POLITIKA KOMBËTARE

Bujar Nishani ngre padi ndaj Erjon Veliajt

“Presidenti i Republikës:  Së pari dua t’ju falënderoj ju gazetarët dhe njerëzit e medias që jeni sonte në këtë konferencë shtypi për prezencën tuaj dhe për gatishmërinë që keni treguar për të mirëpritur shkëmbimin e këtij komunikimi së bashku.

Ju kam ftuar sonte për të përcjellë përmes jush tek opinioni publik dy çështje shumë të rëndësishme shtetërore për të cilat përcjell shqetësimin, preokupimin, por njëkohësisht dhe angazhimin për t’i adresuar dhe për të dhënë kontributin e Institucionit të Presidentit të Republikës në respekt të detyrave, përgjegjësive, obligimeve kushtetuese të Kreut të Shtetit shqiptar dhe natyrisht për të vijuar më tej proceset e ndjekjes, të përcjelljes, të zgjidhjes së këtyre shqetësimeve dhe problemeve.

Çështja e parë ka bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës, Kryetarit të Shtetit shqiptar. Më parë dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe një herë këto deklarata dhe më pas do të përcjell tek ju çështjet që krijojnë shqetësim dhe problematikë këto deklarata të rënda.

* * *
Inserti

Erjon Veliaj: Në momentin që Presidenti i Republikës sillet si Bujar Nishani atëherë ka vajtur Presidenca tek Bujari, jo Bujari tek Presidenca.

Gazetari Blendi Fevziu: Ç’do me thënë kjo?

Erjon Veliaj: Ajo që do të thotë kjo është shumë e qartë. Unë kam qenë i vetmi zyrtar publik i kësaj mazhorance që ka mbajtur një relatë profesionale dhe personale me Presidentin, i vetmi. Ky është një njeri i cili zhgënjeu qeverinë në mënyrën sesi trajtoi Visar Zhitin; ky është një njeri që zhgënjeu publikun në mënyrën sesi vodhi pronën e kishës katolike në Elbasan; ky është një njeri që disa herë, me të gjithë ministrat e kabinetit tonë, disa herë ka shkuar kundër interesit publik për interesin personal.

Blendi Fevziu: Dhe këto janë akuzat tuaja personale serish ndaj Presidentit të Republikës dhe ju nuk i keni të vërtetuara.

Erjon Veliaj:  Patjetër, patjetër.

* * *

Presidenti Nishani: Natyrisht që një njeri kushdo qoftë ai që vjedh ka vetëm një emër “hajdut” dhe unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës, shteti shqiptar nuk mund të ketë në krye të tij një njeri që është hajdut. Hajduti e ka vendin në qeli, e ka vendin përballë ligjit; hajduti dënohet sipas ligjeve të shtetit dhe kodeve përkatëse. Prandaj, kjo është një çështje që nga sot i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe e ka përgjegjësi kushtetuese ligjore ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin e Republikës si hajdut dhe ta dënojë në bazë të krimit që ka kryer ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë përballë ligjit. Kjo është një rrugë pa kthim, është një rrugë pa ndalesë. Prandaj, tashmë unë ftoj dhe median që të ndjekë me vëmendje të posaçme gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë. Është një proces i cili do të adresohet tashmë prej ditës së sotme në institucionet përkatëse të gjykatës dhe personalisht dhe Institucioni i Presidentit të Republikë do të ndjekë çdo seancë, çdo moment dhe çdo vendim që do të merret gjatë hetimit gjyqësor të veprimtarisë së Presidentit të Republikës dhe akuzave të bëra ndaj Kreut të Shtetit shqiptar.

Çështja e dytë të cilën dëshiroj të përcjell shqetësimin përmes jush tek opinioni publik, por edhe tek të gjithë institucionet ndërkombëtare të cilat bashkëpunojnë ngushtë me shtetin shqiptar për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit, të institucioneve ligjzbatuese, të institucioneve të drejtësisë në lidhje me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë dhe individë  të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ dhe Trupës gjyqësore të Apelit Administrativ të Tiranës. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, ndaj gjyqtarëve në ushtrim të funksioneve të tyre kushtetuese, të cilin e dënoj, e dënoj me ashpërsinë më të madhe jo vetëm për faktin se është një sulm i organizuar, instrumentalizuar politikisht, por dhe i realizuar ndaj një pushteti të pavarur kushtetues i cili është i përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si mekanizmi i vetëm për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të çdo individi në Republikën e Shqipërisë.

Vlerësoj qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë dhe besoj që Ministria e Drejtësisë do të vijojë të inkurajojë pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, luftën kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit.

I kërkoj Kryeministrit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë!

I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës zyrtarisht dhe publikisht të hapë dhe nisë hetimet për dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj Gjykatës së Republikës së Shqipërisë dhe ndaj gjyqtarëve të Republikës në ushtrim të detyrës dhe për shkak të detyrës!

U kërkoj të gjithë gjyqtarëve të Republikës, gjyqtarëve të ndershëm që të marrin kurajë dhe të mbrojnë Republikën. Mbrojtja e Republikës është përgjegjësi themelore e institucioneve të pavarura kushtetuese të vendit në një demokraci që funksionon!

U kërkoj qytetarëve të vendit të ruajnë shpresën për të vrarë frikën! Jam i bindur se shoqëria shqiptare përmes sakrificave të mëdha që ka mundur të mbërrijë deri në ditët kur ne kemi këtë sistem politik, dhe këtë sistem kushtetues që funksionon. Do munden jo vetëm ta ruajnë atë, por me gjakftohtësi, me mençuri, me dinjitet dhe mbi të gjitha me integritet të përpiqen të gjithë së bashku me të gjithë aktorët përparimtarë të vendit dhe Shqipërisë të vijojmë rrugën e përparimit dhe konsolidimit të vlerave tona më të mira.

Këto ishin dy çështje, të cilat dëshiroja t’i ndaja me ju sonte dhe përmes jush, për t’ia përcjellë të gjithë opinionit publik. Jam i hapur për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me këto dy çështje, por edhe me çështje të tjera që dëshironi.”

Pyetje: Zoti President, rreth shtatë muaj më parë ju keni deklaruar në emisionin “Top Story” rezerva lidhur me sistemin e drejtësisë, pasi sipas jush kishte influenca nga qeveria. Lidhur me çështjen për përgjimin që i është bërë familjes suaj. Çfarë ka bërë sot që ju të ndryshoni mendjen mbi sistemin e drejtësisë dhe keni besim tek sistemi i drejtësisë tashmë? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Nëse e kuptova qartë pyetjen, nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për as edhe një arsye dhe për as edhe një çështje. Çështja që ju i referoheni është dhe mbetet një çështje serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisjeje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa qëndron si lajm, se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar nëse është i vërtetë, por në kontekstin e presionit më të madh, që u manifestua mbrëmë në mënyrën më të dhunshme dhe ekstreme si nuk e kishim parë në këtë vend prej 25 vitesh, besoj se shqetësimet që ngrihen për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të influencuar, të pakërcënuar, të pazhantazhuar, por padyshim, profesional e të pastruar nga afera korruptive, besoj se jam sot në themelin e orientimit më të mirë evropian dhe të vizionit civil dhe qytetar të çdo qytetari dhe të çdo aktori sot përparimtar të shoqërisë sonë. Prandaj nuk kam ndryshuar as një mendim. Mbetem në atë deklaratë, në atë mendim që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë, e cila të krijojë kushtet për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar; për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të kapur e të përdorur politikisht, të shantazhueshëm, për t’u dhënë mundësinë e karrierës njerëzve dinjitozë, profesionistë dhe me dinjitet. Për të pasur një mekanizëm të drejtësisë larg çdo influence dhe të mbajmë fort shpirtin e shpresës, të integritetit dhe të kurajës. Dhe unë besoj se të gjithë së bashku, institucionet e përgjegjshme shtetërore, mediat, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe thelbësor në raport me këto të drejta dhe hapësirë të shoqërisë, shoqëria civile dhe çdo qytetar i thjeshtë, akademikët, profesorët, të cilëve u bëj thirrje, në një situatë jo të mirë të çështjeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, grupeve të ndryshme, intelektualëve, që të mos kenë frikë! Të kenë kurajë! Të thonë fjalën dhe mendimin e tyre siç e gjykojnë dhe siç e mendojnë! Dhe të mbajnë fort shpresën për më të mirën!

Pyetje: Zoti President, mirëmbrëma! Atëherë atë të cilën ju e quajtët dhunë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit të ndërmarrë nga Kryetari i Bashkisë Veliaj, ky i fundit ka deklaruar se një gjë e tillë, një protestë para gjykatës vjen pasi vetë Presidenti i Republikës ka influencuar në trupin gjykues në një proces gjyqësor që ka Bashkia e Tiranës me ndërtimin e një pallati tek Diga e Liqenit. Cili është qëndrimi juaj? Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Kjo është një akuzë tjetër, tërësisht e pavërtetë, që do të ketë radhën e saj padyshim të adresimit në institucionet përkatëse për t’u verifikuar dhe për t’u vërtetuar, por në respekt në pyetjes suaj, të shqetësimit tuaj, por edhe të qytetarëve padyshim, unë jam dhe e ndiej të obliguar për të bërë një sqarim të shkurtër: Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë as ligjore dhe as institucionale për të përcaktuar trupa gjyqësore. Procesi i emërimit dhe përcaktimit të trupës gjyqësore ndodh në gjykatë Është tërësisht kompetencë e kryetarit të gjykatës dhe e kancelarit të gjykatës që nuk kanë asnjë lidhje me Presidentin, me Institucionin e Presidentit të Republikës.

Pyetje: Zoti President, pak më parë ju drejtuar gjykatësve që të kenë kurajë të mbrojnë Republikën. Çfarë nënkuptoni me “të mbrojnë Republikën”? Çfarë rrezikon të kthehet Republika shqiptare? Thirrja të tilla i kemi dëgjuar në fillim të viteve ’90-të kur studentëve u thuhej nga intelektualët shqiptarë që të vrisnin frikën dhe me kurajë të shembnin diktaturën. Sot jemi 26 vjet më pas. Sërish kjo thirrje. Çfarë rrezikojmë realisht sikundër ju e shikoni?

Presidenti Nishani: Këto thirrje së pari vijnë si reagim i shfaqjes së atyre reminishencave që ju thatë, të atyre viteve. Për fatin e keq reminishencat e atyre ngjarjeve, e atyre sjelljeve, e atyre viteve, po rishfaqen. Po shfaqen në dimensione të ndryshme, në forma të ndryshme, në fusha të ndryshme nga individë të ndryshëm. Nëse njerëz me pushtet terrorizojnë funksionarët e shtetit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të detyrës, në radhë të parë, padyshim që ka nevojë për t’u mbrojtur Republika, sepse Republika dhe vetëm Republika, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta, ligji dhe vetëm ligji është garanti ynë i përbashkët për gjithsecilin prej nesh. Nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë. Nga njeriu, i cili ka mundësi dhe lidhje të fuqishme me pushtetin apo me paranë, deri tek qytetarët më të pambrojtur në aspektin social dhe shoqëror. Prandaj thirrja ime është për të mbrojtur Republikën si garanti i vetëm, për të mbrojtur mekanizmat që kemi ndërtuar, mekanizmat që duam t’i kemi të fortë për të garantuar pikërisht këto liri, këto të drejta, ashtu siç do të garantohet edhe gjykimi, edhe penalizmi i atyre që shkelin ligjin, dhunojnë Kushtetutën dhe cenojnë Republikën.

Ju falënderoj për kohën dhe për praninë tuaj dhe njëkohësisht dëshiroj që të shpreh vlerësimet dhe respektin maksimal për punën shumë të rëndësishme që bëni çdo ditë! Ju uroj punë të mbarë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *