OPINIONE

Hello England

Shkruan: Edison YPI

Sapo ke zbritur nga avioni dhe ke marrë trenin për ato pak kilometra deri në Londër, bindesh se je gënjyer gjithë jetën me ëndrra dhe dokrra, ke ardhur në vendin më të trishtë të planetit. Shtëpi të vogla dhe rrugë të mjera nën një qiell me re të pista si lëvere të palara. Nuk duket si udhëtim. Duket si lexim i ndonjë libri të Engelsit mbi gjendjen e mjerë të klasës punëtore në Angli.

Zbret nga treni. Shetit pak. Ulesh në një kafene. Hedh sytë rrotull. Bindesh përfundimisht se gjithçka tjetër që do shohësh gjatë këtij udhëtimi nuk mund të jetë më pak dramatike se ky fillim dekurajues.

Rrëkëllejnë birrë më këmbë si të babëzitur. Gjerbin pa pushim kafe të holla si lëng gështenjash në filxhanë të mëdhenj të thellë si gaveta ushtrie. Pinë të etur kapuçino edhe më të mëdha se kafetë. Currili i kapuçinos derdhet ngadalë nga brimat e ekspresit brenda gavetës shoqëruar me fërshëllima si të lokomotivës me qymyr.

Pëshpërisin si hijet. Flasin si belbanë. Fjalët i shkurtojnë. Të folurën e ngatërrojnë.
Profesorë universitetesh, filozofë të shquar, shkencëtarë me nam, i shtyjnë ditët e mbetura në shtëpi të vogla, të vjetra, si barraka minatorësh ngritur shpejt e shpejt pas ndonjë përmbytjeje nja dy a treqind vite të shkuara. Të merr të qarët tek i sheh ato furriqe.
Megjithatë, shtëpinë e vogël dhe të vjetër ku ma gjen. Londinezë të pastrehë kalojnë jetën futur nëpër thasë plastmasi nëpër rrugë, sheshe, dyer hotelesh.

Zhgane zhelanësh pisanjosë presin para depove të marrin ndonjë lëmoshë nga shteti.
Në lindje të Londrës jetojnë mijëra anglezë aq fukarenj, sa lindin e vdesin pa i parë kurrë me sy sheshet kryesore të qytetit. Dhjetëra mijëra të tjerë londinezë jo-fukarenj të tmerruar nga piskamat metropolitane u janë larguar përgjithmonë atyre shesheve për ta pritur plakën me kosore nëpër katunde.

Në Hithrou pasaportën ta kontrollon një indian.
Në një minimarket paketën e cigareve ta zgjat një dajua i tij.
Kafenë ta sjell një nepalez.
Rrobat kineze t’i shet një kurd.
Picën italiane ta servir një filipin.
Në bankë të shërben një kongolez.
Shitësi i hamburgerit është një eskimez.
Janë aq të paditur sa duhet të sorollatesh një javë të tërë për të gjetur vetëm 1 që ta dijë ku bie Shqipëria.
Mund të shpezozh edhe një muaj në kërkim të dikujt që di të thotë përmendësh dy vargje të Shekspirit.

Janë aq pa fantazi, aq të varfër në imagjinatë dhe kreativitet, sa është e pamundur që emrin që e ka njëri të mos e kenë edhe disa miliona të tjerë.
Rinia është edhe e ngordhur edhe zevzeke njëkohësisht.

Mbathin T-shirt-a të pista dhe pantallona të varura.

Janë aq të ftohtë dhe indiferente ndaj seksit, sa nuk e kanë për gjë që “ky këtu” të gdhihet e ngryset në të njëjtin apartament të ngushtë me të dashurën e “atij atje” nja njëzet kilometra larg në skajin tjetër të qytetit, ndërkohë që, e dashura e “këtij këtu” gdhihet e ngryset në një garsonierë me 1 banjë me “atë atje” ditë e natë e natë e ditë në një spirale të pafundme vetmie dhe sëkëlldie, që shkatërron kimitë e truve respektivë në mënyrë të pariparueshme.

Londra ka aq shumë zgëqe të fëlliqura, sa nuk kanë të gjitha Brrakat e Shqipërisë së bashku. Ujëra të fëlliqët, rrëkera, pellgje me ta shpif. Natën avuj të frikshëm ngrihen përpjetë ngadalë nga puseta rrugësh si nëpër filmat e horrorit.

Muret e holla të shtëpive ngrihen drejt nga toka. Po t’i pyesësh “Pse nuk kanë themele shtëpitë tuaja ?!” të thonë; “Nuk na lypset themel se këtu nuk ka rënë kurrë tërmet”. Janë pra aq të trashë sa kujtojnë se ngaqë nuk ka rënë tërmet në të kaluarën, tërmet nuk do bjerë kurrë as në të ardhmen.

Para një bankomati, një anglez. Ka pritur radhën. Radha i ka ardhur. Ka futur pin-in dhe pret. Kurrgjë. Llogaria është bosh. Zë e shan anglezi me rrënjë e me degë gjithë njerëzimin duke lutur Zotin që një bombë atomike ta shkatërrojë botën nga Grinuiçi në Grinuiç.

Një tjetër anglez të këshillon të mos mbash më tepër se dyqind sterlina në xhep, sepse janë “big money”. Uh ç’më shkrive o perandorak. Për sa pare xhepi duhet të kem frikë mo ? Për dyqind sterlina ? E shoh se s’ditke gjë për fierakë e skraparllinj që qarkullojnë nëpër pesë kontinente me nga dy milionë dollarë nëpër benevrekë.

“Hyde Park” dhe të tjera parqe të famshme janë plot me mashtruesa pisanjosa, që hiqen për poetë, shenjtorë, filozofë.
Mbrëmje. Soho. Turista gjithandej. Ta zë rrugën një dymetrosh. Përshëndet. Qartëson se nuk është dosido, por “english gentleman”, dhe të kërkon ndonjë kacidhe për të pirë një gotë çaj.

Metroja e Londrës është më e vjetra në botë. Nëpër stacionet me kthesa, që të mos biesh në shina dhe të shndrrohesh padashur në një Anna Karenina në pesqint copa, një altoparlant të paralajmëron me një “Mind the Gap” që e përsërit pafund dhe të mbetet për gjithë jetën në vesh.

Metroja e Londrës do dukej arkivol nëse në shkallët e saj të mos shfaqeshin hera-herës me klithmat e tyre plot jetë shqipet e maleve, divat nga Kalaja e Dodës, Mati, Skrapari, Roskoveci, Divjaka, Puka, Mirdita.

Historia e Anglisë është një enciklopedi shumëvëllimëshe që përmban intrigat më të sofistikuara individuale, shtetërore, ndërshtetërore, dallaveret lokale dhe ndërkombëtare të të gjitha llojeve dhe nënllojeve.

Anglia është një spital plot me pacientë që vuajnë nga mpleksje sëmundjesh psiko-neuro-endokrinologjike me në krye Mbretëreshën 9 ujë 1 kos.

Parlamenti i Anglisë plot me pleq me qurra, që gërhasin dhe flenë me orë të tëra ca më këmbë ca shtrirë. Para kësaj qurrnaje ku ma gjen Parlamentin e Shqipërisë, atë çmendinën ku mafjozët e zgjedhur nga populli me vota të blera ulurasin e rrihen si n’harradoz.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *