OPINIONE

Farmaktore

Shkruan: Edison Ypi

Po sheh në televizor një sorollop që hiqet për atdhetar, patriot, nacionalist. E ke ditur se shqiptari patriot është njeri inteligjent, thellësisht i kulturuar, i sofistikuar, i sjellshëm, modest. Mirpo ky është budalla me brirë dhe aspak modest, gdhë që ta shpif, aspak i pëmbajtur, invadent dhe burracak. Ndjen si këmbët nuk po të mbajnë, kockat nisin të zbuten, supet të dridhen, dhëmbët të këcasin. Mos u tut bre burr. Shko në farmaktore merr farmaqet e duhura për tu ruajtur nga patriotat shejtanbudallenj. Për rastin në fjalë; Treqint gram allçi për kockat. Një tas spinaq për muskujt. Dhjetë gram çimento për dhëmbët. Futi në një kovë lëveresh. Trazoi me një shkop. Ç‘do mbrëmje nga një garuzhde.

Ta kanë shpifur taborri i hajvanëve të cilët në Fejsbuk gjithë kohës s’bëjnë gjë tjetër veçse mburrin veten. Për të evituar damllanë që për shkak të mutërve autoreferencialë mund të bjeri nga çasti në çast, kura e ilaçeve që në këtë rast duhet të marrësh për të mos u çmendur ësht pak më e komplikuar se ajo e shejtanbudallait patriot.

Thuaji kamarierit të t’i mbledhi gjithë llumrat e kafeve të një dite në një legen. Merre legenin në shtëpi. Shtoi dy litra zhul lëveresh. Valoje. Hidhe mbi kokë. Damllaja do largohet prej teje si djalli nga Zoti.

Bën një biznes të mbarë. Por të ka ikur gjumi. Po të çahen tamthat. Grindesh kot me gruan dhe me cilindo që të del përpara. Në kokë të rreh një pyetje; Shqipërinë e dua shtet të fortë, por taksa nuk dua të paguaj. Si i bëhet ?

I bëhet. Mos e kërko kot ilaçin tek, siç thonë ca leshko, pagimi i taksave, respektimi i ligjit, forcimi i shtetit, ekonomia e tregut, librat e Lokut, teoritë e Smithit. Ke Farmaktoren. Farmaktorja ka zgjidhje edhe për këto raste. Stomakut tënd, përmes tij edhe trurit tënd, i mungon një ingredient esencial. Hidh në një tenxhere një sapllak me shurrë mëngjezi, shtoji pak salep, zjeje, lëre të ftohet. Pi nga një lugë gjelle sa herë të vijë në kokë pyetja mundonjëse me Shqipëri të fortë apo të dobët dhe zell apo përtacllëk për pagim taksash.

Për arësye që s’i di as dreqi, mund të kesh rënë në këtë qerthull përsiatjesh sentimentale; Femrat janë të ëmbla, të këndëshme, mirpo janë dinake, dhe del pyetja; Dinakëria femërore, është e lindur, është genetike, apo femrat janë sociopate, pra dinakëria e tyre është e imponuar nga rrethana shoqërore si reagim vetmbrojtës ndaj vrazhdësisë së burrave ?

Qartësimi i kësaj dileme kërkon një kurë të mundimshme si për tu përgatitur dhe gëlltitur që mund ta gjesh vetëm në farmaktore psikoterapie. Ulëriti gruas një mbrëmje. Si di ti i pyetjeve fondamentale. Me britma dhe kërcënime jo më pak se nja njëzet minuta rresht. Pastaj ndal dhe thuaji të shqiptojë një dinakëri femre nga ato që të lënë pa mënt, që të shushatin fare, nga ato në formë autokritike shoqëruar me lotë pasi kanë bërë një faj inekzistent. Mblidhja lotët dhe rrëketë e djersës së ftohtë përgjatë lugut të kurrizit të dridhshëm. Ktheje me eks. Sapo ta kesh rrëkëllyer eliksirin e magjishëm do të lëvizi ipçka e kokës. Në çast do zbulosh sekretet e të fshehtave frymëndalëse trumpirëse të femrave; temperaturat e ujrave që ua lagin brigjet dhe zgëqet, cunamet që ndjellin dhe ndezin dëshirat, mermerat e gjymtyrëve ku rrëshqasin shikimet, kalldrëmet ku hijshëm trokasin çapat, llagëmet ku u lëvrijnë mendimet, luginat e psherëtimave, rrugicat dhe ngushticat e kënaqësive, qafat e qefeve, brigjet e çlodhjeve, kthesat e taksirateve, semaforat e dilemave, autostradat e udhëtimeve, aeroportet e fluturimeve, dhe më së fundi pas këtyre kuptimeve e ndijimeve do ndalësh së dërdëllituri për dinakërinë e tyre, se na shurdhove bythën dhe ti me gjithato pyetje e ankesa.

Je emigrant apo emigrante. Nuk e do Shqipërinë si ai patrioti i internetit që trimërinë e ka proporcionale me distancën dhe mendjen si e si të ndreqi punët e veta, por e do vërtet, e do pa hile. Bukur. Por meqënse s’ke me kë të llafosesh, i je qepur aq keq kompjuterit, sa pas ca kohësh harron të përkëdhelësh me dorë, të puthësh me buzë, të nuhatësh me hundë.

Nëse virusi ka hyrë kaq thellë, s’të lypset as jë farmaktore. Bëj këtë autoterapi; Merr kompjuterin, modemin, printerin, USB-rat, flash-at, blue toothat, infra redat, chatat, forumat, mailat, JPG-rat, filet, harduerat, softuerat, CD-rat, hidhi nga ballkoni, dhe kërrcitja gjumit. Lindja e dëshirës për blerjen e një bilete për Shqipëri me qëllim një shëtitje në Kanionet e Osumit ose në pyjet e Fush Arrzit a rrëzave të Nëmërçkës që do jetë shenja e parë e përmirësimit që nuk do vonojë.

Jam simpatizant serioz i arsyeshëm, apo fanatik i partisë që më pëlqen ?
Këtë s’e gjen dot kurrë. Për këtë s’të ndihmon dot asnjë libër, asnjë enciklopedi, asnjë Farmaktore. Një herë të duket kështu, tjetrën herë ashtu. Tensioni 18. Pulsi 100. Gunga gjaku nëpër surrat. Dridhesh ngado që vete. Mund të ndihmonte deridiku për këtë rast çaji i një shkurreje që rritet në jug diku mes Këlcyrës dhe Pacomitit, mirpo ai vend tashmë është i mbjellë me hashash, dhe s’ke ç’bën, dilemën cfilitëse do vazhdosh ta vuash derisa të ngordhësh.

Nuk gjen dot asgjë që të bën derman në asnjërin nga kombinacionet e mësipërme me dhe pa Farmaktore ? Të qahet ? Ke lote ? S’ka problem. Është normale për të vdekëtarët e pamposhtur. Fshiji lotët me duar. Mjer’ a ti i mjeri ç‘pate dashuruar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *