OPINIONE

E PAMBARUAR ASNJËHERË PËR VETE DHE TË TJERË

Shkruan Rexhep SHAHU

– nese doni te neveriteni lexojeni –

Thirresh të votosh edhe pse je i vdekur dhe mallkohesh nëse ke vdekë para se të votoje.
Shkruaj me dorën e djathtë se është krim shtetëror të shkruash me të majtën edhe pse je mëngjerash, pasi nuk lejohet të jesh ndryshe. Në mos, të pritet krahu a të burgosin.

Nuk performon mirë të thonë pasi mirë është vetem siç deshiron eprori yt, që din më pak se ti, nuk ka të mirë tjetër dhe e mira është vetëm siç don eprori, ajo që thotë eprori, kufijtë e të mirës i cakton eprori yt.

Nuk ke faj se ke bërë faj, por ke faj se do prokurori të të fajësojë, prokurori i cili është gjysmëanalfabet në të gjithë spektrin e dijeve, por ka meritë se ka të varur në qafë një zingjir floriri që është më i trashë e i rëndë se zingjiri i qenit të Sharrit.

Prokurori të heton dhe të dërgon në gjyq pa të takuar kurrë, pa të pyetur kurrë dhe i kërkon gjykatës të të dënojë me burg. Po ta pyesësh prokurorin a e njeh të akuzuarin, ngre supet e thotë jo. Dhe ky prokuror që ka paravendosur të të dënojë bën gjëmën, sepse duke të dënuar ty, ai i hyn në qejf kryeministrit të vendit dhe shpreson se kryeministri do ta ngrejë në detyrë, ta bëjë kryeprokuror, pasi kryeministri vetë dënon e falë si t’i teket nëpë foltore dukë shkërdhyer prokurorin e gjykatën para e mbrapa, sepse është kryeministri që cakton prokurorët dhe gjyqtarët se cili duhet të punojë e cili nuk duhet të punojë. Plotësimi i qejfit të kryeministrit, të ministrit, të shefit, është qëllimi, motoja dhe synimi i prokurorit e në shpesh raste edhe gjyqtarit. Më lehtë gjen peshk që fluturon me zogjtë se sa gjen prokuror që nuk trembet, që nuk është servil ndaj kryeministrit apo ministrit. Prokurori është i kapur, është skllav i rëndomtë brenda tij, është për t’u mëshiruar dhe të gjitha këto ndjesi e fatkeqësi që ai i vuan në veten e tij, atij i japin arrogancë, fodullëk e ligësi para qytetarit që ai e heton dhe e akuzon pa e dëgjuar kurrë, pa e pyetur kurrë dhe në fshehtësi të njejtë me fshehtësinë e ish sigurimit të dikurshëm të shtetit komunist që të ndiqte e të përndiqte edhe kur bëje shurrën. Prokurori vran e kthjell dhe i është mbushë mendja se ka në dorë rrufetë e vetëtimat. Sepse, fjala lloq nuk bën edhe pse lloqi është deri në grykë, prokurori e ka blerë postin e tij në shpesh raste me shuma marramendëse.
Gjyqtari, duke patur imunitet, çdo ditë e më shumë po e kujton veten të paprekshëm e zot mbi njerzit. Me solemnitetin që i jep funksioni dhe me të drejtën që ka për të folë në emër të republikës, të shtetit, ai zhvishet në shumë raste nga njeriu dhe shndërrohet në makinë. Jep apo shpall vendim e të dënon, pa e dëgjuar të pandehurin që ka përpara, pa e lexuar dosjen, pa siguruar e administruar provat, pa e njohur në thellësi e në thelb çeshtjen që gjykon, pa përfillur përsonalitetin e njeriut që ka përpara dhe e gjykon, por në shumë raste duke iu bindur prokurorit, apo në raste të tjera duke zbatuar porosinë që mund t’i ketë dhënë kryeministri, ministri apo ndonjë politikan që i siguron vota gjyqtarit për të bërë karierë në drejtësi, ose nëse bën ndryshe, kryeministri, ministri apo politikani, nëse nuk e heqin nga puna gjyqtarin, e transferojnë në skuta të humbura të vilajetit.

Bëhet zhurmë e luftë fjalësh kundër kanabisit, kundër barit, kundër kllosës për të fshehur drogën e vërtetë – kokainën. Vendi çdo ditë e më shumë po bëhet vend trazit i kokainës dhe për ta sfumuar këtë trafik ndërkombëtar shumë fitimprurës, lufta e fjalëve e zhurmat bëhën për kanabisin. Absurdi shkon deri aty sa duan të na bindin se kanabisi është me aq vlerë sa transportohet edhe me avionë droge, kur në fakt kanabisi ngarkohet në avionë vetëm sa për të mos u kthyer bosh avioni në udhën e kthimit pasi ka kryer krimin e trafikut të drogave të forta. Rrëzohet avioni i drogës në plazhin e Divjakës, nga aksidenti apo nga mbipesha, (shyqyr që shpëtuan shtëpitë e banorëve dhe godina e postës së policisë e s’ra avioni mbi to), ngul turijtë në rërë dhe ngelet si kufomë dëshmi e krimit të bërë dhe kyeministri deklaron se e zumë ne avionin, e kapi policia avionin.

Mbi katërmijë njerez politika i ka pushuar nga puna dhe në grevë urije kundër këtij ndëshkimi hyjnë 15 nëpunës të niveleve të ulta. Sepse ata të niveleve të larta pajtohen në heshtje me pushimin nga puna, vetëm e vetem që të mos gjurmohet mbi veprimtarinë e tyre kur kanë qenë në punë. Solidariteti shoqeror mungon. Njerzit e urrejnë viktimën. Njerzit kanë më shumë simpati për qeverinë që e ka shkaktuar ketë krim dhe jo vetëm që nuk kërkon ndjesë por mburret me arrogancë për shkarkimet e padrejta që ka bërë, për shkarkimet politike që ka bërë, duke ndëshkuar me pa të artikuluar qartë kundërshtarët politikë të qeverisë aktuale, votuesit kundër të saj. Mungesa e solidaritetit shoqeror për grevën e urisë së të pushuarve nga puna është ndoshta dosja më e rrezikshme që shoqeria jonë nuk guxon ta hapë. Askush nuk guxon ta hapë. Fatkeqësisht jam përballë edhe vetë me njerëz që janë knaqë pse ka njerëz të larguar nga puna për bindje politike të ndryshme me të kryeministrit, ose pse kanë kritikuar kryeministrin e sotëm kur ai ishte në opozitë. Kundërshtari politik nuk pranohet, nuk respektohet, por synohet të asgjesohet, mundësisht të vdesë gradualisht i dënuar familjarisht me dëbim nga puna, me uri. Një pjesë e të pushuarve nga puna e kanë merituar sepse janë pikërisht ata që i kanë shkaktuar dëm të madh qeverisjes së kaluar pasi janë sjellë si brejtësa, kanë abuzuar me pushtetin që kanë patur, kanë marrë rryshfete të vogla se të mëdhatë i merrnin shefat e tyre. Dhe pikërisht, brejtësit e pushtetit të djeshëm dhe ciklopët e pushtetit të djeshëm ia kanë futë thonjtë në fyt opozitës së sotme dhe kacavirren në të me qëllimin e vetem që të jenë në radhë të parë për t’u emëruar në detyra të rëndësishme sot në opozitë e nesër kur të vijë opozita në pushtet.

Ndoshta kështu ka qenë gjithmonë në gjithë jetët e në gjithë sistemet politike, por sot tek ne duket se paraja është ajo që vendos për gjithçka. Pa para nuk të përgjigjet nëpunësi apo zyrtari që ka për detyre të të përgjigjet, që paguhet nga shteti që të përgjigjet. Nuk e llogarit rrogën pothuaj fare nëpunësi apo zyrtari që duhet të bëjë shërbim, por llogarit vetëm sa lekë fiton mbi rrogën. Të paraqitet sikur po të bën nder dhe jo sikur po kryen detyrën e tij për të cilën paguhet nga shteti me taksat e qytetarëve. Me para blihet vota haptas dhe votuesi është aq i rënë poshtë, aq pa dinjitet, sa për 10 euro të jep votën, e po i dhe 100 euro për votë e konsideron se e pasurove kur në fakt e ke blërë si viç në pazar dhe ia kujton gjithë jetën se e ke blerë si viç, se ai votues kushton vetëm 100 euro dhe shkon si pronar apo blerës i tij në çdo lloj votimi dhe i thua, eja këtu ti delja ime, ti viçi im se të kam blerë, ndaj voto për mua dhe na merri dy thasë mielli. Në rastin më të mirë të jep votën për një vend pune. Sa më shumë vota të sigurosh nga familja e të afërmit e tu për partinë apo kryetarin e partisë, sa më shumë para t’i japësh partisë në fushatë apo kryetarit të partisë, aq më të lartë e merr postin kur të fitojë partia. Njerzit e zotë, të diturit, të pavarurit, janë bërë qenia më e paduhur, më e përbuzur në shoqëri dhe gati – gati tregohen me gisht si të paaftë, si budallej.

Paraja ka arritur të hyjë kudo, në çdo gjë. Çdo gjë, çdo sherbim shitet e blihet dhe po jep shpirt humanizmi, po varroset kryerja e detyres nga nëpunësi a zyrtari pa shpërblim të pistë e të paligjshëm. Në mos më shumë, nuk ta kryen shërbimin nëpunësi a zyrtari pa e qerasur me një drekë. Dhe kur nëpunësi apo zyrtari të thotë se nuk ka kohë për drekë, të sjell rotull muhabetin se drekën a darkën e ha me familjen apo me kë do ai dhe duhet t’ia japësh kesh lekët e drekës apo darkës që i ofron. Kjo si minimum rryshfeti. Mjaft zyrtarë zorragjij presin qytetarin sikur pret ujku prenë e tij. Ia imponojnë qytetarit t’u japë kafe dhe kur shkojnë në kafe, porosisin edhe dopio uiski se e dinë se do të paguajë qytetari që ka shkuar ta takojë zyrtarin për hallin që ka, ndërsa kur nuk e kanë qyl, vetë mezi porosisin një kafe, në pamundësi të porosisin në banak gjë më të lirë. Shoku apo miku nuk të ndihmon pasi edhe kur të ndihmon akuzohet nga kolegu apo eprori se të ka marrë para për mirësinë e bërë apo ndihmën e dhënë. Don të ndërhysh të kalosh një nxënës nga shkolla, duhet të paguash para. Nëse një mësues ndërhyn të kolegu për ta kaluar një nxënës, mesuesi dyshon menjëherë se kolegu i ka marrë para nxënësit për të cilin ndërhyn te kolegu.

Kush paguan më shumë për të blerë një diplomë universitare apo doktorature pa shkuar në shkollë dhe pa shkruar asnjë fjalë vetë për doktoraturën, merr post më të lartë pasi post shtetëror do të thotë supërbiznes. Ky është nje krim që kombi shqiptar do ta vuajë më shumë se gjysmë shekulli.

E njëjta krizë dhe maskaradë ndodh edhe në mjeksi, ndodh në çdo institucion shtetëror. Shteti nuk i ofron të gjitha shërbimet mjeksore me qëllim që të favorizojë spitalet e klinikat private dhe jo se nuk ka mundësi t’i ofrojë. Mjekët që punojnë në spitalet shtetërore janë të punësuar në të zezë në mjaft raste në spitalet private dhe atë shërbim që mjeku duhet e mund ta japë në spitalin shtetëror, është i detyruar ta japë në spitalin privat. Sepse bosët e spitalit privat marrin para nga shteti për shërbimet që bëjnë spitalet e tyre. Numri i atyre pacientëve që merr shërbim te spitali privat shumëfishohet fiktivisht që të rritet kuota e parave që do të marrë nëpunësi shtetëror që ka krijuar mundësinë që sherbimet që duhej të jepeshin në spitalet shtetërore të jepen në spitalet private. Nuk rritet qëllimisht rroga e mjekeve dhe i detyrojnë mjekët të punojnë, pas orarit të punës në shtet, në spitalet private ku paguhen shumë më tepër se sa paguhen në spitalet e shtetit. Shqipëria ka mjekë shumë të zotët por nuk gjejnë respekt e trajtim nga shteti. Në spitalet shtetërore nuk funksionon shërbimi hotelier ose është në mjerim ky shërbim. Kjo besoj bëhet me qëllim që pacientët të preferojnë spitalet private ku më shumë kushton hoteli se sa shërbimi. Ky është krim i qëllimshëm ndaj shtetit sepse nuk është i varfër shteti për batanije e çarçafë, për lecka pastrimi, por lihet me qëllim ambient i papastër që të neveriten pacientët e të ikin te spitali privat ku rregulli, etiketa dhe begenisja e përsonelit është për t’u adminuar. Si lubi sillen infermieret me pacientët. Dhënia e parave mjekëve e infermiereve është shndrruar në kulturë tashmë. Dhe sa japin pacientët në spitalet publike apo shtetërore është si një kusur kafeje në krahasim me sa japin pacientët në spitalet private. Dhe sa janë duku iu lutur mjekut t’i shërojë, pacientët janë gati me fjalë, përgjërime e përbetime të shesin shtëpi e katandi vetëm të shërohet pacienti. Pasi pacienti shërohet dhe e merr veten, fillon vetë e me fis e farë shan e përgojon mjekun se ka i ka marrë para. I ka marrë paratë që i është lutë t’ia japë mjekut dhe ia ke futë ne xhep me zor, me lutje, me falenderime, duke ia bërë njëmijë herë hallall.

Paraja si rryshfet ka hyrë në çdo qelizë të jetës. Ndaj sot posti konsiderohet në shoqërinë tonë si biznesi më fitimprurës dhe biznesmenë të ndryshëm lënë bizneset dhe kërkojnë poste qeveritare, pasi fitojnë shumë më tepër se nga bizneset e tyre.

Shumë njerez të thonë pasi ke punuar një kohë në punë zyrtare se e ke siguruar tani, nuk ke nevojë më të punosh. Sepse të gjithë besojnë se ke vjedhë para me thasë. Kjo është epidemi, është frymë tashmë, është mënyrë të menduari. Vështirë të besohesh se nuk ke vjedhë, pasi të gjithë si në kor janë gati të të thonë, kur kundërshton, po aty i ke patur paratë, i merrje. Edhe heshtja e miqve në të tilla raste është gjëmim këmbanash dyshimi nga ata që i mendon miq dhe u qan hallin se nuk ke para për të jetuar. Ose të thonë, je budalla pra që nuk ke vjedhë, kur të gjithë vjedhin. Në fakt kurrë nuk vjedhin të gjithë, por damka ka rënë mbi të gjithë. Sepse bien eksponentë të ndryshëm që me paratë e rrogës arrijnë të blejnë makina që kushtojnë deri në 100 mijë euro për fëmijët e tyre dhe ata fëmijë të baballarëve që arrijnë të blejnë makina të shtrenjta me lekë rroge, shkojnë dhe sfidojnë shokët dhe shoqet e tyre në gjimnaz apo në fakultet. I sfidojnë dhe imponohen si familje elite dhe u ngjallet deshira që të ngjajnë me prindërit e tyre, të jenë komandues dhe përfitues. Krimi ka ndodhë, është mbjellë, lulet e frutat do t’i marrim pak më vonë si shoqëri. Makinat e shtenjta të blera me rrogat e baballarëve apo nënave me poste fitimprurëse, shpejt gjatë udhës do të hedhin në greminat e jetës fëmijët që i drejtojnë këto makina.

Ministri shkon dhe inauguron ndërmarrje private dhe gjithë fjalët, nënfjalët apo mesfjalët e fjalimit të tij thonë se është ndërmarrje e tij private dhe po ju bën nder sklleverve që po i punëson në këtë ndërmarrje. Po si pati mundësi ministri të sigurojë para për të çelë ndërmarrje private dhe ku e merr guximin arrogant që të inaugurojë me pompozitet ndërmarrjen e tij. Ai thotë jo, e shet pronësinë, duke nxjerrë para vetës e miletit që s’është naiv, ndonjë emër administratori si pronar, por në këtë vendin tonë që është kaq i vogël dhe njerzit kaq të lidhur me fis e farë mes tyre dhe ia dinë njëri – tjetrit edhe morrat e pleshtat që kanë nëpër dyshekë e batanijet e shtëpisë, nuk shitet dot i ndershëm kur nuk është i tillë, nuk shitet human e social kur nuk është i tillë dhe nuk banon në humanizëm e në mirësi, por banon vetëm në yshtje për sa më shumë para të pista.

Horri, hajni, dallkauku, pushtetari që i duket shteti si pronë e tij e trashëguar nga familja, zë kryet e vendit, nderohet me pekule, pranon t’i këndohen këngë. Legjendat urbane thonë se ky është burrë, është bos, është trim, nuk ia ha palla, nuk pyet për asgjë, e çon ujin përpjetë, hallall ia boftë zoti që vjedh, hallall që merret me drogë, nuk po na bën keq ne, le të ndërtojë pallate me paratë e drogës, punë e madhe, pallatet këtu mbesin, le të merret me prostitucion, a mos po trafikon vajzën apo motrën time, jo, atëhere zjarr t’i japë, halall që ka para të krimbura, që paguan njerëz ta ruajnë në distancë, që nuk guxon kush ta vrasë, që paguan njerëz që t’ia ruajnë gruan, që ta fshehin prej gruas kur shkon me dashnore. Hajna dhe horra kapin majat e shtetit dhe tallin e përbuzin intektualët, i mëshirojnë intelektualët, u hedhin ndonjë kockë krijuesve që kushton aq sa shpenzojnë për një darkë për veten e tyre me ndonjë zyrtar apo me ndonjë kurvë. Se në këtë vendin tonë krijuesit janë qenia më e mënjanuar ani se janë autoritetet e vërteta morale të vendit. Krijuesit nuk qasen prej pushtetarëve përveç atyre që zotërojnë apo pushtojnë mediat me bekimin e pushtetarëve, pasi mediat kanë gurrë pushtetin dhe nuk guxojnë përgjithësisht të ngernë krye apo të çlirohen nga pushteti. Horrat me pushtet, analfabetë funksionalë, që nisin fjalinë me germë të vogël dhe nuk njohin asnjë shenjë pikësimi, që nuk kanë lexuar as parathënie librash e jo më libra sillen dhe nderohen si xhelatë dhe i urrejnë qytetarët e zakonshëm, urrejnë intelektualët dhe i trajtojnë si viktima për të cilët s’ka e s’duhet të ketë mëshirë. Se të thonë një shprehje që e kanë në majë të gjuhës, kapitalizmi është i egër, kush nuk është i zoti të fitojë e të jetojë, le të vdesë. Hajduti nderohet, i vjedhuri urrehet, ndëshkohet, i thonë leshko. Polici nuk i thotë asgjë hadutit që ka makinë të mirë ku polici sheh vetën e tij si në pasqyrë në llamarinat e makinës së hajdutit. Kurva (burrat dhe gratë kurva) lakmohet, nderohet, i çelen dyert, udhët, zyrat, e ndershmja a i ndershmi përbuzet, zhvlerësohet. Kurvat mburren, të ndershmëve u vjen turp pse janë të ndershëm. Pushtuesi apo i huaji nderohet, vendasi përbuzet. Të huajit, le të dije si milet lopa apo si bëhet kosi a djathi dhe të mos dijë asgjë tjetër, i lëshohet kryet e vendit, vendasi mund të mos lejohet as të marrë pjesë në tryezën e mbledhjes.

Ai që i ik luftës, që s’merr pjesë në luftë e as buzë saj, që lufton me parulla, që bën trafik armësh e ushtarësh dhe pasurohet në kohë lufte, që grabit, vjedh, zapton pas lufte dhe nuk shkon të mbyllet në shtëpi siç i ka hije luftëtarit që ka bërë detyrën ndaj atdhut, ky lloj trimi pra nderohet, gradohet, shpallet hero dhe kërkon pushtet e lavdi të përjetshme, blen gjithçka me synim të blejë të kaluarën për të pushtuar të ardhmen. Ai që vdes në luftë harrohet. Ai që plagoset në luftë dhe jeton gjithë jetën si invalid lufte, përbuzet…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *