POLITIKA KOMBËTARE

QEVERIA LE TA MBYLLË EDHE AKADEMINË E SHKENCAVE

Shkruan: Rexhep SHAHU

Meqenëse qeveria kërcënon të mbyllë Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA), të Tiranës, le ta mbyllë më parë Akademinë e Shkencave për mungesë eficence, pse ka lejuar që ky vend të shkojë keq, pse ka lejuar që ky vend të ketë qeveri të tillë që guxon të shplojë e thajë edhe rrënjët e kombësisë e të qenies shqiptare, pse ka lejuar që të ketë qeveri të tilla që e çojnë vendin nga dështimi në dështim, pse ka lejuar që të mos funksionojë e të mos konsolidohet sistemi pluralist demokratik, pse ka lejuar që sistemi pluralist të jetë thellësisht i deformuar, në parimet bazë të drejtësisë, shpikje allashqiptare si komunizëm allashqiptar, pse shkecëtarët përgjegjës me servilizëm i kanë bërë vazhdimisht fresk qeverisë e qeverive gjithë këto kohë.

Albanologjia i duket qeverisë institucion kot, me njerëz që marrin rroga kot dhe nuk i duken të rëndësishëm as njerzit që punojnë aty, shkencëtarët e as puna e tyre, pasi kësaj qeverie plot i duket vetëm puna e kultivuesve të drogës, e ushtrimit të pushtetit edhe me ushtrime seksologjie dhe puna e rojeve të rojeve.
Albanologjisë gjithë qeveritë në 25 vite ia kanë thye tjegullat e shtëpisë, ia kanë bërë copë- copë xhamat, pasi ka 25 vjet që as nuk është mbjellë e jo më të jetë rritur a të jetë ende filiz ndonje Eqrem Çabej, ndonje Shaban Demiri, ndonjë Aleks Buda, ndonjë Mahir Domi, ndonjë Aleksandër Xhuvani, ndonjë Androkli Kostallari, ndonjë Qemal Haxhihasani etj etj…

Qeverisë aktuale i dukën albanologë disa anëtarë seksionesh partie që shkruajnë letra për kryeministrin a parulla e editoriale gjuhësie kur gjuhën nuk e rregullon kryeministri as partia por ajo evolon vetë, vetërregullohet bashkë me kohën prej përdoruesve të saj, prej nevojës që kanë për t’u marrë vesh shqiptarët, të cilët janë marrë vesh me këtë gjuhë edhe kur nuk ka patur parti e as kryeministra.

Sa studentë për shkencëtarë ka dërguar Shqipëria në këto 25 vite në katedrat e specializuara të botës që t’i specializonte për Shqipërinë, albanologjinë e të ktheheshin shkencëtarë? Cilët janë këta shkencëtarë të rij. Cilët, që ta dimë?

Mirë qenkan bërë keq e shumë keq punët gjithë këto vite, dhe I bihet qemanes si gjithmonë fajin e ka regjimi obskurantist i Zogut dhe Berishës, por kjo qeveri e tashme që ka tre vjet që po çjerr edhe zotat në qiell duke thënë se do bëj shtet do bëj shtet e po bën një mut të madh, pse kalon tani në këtë vendim ekstrem që ta mbyllë qendrën albanologjike, qendrën e studimeve albanologjike. Pse të mos marrë vendim për ta fuqizuar por merrka vendim për ta mbyllur e shkatërruar. Pse nuk merr vendim të shkrijë shërbimin informativ kombëtar, ta shkrijë kryeministrinë dhe të vetqeveriset ky popull pa kryeministri, pse nuk merr vendim që të mos përdoret kurrë më leku shqiptar por psh dinari jugosllav, pse nuk merr vendim që të mos guxojë të flaës askush më shqip në këtë vend por të flitet greqisht, sllavisht, kinezshe a peshqisht…

Në emër të kujt merret ky vendim, kujt i shërbehet me këtë vendim. Hiq ato studjues jo eficent, të paaftë, që kanë bërë studime sefaje, por mos luaj me kuruesit e themeleve të shtëpisë. Edhe ato pak punë që ka bërë kjo qendër e këto shkencëtarë, kush do t’i bëjë tani e tutje. Ato duhen bërë. Nëse qeveria thërret serbë a grekë që të bëjnë punët e shqiptarëve atëherë dakort, por ato punë albanologjie duhen bërë. Kush e nxit dhe shtyn qeverinë që ta mbyllë albanologjinë. Apo duhet të lulëzojnë degë të tjera e veç albanologjia jo.

Çfarë është kjo teori shtetbërëse që ta zerojë gjithçka në këtë vend, ta zhdukë gjithçka. Më mirë të përgjysmojë numrat e punonjësve të ministrive se sa të prekë qoftë edhe një shkencëtar, ashtu siç janë, të patalentuar, të paplotësuar, të pashkëlqyeshëm, por ama janë dhe një punë e bëjnë dhe çdo punë e tyrja është shumë herë më e dobishme e jetëgjatë se e shumë punonjësve të kryeministrisë e të ministrive tjera.
Mirë e ka qeveria, shumë mirë. Janë këta shkencëtarë që për qeverinë janë shndërruar në nëpunës qeverie, që i bëjnë fresk qeverisë, që votojnë qeverinë, që dalin e bejnë fushatë elektorale për këtë qeveri dhe qeveria tashmë ndjehet e ngopur me nëpunes të tillë servilë të moderuar, i ka tepër, nuk i duhen më nëpunës të tillë që pranojnë të ulin qafën dhe të vendosë sit ë dojë një qeveri për fatet e misionit të QSA.

Sepse këta shkencëtarë, duke lejuar cënimin e dinjitetit të tyre, nuk e kanë gozhduar asnjëhere në mur qeverinë e asnjë qeveri. Janë bashkëfajtorë në mbylljen e qendrës së tyre me gjithë sjelljen e tyre, me duartrokitjet që ia kanë bërë qeverisë, sukseseve e punës së saj.

Qeveria për të qenë tamam qeveri anarshie siç ka pohuar në shumicën e veprimeve të veta, duhet të jetë më guximtare, duhet ta mbyllë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ministrat e kësaj qeverie janë shkencëtarë, janë shkencëtarë që të sigurojnë dështime totale të shtetbërjes, janë shkencëtare kastraveci që zotërojnë diplomacinë e pjeshkave dhe të rrushit.

Qeveria le të shijë lemën, le ta mbyllë Albanologjinë, le ta mbyllë vërtetë Akademinë e Shkencave derisa shkencëtarët nuk kanë luajtur asnjë rol këtu, derisa shkencëtarët nuk janë në asnjë forum shtetbërje, derisa shkencëtarët janë sjellë si ndihmës të partisë dhe të bllokmenëve të rij, derisa shkencëtarët nuk e pohojnë veten e tyre, rolin e tyre në shtet e shoqëri.
Rroftë qeveria që i di të tëra, rroftë.

One thought on “QEVERIA LE TA MBYLLË EDHE AKADEMINË E SHKENCAVE”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *