HISTORIA

SI E ORGANIZUAN JUGOSLLAVËT KONGRESIN E PËRMETIT

Shkruar nga Kastriot Dervishi

I ashtuquajturi kongres i Përmetit, si pikënisje e pushtetit komunist që u vendos në Shqipëri në vitin 1944, është ndër “krenaritë” më të përmendura të klasës politike që drejtoi vendin për 50 vjet, dhe të pinjollëve të tyre që janë në pushtet. Jo më kot stema e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë kishte të qëndisur në mes të saj, datën “24 maj 1944”, ashtu sikurse jugosllavët kishin “29 nëntorin 1943”.

Sigurisht që i ashtuquajturi kongres i Përmetit ka vendin e tij në historinë e Shqipërisë, ashtu siç kanë vend në këtë histori edhe plot ngjarje apo histori negative e regresive të gjeneruara në një kohë të turbullt kur jugosllavët bënin ligjin këtu në mënyrën më të pabesushme. Është e kuptueshme që përderisa emisarët jugosllavë ishin promotorë të ngjarjeve të hidhura në Shqipëri, edhe i ashtuquajturi kongres i Përmetit të ishte totalisht i fantazuar dhe i kontrolluar prej tyre. Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Bllazho Jovanoviç (i dërguar i PKJ-së në Konferencën e Labinotit 4 – 9 shtator 1943), Svetozar Vukmanoviç (Tempo), Velimir Stojniç, apo Nijaz Dizdareviç ishin emisarë që nuk erdhën për shëtitje në Shqipëri, por për të përzgjedhur dhe për të kontrolluar elementët që do të viheshin në pushtet në Shqipërinë komuniste. Kjo për faktin se forcat gjermane, duke mos qenë ushtri pushtuese në Shqipëri po tërhiqeshin vazhdimisht në drejtim të Gjermanisë. Në këtë situatë, jugosllavët organizuan dy mbledhje të Këshillit Nacional Çlirimtar siç kishin mbajtur më parë në Jugosllavi.

Çfarë ishin dy mbledhjet e AVNOJ-it dhe ç’përfaqësonin ato

Jugosllavia ka qenë gjithnjë një krijesë artificiale e formësuar për të plotësuar skemat e caktuara të pëlqyera nga shtete të tilla si Rusia dhe Franca, të cilat kanë qenë vazhdimisht ushqyes të idesë në lidhje me domosdoshmërinë e ekzistencës së këtij shteti për interesa të tyre.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, bota e dalë nga sistemi i Versajës ishte e favorshme për forcimin e interesave sllave në gadishullin e ballkanit. Më 1 dhjetor 1918 në Beograd u shpall formimi i Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene me mbret Aleksandrin dhe më 28 qershor 1919 u miratua edhe kushtetuta e këtij shteti. Si shtet artificial që ishte, mbretëria në fjalë, nuk mund të shmangte dot rivalitetet e paevitueshme serbokroate, të cilat kulmuan më 20 qershor 1928 me vrasjen nga serbët të liderit kroat Stepan Radiç. Pas kësaj ngjarje, mbreti Aleksandër shpërndau parlamentin dhe e quajti shtetin e tij më 6 janar 1929 me emrin e ri “Jugosllavi”.

Ky shtet pushoi së ekzistuari si shtet më 6 prill 1941 pas hyrjes së trupave gjermane dhe italiane dhe brenda 24 orëve kapitulloi. Pikërisht në kohën e luftës, do të formësohej ajo që do të ishte Jugosllavia e tretë dhe njëkohësisht e fundit.

Në qendër të lëvizjes për Jugosllavinë e tretë do të vihej Josip Brozi i njohur me pseudominim “Tito”. I lindur më 25 maj 1892 në një familje të varfër fshatare në Kumrec të Kroacisë, Tito do të mobilizohej në ushtrinë austro ‑ hungareze gjatë Luftës së Parë Botëre, kohë kur do të zihej rob në Rusi. Në këtë kohë ai kishte përqafuar idetë bolshevike dhe u anëtarësua në radhet e Partisë Komuniste Jugosllave, duke kryer gjithashtu disa kurse në Bashkimin Sovjetik. Ai shumë shpejt do të vihej në krye të partizanëve jugosllavë dhe do të ngrinte Jugosllavinë e tretë.

Për këtë qëllim më 26 nëntor 1942 ai organizoi në Bihaç të Bosnjes, Mbledhjen e Parë të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar (AVNOJ), si dhe vendosi krijimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Këtu u parashikua për herë të parë se si do të ishte Jugosllavia e tretë.

Mbledhja e Dytë e AVNOJ-it u zhvillua në kushtet e reja të lindura nga kapitullimi i Italisë. Ajo u mbajt në Jajce të Bosnjes më 29 nëntor 1943. Në këtë mbledhje Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar e quajti veten të vetmin pushtet legjislativ në Jugosllavi dhe deklaroi numurin 67 të “deputetëve”. Në krye të këtij organi vepronte një këshill që drejtohej nga Ivan Ribar. AVNOJ-i zgjodhi Komitetin Nacional Çlirimtar në rolin e një qeverie në krye të të cilit u vu Tito. Këtij iu dha grada e mareshallit dhe filloi të popullarizohej në maksimum figura panballkanike e tij.

Kjo mbledhje vendosi gjithashtu edhe formën federative të Jugosllavisë së ardhshme, si dhe i ndaloi mbretit Pjetër Karagjorgjeviç rikthimin në atdhe.

Pse u mbajt kongresi i Përmetit në ditëlindjen e mareshallit Tito

Sikurse e thamë më lart mareshalli Tito ka lindur më 25 maj 1892. Për ta pasur kongresin brenda kësaj date, me shtytjen e emisarëve jugosllavë dhe për t’i bërë qejfin mareshallit, i ashtuquajturi kongres i Përmeti u mbajt pikërisht në këtë kohë në data 24 – 28 maj 1944. Emisarët jugosllavë ishin të interesuar për mbarëvajtjen e kongresit pasi me këtë do t’i këputej rruga e drejtë shteti shqiptar dhe do të krijoheshin bazat për një shtet vasal ndaj Jugosllavisë pa ndonjë kosto të madhe. Në momentin e përshtatshëm, këtij shteti do të mund t’i hiqej edhe ajo pavarësi e vogël formale dhe një bashkim faktik me Jugosllavinë nuk do të kërkonte asnjë përpjekje serioze.

Si një ushtar i bindur që ishte, Enver Hoxha e lajmëronte Dushan Mugoshën me anë të një letre në lidhje me “zgjedhjen” e delegatëve që do të vinin në Përmet në këtë mënyrë:

“Zgjedhjet për kongres po bëhen me sukses në zonat e lira ku kam frikë se do na vinë shumë pak nga zonat e okupuara. Do të lajmërojmë për zhvillimin e gjërave..”.

Në një letër që Nexhmije Hoxha i dërgonte (po në të njejtën datë me Enverin) më 7 maj 1944 Dushan Mugoshës, shkruante:

“Dushan, thuaju shokëve jugosllavë se shokët shqiptarë ndjekim me besim hapin e tyre dhe kërkojnë të bëjnë çmos që të ndjekin dhe shembullin e tyre heroik. Thuaju që gjithë populli shqiptar ndjen për popujt e Jugosllavisë një dashuri të madhe. Të gjithëve të fala shoqërore…”.

E gjithë mënyra e përzgjedhjes së “delegatëve” ishte një procedurë më tepër se qesharake. Sipas mënyrës që dinin vetë në “kongres” u zgjodhën njerëz që s’e kishin idenë se për çfarë po mblidheshin.

Pse janë të ngjashme vendimet e kongresit të Përmetit me AVNOJ-in 2

Ngritja e një pushteti paralel përkrah atij legjitim, ishte një nga mjetet e përdoruara nga emisarët jugosllavë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Vendimet që u quajtën si “të kongresit të Përmeti”, ishin të njejta me ato të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it. Për më tepër vetë emërtesat e mbajtura nga organizmat partizane ishin thjeshtë jugosllave. Kështu kemi emërtesat “Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar”, “Komitetin” dhe “Kryesinë” e këtij Këshilli. Në vend të Titos kemi Enver Hoxhën dhe në vend të Ivan Ribarit kemi Omer Nishani.

Vini re disa nga vendimet e kongresit të Përmetit si më poshtë:

“Kongresi i I Antifashist Nacional Çlirimtar zgjodhi Këshillin Antifashist Nacional Çlirimtar si trupin kryesor legjislativ dhe ekzekutiv që përfaqëson sovranitetin e popullit dhe të shtetit shqiptar. Kongresi i jep të drejtë Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar që të formojë komitetin… me të gjitha atributet e një qeverie të përkohshme popullore, me anën e të cilit Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar realizon funksionin e tij ekzekutiv.”

II

I ndalohet Zogut hyrja në Shqipëri, meqenëse çështja e regjimit do të vendoset nga populli me vullnetin e tij pas çlirimit të të gjithë vendit.

III

Të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohet brenda ose jashtë Shqipërisë kundër vullnetit të lirë të popullit shqiptar, të cilin e përfaqëson vetëm Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar.

…..

V

Të vazhdohet edhe më e rreptë lufta e filluar prej popullit shqiptar kundër të gjithë tradhëtarëve të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge të Tiranës, Ballit Kombëtar, Legalitetit, etj, dhe kundër çdo klike tjetër reaksionare që eventualisht mund të paraqitet më vonë, gjer në shkatërrimin e plotë të tyre dhe në vendosjen e Shqipërisë së lirë dhe demokratike.

….”.

Kongresi i Përmetit ashtu si në Jugosllavi zgjodhi Këshilli Nacional Çlirimtar (trupi legjislativ). Kryesia e këtij Këshilli ishte në rolin e një presidence dhe kishte në krye Omer Nishanin e sekretar Koço Tashkon. Nënkryetarë të këtij organi ishin Koçi Xoxe, Hasan Pulo dhe Baba Faja Martaneshi. Komiteti i KANÇ‑it që kishte rolin e një qeverie të pashpallur u kryesua nga Enver Hoxha dhe u quajt “qeveri demokratike” më 23 tetor 1944.

Gjithashtu kongresi, nën shembullin e mbledhjes së Jajces vuri gradat për “ushtarakët” e vet si dhe ndaloi hyrjen e familjes mbretërore Zogu në Shqipëri, ashtu siç ishte vepruar në Jugosllavi me dinastinë e Karagjorgjeviçëve. Kongresi u shpreh gjithashtu se ishte në favor të një modeli konfederativ ballkanik, vendosur kjo sipas kërkesës jugosllave. Kjo gjë bëhej sipas skemave jugosllave duke ëndërruar dhe dëshiruar Titon si shef të Ballkanit konfederativ.

Po ashtu u deklarua se nuk do të njihej asnjë marrëveshje që kishte lidhur pushteti i mëparshëm me shtete të tjera, duke shpallur praktikisht kështu krijimin e një shteti të ri.

Çfarë ishte federatizmi ballkanik që u programua në Përmet

Deklarata e Kongresit të Parë Antifashist Nacional Çlirimtar është botuar në “Gazeta Zyrtare” më 21 dhjetor 1944, (nr 1) në faqen 3 dhe sigurisht që nuk është ribotuar asnjëherë në tekste të tjera që i janë kushtuar mbledhjes së Përmetit. Pjesa e hequr është kjo:

“Ajo (lufta – shënim) vëllazëron popullin tonë me popujt e tjerë të liridashës dhe veçanërisht me popujt fqinjë të Ballkanit. Ajo krijon konditat për krijimin e një konfederate ballkanike, ku të gjithë popujt të kenë të drejtë të barabartë, ku të gjithë popujt të kenë të tëra mundësitë që të zhvillohen e të përparojnë në të gjitha fushat, krijon kondita për një federatë që do të kish një peshë të madhe për zhvillimin e drejtë të politikës europiane”.

Velimir Stojniç: ministrat nuk e dinin pse mblidheshin

Në fjalën që mbajti në Pleniumin e Dytë të Beratit (zhvilluar ky më 23 – 27 nëntor 1944), i dërguari jugosllav Velimir Stojniç ka thënë ndër të tjera se në mbledhjen e Beratit (23 tetor 1944, kur u transformua Komiteti Nacioanl Çlirimtar në “qeveria demokratike”), “ministrat” nuk e kishin idenë pse po mblidheshin. Tekstualisht Stojniç thotë:

“Mbledhja u mbajt përpara nisjes në Berat. Për mbledhjen e Këshillit vendimet ishin gati. Vetëm referati i komandantit ishte i përgatitur. Ministrat, Këshilli, dhe Kryesia nuk e dinin pse bëhej kjo mbledhje. Kryesia nuk e kreu detyrën si për përgatitjen e vendimeve ashtu edhe për përgatitjet e tjera..” (shih “Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës, Pleniumi i 2-të i Beratit” faqe 137).

Sejfulla Malëshova: Kongresin e Përmetit e bënë jugosllavët

Një refererues tjetër i mbledhjes së sipërpërmendur si Sejfulla Malëshova thotë:

“…Që Miladini u bë udhëheqës i PKSH-së, kjo del edhe nga referati i Enver Hoxhës. Si e merrnim ne nga Aliu eksperiencën e Partisë Komuniste të Jugosllavisë? Miladini thoshte një gjë dhe kjo nuk shtrohej dhe nuk diskutohej në KQ, që kjo eksperiencë të zbatohej në kushtet konkrete të vendit tonë p.sh. Kongresi i Përmeti dhe krijimi i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Ne kishin dokumete të ardhura nga Jugosllavia, një rezolucion dhe vendimet. Po a mund të thuhej se KQ dinte ç’ishte ky pushtet i ri, ky tip pushteti?… Në Përmet u krijua Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar, po kjo u bë vetëm se kështu e kishin bërë në Jugosllavi. As partia as vetë Komiteti Qendor nuk e kuptonin këtë….” (vepër e citur, faqe 73 dhe 131).

Ndërsa Kristo Themelko po në këtë mbledhje shprehet:

“Populli akoma nuk i njeh vendimet që janë marrrë në Përmet e në Berat, pse këto s’janë të lidhura me nevojat e tij (vepër e citur, faqe 97).

Enver Hoxha: Kongresi i Përmetit duhej bëri si qe bërë në Jugosllavi”

Në pleniumin e 2-të të Beratit, Enver Hoxha në lidhje me kongresin e Përmetit thotë:

“U bë mbledhja e Helmësit, edhe kjo e improvizuar. Mbledhja u bë që shokët të aprovonin kongresin e Përmetit. Ajo duhej bërë si qe bërë në Jugosllavi. Në mbledhjen e Helmësit, Nakoja (në mbledhjen e byrosë), bëri një kritikë” (vepër e citur, faqe 160).

Mirëpo vëtë Enver Hoxha jep një variant tjetër në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” (Tiranë 1984), ku në faqen 376 shkruan:

“Idenë për mbajtjen e Kongresit të Parë Antifashist, pasi e diskutuam dhe e shoshitëm në Byronë Politike, vendosëm t’ia paraqitnim Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, në një mbledhje të organizuar më 15 prill 1944 në Helmës të Përmetit, në një odë të shtëpisë së Mehmet Myslimit,…..Në këtë mbledhje të Kryesisë kishin ardhur pothuajse të gjithë shokët. Mungonin Myslim Peza e Mustafa Xhani, që nuk mund të largoheshin nga fronti i luftës, Nako Spiru e Ollga Plumbi që ndodheshin në Tiranë ngaqë ishte e vështirë të lëvizje, si dhe Fetah Ekmeçiu, për fatin e të cilit nuk dinim gjë të sigurt (në fakt Fetahu kishte disa muaj që ishte zhdukur nga vetë komunistët për shkak të çështjes së florinjve të shtabit – shënim)”.

Vetëm një votë kundër në Kuvendin Popullor kundër vendimeve të Kongresit të Përmetit

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, komunistët e panë veten në pushtet falë fitores në një konflikt të përgjakshëm civil. Organet që dolën nga kongresi i Përmetit u instaluan në pushtet dhe më 2 dhjetor 1945, u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, të cilat nuk u zhvilluan të lira. Pasi siguruan “fitoren” në këto zgjedhje, më 10 janar 1946, u çelën punimet e Asamblesë Kushtetuese, e cila të nesërmen e shpalli Shqipërinë republikë popullore, meqë edhe në Jugosllavi ishte shpallur më 29 nëntor 1945 republika popullore federative. Pasi u miratua Statuti Themeltar i RPSH-së, Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor. Në seancat e para të këtij organi, u votuan të gjitha vendimet e kongresit të Përmetit si dhe dekretligjet që kishte nxjerrë kryesia e KANÇ-it nga dita e krijimit e deri në atë moment. Vetëm tek vendimet e kongresit të Përmetit pati një votë kundër nga një deputet i cili sigurisht që u dënua pak javë më vonë si “armik i popullit”.

Vendimet e “kongresit” relike historike pas asnjë vlerë

Vendimet “historike” të kongresit të Përmetit janë relike që vlejnë për të kujtuar kohën e zezë të marrëdhënieve intime shqiptaro – jugosllave. Këto vendime nga ana formale dhe juridike kanë marrë fund më 29 prill 1991, me shfuqizimin e kushtetutës staliniste të vitit 1976. Ato nuk do të kishin kurrfarë vlerë sikur të mos ishin votuar nga Kuvendi Popullor në vitin 1946.

Të merresh me kongresin e Përmetit në aspektin historik nuk ka asgjë të keqe, por të evokosh akoma “vlerat” e këtij kongresi ose duhet të jesh injorant ose duhet të jesh idhtar i lidhjeve të dikurshme me serbët. Ndoshta është një rast që nuk të lë shtigje të tjera për të zgjedhur. Në një farë mënyre njerëzit etiketohet vetvetiu edhe më atë të pozicionimit edhe nostalgjik të tyre.

2 thoughts on “SI E ORGANIZUAN JUGOSLLAVËT KONGRESIN E PËRMETIT”

  1. Ky nuk qe Kongres, por Nenshkrimi i Kontrates se Bashkimit me Federaten Jugosllave, pra shkutimisht kjo Qe TRADHETIA KOMBETARE e pranuar zyrtarisht, ne kembim te Frenave te Pushtetit. Mallikimi me i madh per Shqiperine, qe Bashkimi me Armiqte historike, qe na kane grabitur dy te tretat e trojeve tona etnike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *