HISTORIA

Gjashtëdhetvjetorë i coptimit – Nandor 1973

Raport i Sekretarit të Përgjithshëm Profesor Luan Gashi

Zonja dhe zotni, asht e para herë qi po mblidhet nji Kongres Botnor i Kosovarëve. Na kanë nderue dhe kanë ardhë n’Kongresin tonë antarë dhe miq nga të gjitha anët e botës. Ata qi nuk kanë mundun të vinë, na kanë dhanë zemër, na kanë urue. Porse, urimi ma i madh i asht ba Kosovës Shqiptare, atyne kosovarëve qi qindrojnë në tokë të tyne, qi nuk e braktisin vendin e tyne nëpër shumë mundime dhe vështirësi.

Janë mbushë këte vjet 60 mote qysh se e ndanë, e cunguen Kosovën nga trupi i Shqypnisë së pambrojtje! Kur themi “Kosovën”, kuptojmë mbarë tokat e mbetuna ndën Jugosllavi. Ky dhé, ky Mamëdhé, nuk asht nji ishull në Jugosllavinë e krijueme me copa kombesh, por asht vazhdimi i Shqypnisë, asht vazhdimi i Kombit Shqiptar, i cili nuk i ka rrëmbye kuj asnji pëllambë tokë, por asht coptue vetë në Kongresin grabitqar t’Berlinit, së pari, në Konferencën e padrejtë të Londrës, ma vonë!

E themi me zemër t’plasun se më 1913 nuk duel nji “Lidhje Prizreni” për t’i tregue botës vullnetin dhe qindresën e nevojshme. Për fat të keq, kombi ynë, i ndamë nën pushtime ushtarakë të ndryshëm, pësoi tragjedinë, pa mundë me ba luftën ma të madhe për shpëtimin e Kosovës dhe të Çamërisë!

Jo vetëm kaq, por qeveritë qi parakaluen në skenën e Shqypnisë politike, nuk qenë në gjendje të bajshin ndonji veprim t’organizuem për mbrojtjen e vendeve t’grabituna.

I ra barra Ballit Kombëtar, i cili u krijue menjiherë mbas pushtimit fashist të 7 prillit 1939, nga i biri i Abdyl Frashërit, Mid’hat Frashëri, me naltsue mbi çati të qindresës Flamurin e Shqypnisë Etnike. E dinë të gjithë, miq dhe anmiq, ata qi panë dhe ata qi s’deshën me pa, me sa shpirt, me sa vrull, me sa flijim e mbrojti Balli Kombëtar tanësinë kombëtare. Jo vetëm qi u shtri n’Kosovë, tue shkundë dhe tue zgjue botën për provën e madhe, jo vetëm qi dërgoi ushtrinë e rinisë së tij në luftën kundër çetave të gjeneralit Mihajloviç, si dhe kundër komunistave serb, por tronditi botën me gjendjen e Kosovës, me të drejtat e Kosovës.

Mjafton me shënue nji fakt t’padijtun se Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqypnija e Lirë”, Mid’hat Frashëri, më 1049, prishi në Londër nji konferencë shtypi me randësi, kur u këshillue të mos përmendej çashtja e Kosovës. Komiteti Kombëtar Demokrat “Shqypnija e Lirë”, qi drejton sot Profesor Abas Ermenji ndjek po ato gjurmë. Në çdo mynxyrë, në çdo persekutim ka çue zanin kundër shtypjes, vrasjeve dhe diskriminimit në Kosovë.

Çdo antarë Qendrori, çdo antar Balli ka dhanë provën, përpjekjen dhe mjetet për me e ba çashtjen e Kosovës, çashtjen e parë të përpjekjes kombëtare. Për këte, sot u falemi nderës të gjithëve.

Partija komuniste

Fajin kryesor të mbetjes së Kosovës nën Jugosllavinë e Titos e ka partija komuniste e Shqypnisë. Kur në mbledhjen e Mukjes u zbuluen qëllimet e kësaj partije qi urdhnohej nga Dushani, nga Milladini, nga Vukmanoviq-Tempo dhe të tjerë, nuk mbeti ma dyshim se vetëm Balli Kombëtar po qindronte në istikamin kombëtar. Kjo luftë ideshë nuk vonoj dhe u hap në nji luftë civile qi zgjati ma se nji vjet.

Atëherë ishte shovinizëm për shqyptarët me e mbajtë a me e kërkue Kosovën, kurse ishte patriotizëm vetëm për serb, e deri edhe për komunistat e Jugosllavisë mos me e lëshue Kosovën! Ka ngelë nji njollë e zezë dhe pashlyeshme në histori fakti qi, brigada të komunistëve shqyptar me shajkaqa shkijesh e hyllë në ballë, erdhën dhe nënshtruen çetat tona kryengritëse n’Kosovë, për me ja dorëzue pa mundime Mareshalit t’Beligradit tokën e braktisun nga regjimi puçist i komunistëve të Tiranës! Jo vetëm kaq, po në këte tokë t’martirizueme u pushkatuen me dheta mija djelmosha shqyptarë, ndër ta edhe Kolonel Fuat Dibra dhe sa e sa oficerë të akademisë, qi kishin të vetmin faj se dojshin me e bashkue Kosovën me Shqypninë!

Lidhja Kosovare

Në këto kushte dëshpërimi lindi LIDHJA KOSOVARE. Ata qi u mblodhën dhe e përbanë masandej në mërgim, ishin grumbujt djalosharë të nji qindrese heroike. Nji qindresë qi vazhdoj në Kosovën e pushtueme përsëri nga anmiku dhe i dha Dëshmorët, nga të cilët kujtojmë Ymer Berishën dhe Haki Tahën me shokë.

Lidhja kosovare e rilindun e nisi punën kur mbi 50 000 të vramë nga regjimi i Beligradit kërkojshin nji za në mërgim, kërkojshin nji dorë vllau në shtrëngatën e gjakut të pashterrun!

Menjiherë, me ndihmën e çmueshme të Ballit Kombëtar dhe të Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqypnija e Lirë”, kërkuem të kapemi me nji organizatë ndërkombëtare qi merrej me çashtjet e pakicave etnike të Evropës. Në fund të vjetit 1956, Lidhja Kosovare u pranue në Federatën e Komuniteteve Etnike Evropiane. Aty tregoi gjendjen tragjike të gjithë nji populli dhe parashtroi me energji aspiratat e gjysmës së kombit shqyptar. Kauza e drejtë, guximi dhe veprimtarija e jonë arrijtën në atë shkallë konsiderimi, sa qi në Kongresin qi bani në Aosta kjo Federatë, të gjithë sytë e qindra kongresistëve u drejtuen kah Lidhja Kosovare! Ishte pesëdhetvjetori i robnisë së Kosovës. Me propozimin tonë, për të parën herë në historinë e mërgimit, ju dërguen protesta të gjitha Ministrive të Punëve të Jashtme të botës, Kombeve të Bashkueme, Lidhjes Evropiane dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare. Përshtypja qe aq e madhe sa qi Ministri i Arsimit i Aostës, gjatë darkës madhështore në Saint Vincent tha: se vetëm kosovarët u paraqitën të fortë dhe të vendosun, me shpresë për nji ardhmëni ma të drejtë.

Lidhja Kosovare, qoftë edhe me gjithfarë vështirësishë, ka muejtë me u përhapë në mërgim dhe me depërtue edhe në Kosovë. Nuk po shtyhem gjatë me shifra dhe emna, tue dijtë se shumë prej nesh kanë familjet dhe njerëzit e tyne në Kosovë. E dimë të gjithë se tre kosovarë qi patën guximin dhe muerën pjesë në Kongresin e Komuniteteve Etnik Evropian në Suedi, dy vjet ma parë u kapën dhe u burgosën porsa u kthyen në vendet e tyne.

Botimet tona, Kosova – Djepi i Shqyptarizmit dhe Përpjekja Kosovare, janë përhapë në mërgim dhe në Kosovë mbrenda me shumicë, për me i dhanë dorë dhe kuptim, punës dhe luftës sonë.

Gjendja në Kosovë

Nuk po zgjatem me përshkrue gjendjen në Kosovë, këtë gjendje, të cilën e kemi ndjekë me kujdes të madh. Disa prej kongresistëve këtu, mund të na rrëfejnë ma shumë. Këtu theksojme se ndamja e tokave shqyptare nën tri republika të ndryshme ka qenë nji coptim i bamun me qëllim. Qysh në fillim, regjimi komunist i Beligradit pat mendue keq me e nda elementin shqyptar në tri pjesë, për me pengue çdo përpjekje unisimi të këtij elementi si bashkësi kulturore dhe etnike. Me shpalljen e krahinüës së ashtuquejtun Autonome të Kosovës, Beligradi vazhdon të mos përfilli ose t’a përçajë edhe ma tepër kompaktësinë shqyptare. Po ta nderonte regjimi i Titos këtë kombësi, e pakta gja qi do të bante, do t’ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve nën Jugosllavinë në nji administratë të vetme dhe njohja e të drejtave politike dhe kulturore të tyne me shqipen si gjuhë administrate. Porse Beligradi, qi ç’faqet kundër kolonializmit në kontinente të tjerë, mbrenda në Jugosllavi ushtron imperializmin e tij kolonial kundrejt shqyptarëve. Por, kjo gjendje nuk ka me qindrue gjatë. Ajo do të shkatrrohet para vrullit të vetvendosjes së popujve.

Ndoshta asht paksue disi presioni ne Kosovë qi detyroi emigrimin në Turqi të qinda mijera shqyptarëve. Ndoshta njifarë marrje frymë ndihet në Prishtinë dhe për rreth. Ndoshta edhe bashkpunëtorët e regjimit janë tue mendue për kohët e qi mund të vinë dhe qi do të vinë. Për këte arsye duhet ta mbledhim mendjen për mbrojtjen e tanësisë së popullit shqyptar, për mbrojtjen e të drejtave politike, kulturore dhe etnike të tyne. Nuk janë emigrimet në Turqi ose Amerikë ato qi mund t’a shpëtojnë atë popull. Përkundrazi, këto emigrime, tue e rrallue dhe tue e dobësue grumbullin shqyptar qi mbetet në Jugosllavi, mund t’a dënojnë atë popull me robni t’përhershme. Shqyptarët në Jugosllavi nuk duhet t’a lëshojnë truellin e tyne. Duhet të qindrojnë aty ku janë, të punojnë atje ku janë, të luftojnë atje ku janë, për me mbrojtë lirinë, gjuhën, kombësinë dhe të drejtat e tyne.

Më 1913 nuk kem të bamë gati shpirtnisht për me ndalue coptimin. Në vjetët qi kanë me ardhë duhet të jemi gati, mbrenda dhe jashtë Kosovës, për me e ndreqë padrejtësinë e kryeme 60 vjet ma parë!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *