HISTORIA

Gruas Shqiptare

Shkruar nga Mit’hat Bej Frashëri

Kam nderin të flas me juve, Zonja, dhe më vjen shumë keq të them duke nisur fjalën: kam të qahem. Mos u trembni: vërejtjet do t’i bëj me respektin më të madh dhe do t’ju kërkoj ndjesë që tani, në ju thënsha gjësend që të mos ju pëlqejë. Besomëni se zemra, në këtë orë, do të më donte të kisha vetëm fjalë të këndshme për juve, falënderime dhe lëvdata.

Pse ndodhem i shtrënguar që të përziejë kritika dhe këndvështrime në bisedimin tim?

E keni vënë re padyshim, se, teto Tuleja ka shumë qarje nga e mbesa; mos pandehni se pleqëria e bën grindare: jeni e sigurtë se në zemrën e saj ka më tepër mëshirë dhe dashuri për ju nga ç’rrëfejnë fjalët e saj…

Gjer më tani më patë se kam disa shkaqe që të qahem prej burrave. Është fort e kuptueshme se, një pjesë e atyre ankimeve do të bien mbi ju mëmat, motrat dhe gratë e burrave. Po merrni një përgjegjësi të madhe nga fajet dhe të metat e botës, dhe kjo është gjëja më natyrale, sepse ju jeni misi më impotent i kësaj shoqërie, kurse, të kishit dashur, ju do të ishit të zonjat që të ndaloni një pjesë të atyre lajthitjeve.

Ju kallzoj pra, zonja, dhe ju kërkoj ndjesë një herë akoma, ju kallzoj si fajtore, si shokë të fajtorëve.

Nuk ju kritikoj, pse feminizmi s’ka përparuar ndër ne. Nuk ju qortoj pse nuk dini të kërceni, pse nuk veni në dancing, ose pse nuk kini fituar të drejta politike. Jo. Përkundrazi; dëshiroj, unë për veten time, që këto shenja të përjashtme – dhe të rreme – të qytetarisë, të vijnë sa më vonë këtu, tek vendi ynë. Nuk ju kritikoj edhe pse nuk pasoni modën, pse mbani veshjet e vjetra, dhe pse disa prej motrave tuaja rrinë këmbëzbathur në baltë dhe mbështjellë si gogol me një xhybe. Jo. Gruaja është e lirë që t’a mbajë këtë kostum qesharak, dhe aq më tepër akoma sa thonë që Xhybeja ka një veprim moralizonjës, e bën burrin t’i vijë frikë nga gruaja, në mos t’a shohë gruan veçse në formën më pak të bukur dhe aspak tërheqëse të saj.

Ajo që ju akuzoj është pjesa e paktë e përgjegjësisë që merrni për njerëzinë, interesin e dobët që rrëfeni në rrojtjen dhe fatin e kësaj shoqërie, që rrini si të huaja, si të ftuara. Padyshim, vendi juaj dhe detyra që keni janë fort të rënda brenda në shtëpi, dhe përpjekjet që bëni për ta bërë të këndshme jetën e brendshme meritojnë që të ju jenë të gjithë mirënjohës. Mjerisht, jashtë pragut të shtëpisë e shikoni veten tuaj sikur s’jeni nga kjo botë dhe harroni se një detyrë nuk mbushet dot duke u neglizhuar gjysma e punës.

Të drejtat e gruas ju ka rrëmbyer burri, por faji është i të dy palëve. Në qoftë se burri, i shoqi, e gjykon gruan si një krijesë më poshtë dhe jo të denjë sa të shikohet pari, shoqe dhe e barabartë, në qoftë se e quan fëmijë, kalama dhe i vjen turp t’i zërë ngoje emrin e saj, s’do harruar se dhe gruaja, me edukatën që i jep së bijës kur është e vogël, duke e quajtur veten e saj “femër”, e vë duke dashur në një shkallë poshtërore dhe abdikon në fuqinë e saj.

Në shumë vende barbare zakoni dhe ligji i jep të drejtë burrit, “mashkullit”, të sillet me mënyrë brutale me gruan e tij, t’a ndajë nga martesa, ose të marrë më tepër se një grua, duke e ulur gruan në shkallë të një plaçke, meqenëse në vende të paqytetëruar mbretëron edhe zakoni që lejon blerjen e gruas në treg!

Po s’e di në rregullat që ndiqen prej malësorëve tanë, duke vluar çupën që në djep, duke e martuar pa dashjen e saj, duke e shikuar të mjerën “femër” si një teshë këmbimi, a si një mjet miqësimi, a është më pak barbare?

Njeriu kurdoherë ka pasur nevojë të gjejë një skllav për të punuar në vend të tij, që të mos lodhet vet. Ka stërvitur kafshët si kalin, kaun, qentë! Po kjo si ka arritur? Ka bërë luftëra dhe ka zënë njerëz të gjallë dhe i ka përdorur si kafshë?! Ka marrë gruan, mëmën dhe motrën e tij, i ka përdorur si skllave, meqenëse e varfëra “femër” i ka më të dobët grushtet dhe më të vegjël dhëmbët. Në arabisht, në ca libra të “shenjta”, gruaja quhet “mallyn mut’ atyn”, domethënë një plaçkë, një teshë që shitet dhe blihet. Egoizmi brutal i burrit, ëmbëlsia e butë e gruas, dhe mbase edhe fatalizmi i saj e kanë pranuar këtë situatë ç’njerëzore!

Për të ç’rrënjosur skllavërinë janë bërë me qindra luftëra, në çdo komb, në çdo shekull të kohës së vjetër dhe të mesme; më e fundit e luftërave qe ajo në mes jugut dhe veriut të Shteteve të Bashkuara, luftë e përgjakshme dhe vëllavrasëse. Mezi pastaj u pranua që të zezët të mos jenë më skllevër.

Kështu është shkruar për njeriun e mjerë: pa ngrënë dru të mos i vijnë mendtë në krye.

Më lart thamë se egoizmi e shtyn burrin të mbajë gruan në një gjysmë robërie. Padyshim, shqiptari s’është i vetmi në këtë hall të keq dhe të turpshëm, dhe, në qoftë se malësorët tanë e duan gruan që t’a ngarkojnë me shkarpa dhe vet lozin kartërat ose të tunden me xhamadan të artë dhe të gjuajnë në shenjë – mos harrojmë se në kombe të tjerë, mbase dhe jo fort larg nesh, pozita e gruas në popull nuk është më e mirë. Mjerisht, ajo që më bën të mendohem është se, ndër ne, në Shqiperi, edhe pozita e zonjës së klasave të larta s’është më e mirë se ajo e popullit.

Shtytja e burrit është egoizmi. Po ky egoizëm prapë sot duhet të bëjë që të dalë gruaja shqiptare nga situata e sotme, të zërë vendin që duhet të meritojë.

Më vjen keq ta them, por në të metat që ka shqiptari, përgjegjësia më e madhe i bie shqiptarkës. Në qoftë se njerëzit tanë nuk janë aq aktiv, aq patriot, aq të mëshirshëm dhe të drejtë sa dëshirojmë që t’i shohim, shtrohet pyetja se cila grua u dha gjirin e saj? Cla motër, cila grua, cila nënë i këshilloi? Në qoftë se vendi ka mbetur kështu në varfëri dhe populli vuan në moskamje e në sëmundje, në qoftë se foshnjat tona i korrë mortja e keqe, ç’bëri gruaja jonë për këtë Shqipëri? Ç’kujdes mori ajo për të shëruar plagët morale dhe fizike të saj? Thonë se gjenden gra në Shqipëri që shtyjnë djemtë ose vëllezërit e tyre të vrasin dhe të marrin shpagën. Po unë s’dua të besoj. Do të ishte gjë fatkeqe të kishim gra kaq të këqija.

Kur është pra çështja për lumturinë dhe interesin e përbashkët, a mundet që gruaja jonë të rrijë indiferente, si një e huaj e ftuar në shtëpi të huaj? A nuk duhet, për të mirën e përgjithshme, të bëhet një forcim i përbashkët, në bashkpunim dhe harmoni, duke mbledhur tok fuqitë? Apo duhet që të dy palët të shikohen si armiq, dhe pjesa më e rëndësishme e njerëzisë, nëna, motra dhe shoqja të rrinë të larguara, duke parë mjerimin dhe plagën?

Burri, në verbërinë e tij mashkullore, i kërrusur nën barrën e kalbëzuar të fanatizmit dhe paragjykimit që e shtyjnë të shikojë si një faj, si një turp, jo vetëm bashkpunimin e gruas, po sa edhe të zërë ngoje emrin e saj, burri them, mund që të dojë të bëjë një vetëvrasje, se s’i pëlqen të shkundet prej pluhurit dhe të shpëtojë nga çimkat e ideve të mykura. Po a duhet që gruaja të rrijë indiferente përpara rrezikut, të mos bëjë asnjë çap, asnjë veprim, dhe të vejë drejt vdekjes?

E dashur këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortoj, po të akuzoj pse nuk bën ndonjë shërbim, dhe jo pse ke ndonjë faj. Jam i sigurt që edhe ti e kupton mirë se, ky popull i varfër kurrë s’ka për të përparuar në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin e nënës, të motrës dhe të shoqes, dhe nuk merr pjesë aktive në edukimin e fëmijëve, në shërimin e plagëve që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit. Roly yt sot është të vuash dhe të shohësh të tjerët të vuajnë, pa nxjerrë zë. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga ky pasivitet, të marrësh një detyrë aktive, si më tepër e interesuar që duhet të jesh.

Them që burri duhet të punojë, të stërvitet, të marrë edukatë dhe arsim. Po harrojmë sa kohë djerrim kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm grave të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes më të madh për qytetërimin dhe begatinë e këtij vendi, për shëndetësinë dhe mirëshkruajen fizike të këtij populli, dhe harrojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gjysmën që mund t’a quajë më e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizmi ynë brutal, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruas vet që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.

A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpisë dhe squka e fëmijës të rrijë në shkallë të ulët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rriten vetëm si kukulla? Apo pandehim se një çupë, një grua e ka mbushur detyrën e saj kur të dijë të tërhollë petë për lakrorë dhe të bëjë qofte me thërrime?

Themi se palët e thella të kombit duan nxjerrë nga errësira, duan shkulur nga balta. Po si mund të hyjnë pak rreze të sotme, sa kohë që ne na pëlqen të mbajmë gruan në tym dhe në pluhur të shekujve të vdekur?

Duam që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonë prej lëngatave, të kemi një popull të shëndoshë, një shtet të fuqishëm, dhe harrojmë që rolin më të madh do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjlit, për rrojtjen e të varfërve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë. Duhet të kuptojmë bukur mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie nuk bëhet gjë e mundur po që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrijnë një shkallë inteligjence dhe kulture, që të bëhen me të vërtetë zonja shtëpie dhe mbrojtëse të folesë.

Mendojmë qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që sjell injoranca dhe përtimi, por s’duam të gjykojmë njëherë se, shpëtimi nuk mund të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk mund të na jetë e dukshme po qe se gruaja s’merr pjesë në të, duke ditur qeverinë e shtëpisë, duke kuptuar rëndësinë e ekonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrës.

Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjerë. Liria e saj është e plotë në viset e vendit tonë ku s’ka hyrë pseudo-qytetërimi i Azisë. Gruaja shqiptare është inteligjente dhe s’i mungojnë cilësitë morale të larta. Është e vërtetë se të drejtat e saj i janë mohuar. Po edhe do kujtuar kurdoherë se, të drejtat fitohen prej atyre që janë të denjë t’i marrin, prej atyre që dinë përdorimin e mënyrës për t’i fituar. Dhe më tepër akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarit.

Duhet pra që gruaja shqiptare të përpiqet dhe të rrëfehet e denjë për të drejtat njerëzore. Lipset që të bëjë forcime për t’u lartësuar intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohur vendin e vërtetë që i ka hije të zërë.

Atëherë do të bindet gruaja shqiptare se, në ringjallje të këtij vendi duhet të marrë pjesë, të bashkëpunojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë, për lumturinë e përbashkët, që kështu, duke siguruar jetën dhe fatin e bardhë të djemve dhe të burrave, të kenë siguruar dhe rrojtjen fatmire të tyre.

Atëherë, sikundër çdo shqiptar sado i pasur, i ditur dhe i lumtur të jetë, e ka për detyrë që të kujdeset për të mjerët, për ata që janë fatzez, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë, sado që t’i qeshë fati në bukuri dhe lumturi, duhet që të bëjë pak therori nga koha dhe dëfrimet e saj, të kujdeset për gratë e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.

Rolin më të madh që pres prej grave tona është përhapja e parimeve të higjienës dhe të mirërrojtjes fizike. Burri s’vete dot në shtëpi ku një e varfër dergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë, ku një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me zërin dhe dorën e saj të njomë, mund të lehtësojë plagët fizike dhe morale, të shpjerë ngushëllimin, të ngrejë një fëmijëri afër fikjes, të shpëtojë një tjetër që mund të rrëzohet.

Ca më pak se nga burrat do të gjendet një grua që të rrëfehej indiferente në gjallërinë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi shtet. Ca më mirë nga burrat, gratë do të dinë, se jeta dhe lumturia e tyre është e varur te jeta dhe lumturia e Shqipërisë, që pa shëndoshur të gjitha palët dhe shkallët e kësaj popullsie, vet s’mund të quhen jashtë rrezikut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *