POLITIKA KOMBËTARE

“CAR” LAZARI NË MITROVICË

Shkruan: Arbër Gashi

Në Mitrovicën veriore është vendosur dhe pritet të inaugurohet me pompozitet shtatorja e “Car” Lazarit, për arsye se politika jonë vendore e zgjedhur me shumicën dërmuese të votave të qytetarëve, pas vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës e ka shkelur me të dy këmbët gjakun e heronjëve të vërtetë të Kosovës dhe dinjitetin kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

Duke mos e mësuar asnjëherë me përkushtim dhe duke e përqeshur historinë e lavdishme të politikbërjes së mirëfilltë oksidentale të paraardhësve tanë, ne shqiptarët e Kosovës mbajmë përgjegjësi prej së cilës nuk mund të ikim. Ne vet dhe institucionet tona, duke mos i trasuar asnjëherë veprimet politike e ushtarake të personaliteteve siç ishin: Xhafer Deva, Ago Shero Agaj, Aqif Blyta, Mehmet Gradica, Adem Boletini, Kolë Margjini, Tahir Zajmi, Fuad Dibra e mijëra e mijëra të tjerë, i kemi ftuar serbët të vendosin jo vetëm shtatoren e “Car” Lazarit në Mitrovicë, por edhe t’a kolonizojnë pa asnjë problem të vetëm atë pjesë të pushtuar të Kosovës.

Prandaj, meqenëse fajtori për ngritjen e shtatores së “Car” Lazarit jemi ne, edhe zgjidhja e problemit të veriut duhet të fillojë prej nesh. Çlirimi i asaj pjese të Kosovës nga kthetrat pushtuese të Serbisë është detyrë e jona. Askush tjetër përpos nesh nuk është i obliguar të luftojë për lirinë tonë, për dinjitetin tonë kombëtar, për demokracinë e mirëfilltë, për shtetin e së drejtës dhe për integrimin kombëtar e euro-atlantik. Do të ishte hipokrizi e dorës së parë nëse ne tentojmë t’ua hedhim fajin të huajve, ndërkombëtarëve dhe në fund të fundit edhe vet serbëve.

Ne, shqiptarët e sotëm të Kosovës, këta që jemi gjallë dhe kudo që jetojmë, burra e gra së bashku, ne jemi ata që, si gjeneratë e cila mbanë përgjegjësi njerëzore, morale dhe politike, po dështojmë në çdo hap t’i dalim zot thirrjes së shenjtë për mbrojtjen e atdheut dhe bërjen e shtetit shqiptar.

Ne jemi ata, që me sjelljen tonë, me qëndrimin tonë dhe me miratimin tonë, i kemi sjellur në lartësinë e pushtetit ata që ju pëlqen t’i shohin në podium vetëm buzëqeshjet e servilëve. Ne jemi ata që, e kemi mundësuar blerjen e pushtetit me para dhe të cilët synojmë të pasurohemi përmes pushtetit. Ne jemi ata, që fajin tonë e adresojmë te dikush tjetër, sepse kështu ia lehtësojmë barrën e përgjegjësisë vetvehtes. Ne shqiptarët e Kosovës jemi ata, për të cilët është duke punuar koha, ndërsa vet ne, me punën tonë të përditshme po punojmë kundër kohës.

Dhe ne shqiptarët e Kosovës, duke qenë të tillë ç’farë jemi bërë pas nënshkrimit të armëpushimit në Kumanovë, ne vet, përmes përfaqësuesve tanë legjitim, e kemi mundësuar vendosjen e shtatores së “Car” Lazarit në veri të Mitrovicës.

Fajin për deshqiptarizimin e Kosovës e mbajmë ne vet, sepse, ne jemi ata të cilët e kemi kritikuar dikur dhe e kemi shpallur tradhtare veprën e kryengritjes së Haxhi Qamilit në Shqipëri, ndërsa sot, gjenerata jonë, unë, ti dhe ai tjetri që shtiret oksidental, nga gjiri ynë i kemi nxjerrë në dritë qindra e mijëra Haxhi Qamil të Kosovës. Haxhi Qamilët e Kosovës tonë, duke e poshtëruar bustin e Skenderbeut në Kaçanik, i kanë vënë themelet e forta shtatores së “Car” Lazarit në Mitrovicë.

Serbët i kanë lexuar mirë mesazhet e Haxhi Qamilëve të Kosovës dhe e kanë kuptuar drejt, se fryma komuniste e Ali Shukriut, Fadil Hoxhës, Milladin Popoviqit, Enver Hoxhës, Ramiz Alisë etj. është ringjallur dhe ka fituar pushtetin apsolut në mesin e shqiptarëve të Kosovës.

Meqenëse kjo politika jonë e sotme e trason symbyllur rrugën e përcaktuar politike nga Pavle Joviqeviqi dhe Millan Zeqari, atëherë, pse për hirë të veprës së tyre, serbët e Kosovës të mos e ngrisin me pompozitet shtatoren e “Car” Lazarit në Mitrovicë? Kush na ka faj ne shqiptarëve, nëse ne vet nuk i nxjerrim mësimet e duhura nga historia jonë?

One thought on ““CAR” LAZARI NË MITROVICË”

  1. ..pajtohem me shkrimin, pajtohem edhe se ne jemi fajtorë, as kush tjetër!
    Më habisin edhe shumë gjëra tjera qe shqiptaret shkruajnë?! Deri sa serbet po e shtyjnë kufirin te ura e ibrit, shqiptarët shkruajnë dhe përmendin pellazgët, ilirët, per Nishin e “mollën e kuqe”, sot mbyllin sytë dhe nuk ia u mbanë të flasin lere më të kundërshtjonë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *