OPINIONE

Arratisu

Shkruan: Edison YPI

Arratisu. Arratisu si të mundesh, vetëm arratisu. Arratisu duke u vërsulur nga brenda-jashtë drejt gjithësisë së pafundme nëpër vende mahnitëse ku nuk do ngopesh së shijuari natyrën, tokën, qiellin, ku do shohësh, dëgjosh, ndjesh, zëra të padëgjuar, cicërrima mrekulluese, muzika trullosëse, nektare dehëse, aroma të magjishme, ngjyra të papara.

Arratisu nga jashtë-brenda drejt thellësisë së vetes. Rrokullisu futu dhe rri kruspull në ndonjë nga zgavrat e pafundme të trurit ku të zbulosh sa të mundesh ndërlikimet mahnitëse të un-it.

Të arratisesh diku ku është gjithmonë pranverë, gjithmonë behar, bën gjithmonë vjeshtë ose dimër, fryn gjithmonë erë, bie gjithë kohën shi, është gjithmonë bukur, por shpejt mërzitesh.

Mendohu me çfarë shpejtësie të përshtatet të arratisesh.

Mund të zgjedhësh si shpejtësi arratisjeje shpejtësinë zero. S’është keq. Me këtë shpejtësi sa të skëterrshme dhe inekzistente s’ke për të arritur kurrë kurrkund, do rrish këtu ku je për të vuajtur turpet më të padurueshme, vuajtjet më të tmerrshme, por do realizosh diçka të vyer, pangopjen e shqisave dhe shpirtit, do mbetesh gjithë kohën pezull, varur, rrjedhimisht kurrë s’ke për tu dekurajuar, zhgënjyer, brengosur, por a ja vlen ?

Shpejtësia tjetër, shpejtësia e dritës, të çon në çast gjithkund, por qefin e arratisjes, kuriozitetin e njohjes, pritjen, ankthin, nuk i prek dot. Pra edhe shpejtësua e dritës është një zgjidhje e mangët.

Zgjidh një shpejtësi të ndërmjetme që të shkon për shtat. Mes zeros dhe infinitit. Për shembull 40 kilometra në orë nga Gjinari te Gryka e Holtës, ose 35 kilometra në orë Krujë-Qaf Shtamë.

Mos u arratis si Kolombi vetëm mbi ujë, si Marko Polo vetëm mbi tokë, si kozmonautët vetëm nëpër Eter, se është monotone. Arratisjen kombinoje. Ditën, natën, në dritë, në errësirë, nën diell, nën qiell, nën breshër, mbështjellë me erë, lagur nga shi meteorësh që bien e fiken e ftohen, ndriçuar nga bishta kometash që ndritin e ikin, s’ka asnjë rëndësi, veç arratisu.

Nisu. Arratisu.

Më këmbë mbi prush të ndezur, me këpucë të shqyera mbi liqere të magjishëm shoqëruar nga zhaba dhe nosita, me biçikletë me rrota katrore në funde oqeanesh nëpër anije të mbytura piratësh me njërin sy të lidhur, me furgon mbi shkëmbinj të thepisur ku s’ngjitent dot as dhia, me tren pa shina mbi akullnaja polare, mbathur nëpër kalldrëme resh, zbathur nëpër qiej të zjarrtë, arratisu.

Kur s’mund të nisesh se je tepër vonë, kur s’ta ha mendja se është tepër larg, ku s’mund ta arrish sepse ndodhet tepër lart, prit muzgun, natën, gjumin, dhe arratisu në ëndërr.

Mos planifiko. Arratisja nuk planifikohet. Arratisja vendoset tani, këtu. Po planifikove, fill pas planifkimit arratisja perceptohet e kryer, e mbaruar, e shterrur, diell i fikur, zjarr i ftohtë, prush i fikur, hi’.

Hajdutat bëjnë Ligjin, hajvanët qeverisin, budallenjtë mbajnë fjalime, tradhëtarët mbahen për patriotë, grafomanët shkruajnë, qorrat pikturojnë, shurdhat dëgjojnë, edepsizët inciojnë reforma, s’ke shteg, s’ke shpëtim;

Arratisu.
Mos prit sa lotët të thahen dhe të mos mundesh të qash.
Mos e ler veten me të kalb mërzia.
Mos lejo të gërryej kanceri.
Mos u hallakat nëpër farmacira.
Mos e lodh kot Doktorin.
Ilaçi i të gjithave dihet, njihet, është arratia.
Arratisu.
Pak rëndësi ka nëse do arrish dikund apo kurrkund, do kënaqesh shumë apo pak. Rëndësi ka të nisesh të arratisesh. Po u lodhe, shplodhu. Po u rrëzove ngrihu. Po u plagose, duro. Po të doli gjak, mpikse. Po u sëmure, shërohu. Po gabove, lutju Zotit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *