HISTORIA

LINDJA E SHQIPËRISË, 28 NËNTOR 1912 – 3 SHTATOR 1914

Shkruar nga Mit’hat Bej Frashëri
Botuar në L’Independance Albanaise, Viti I, nr.4, 1 Prill 1915

Sipas librave të shenjtë, lindja e çdo fëmije duhet të shoqërohet me dhimbje. E pra, asnjë lindje nuk është shoqëruar me kaq shumë dhimbje sesa ajo e shtetit të ri shqiptar.

Lufta ballkanike ndërmjet katër aleatëve dhe Turqisë ishte në zhvillim të plotë, kur më 15-28 nëntor, në Vlorë, një mbledhje e madhe me delegatë nga e gjithë Shqipëria shpalli Pavarësinë, pa u shqetësuar nga zhvillimi i luftës, duke i kundërvënë arsyet e parimit, atyre të forcës.

Një javë më pas, në Vlorë, konsujt e Austro-Hungarisë dhe të Italisë u paraqitën pranë kryetarit të qeverisë së përkohshme për t’a njoftuar zyrtarisht nga ana e qeverive të tyre respektive, se ato do të mbështesnin shtetin e ri Shqiptar.

Në atë kohë Shqipëria ndodhej pjesërisht e pushtuar nga serbët dhe malazezët.

Pas pak Janina dhe Shkodra do të binin në duart e grekëve dhe malazezëve, trupat e të cilëve do të futeshin akoma më thellë në brendësi të vendit, në mënyrë që ajo, që quhej Shqipëri e pavarur të ishte vetëm një territor i vogël, nga Vlora në Berat.

Në këtë territor sundonte zija e bukës, ndërkohë që mbeturinat e ushtrisë turke, që ia kishin mbathur nga Manastiri dhe Janina, e keqësonin edhe më tepër gjendjen dhe përbënin rrezik për qeverinë e përkohshme.

Nga ana tjetër, Greqia kishte bllokuar bregdetin shqiptar, kishte këputur kabllin nënujor që lidhte Vlorën dhe Otranton, duke penguar çdo komunikim me jashtë. Pra, Shqipëria gjendej e rrethuar, e bllokuar dhe pa mjete materiale e mbështetje morale.

Ndërkohë në Londër ishte mbledhur Konferenca e Ambasadorëve. Ndërmjet problemeve të tjera, ajo do ta njihte Shqipërinë si shtet të pavarur. Ishte një lehtësim i madh dhe një mbështetje e rëndësishme morale. Por jo e plotë. Mbetej të përcaktoheshin kufijtë e këtij shteti të porsalindur.

Debatet mbi kufijtë e Shqipërisë s’gjetën shumë kohë dhe përfshinë disa seanca të konferencës. Sigurisht, fuqitë ndërluftuese nuk kërkonin gjë tjetër veçse ta ndanin midis tyre të gjithë Shqipërinë, duke e konsideruar veten si pasardhës të Turqisë në Evropë.

Sipas aleatëve, Shqipëria nuk duhet të ekzistonte. Mendimet e Fuqive të Mëdha ishin të ndryshme. Treshja kërkonte njohjen e një Shqipërie me kufij sa më të pranueshëm.

Rusia dhe Franca e dëshironin këtë Shqipëri sa më të vogël, sa të ishte e mundur më të vogël, një dështak, të lindur e të vdekur.

Ndërmjet këtyre dy grupeve Anglia qëndronte në mes, duke anuar më shumë drejt së drejtës…

Fatkeqësisht Konferenca e Londrës nuk bëri gjë tjetër veçse përcaktoi në vija të trasha kufijtë e Shqipërisë. Për ato të Jugut do të dërgohej një komision ad hoc për të bërë përcaktimin në terren mbi bazë etnografike!

E kemi kërkuar me shumë zell motivin e kësaj loje, i kemi thartuar trutë, por arsyen nuk e kemi gjetur dot. Përse duhej “komision studimi”, kur Fuqitë e Mëdha i kishin të gjitha dokumentet e duhura për këtë qëllim, të paraqitur nga konsujt e tyre qyhs nga viti 1878?

Kufiri verior ishte përcaktuar mëse i qartë, por edhe këtu duhej një komision për të përcaktuar vijën e saktë. Përsëri një komision!

Ndërkohë, Serbia kishte sulmuar Dibrën, kishte rrafshuar një rajon të tërë, kishte shkatërruar 100 fshatra, masakruar dhe djegur të gjallë me qindra njerëz të pafajshëm. Nuk duhej humbur zakoni i kanibalizmit (fundi i shtatorit 1913)!

Mbërritën edhe komisionet për të dy kufijtë. Fatkeqësisht, ato punojnë ngadalë dhe ai i Veriut pothuajse nuk ka bërë asgjë. Ai i Jugut ka përshkruar trevat e Korçës dhe të Gjirokastrës, dhe ka dërguar raportin e tij në Firence.

U vendos që kufiri i Jugut të jetë Kepi Ftelia, përballë Korfuzit dhe Korça e Bilishti t’i riktheheshin Shqipërisë. Shumë mirë, por kjo duhej vënë në zbatim. Miqtë tanë, kaq të gatshëm e të etur kur bëhej fjalë për koncesione, furnizime, për banka ose hua të detyruara, tregonin tani një ngathtësi të habitshme, kur ishte fjala për respektimin e vendimeve të tyre, të marra në Konferencën e Londrës ose në atë të Firencës.

Më në fund, Greqisë iu dorëzua një notë, sipas së cilës ajo duhej të largohej nga rajonet, që duhet t’i riktheheshin Shqipërisë. Ajo bëri sikur u bind dhe Korça u zbraz prej trupave greke më 3 Mars 1914. Por Greqia ishte nënshtruar sa për sy e faqe. Dy fuqitë që nuk e dëshironin njohjen e Shqipërisë, shfaqën hapur simpatinë dhe mbrojtjen e tyre ndaj Greqisë. Nën nxitjen e dy mbrojtësve, Greqia vendosi t’i kundërshtonte vendimet e Konferencës së Londrës dhe të Firencës. Në emrin e epiriotëve, Greqia vendosi në rajonet ku ajo ishte larguar ushtarët dhe oficerët e vet.

I quajturi Zografos (sot sekretar shteti i punëve të jashtme në kabinetin Gunaris), u ngarkua të ekzekutonte këtë plan. Ushtarët dhe oficerët grekë kryen poshtërsitë më të ndyra në jug të Shqipërisë, por simpatia e Francës dhe e Rusisë ishte në krahun e tyre; shtypi i paguar nga ato, vetëm lavdëronte krimet e tyre dhe te çdo vrasës shihte një hero të tipit Epaminondas.

E ç’farë mund të bënte Shqipëria?

Mbreti i saj (që kishte mbërritur ndërkaq) nuk kishte forca të mjaftueshme, përveç një mbeturine xhandarmërie, për organizimin e të cilës ishin ngarkuar oficerë hollandezë. Kjo forcë dhe oficerët hollandezë u dërguan që të luftonin kundër grekëve.

Tani, sipas Konferencës së Londrës, Shqipëria ishte njohur si shtet asnjanës nën garancitë e gjashtë Fuqive të Mëdha, domethënë Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Rusisë. Dy nga këto Fuqi, Franca dhe Rusia përkrahnin hapur intrigat e grekëve. Të tjerët qëndronin si spektatorë të heshtur.

Por, ndërmjet këtyre gjashtë Fuqive, kishte dy të tjera që paraqiteshin si mbrojtësit e Shqipërisë: ato ishin Austria dhe Italia. Po ç’bënin ato? Këto “dy mbrojtëse”, dukej hapur se nuk interesoheshin fort për fatin e Shqipërisë, ose më mirë rrihnin ujë në havan. Ato sihin tepër të zëna me intriga të vogla, me çilimillëqe, me politikë tregtare, me bankat, me koncesione, etj. etj.

Shqipëria pra, e braktisur në fatin e vet, e dobët dhe e pa formuar mirë, gjendej përballë armiqësive të hapura e të deklaruara jo vetëm të Greqisë, që kishte marrë flamurin dhe po e shkretonte vendin pa mëshirë, por edhe të dy shteteve të vegjël sllavë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Këtyre tre fqinjëve të tërbuar u ishte bashkuar edhe Turqia, që nuk mund të pranonte një shtet të pavarur mbas një vartësie të vjetër. Pra, grek, serb e turq, ishin kapur dorë për dore në vështrimin atëror dhe tutelën e gjashtë Fuqive të Mëdha.

Nga ana tjetër Shkodra ishte kthyer në një vatër intrigash të tjera. Dihej se malazezët hynë në Shkodër më 24 prill 1913, por me ndërhyrjen kërcënuese të Austrisë dhe falë qëndrimit energjik të Anglisë, ata u detyruan të largohen nga qyteti më 14 maj 1913. Shkodra dhe rrethinat e saj u vunë nën autoritetin e një force të vogël ndërkombëtare, e cila qëndroi aty deri në muajin gusht, domethënë deri në çastin e fillimit të luftës së madhe.

Por, përfaqësuesit e huaj në Shkodër, nuk lanë asnjë çast pa thurur intriga, duke e nxitur popullin kundër regjimit. Përfaqësues të krishterë dhe të dërguar të Fuqive të Mëdha në luftën kundër Turqisë, nuk skuqeshin aspak duke bërë propagandë për një princ mysliman të familjes otomane.

Më së fundi shpërtheu kryengritja, një kryengritje e mallkuar. Një pjesë e Shqipërisë së mesme rrëmbeu armët dhe u ngrit hapur kundër qeverisjes së Princ Vidit. Mbreti i kishte të gjitha frocat në jug, kundër grekëve, duke u përpjekur të mbronte çdo copë tokë që grekët kërkonin ta shkretonin, çdo fshat që ata donin ta digjnin.

Gjatë kësaj kohe Fuqitë e Mëdha vazhdoni të mos interesoheshin, ose më mirë të armiqësoheshin me Shqipërinë. Dështimi i të poshtrit Esat Pasha (nxitës i kryengritjes) e kishte bërë të pakënaqur Italinë, që ndjehej e fyer në dinjitetin e s aj si mbrojtëse e Esatit.

Një rivalitet i tërbuar nisi ndërmjet Italisë dhe Austrisë, rivalitet që ishte mjaft i dëmshëm për Shqipërinë. Shqipërisë iu refuzua çdo ndihmë, iu sekustrua paraja që ndodhej në bankat e Austrisë dhe Italisë, u kërcënua mbreti se do lihej pa bukë qyteti i Durrësit dhe garnizoni që e mbronte, duke e suprimuar të vetmin shërbim lundures, për të bërë të pamundur transportin e sendeve ushqimore.

Dhe kështu, i gjetur pa rrugëdalje, Princ Vidi u detyrua të marrë udhën dhe të largohet përkohësisht nga Shqipëria.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *