OPINIONE

Ne budallenjt

Shkruan: Edison YPI

Ne budallenjt kemi bindjen se toka rrotullohet rreth diellit, ju të squtët thoni të kundërtën. Keni të drejtë ju që u besoni më tepër syve se librave, dhe jo ne budallenjt që u besojmë më tepër librave se syve, që j’u dalçin.
Ne budallenjt në takim me ju inteligjentët vijmë gjithmonë disa minuta para. Ju qerratenjt në takim me ne budallenjt vini gjithmonë me vonesë. Ky problem me budallenj gjithmonë korrektë dhe të squtë gjithmonë të vonuar, si problem i përbotshëm dhe i përjetshëm që kurrë s’ka për tu zgjidhur, nuk na mërzit, përkundrazi, na jep zemër që, si budallenj që jemi, të vazhdojmë t’ju presim të vini për të bërë atë që ju të squtët e keni më për zemër, një vërrë në ajër.

Ne budallenjtë themi atë që mendojmë dhe besojmë atë që na thoni. Ju skilet tjetër mendoni, tjetër thoni, dhe atë që ne budallenjt j’u themi nuk e besoni. Për këtë meritoni me ua nxjerr syt me pirunat e sallatës së inteligjencës tuaj dhe budallallëkut tonë.

Ne budallenjt kemi bindjen se Laçi është më afër se Lezha. Ju thoni se Lezha është më afër se Laçi. Meqënse ne nisemi nga Tirana, ju niseni nga Shkodra, habia është e jona, e drejta është e juaja. Vazhdoni të dredhoni, veç aman, ngado që të niseni, mos na thoni se Turqia është më afër se Italia.

Ne budallenjtë e dimë se media që bën vetëm propagandë, partisë që e ysht, jo vetëm nuk i shton asnjë, por i rrezikon edhe ata që ka. Mirpo, përderisa këtë e themi ne budallenjt, ju me të drejtë nuk e besoni. Vazhdoni të mos besoni, por mos u ankoni kur të humbni.

Ne budallenjtë kemi bindjen e patundur se biznesmenët, ata që mbajnë në këmbë ekonominë dhe nuk na lënë të ngordhim, janë shtyllat e Kombit, janë ata që duhen favorizuar, ndihmuar, ruajtur si sytë e ballit, ndërsa proletarët janë turma që duhet ta gjejë vetë mënyrën për të mbijetuar. Mund të vazhdoni të mendoni si të doni, por mos u habisni kur proletarët, sipas përvojës së bollshme të kurvit, pasi të na kenë vënë pas muri të gjithëve, të zbresin në shesh të xhvasin gjithçka pa bërë asgjë.

Ne budallenjt e kemi të qartë se analistat televizivë të së enjtes mbrëma nuk janë asgjë tjetër përpos pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut, muret rrethues, bedenat, kazanat e ziftit, katapultat e kështjellës së politikës që bëjnë çmos ta bëjnë atë kështjellë të pamposhtur. Ju këtë bëni sikur nuk e kuptoni. J’u raftë pika. Juve dhe atyre.

Ne budallenjtë përdorim nja treqint fjalë kur flasim dhe nja dy mijë kur shkruajmë. Ju as flisni as shkruani. Nuk është problem. Derisa të mësoni ca fjalë ju të squtët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallenjtë.
Ne budallenjt që nuk kemi asgjë, nuk prodhojmë asgjë, nuk fitojmë asgjë, dhe rrjedhimisht s’kemi çfarë fature tarimore të japim, faturën tatimore që na jepet për çikërrimat që blejmë, gjithmonë e marrim. Ju që keni gjithçka, faturë tatimore as nuk merrni as nuk e jepni. Zoti ju ruajt.

Ne budallenjtë nuk vjedhim. Ju vidhni. As kësaj s’kemi ç’i bëjmë. Po të vidhnim ne, budallenj do ishit ju.
Ne budallenjtë lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallenjtë ca super budallenj që poezitë i dinë përmendësh. Kjo tablo nuk është aq dramatike sa duket. Poezitë më të bukura për ne janë ato që flasin për dallimin kolosal mes jush dhe nesh. Kurrë mos u prishtë kjo magji.

Ne budallenjtë u bëjmë femrave komplimente, pra fillimisht u vijmë rrotull e rrotull, dhe goditjen e bëjmë të plotë. Ju të plotë bëni fillimin e heshtur, goditjes i vini rrotull e rrotull.

Ne budallenjtë nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Mirë bëni që ikni. Veç një gjë duhet të dini; Nëse do vazhdoni të ikni, vjen shpejt një ditë kur ne budallenjt që tashpërtash jemi pakcë, do bëhemi shumicë. Kur të ndodhi kjo, meqënse shumicë budallaqe s’ka, të squtë do bëhemi ne budallenjt që rrimë, ndërsa budallenj do bëheni ju të squtët që do mbeteni.

Ne budallenjt e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, të gjitha janë të inteligjentëve, por bota është e budallenjve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *