OPINIONE

E majta, 25 vjet në simbiozë me trashëgiminë enveriste

Shkruan: Ilir Nikolla

Dy fenomene karakterizuan ditët e fundit të kronikës socialiste. Në Shkodër Ditmir Bushati, i biri i Sulejmanit të PPSH-së, iu lavdërua qytetarëve se sa shumë ishte rinovuar PSSH-ja në këto 8 vjet që e drejton i biri i Kristaqit, ndërkohë që në Berat, Pandeli Majko s’duroi dot pa kujtuar se në këtë qark, aty ku “këshillat komuniste” e kishin marrë pushtetin qysh më 1942-in, partia e sotme e të birit të Kristaqit kishte zemrën e saj politike.

Në këtë 25 vjetor, Partia Socialiste shfaqet si dështimi më i madh i shoqërisë së tranzicionit. E paaftë për t’u shkëputur nga trashëgimia e saj diktatoriale, pa asnjë ndjesë sado formale për përgjegjësinë që ka në 50 vite diktaturë dhe rendje drejt Azisë, të majtët shqiptarë iu nënshtruan vetëm operacioneve kozmetike, bënë sikur pranuan reformat e një tregu të lirë, por synimin kryesor, atë të thesit elektoral, e kërkuan gjithmonë tek segmentet komuniste, shtresat e privilegjuara të së shkuarës dhe me kalimin e kohës edhe tek brezat e dytë të nomenklaturës. Edhe ato kontribute që e majta ka dhënë në rrugën drejt integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, janë kontribute individuale, të disa eksponentëve të PS-së, të rinj në moshë e pa ndonjë lidhje detyruese me të shkuarën enveriste. Fatkeqësisht kontributet individuale detyrimisht duhet të njihen veç si të tilla (kontributet e Metës e të Majkos për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO p.sh), dhe s’mund të shërbejnë si kuaj betejë në bilancin 25 vjeçar të Partisë Socialiste.

Për këtë bilanc shërben më mirë analiza e byrosë së re politike të partisë, e cila është e mbushur dingas me pasardhës të nomenklaturës, bile asaj më të lartës, djem të anëtarëve të Komitetit Qendror, e jo veç pinjoj të burokratëve enveristë nëpër rrethe. 25 vjet pas rrëzimit të diktaturës, kjo parti është në ballë të lëvizjes për revizionimin e historisë dhe “njohjen e kontributeve” që ka diktatori Enver Hoxha. Simbolet e diktaturës po rishfaqen kudo e këtë herë restaurimi i diktaturës po na shitet si atraksion turistik. Raportet e specializuara ndërkombëtare flasin për një arratisje nga Shqipëria të bizneseve amerikane e perëndimore në përgjithësi dhe riardhjen këtu të firmave shtetërore kineze apo të disa firmave ruse që paraqiten me emra kallpe të firmave të panjohura.

Simbioza e së majtës me enverizmin gjatë këtyre 25 viteve është shitur në publik si një problem e interes elektoral, për të ndaluar “ardhjen në pushtet” të Sali Berishës apo largimin e tij nga pushteti, por tashmë po kalojmë në një fazë të re. S’është më një simbiozë interesi, jemi në një fazë unifikimi. Pazarit me votat enveriste i është shtuar burimi filozofik i “luftës” (dmth marksizmi), i shitur si globalizëm, ekologjizëm, anarkizëm a internacionalizëm, i është shfaqur publikisht ambicia për restaurim dhe PSSH-ja po udhëheq aradhën e militantëve që kërkojnë shndërrimin e qeverimit në një regjim. Kjo fazë e dytë e simbiozës është fort e rrezikshme, prandaj edhe laksizmi që përdorim rëndom se socialistët janë të tjerë, por e përdorin enverizmin e tyre sa për interes e modë, është krejt i pavend. Syleshësinë e kemi parë më herët ku na ka çuar, prandaj ky 25 vjetor i PSSH-së kërkon një vëmendje të posaçme, që nesër disa “gjykata popullore” të mos vendosin të dënojnë me burg “një grup deputetësh armiqësorë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *