OPINIONE

Hapi i parë, që duhet përshëndetur…

Shkruan: Arbër Gashi

Si asnjëherë më parë, Jakup Krasniqi më në fund foli shqip! Foli, ashtu siç është dashur të fliste edhe në të kaluarën… Ashtu siç është dashur të analizonte dhe reflektonte me kohë. Por, mos të harrojmë se, një fjalë popullore thotë: “Më mirë vonë, se kurrë…”. Prandaj, Fjala e Jakup Krasniqit, urojmë të mos mbetet vetëm fjalë e shkruar, por të bëhet edhe udhërrëfim për analizë e reflektim më të thellë, së pari për vet Jakup Krasniqin, e mëpastaj edhe për partinë e tij, Nisma për Kosovën.

Lufta për çlirimin e Kosovës nga kthetrat gjenocidale të pushtuesit serbomadh, ka qenë e rëndë dhe me sfida të shumta. Ajo, përpos heronjëve që e stolisin panteonin e pavarësisë dhe krenarisë sonë, në sipërfaqen e politikbërjes shqiptare të Kosovës nxori edhe defekte të shumta ideologjike, politike e fetare, të cilat, për vite e dekada të tëra u bënë pengesë e madhe drejt realizimit të synimeve tona kombëtare. Shpeshherë, protagonistët e kësaj lufte, ndoshta edhe pa dëshirën e tyre, e kanë parë veten në taborrin e gabuar. Disa prej tyre kanë rënë viktimë. Disa të tjerë kanë mbijetuar. Të paktë janë ata që reflektuan me kohë.

Jakup Krasniqi, nuk është as i pari, e as nuk do të jetë shqiptari i fundit, i cili, në një moment të caktuar reflekton dhe analizon drejt. Andaj, detyra jonë është të përshëndesim hapat e tillë dhe të lutemi që, ky reflektim momental e autokritik i Jakup Krasniqit të mos jetë bërë vetëm për interesa të pushtetit dhe të Partisë, por të shërbejë si pikënisje drejt një analize më gjithpërfshirëse dhe më përmbajtësore, si në aspektin profesional, poashtu edhe në veprimtarinë e tij të ardhshme politike.

Jakup Krasniqi është Profesor i Historisë. Si i tillë, ky titull e obligon Jakup Krasniqin të reflektoj edhe në aspektin profesional, dhe atë, jo vetëm për faktin se ne ia kërkojmë një gjë të tillë, por për shkak se ai vet, si asnjëherë më parë, tash e ka rastin e volitshëm të thellohet në hulumtim e analizë edhe mbi bazën e përvojës personale, e cila ia mundëson të dokumentoj në mënyrë autentike faktin, se historinë nuk e shkruajnë vetëm “fitimtarët” e rastit, por puna dhe dokumentet shkencore, të cilat, jo rrallë në të kaluarën, vet Jakup Krasniqi nuk i ka marrë në konsideratë sa duhet, duke e dëmtuar kështu rëndë imazhin e Historianit dhe titullin Profesor. Për rrjedhojë, reflektimi dhe analiza përmbajtësore e Jakup Krasniqit në aspektin profesional, duhet të jetë domosdoshmërisht edhe më e plotë. Në këtë drejtim, Jakup Krasniqin mund t’a ndihmojnë edhe këshillat e poshtëshënuara:

  • Historia ripërsëritet për ata që nuk i nxjerrin mësimet e duhura prej saj. Prandaj, nëse i anashkalojmë dhe nuk posedojmë aftësi t’i njohim ngjashmëritë midis situatave shoqërore, në politikë mund të na ndodhin gabimet më të mëdha, të cilat më vonë i paguajmë shumë shtrenjtë.
  • Vetëm ata që janë hipokrit të lindur, rreshtohen sipas peshores që e “imponon” interesi personal dhe politika ditore.
  • Ata që luftojnë kundër robërisë, i vret pushka e tradhtisë.
  • Ta njohësh të kaluarën, dmth të kesh studiuar dhe trajtuar faktet shkencore në mënyrë objektive.
  • Nuk mund të mbrohesh nga të tjerët, duke e vrarë vehten me injorancë.
  • Në rrethana të caktuara historike dhe shoqërore, rolin e heronjëve e luajnë edhe budallenjtë.
  • Shqiptarët si komb, nuk kanë nevojë për politikan që janë pjesë e problemeve, por për politikan që posedojnë aftësi të identifikojnë problemet e shoqërisë dhe të cilët përpiqen me sinqeritet të gjejnë zgjidhje dobiprurëse për to.

One thought on “Hapi i parë, që duhet përshëndetur…”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *