OPINIONE

TREGTAR FLAMUJSH

Shkruan: Bujar Kule

Rrëfenja e Ernest Koliqit zë fill qetësisht. Monotone dhe e ngadaltë. Njësoj si ai tak–taku i orës së vonuar të qyteteve shqiptare, të cilat, në fillimin e shekullit të XX, nga moçali i ligështisë aziatike, u gjenden befas në zemër të Evropës.

Shkrimtari i ri Hilush Vilza që sapo ishte kthyer në atdhe mbasi kishte mbaruar studimet diku në Evropë, po shëtiste udhëve të qytetit ku kishte lindur dhe ishte rritur, Shkodrës…

Çdo ditë, kur gjatë ecejakeve nëpër rrugët e qytetit i qëllonte ti afrohej “dugajës” (shitores) të Gaspër Tragaçit, i pa dëshirë për tu takuar me tregtarin, Hilushi kujdesej të kthente udhë. Nuk kishte asnjë shkak të logjikshëm, borxhe apo hasmëri, përkundrazi, Gaspëri ishte mik i vjetër i shtëpisë së tij. Atëherë, cila ishte arsyeja e asaj ndjesie të errët dhe neverie të pashpjegueshme që e shtynte ti qëndronte larg Gaspër Tragaçit?

Mos ndoshta sepse tregtari, ndryshe nga ai, ja kishte kushtuar jetën grumbullimit të parasë?

Kultura, shkolla, aq më tepër shkrimet dhe poezitë, për tregtarin nuk kishin asnjë vlerë nëse nuk sillnin para dhe, Hilushi e dinte…
Në Shqipërinë e tij, ndryshe nga profesioni i tregtarit, arti i të shkruarit nuk i sillte para atij që e ushtronte por, veç punë, punë, “punë në këmbim të asgjësë”, siç do të thoshte duke qeshur me ironi Gaspër tregtari.

“Tani që e bëmë Shqipërinë, duhet të bëjmë shqiptarët”, përsëriste deri në mërzi bashkëqytetasi i tyre At Gjergj Fishta dhe, Hilushi, po aq mirë e dinte se, udha e vetme për të “bërë” shqiptarët, për të mbarsur në shpirtrat e tyre ndjesinë e të qenit pjesë e një kombi, dashurinë dhe respektin për historinë dhe kulturën e popullit që i kishte lindur, ishte shkrimi i historisë së tyre të mohuar dhe të harruar, lëvrimi i gjuhës shqipe që, edhe pse e gjallë, mbas pesë shekujsh dhune, përbuzjeje dhe përndjekje të ushtruar nga shteti kozmopolit otoman, tanimë rënkonte vuajtjet e vdekjes. Dhe… Për ti dhënë frymë dhe ringjallur gjuhën shqipe, duheshin shkruar poezi, romane, drama, komedi, duhej shkruar, shkruar, shkruar pa pushim.

Hëë…

Mjerisht, pikërisht ai, arti i të shkruarit, ilaçi i vetëm për të ringjallur gjuhën dhe kombin, në Shqipërinë e Gaspër Tragaçëve, në Shqipërinë e dallkaukëve që ëndërronin akoma mustaqet e baba sulltanit dhe urrenin deri në deje këdo që kishte luftuar me pushkë dhe penë për Shqipërinë e lirë, në Shqipërinë e levandinëve të rinj (siç i quante Konica) që, mbasi livandoseshin dhe kollariseshin allaeuropiançe, flisnin shatra patra, një fjalë shqip, dy frëngjisht dhe një italisht, duke ëndërruar që pushtetin e baba sulltanit ta këmbenin me atë të ndonjë baba sulltani nga Roma, Parisi apo Brukseli, vraponin ti lëpiheshin konsujve të huaj se mos kushedi, ndonjëri prej tyre, i prishej mendja dhe i blinte, që të shisnin Shqipërinë…

Në Shqipërinë e Tragaçëve, Dallkaukëve dhe Levandinëve, arti i të shkruarit, ilaçi për të shpëtuar kombin përbuzej nga të gjithë. Askush nuk e donte. Askush nuk paguante qoftë dhe një kothere bukë në këmbim të tij dhe, ata… Pak mjeranë që e përgatisnin këtë ilaç, që shkruanin e shkruanin, për të shpëtuar atë pak që kishte ngelur gjallë nga gjuha dhe historia e Shqipërisë, për të mbajtur në jetë, qoftë edhe një ditë më shumë, zemrën dhe shpirtin e kombit, lëngonin në përbuzje dhe varfëri njësoj si kombi dhe populli që kërkonin të shpëtonin.

Ja se përse Hilushi e mbante larg Gaspër Tragaçin dhe ndjente neveri nga prania e tij.

Por atë ditë nuk mundi ti shmangej. Gaspëri e kapi prej krahu dhe e shtyu brenda në shitore. I dha kafe dhe cigare. I rrahu shpatullat dhe e pyeti gjerë e gjatë për familjen. Dhe në fund… Gaspër Tragaçi e pyeti nëse vazhdonte të shkruante dhe, ndërsa Hilushi po mëdyshej ti përgjigjej, shtoi…

“Më kanë thënë se din me qitë edhe vjersha”

“Po ky, a mos po don me u tall me mua? Apo… Në emër të një urtësie kallpe, kujton se do t’më mësoj sesi ta rregulloj jetën dhe të gjej atë çfarë, sipas tij, është lumturia, duke më këshilluar të mos merrem më, me punë boshe nga të cilat nuk përfitoj asgjë. Me shkrime e vjersha që s’qesin asnjë dobi. E teproi, kësaj here s’po e la pa përgjigje!”, mendoi rrëmbimthi Hilushi.

Por përgjigja nuk i doli nga goja. Ndjehej i pafuqishëm. I mposhtur. I mundur. I shkelur me këmbë. Si? Çfarë arsyetimi mund të përdorte për të bindur Gaspër Tragaçin se shkrimet dhe poezitë, nuk ishin të pavlera, nuk ishin punë boshe, punë që s’qesin dobi, ti shpjegonte se shkrimet dhe poezitë ishin thesari më i madh që një komb mund të grumbullonte, esenca e magjishme që mbante gjallë shpirtin e kombit, ndërkohë, që gjendej i rrethuar nga pasuria e dukshme dhe e prekshme e Gaspër Tragaçit?

Përball shitoreve, karrocave me kuaj, vilave, tokave e gjithçka tjetër që zotëronte Gaspër Tragaçi, si mund të dëshmonte se, edhe puna që bënte ai, e kishte një vlerë dhe… Ajo vlerë…

Ishte e barazvlefshme me jetën e kombit!

“Gaspër Tragaçi ka të drejtë”, mendoi i vrarë në shpirt Hilushi, “Në Shqipërinë e matrapazëve, dallkaukëve dhe levandinëve, puna e tij vlente më pak se një kothere buke. Dhe… Ndoshta ka të drejtë, edhe kur t’më këshilloj të ndërroj udhë sa nuk është vonë…”,.
Por, për habinë e Hilushit, Gaspër Tragaçi, nuk e këshilloi të ndërronte udhë…
Përkundrazi i lëvdoi shkrimet dhe e këshilloi të shkruante sa më shumë.

“Veç nesh, e gjithë bota e duan vendin e vet. Gjindja e këtushme s’ndjen dashuri për atdheun. Por, nëse nuk ndjejnë, duhet me i ba me ndie me përdhuni. Dikur ndër shqiptar, kishte shumë shkrimtar të zot. Ata e bën Shqipnin. Prandaj, duhet që ju të rinjtë, të punoni më shumë. Të flisni dhe predikoni pa u lodhur. Të shkruani pa pushim. Sidomos djem si ty që janë të zotë në këtë punë. Nuk ka rrugë tjetër… Duhet me e mbajt gjallë kët Shqipni. Me i mbush mendjen të madhi e të vogëli, që ta përparojnë dhe begatojnë vendin e tyre”, i tha Gaspër Tragaçi.

Hilushin zuri ta vriste ndërgjegjja. Mos ndoshta ishte gabuar dhe e kishte gjykuar keq Gaspër Tragaçin kur kish menduar se, tek ai, nuk kishte as edhe një pikë të vetme dashurie për kombin? Se, qëllimi i vetëm i atij njeriu ishte veç paraja? Se… Për para, Gaspër Tragaçi ishte i gatshëm të shiste jo vetëm atdheun por edhe të ëmën? Nëse kishte gabuar, duhej ti kërkonte falje.

Ndërsa Hilushin po e torturonin kafshimet e ndërgjegjes, Gaspëri vazhdonte të fliste…
“Mbas luftës së madhe, kujtova se Shqipnija, do t’u makambte. Ti e din se mue, më mbushet mendja me zor. Sidomos në këso punësh. E tash, po druhem se jam gabue”.

“Nuk je gabuar aspak”, nxitoi ta mbështeste Hilushi. “Hapat e para janë të vështirë por shumë shpejt edhe ne, do të hyjmë në udhën e përparimit”.

“Ty të lumtë goja. Ishalla bahet si thue ti. Por unë druhem se kam ra brenda”.
“Ç’kërkon të thuash? Në ç’mënyrë ke rënë brenda?”, e pyeti i habitur Hilushi.
“Hajde e shif”, ia ktheu Gasperi dhe i bëri me shenjë që Hilushi ta ndiqte.
U futën të dy në depon e shitores dhe ecën një copë herë mes rafteve të mbushura me mallra. Në fund të depos gjendej një derë. Gasperi gjeti çelësin dhe e hapi. Hilushi u fut brenda dhe pa se, dhoma ishte e mbushur deri në maj me qindra kuti kartoni. Gasperi grisi njërën prej kutive dhe, me pamje të trishtuar, nxori që andej një flamur të kuq me shkabën e zezë dy krenare në mes…

Flamurin e Shqipërisë!

“E kupton tash përse të thash se, kam rënë brenda”, i tha Gasperi dhe pastaj shtoi, “mendova se tash që shqiptarët fituan lirinë dhe u bën shtet, s’do të rrinte kush pa e ble një flamur. Por s’blen kurrkush. Më kanë mbetë pa u shitë. Dhe më beso, çmimin, mjaft ja kam ul. Gjynah me mbet pa u shit ky far malli. Shif ç’copë të mirë që ka”, i tha Gasper Tragaçi dhe përkëdheli plot epsh pëlhurën e flamurit.

“Mos e prek me ato duar të ndyta!”, bërtiti befas Hilushi dhe ja rrëmbeu flamurin.
“Ç’pate? U çmende?”, bërbëliti Gaspëri i frikësuar.

“Bukur, besa, e paske mendue… Vuani urie ju shkrimtarë e poetë, por mos rrini pa shkruar e pa fol për atdheun se mua, s’po më shiten flamujt!”, tha Hilushi dhe…

Fundin e rrëfenjës së Ernest Koliqit nuk po e tregoj sepse, dëshiroj që vetë ta lexoni, por, ndërkohë, në këto ditë të mbushura me flamuj kuq e zi që valëviten qiejve, ju këshilloj të hidhni sytë rreth vetes dhe të shihni tregtarët e flamujve…

Letra higjienike, birra, fara kungulli, lule dielli, kompani telefonike, qumësht, dhallë dhe kos, të gjitha të mballosura me simbolin tonë kombëtar.

Shihni se si, nga ekranet e Tv-së, gjatë këtyre ditë të futbollit europian, në emër të dashurisë për kombin dhe simbolit kombëtar, bankierë dhe tregtarë të çdo lloji, që kurrë, kurrë nuk janë kujtuar të ndërtojnë një shkollë, muze apo bibliotekë, të financojnë krijimin e një gazete mbarëkombëtare apo qoftë të ndihin botimin e një libërthi të vetëm mbi historinë apo kulturën e popullit shqiptar, me qylaf në kokë dhe flamuj në duar, iu kërkojnë pa pushuar të firmosni kreditë tyre duke iu premtuar se, për hir të flamurit, do t’iu rrjepin lëkurën kaq apo aq përqind më pak.

Gazeta dhe Televizione, që gjatë gjithë vitit i hapin dyert kanat më kanat, levandinëve që propagandojnë ditë e natë, se, flamuri dhe himni kombëtar, janë paçavure, që sa nuk është vonë, duhet ti zëvendësojmë; flamurin me ndonjë pëlhurë të qëndisur me ngjyrat e dylberit dhe himnin, me ndonjë këngë dashurie për ata që na kanë vrarë e grabitur, coptuar e dhunuar por kurrë nuk na kanë kërkuar falje, tashmë, në emër të flamurit kuq e zi, ju kërkojnë, ju urdhërojnë të mos i hiqni sytë nga programet e tyre.

Politikanë; përpara mëkateve ndaj atdheut të të cilëve, Gaspër Tragaçi duket i pafajshëm sa edhe një engjëll, që të krekosur me fanellat dhe simbolet kombëtare, ju kërkojnë ti dashuroni, adhuroni dhe votoni…

Nëse, çdo shqiptar, të paktën një herë në jetën e tij, do të kishte lexuar rrëfenjën e Ernest Koliqit, nuk do të binte peng dhe as do të hipnotizohej nga kurthet e përditshme të tregtarëve modernë të flamujve.

Njësoj si Hilush Vilza i Ernest Koliqit, do të ngrinte kryet dhe do t’u thoshte…
MOS E PREKNI ATË FLAMUR TË SHENJTË O SHUSHUNJA TË BABËZITURA!
JU NUK JENI TË DENJË PËR TË!
JU NUK MERITONI TË QUHENI SHQIPTAR!

Por…
Për fatin e keq të Ernest Koliqit dhe të Shqipërisë, shqiptarët, lexojnë pak dhe harrojnë shumë…
Tiranë 17. 06. 2016.

P.S. Akoma nuk guxoni të ngrini krye kundër tregtarëve të flamujve edhe pse, aq shumë i neveritni dhe i përbuzni? Atëherë… Të paktën… Merrni guximin që këtë shkrim, për hir të flamurit, t’ia shpërndani miqve tuaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *