HISTORIA

“MITI I BETEJËS SË KOSOVËS” I SHOQËRUAR ME “MITIN E PRINCIT-SHËN LAZAR” ËSHTË GJITHNJË I HAPUR PËR MANIPULIM POLITIK! ECEJAKËT E VIDOVDANIT NGA DITA E SHENJTË DERI TE DITA E HAKMARRJES!

Shkruan: Prof. Dr. Jahja Drançolli

Dita e SHËN VITUS (VIDOVDAN) sipas kalendarit të vjetër më 15 qershor, dhe kalendarit të ri më 28 qershor, qe përqafuar edhe nga Sllavët e Jugut me ardhjen e tyre në Ballkan. Kulti i martirit San Vito ruan origjinën nga ilirët e Italisë së Jugut, dhe si i tillë është afirmuar me simbolikën se ia kishte larguar demonin djalit të Dioklecianit, një perandor romak me origjinë delmato-ilire.

Kjo ditë tashmë historike, nisi të respektohet sidomos nga serbët pas Betejës imagjinare të Kosovës (1389), kur osmanët kishin ngadhnjyer në Fushë Kosovë ndaj fuqive të Aleancës Kristiane. Sipas legjendës, para se të merrte fund beteja, trimi legjendar, Milosh Kopiliqi kishte vrarë sulltan Muratin, akt ky që më vonë (në veçanti nga shek. XIX) kishte shtyrë nacionalistet serbë për të riaktualizuar motivin e HAKMARRJES ndaj vrasjës së princ Lazarit, personalitet ky historik, i cili për nevoja të politikës ditore është identifikuar me personalitetet më të shquara europiane, siç ishin mbetërit: Stefan i Hungarisë, Arthur i Keltëve dhe Olav i Norvegjisë. Përveç kësaj, princi Lazar sikurse Jan Hus dhe Zhana d’Ark, është konsideruar për martir, dhe si i tillë, kulti i Lazarit do të promovohet (sidomos nga viti 1987 deri me sot) për realizimin e ambicieve të Beogradit duke aluduar se, kulti i princit-Shën Lazar është ende i gjallë në Serbi. Përvoja e deri sotme historike, është duke dëshmuar gjithnjë e më shumë se, “Miti i Betejës së Kosovës” i shoqëruar edhe me “Mitin e princit-Shën Lazarit” është gjithmonë i hapur për manipulim politik. Pra, edhe në ditët e sotme kur është duke u inauguruar përmendorja e princ Lazarit në Mitrovicën Veriore. Këtej, kur elitat politike duan të manipulojnë me vlerat e komunitetit, miti në fjalë do të shërbën si çelës i rëndësishëm, për të përmbushur urdhërat politike.

Në këtë kontekst, në shekuj, fantazia popullore serbe disfatën e supozuar të kësaj bote në Fushë Kosovë e kishte shndërruar në burim të fuqisë shpirtërore. HAKMARRJA për “disfatën serbe” të vitit 1389 e shoqëruar me përtëritjen e shtetit serb (1878), konsiderohen si burime kryesore për të krijuar edhe njeriun e quajtur, Homo Serbicus, njeri ky që do bëhet gurthemel për të gjitha programet agresive të mëvonshme jo vetëm ndaj fqinjëve. Në këtë kontekst, HAKMARRJA parë do t’i zë shqiptarët dhe maqedonët gjatë Luftërave Ballkanike (1912/13), me ç’rast papullatat në fjalë qenë nënshtruar gjenocidit të paparë deri në atë kohë në Europën Juglindore.

HAKMARRJA dytë ndërlidhet me vrasjën e Franc Ferdinadit (një trashëgimtar i fronit perandorak Austro-hungarez) nga atentatori serb Gavrilo Princip.

Me themelimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, klasa politike jugosllave bëri përpjekje të konsiderueshme për të përhapur “Mitin e Betejës së Kosovës” në gjithë popullatën e mbretërisë. Madje, miti në fjalë është përdorë si një metaforë edhe në kontekstin kufitar jugosllavo –italian, respektivisht jugosllavo-austriak: Trsat – Soça – Karantania.

Vargu i hakmarrjeve vazhdon me Kushtetutën e Vidovdanit (28 qershor 1921), kur në parlamentin e përgjysmuar të mbretërisë së atëhershme, dinastia Karagjorgjeviq dhe Qeveria Pashiq kontribuan për ta ringjallur debatin për Kosovën duke e pagëzuar emrin e kushtetutës më SHËN VITUS (VIDOVDAN), ndërsa 28 qershorin e vitit 1921 për datë “të kthimit të Perandorisë” (së Dushanit). Përpjekjet e ideatorëve, gjithsesi ishin drejtuar në rivendosjen e rendit “mitik” paraekzistues i shkatërruar nga fqinjët, armiqtë ose bashkëpunëtorët e tyre. Për klerin dhe Kishën Orthodokse Serbe ky urdhër ishte menduar nga Perëndia, ndërsa për laikët ishte krijuar nga dora e njeriut me një afat të gjatë të skadencës. Krijimi i Kushtetutës së Vidovdanit i mbajti qytetarët për të jetuar me “Mitin e Kosovës” në mbretërinë laike serbo-kroato-sllovene, sidomos për nevoja fetare siç është “mbrojtja e krishterimit kundër islamit”.
Kjo simbolikë e HAKMARRJES serbe, atëbotë edhe ndaj jugosllavizmit, ka arritur kulmin në kohën e S. Milosheviqit (më 28 qershor 1989 – 12 qershor 1999), rrjedhojat e së cilës Europa Juglindore është duke i vuajtur edhe sot e gjithë ditën.

One thought on ““MITI I BETEJËS SË KOSOVËS” I SHOQËRUAR ME “MITIN E PRINCIT-SHËN LAZAR” ËSHTË GJITHNJË I HAPUR PËR MANIPULIM POLITIK! ECEJAKËT E VIDOVDANIT NGA DITA E SHENJTË DERI TE DITA E HAKMARRJES!”

  1. KOMPLIMENTE AUTORIT! MADJE, NЁSE SHOQЁRIA QYTETARE SERBE DHE AJO EVROPIANE NUK DO MUNDIN TЁ ÇVLERЁSOJNЁ GRADUALISHT MITET FALSE SERBOMADHE, RAJONI DHE MЁ GJERЁ NUK DO TЁ KETЁ NDONJЁHERЁ PAQE E STABILITET TЁ VЁRTETЁ E TЁ QENDRUESHЁM. SE MITHET E VERBЁTA SI ATO SERBE, KTHEHEN NЁ FE, OSE NJЁSOHEN ME FENЁ KOMBIT; MBETEN THELLЁ NЁ SUBKOSHIENCЁN DHE VETЁDIJEN E TIJ, GATI PЁR SHPЁRTHIM NЁ RRETHANA TЁ CAKTUARA. KJO ЁSHTЁ KARAKTERISTIKE SIDOMOS PЁR POPUJT ME PROBLEME HISTORIKE TЁ IDENTITETIT TЁ TYRE KOMBЁTAR TЁ SAJUAR,SIKURSE,- MJERISHT-, FQINJNЁT TOKЁSORЁ TЁ SHQIPTARЁVE. 27.6.2016

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *