OPINIONE

BUDALLAI I BUKUR

Shkruan: Edison YPI

Budallai i bukur dhe budallallëku i këndshëm kanë marrë dhenë dhe po bëjnë hatanë si hordhitë e karkalecave mbi fushën me grurë.

Budallenj të bukur Shqipëria ka pasur edhe më parë. Por kanë qënë të rrallë dhe të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet.

Për budallenjtë e bukur më parë njerëzia thoshin; Sa budallenj ka bota, s’mund të mos i kemi edhe ne budallenjtë tanë.
Mirpo, kur budallenjtë e bukur nisën të shtohen, nisën edhe dilemat; Kush e hodhi dhe si mbiu ajo farë ? Si ndodhi që na u shtuan kaq tepër ?

Të ftohtë, të thatë, me muhabete të thjeshta deri në llaftari, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme apo thënë ndonjë gjë minimalisht përmbajtësore, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo sikur sapo kanë dalë nga lavatriçja dhe tharë nga centrifuga.

Me pamje të jashtëme të ndrequr, qasje të posaçme ndaj institucioneve dhe interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur është një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë budallallëku dhe bukurie të kallkanosur.

Budallai ynë i bukur, s’ka haber ku ndodhet katundi, balta, vështirësia, lodhja, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.
Budallai ynë i bukur nuk di muhabet tjetër veç Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta gatimi, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende të huaja.

Tashmë budallenjtë tanë të bukur kanë mposhtur të gjitha baluardet e superstrukturës, pjesën më të madhe të politikës, zyrat e gjithfarshme, Shoqërinë Civile. Si dhe mediat vizive, ku budallai i bukur bën kërrdinë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe budallallëk të pafundëm.

Budalli i bukur është një tyç i updateuar, një antikonformist i shquar që lufton me mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.

Në kohën e kurvit gocat e bukura quheshin kurva.
Në kërkim të një simetrie kohërash dhe cilësimesh, i bie që budallanë e sotëm të bukur ta quajmë kurvar.
Por budallai ynë i sotëm i bukur nuk është as kurvar. Budallai ynë i bukur është një palluqe që dremit në një zyrë me celular në vesh, kompjuter përpara, printer anash.

Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja me kujdes e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari i fundit, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.
Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *