Balli Kombëtar Demokrat në qytetin e Shkupit
POLITIKA KOMBËTARE

Megalomania e VMRO-së dhe komunistët e BDI-së

Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është pronë e uzurpuar e megalomanisë së VMRO-së dhe komunistëve të BDI-së, sepse shtetin, institucionet, shoqërinë dhe sidomos shqiptarët, kjo strukturë mafioze e dalur nga skëterra e komunizmit i ka trajtuar në kontinuitet sipas direktivës ditore dhe interesave të shërbimeve sekrete ruso-serbe. Në vend se t’i kundërshtojnë dhe denoncojnë strukturat mafioze të pushtetit e të vihet në mbrojtje të të drejtave të popullit autokton shqiptar, nomenklatura e ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës është vënë në shërbim të plotë të planeve ruso-serbe.

Kriza e thellë identitare e pushtetmbajtësve sllavishtfolës të IRJM-së, ka prodhuar një shpërfaqje megalomane në qendër të kryeqytetit të ish-Vilajetit të Kosovës, Shkupit. Përpjekjet e pushtetmbajtësve të VMRO-së, që me çdo kusht të krijojnë kombin “maqedon” janë investime të dështuara, për arsyen e vetme se përgjigjen këtyre pretendimeve ua ka dhënë me kohë shkenca e historisë; pa e pyetur fare Gruevskin, vazalët e tij komunist të BDI-së dhe drejtuesit shtetëror të Rusisë e të Serbisë.

Tashmë, çdo i informuar e di se shtrembërimi i fakteve është detyrim profesional për historianët përfitues të ish-sistemit komunist. Megjithatë, sado që përkohësisht këto “vepra” të komunistëve arrijnë të manipulojnë turmat, ato, prapseprap mbeten shtrembërime të realitetit historik! Prandaj, është e kotë përpjekja e pushtetit shtetëror, që përmes ndërtimit të statujave dhe shtrembërimit të fakteve historike të anashkalohen sfidat reale të shtetit dhe shoqërisë, pavarësisht se mbështetjen këtij pushteti megaloman ia garanton nomenklatura staliniste e ish- Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Problemet e grumbulluara sociale dhe etnike në IRJM e kanë sjellur vendin buzë katastrofës. Shpërthimi i pakënaqësisë mund të sjellë një situatë të cilën nuk e menaxhojnë dot statujat e koalicionit VMRO-BDI-Rusi-Serbi, policia sekrete e shtetit apo marrëveshjet e partive tjera me shërbimet shtetërore të Rusisë, Serbisë, Greqisë dhe Turqisë.

Në portën e lartë të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, për dekada të tëra, ka trokitur natë e ditë forca policore dhe ligësija e qëllimeve të pushtetit sllavokomunist, e cila vazhdon të jetë po aq e shëmtuar sa edhe veprat e inskenuara të koalicionit VMRO-BDI dhe bartësve policor të këtij pushteti. Është koha, që shqiptarët në IRJM të vetëdijësohen dhe t’a kuptojnë, se ndëshkimi kolektiv i shqiptarëve nga ana e autoriteteve shtetërore për një vepër të pakryer, nënkupton aktin më të lartë armiqësor.

Shqiptarët janë autokton në IRJM. Se a i pëlqen ky fakt shkencor pushtetmbajtësve komunist të koalicioneve ose jo, kjo nuk ka fare rëndësi. Shqiptarët kanë të drejtë legjitime të pohojnë me zë të lartë: Maqedonija është e jona dhe Partia jonë, është Shqipëria!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *