KULTURA

GJASHTË LIBRA QË KANË MUNGUAR NJË SHEKULL NË SHQIPËRI

Shkruan: Prof. SHEFQET HOXHA

Sot jemi mbledhur për një aktivitet të dyfisht: për të promovuar zyrtarisht Klubin e Poezisë në Tiranë, të inicuar e të drejtuar nga gazetari i njohur dhe poeti Rexhep Shahu dhe kolanën prej gjashtë librash, botuar prej tij. Thashë, për ta promovuar zyrtarisht, se juridikisht Klubi i Poezisë është i njohur tanimë në rrethet botuese të Tiranës dhe më gjerë. Ky ent botues, edhe pse në agun e dritës, po dëshmon se do të ketë jetë të gjatë e të suksesshme, sepse në planet e tij nuk zen vend parësor biznesi, por shpalimi i veprave me vlerë kombëtare, letrare dhe shkencore. Dhe unë kam besim në dyshen Shahu – Duraku, sepse janë burra me përvojë, me kulturë e me realizime të njohura në fushën e gazetarisë, të letërsisë dhe të studimeve. Mbi të gjitha, Izet Duraku e Rexhep Shahu kanë dëshmuar prej shumë vitesh se ia duan të mirën Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Shkrimet e tyre ertojnë atdhetarí dhe urrejtje për të gjithë ata që ia kanë dashur ose ia duan të keqen popullit shqiptar, duke vepruar hapur apo me nërkamca kundër tij. Në shpirtin e tyre gëlon fryma demokratike e dashamirësia, por edhe mosduresa ndaj atyre që po na pengojnë të shkojmë më shpejt përpara.

Kësaj dysheje i është bashkangjitur edhe biznesmeni i përvuejtë dhe intelektuali. Flamur Lutfi Hoxha, i cili me dashamirësi ka sponsorizuar botimet e derisotme të Klubit të Poezisë.
Të treve u uroj suksese në misionin e tyre fisnik dhe atdhetar.
Kolana e veprave të botuara deri tani nga Klubi i Poezisë në Tiranë përbëhet prej gjashtë vëllimesh:
1.-Vladan Gjorgjeviç, Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha, përkthyer nga Mustafa Kruja, botuar së pari si shqipërim në Zarë, më 1928. Redaktor i botimit të tanishëm: Izet Duraku, i cili e ka përcjellë veprën me studimin e gjatë “Ankthi serb i ngritjes së Shqipërisë”.
2.-Justin Godard, Shqipëria më 1921, shqipëruar nga Mirdash Mynir Shehu. Redaktor Izet Duraku, përcjellë nga një fjalë e shkurtër e shqipëruesit.
3.- D’Estournelles de Constant, senator e nobelist i paqës, (1909), sekretar i Komisionit të caktimit të kufirit Shqipëri-Mali i Zi – Unë i kam shumë borxh Shqipërisë – botuar si parathënie në librin e Justin Godardit “Shqipëria më 1931”.
4.-Kosta Novakoviq, Katër muaj nëpër Shqipërinë e Mesme” Novakoviqi ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Dimitrije Tucoviqit dhe Dushan Popoviqit, udhëheqës të lëvizjes punëtore serbe. Redaktor i botimit Izet Duraku. Përcjellë nga profesori i ndjerë Zekeria Cana me shënimin “Kosta Novakoviq për Shqipërinë dhe invadimin nga Serbia”.
5.-Vasa Çubriloviq, Shpërngulja e shqiptarëve (përmban dy elaborate: Shpërngulja e Arnautëve –Beograd, 7 mars 1937; dhe “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e Re, Beograd, 3 nëntor 1944. I përgatiti për botim Izet Duraku.
6.- Përgjuesi serb i Ismail Qenalit – Misioni politik i Ballukxhiçit në Shqipëri më 1913. Ky libër përmban tre relacione të Zhivojin Ballukxhiqit, i cili në muajt shkurt-prill 1913 u përpoq të vihej në marrëdhënie me kreun e qeverisë shqiptare. Libri është redaktuar nga Izet Duraku, i cili e ka prirë me shënimin e gjatë “Mbi sekretet kriminale që ruajnë arkivat”.

Të nderuar pjesëmarrës,
Librat e botuara nga Klubi i poezisë, gjegjësisht nga treshja Shahu-Duraku-Hoxha kanë rëndësi të shumëfishtë për historinë e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet me vendet fqinj, veçanërisht me Serbinë, një shtet aq i afërt, po edhe shumë mniqar ndaj nesh. Dhe është për të ardhur keq, po një e vërtetë e dhimbshme që vepra si “Shqipëtarët dhe Fuqitë e Mëdha” e Vladan Gjorgjeviçit dhe “Laboratet” e Vaso Çubriloviçit hyjnë në fondin e zi të letërsisë dokumentare antishqiptare, që njihet, për fat të keq, ende pak nga masa e gjerë e shqiptarëve. Dhe këto vepra ende sot frymëzojnë politikën revanshisto-fashiste të Sheshelit e kompani në Beograd.

Brezi më i ri i shqiptarëve, po jo vetëm ky, mund t’i ketë ndigjuar emrat e Justin Godartit, autorit të librit “Shqipëria më 1921”, dhe të D’Estournalles de Constant që pat bërë parathënien e tij, po veprat e tyre nuk i kanë pasur në gjuhën shqipe. Dhe duhet ditur se Justin Godardi qe një mik i madh i shqiptarëve dhe D’estournelles de Constant një burrë shteti që nuk pushoi së luftuari deri në fund të jetës së tij për mbrojtjen e popullit shqiptar. Ai pat deklaruar se: “I kam shumë borxh Shqipërisë, por do t’ia paguaj” dhe ia pagoi. Meritë e Klubit të poezisë janë përzgjedhja e veprave që përbëjnë kolanën e tij si dhe botimi i tyre për herë të parë në gjuhën shqipe ose në Shqipëri. Vepra e Godardit “Shqipëria më 1921” dhe parathënia e D’estournelles de Constant botohen për herë të parë në gjuhën shqipe.

“Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha e Vladan Gjorgjeviçit vërtet qe botuar e përkthyer në shqip më 1928, po jashtë atdheut, prandaj është njohur shumë pak. Elaboratet e Vasa Çubrilloviqit për herë të parë botohen në Shqipëri si libër më vete, megjithëse autori i tyre është teoricieni më i spikatur i shpërnguljeve së shqiptarëve nga Kosova.

Veprat e Novakoviqit dhe Ballukxhiqit i pat gjurmuar dhe i pat botuar në Kosovë profesori i ndjerë Zekeria Cana, por si libra më vete na i sjell në Shqipëri Klubi i Poezisë së Tiranës, për të cilin ne lexuesit dhe studiuesit kemi vetëm urime e miradie.

Në mbyllje do t’i uroja edhe një herë treshes së nderuar Shahu-Duraku-Hoxha udhë të mbarë në udhëtimin e tyre botues, me lutje që të mos ndërpresin bashkëpunimin në të mirë të shkencës dhe të atdhetarisë. U lumtë!
Ju faleminderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *