POLITIKA KOMBËTARE

Dëshmitari që ishte ulur në një tavolinë me Ruzhdin tregon se si Gani Geci e mbrojti veten

Në seancën e sotme të gjykimit të Gani Gecit në Mitrovicë ka dëshmuar Emin Lati, i cili ishte dëshmitar okular në momentin kur ndodhi vrasja e Ruzhdi Shaqirit. Ai tregoi hollësi nga biseda para se të shkrepte revolja.

Tre dëshmitarë kanë dëshmuar në seancën e sotme gjyqësore në rastin e Gani Gecit, i cili akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit më 2014 në Skenderaj.Pas Halil Gecit, vëllait të të akuzuarit, dëshmi kanë dhënë edhe Emin Lati e Visar Brahimi, dëshmitarë të thirrur nga prokuroria.
Emin Lati është dëshmitar okular në rastin e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit në kafenenë “N’Qosh”. Kurse, Brahimi pronar i këtij lokali që gjendet në qendër të Skenderajt.

Dëshmitari Lati ka rrëfyer për bisedën e zhvilluar ndërmjet të akuzuarit Geci dhe tashmë të ndjerit Ruzhdi Shaqiri pak para se të ndodhte vrasja.

Lati tha se ka qenë i ulur në tavolinë me Ruzhdiun. “Gania ka dalë nga kafiteria, edhe pse ka kaluar kah ne nuk e ka kthyer kokën. Ruzhdia e ka çu doren dhe i ka thënë “Selam Alejkum”. Gania u ndal dhe u kthy në shkallë dhe i ka thënë Ruzhdisë se a i ke mbledhë njerëzit me bo be. Ruzhdia nuk ia ka kthye përgjigjen dhe Gania u afru te ne ku përsëri e ka pyetur Ruzhdiun i cili nuk është përgjigj. E Gania i ka thënë “njerëzit me mi tubu shpejt”. Ruzhdiu ka livritë pak në tavolinë me qëllim apo jo, nuk e di, po ka livritë, dhe Gania e ka çu dorën n’allti”, tha dëshmitari.

Më tej, Emin Lati tha se është përpjekur ta ndalonte kacafytjen.

“Unë aty kam ndërhy, jam çu në këmbë dhe ju kam thënë “kadale se jeni bo si fëmija”. Gania e ka hjek dorën prej alltie, Ruzhdia ju ka përgjigj: “a po mundohesh mem tutë?” dhe i ka thënë: “qit t’psh…. në të” dhe një fjalë tjetër”, tha dëshmitari.

Pasi trupi gjykues kërkoi që t’i shpjegojë të gjitha fjalët saktë në mes të Ruzhdiut dhe Ganiut, dëshmitari tha:

“Ruzhdia i ka thënë: “shko në k…. se ne do shihemi prapë”, dhe një fjalë tjetër, a e ka sha a qysh nuk po me kujtohet se ata u afruan mes veti dhe qysh i ka pas duart mbi tavolinë Ruzhdia e ka lëshuar dorën nën tavolinë dhe Gania ka reaguar ku edhe krisi alltia”, rrëfeu dëshmitari.

Gjithashtu, Gjykata sot ka diskutuar lidhur me provat e paraqitura nga mbrojtja e Gani Gecit, të cilat sipas mbrojtjes argumentoje rrethanat në të cilat ka kaluar klienti i tij.

Gani Geci gjithashtu e ka kundërshtuar edhe akuzën, duke pretenduar së akuza duhet ta përmbajë edhe “mbrojtjen e nevojshme”.

Mirëpo, Prokuroria i ka cilësuar si të panevojshme për rastin në fjalë dhe i ka bërë thirrje gjykatës të mos i pranojë si prova materiale.

Avokati Ndrec Doda, por edhe klienti i tij, e kanë kundërshtuar mendimin e prokurores dhe kanë kërkuar nga Gjykata që t’i pranojë si prova dhe të thirren dëshmitarët që janë përmendur në ato shkresa.

Trupi gjykues deri në seancën e radhës, e cila është paraparë të mbahet më 16 maj, do të marrë një vendim lidhur me provat shtesë të mbrojtjes së Gani Gecit.

Incidenti për të cilin po gjykohet Gani Geci ka ndodhur më 4 gusht 2014 në kafenenë “n’Qosh” në Skenderaj.

Gani Geci që nga dita e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit e deri më 22 gusht 2014 kur iu dorëzua EULEX-it, konsiderohej i arratisur, pasi nuk dëshironte të binte në duart e drejtësisë vendase.

Në seancën e 4 prillit të këtij viti, trupi gjykues i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit që e mori rastin e tij, ia ndryshoi aktakuzën.

Geci nga trupi gjykues me shumicë të gjyqtarëve vendas akuzohej për vrasje në tronditje të thellë mendore dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa nga EULEX-i akuzohet për vrasje të rëndë, përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.

Dënimet për vrasje të rëndë sillen nga dhjetë vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe Halil Geci, vëllai i madh i të akuzuarit. Ai ka treguar për të gjitha problemet të cilat i ka pasur Gani Geci por edhe e tërë familja që nga përfundimi i luftës. Halil Geci ka përmendur ndër të tjera edhe atentatin ku i plagosur mbeti Ganiu e u vranë dy shokë të tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *