Devës, ishte lufta për pengimin e përhapjes së demagogjisë sllave në Kosovë, të quajtur komunizëm. Mehmet Gradica kishte angazhuar njësitet e veta për ta kapur komunistin Rifat Berisha, i cili punonte në prefekturën e Gjilanit. Mehmeti ishte nacionalist, kishte nje urrejtje patologjike ndaj komunizmit, dhe ky është shkaku kryesor që edhe sot e kësaj dite, emri i tij përmendet shumë pak, për të mos thënë fare, në shkrimet e botuara nga disa studiues nostalgjikë në Kosovë. Kontributi i Mehmet Gradicës gjatë shërbimit në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, ishte i një rëndësie të veçantë, duke iu falenderuar aftësive të tij si strateg, ai u shqua në shumë beteja kundër pushtuesve serbo-malazezë, përgjatë kufirit të Shqipërisë etnike.

Kur forcat serbe u rreshtuan në grykën e Ibrit në nëntor të vitit 1941, dhe përgatiteshin të pushtonin Pazarin e Ri e më pas të kalonin në Kosovë për të bërë masakra në popullsinë shqiptare, aty u paraqit nevoja e menjëhershme e ndalimit të kalimit të forcave serbe në Kosovë. U mblodhen luftëtarët nga vise te ndryshme të Kosovës; si nga Rugova, Peja, Burimi, Deçani, Drenica, Shala, Llapi etj. dhe sulmuan forcat serbe në Rashkë. Në këtë betejë, perveç Mehmet Gradicës me trimat e tyre u dalluan edhe Shaban Polluzha, Miftar e Halil Bajraktari, Ferat Kotorri, Sak Fazlija, Tahir Elshani, Adem Arifi dhe shumë luftëtarë të tjerë. Çeta e udhëhequr nga Mehmet Gradica ndërmori disa sulme me sukses në rrethinen e Pazarit të Ri.

Në dimrin e vitit 1941-1942, në zonat e Drenicës, Shalës dhe të Llapit u krye një riorganizim forcash që do të merrnin për sipër detyra të reja. Ky organizim i ri u krye pasi që udhëheqësit luftarak të çetave tona popullore ishin vënë në dijeni lidhur me strategjinë e levizjeve serbo-çetnike, pastaj bashkpunimin e tyre në fshehtësi me pushtuesit italian, prandaj edhe vazhdimi i luftimeve ishte jetik për fatet e kombit. Kësisoj do të vinin pesë ditë e netë sulmesh të pa ndërprera në Koloshin, ku forcat serbo-çetnike u thyen keqas dhe u larguan përtej kufirit tonë. Edhe në këtë akt madhor të rezistencës shqiptare, shkëlqeu trimëria dhe aftësia ushtarake e organizative e Mehmet Gradicës, i cili me luftëtaret e tij mbajtën pozicionet e para.

Me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16 shtator 1943), mbrojtja shqiptare u bë më e organizuar, ndonëse edhe me tej barrën kryesore e mbanin forcat vullnetare te organizuara në menyrë tradicionale. Është mjaft me rëndesi të theksohët se në Kuvendin e Skënderajit (16-19 shtator, 1943) dhe të Palluzhës (17-20 qershor, 1944), në organizim të Hamdi Gashit, Miftar Bajraktarit, Mehmet Gradicës, Mulla Iljas Brojës, Azem Oruqit, Rexhep Xhelit, Mulla Ibrahim Palacit etj. iu dha perkrahje e pa rezervë vendimeve të Kuvendit të Parë e të Dytë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Ishte viti 1943, koha kur Mehmet Gradica së bashku me Ahmet Selacin kishin luftuar kundër forcave çetnike në Stan-Tërg dhe në Luginën e Rashkës. Në luftë per mbrojtjen e kufirit me Serbinë, prapë shkëlqeu Mehmet Gradica së bashku me trimat: Pajazit e Adem Boletini, Sali Kolldura Gashi, Bislim Bajgora etj. Biri i Drenicës mbështeti jo vetëm me trimërin dhe mënçurinë, por edhe me pasurinë e vet, Lidhjen e Dytë të Prizrenit, duke parë tek idetë dhe fryma e saj, të ardhmen e lirë të gjeneratave shqiptare që do të vinin më pas.

Në disa beteja luftarake, në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Mehmet Gradica shpalosi pos të tjerave edhe vizionin e një luftëtari që vështron larg. Edhepse kishte mbajtur grada në ushtrinë kombëtare, ai kurdoherë u këshillua me bashkëluftëtaret e vet, tek të cilët kishte besimin e plotë, si me vëllezërit Miftar e Halil Bajraktari, Ferat Kotorri, Brahim Luta, Rexhep Xheli, Osman Bunjaku, etj.

Të gjithë këta trima të dëshmuar në luftrat për mbrojtjen e Shqipërisë etnike, e cila do te ishte e lirë dhe demokratike pa diktaturën komuniste. Raportet ne mes te dy komandantëve Mehmet Gradica dhe Shaban Polluzha ishin ftohur disa here per arsye ideologjike. Mehmeti ishte shumë me i ri, më strateg dhe një nacionalist i thekun dhe koha tregoi se ishte shumë më largpamës. Mehmeti nuk kishte besim tek Shabani, për shkak të lidhjeve të tij me disa komunist shqiptar si Fadil Hoxha, shërbyes të pushtuesve serb. Nga ana tjetër, vet Shabani ishte më i zemruem me mospërfilljen e Mehmetit. Meritat per pajtimin e dy komandantëve i takojnë heroinës së kombit, bijës së Shkodrës, Marije Shllakut, e cila ishte shprehur për rastin: “dhe kjo jo per hatrin tim (pajtimi BM), por për hatrin më të madh që është Atdheu ynë, për hatër të Flamurit, për hatër të gjakut të derdhur të mijëra shqiptarëve të pafajshëm, që po vriten për ditë e më nga brigadat partizane, që nuk kan as Zot e as Fe, as Nder e as Atdhe”.

Pajtimi i fundit i Mehmet Gradicës dhe Shaban Polluzhës u arrit në Fshatin Gradicë, më 12 shkurt të vitit 1945, ndermjetësues ishin: Miftar Bajraktari, Rexhep Xheli dhe Brahim Luta. Pajtimi pati rëndesin e vet dhe të dy komandantët e mbajten fjalën e dhënë derisa ranë heriokisht në fushën e nderit.

Mehmeti gjithmonë bashkpunoi me trimat tanë për çështjen madhore të vendit tonë të shtrenjtë. Dëshmi për këtë është edhe gjyqi i Prizrenit, i cili zgjati dy javë, 29 qershor-13 korrik 1946, ku prokurori Ali Shukriu, ndër të tjera e akuzoi bijën e Shkodrës Marije Shllaku, se „në nandorin e vitit 1944, bashkë me Mehmet Gradicën, Adem Shalen e Met Dinin, ka tubue disa qindra forca për me pushtue Pejën e „posaçlirueme“.

Largimi i pushtuesve fashist nga Kosova nuk solli lirinë e pritur, por perkundrazi, Kosova u ripushtua nga serbët, ku populli shqiptar trajtohej si rob lufte. Më urdhërin e Titos, Komandant Suprem i UNÇ dhe APJ, të 8 shkurtit të vitit 1945, u vendos në Kosovë Administrimi Ushtarak, „deri në rregullimin e rrethanave“, përkatësisht, deri në aneksimin e saj nga Serbia. Komandës së Administrimit Ushtarak iu dhanë autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet ajo përgjigjej vëtem përpara Komandantit Suprem, J.B. Tito. Vendosja e pushtetit ushtarak në Kosovë ishte forma më e vrazhdë e regjimit diktatorial, që kishte për qëllim të gllabëronte dhe t´ia aneksonte Kosovën shqiptare Serbisë, përkatësisht Jugosllavisë. Një diktaturë e tillë ushtarake qe vendosur më parë se në Kosovë edhe në Banat, Baçkë dhe Baranjë, territore në te cilat shumicën e popullsisë e përbënin hungarezët dhe gjermanët.

Si pjesë e këtij skenari qe cekëm më lartë, u kryen vrasje të shumta e në forma te ndryshme, duke mos kursyer moshën e re dhe gjininë femërore. U ndalua përdorimi i flamurit kombëtar. Shqiptarët detyroheshin që të flasin në gjuhën serbe. Mobilizimi i dhunshëm u krye në të gjitha viset shqiptare, si shembull po përmendim mobilizimin e shkurtit, ku u morën me dhunë prej viseve të Drenicës dhe Shalës mbi tre mijë meshkuj 15 vjet e lartë, me preteksin për ti dërguar në luftimet e kufijve verior të Jugosllavisë. Ky mobilizim është e natyrshme se u kundërshtua nga e gjithë popullata shqiptare, me përjashtim të lojalëve të sllavizmit, të cilët edhe me parë kishin ndërmarrë aksione të përbashkëta me forcat serbe kundër popullit të vet. KQ i PKSH bënte thirrje për vëllazërimin e popullit shqiptar me popujt jugosllav e grek, kjo, sipas komunistëve ishte interes i lartë qe kërkonte atdheu.

Lufta e Drenicës dhe roli i Mehmet Gradicës

Prijësit e Drenicës, të cilët edhe më parë ishin dalluar në luftërat kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze, për t’u dalur zot tokave tona etnike, është plotësisht e kuptueshme se nuk pranuan të jenë pjesë e ideologjisë komuniste. Duhet shtuar se, numri i komunistëve në terë Kosovën ishte shumë i vogël dhe ata nuk gëzonin aspak perkrahjen e popullit, kurse tek forcat nacionaliste ishte e kunderta. Personalisht komunisti Fadil Hoxha, i cili më pas kishte dhënë urdhërin për fillimin e sulmit frontal kundër kryengritësve shqiptar, kishte pasur kontakte të shpeshta me Shaban Polluzhën, i cili kishte pranuar të bisedonte me të. Mehmet Gradica, ftesës për t’u takuar me komunistin Fadil Hoxha, iu pergjigj shkurt:“babës tem po të ja kisha pa yllin në ballë, pa i ra plumb nuk e kisha lanë“. Edhe prijesit e tjerë të Drenicës nuk kishin fare besim në demagogjinë komuniste të Fadil Hoxhës.

Për të shuar qëndresën në Drenicë u angazhuan forca të mëdha jugosllave, të cilat përbëheshin nga 3 divizione dhe 1 brigadë e veçantë: Divizioni i 46-të serb, i 52-të i Kosovës, Grupi Operativ i Brigadave dhe Brigada e KMPJ. Përveq këtyre, kohë pas kohe në këto luftime u angazhuan edhe Divizioni i 24-të dhe i 29-të serb, ai i 41-të dhe 50-të maqedonas. Këto forca numëronin mbi 42 000 veta. Në një urdheresë të datës 28 janar 1945, lëshuar nga Shtabi Operativ i Kosovës, veq tjerash, thuhej: “Duhen shkatërruar shtëpitë nga të cilat bëhet rezistencë, fshatrat të dënohen kolektivisht, të rrënohen apo të digjen, kurse meshkujt prej moshës 17 deri 35 vjeç, të mobilizohen me dhunë. Ata që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftime të arrestohen dhe të pushkatohen në vend”.

Kundër një numri të madh ushtarësh serb dhe komunistëve shqiptar apo mjeranëve, Mehmeti kërkoi një bashkëveprim në mes të Drenicës dhe Shalës, konkretisht me Ahmet Selacin. Qëllimi ishte që të zgjerohej fronti i luftës kundër pushtuesve serb. Në Shalë, fatkeqsisht jo vetëm që nuk gjetën perkrahje, por falë gjeturisë së Mehmetit dhe ndihmës së trimave shaljan, u arrit që ti shpëtojnë atentatit që kishin përgaditur Xhemë dhe Hamit Bajgora ndaj Mehmetit. Atentatorët u zunë dhe në vendin e ngjarjës iu dha haku nga Mehmet Gradica, me pushkatim. Mehmeti, menjëherë ishte detyruar që së bashku me trimat e vet të kthehet prapë në Drenicë.

Rreth pranimit të Brigadës së Drenicës dhe komandantit Shaban Polluzha, i cili ju pergjigjë urdherit të ShO të UNÇ të Kosovës, që te largohej nga Kosova, nacionalisti dhe luftëtari bashkëkohës, Sali Kolludra, është shprehur në këtë menyrë:”Ne i kishim parasyshë kontaktet e Shabanit me Fadil Hoxhën dhe shokët e tij, të cilët ia dolën ta bindin Shabanin që të niset në luftë në Srem, me gjithë ata luftëtarë. Më duhet të them, se në fillim përcaktimi i Shabanit që të niset në rrugë na befasoi, por edhe na zhgënjeu shumë. Ai nisej që të luftoj kundër gjermanëve në veri, ndërsa në Kosovë hordhitë çetnike dhe partizane bënin kërdinë duke prerë shqiptarë”.

Por cila ishte arsyeja e Komandantit Shaban Polluzha, i cili gëzonte respekt të madh në popull, që pranoi t’i bindet një urdheri të tillë? Ku ishte betimi i tij dhe prijësve tjerë se do vdesin por nuk do t’u nenshtroheshin pushtuesve serb dhe shërbyesve të tyre?

Urdhërin per kthimin e Brigadës së Drenicës mbrapa nga Podujeva nuk e ka dhënë Shaban Polluzha (i cili me urdher te Fadil Hoxhës ishte nisur me Brigadën e Drenicës për të luftuar përkrah vrasësve shekullor), por Miftar Bajraktari, pas lajmit se forcat serbe kishin filluar masakrat në Drenicë. Është per të ardhur keq, se si Ramadan Rexha, autor i librit „Kujtimet e mija- dëshmi historike“, i cili si pjesmarrës i drejtpërdrejtë e shtremberon këtë fakt, madje as që e përmend fare rolin e Mehmet Gradicës dhe Miftar Bajraktarit në Luftën e Drenicës.

Brigada e Drenicës, gjatë rrugës nga Podujeva për në Drenicë u ndesh në disa pritë te forcave pushtuese. Në fund të janarit të vitit 1945, drejt Drenicës po mësynin mijëra forca ushtarake serbe. Shtabi luftarak i rezistencës së patriotëve shqiptarë, vendos të çajë rrethimin që fillonte me marrjen e urës së Pestovës. Kjo urë u sherbënte forcave serbe për të prerë lidhjet dhe komunikimet e luftëtareve shqiptarë me zonën e lirë të tyre, prej nga mund të vinin jo vetëm bukë e fishekë, por edhe luftëtar të rinj që rreshtoheshin në krah të forcave patriotike. Sulmin mbi urën e Pestovës e udhëhoqi Mehmet Gradica. Rezistenca e partizanëve serb e shqiptarë, në fillim ishte mjaft e madhe, por falë trimërisë së Mehmet Gradicës, i cili sulmoi në drejtim të pozicioneve të armikut me bomba dore, sulm ky i cili u ndoq edhe nga trimat e tjerë, detyruan komunistet serb e shqiptarë që të marrin arratinë.

Mehmet Gradica së bashku me ushtarët e vet aplikonin taktikën e veprimeve të befasishme, duke u zhvendosur shpejt dhe me mjeshtri. Sulmonin vetëm kur ishin të sigurtë se do të korrnin fitore. Kjo bëhej për arsye të epërsisë ushtarake të forcave të armikut. Sjellja e një numri të madh forcash pushtuese sllave, të udhëhequra nga Petar Brajoviç, forac të cilave mjerisht i ishin bashkuar edhe komunistët shqiptarë, të cilët, pa ndjerë aspak vrasje të ndërgjegjes, morën pjesë në masakrimin e mijëra shqiptarëve dhe ndihmuan që rezistenca e Drenicës të shuhet me vrasjen e dy udhëheqesve kryesor, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Në betejën e fundit qe u zhvillua në Terstenik, me 21 shkurt 1945, në një kullë në lagjen e Dvoranve, gjylja e topit kishte goditur një tra të kullës, i cili i bie në këmbën e djathtë mbi gju të Mehmet Gradicës, duke e plagosur rënd. E nxjerr pasqyrën nga xhepi dhe duke u shiquar në të thotë: “Eu Mehmet Gradica, të hangrën rrebelat”. Edhepse gjendja shëndetsore e Mehmetit ishte e rëndë, ai gjenë forcë dhe për komandant e emëron Rexhep Xhelin.

Qëndresa e luftëtarëve vazhdoi edhe me tutje. Në këtë luftë ranë heroikisht edhe komandanti i batalionit të Llapit, Rifat Maloku, komandanti i batalionit të 5-të, Hazir Gjaka dhe shum trima të tjerë. Për tërheqjen e komandantëve të plagosur Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica nga rrethimi, u kujdesën: Rexhep e Ajet Xheli, Brahim Luta, Smail Muja, Asllan Lladrovci, të cilët arrijnë te qajnë rrethimin dhe nisen në drejtim të Drenasit. Në fshatin Qikatovë e Vjetër, si pasojë e plagëve te marra, Komandati Shaban Polluzha ndërroi jetë, të cilin e varrosin nën akull të Lumit Drenica, tek vendi i quajtur Bresillë. Nga këtu, Mehmet Gradicën e plagosur, e bartin bashkluftetarët e tij Brahim Luta, Rexhep Xheli, Isuf Gilani e Xhemë Zeqiri në drejtim të fshatit Dobroshevc. Tek shkolla e këtij fshati, luftëtari madhështor, komandanti shembullor dhe heroi i papërsëritshëm i Kosovës, Mehmet Gradica, ndërroi jetë në mbrëmjen e po kësaj dite.

Kufomën e komandantit e vendosin në shtëpinë e Brahim Lutës në fshatin Gllanasellë. Të nesermën, Mehmet Gradica u varros në vreshtat e Brahim Lutës, në vëndin e quajtur Makresh. Varri i tij, për një kohë u mbajt ne fshehtësi, pasi që ky ishte edhe amaneti i heroit, që kufoma e tij të mos bie në duart e komunistëve. Por ky sekret zgjati vetëm gjashtë javë, pasi që komunistët kishin arritur që të arrestonin luftëtarin Isuf Gjilani, i cili pas maltertimeve kishte treguar se ka marrë pjesë në varrim, por varrin nuk kishte arritur ta gjejë, për arsye se nuk ishte nga ky rajon. Prandaj, së bashku me OZNEN, Isuf Gjilani shkon në shtëpinë e Brahim Lutës dhe i lutet nënës Azemine, që të tregoj se ku është i varrosur Mehmet Gradica.

Edhe pas vrasjss së komandantit Mehmet Gradica, shokët e tij e mbajtën fjalën e dhënë, që mos të dorëzohen para pushtuesve serbo-komunist, por të vazhdojnë luftën e armatosur. Kështu, Rexhep Xheli vritet ne Malin e Qiqavicës së bashku me djalin e vetëm.  Smajl Muja vritet pabesisht në fshatin Nekovc. Brahim Luta, Ajet Xheli dhe Hajdin Haxhiu vriten në një bunker afër fshatit Ciceli së bashku me Shaban Bunjakun.

OZNA tani filloi të ndjekë edhe bashkeluftetarë të tjerë të Mehmet Gradicës, duke i burgosur dhe maltretuar. Disa prej të maltretuarve, nga plagët e marra vdesin, siç është rasti i xhandarit të tij, Hazir Morina. Gruan e axhës së Mehmetit, Zojën, OZNA e kishte marrur në shtëpinë e saj të lindjes, në Qikatovë të Vjetër. Zojën e vrarë dhe të masakruar e kishin hedhur në lumin Drenica. Pas disa kohësh, kufoma e saj kishte dalur mbi ujë. Edhepse ajo identifikohet nga të afërmit e saj, nuk u lejua nga lojalët e pushtuesit që të varrosej në varrezat e familjes, por aty ku është gjetur. Edhe sot e kësaj dite, Zojes nuk i dihet varri. Të gjitha armët që i kishte fshehur komandanti Mehmet Gradica u zbuluan, dhe u dërguan në Skenderaj. Këto armë u gjenden në familjën e Brahim Lutës, në familjën e Smail Mujës, në familjen e Sylë Morinës të fshatit Qikatovë e Vjetër, etj.

Vrasësit e toger Mehmet Gradicës ishin ata të cilët realizonin planet serbe për asimilimin dhe zhdukjen e kombit shqiptar, plane këto të përgaditura në Beograd e Moskë. Ndër më të merituarit për realizimin e planeve serbe ishte komisari komunist Fadil Hoxha, i cili për ironi, varroset nga institucionet e shtetit të Kosovës me nderime ushtarake.

Në fund duhet shtuar se togeri Mehmet Gradica u flijua në moshën 33 vjeçare, për të mos u pushtuar tokat tona etnike nga sllavët, për të mos u përdhosur kombi ynë dhe gjuha jonë. Mehmet Gradica u flijua, që Flamuri ynë të qëndrojë i papërkulur, ashtu sikur qëndronte dikur në duart e bijve t’Kastriotit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *