POLITIKA KOMBËTARE

Një letër Bujar Nishanit për çamët

Nga Arben LLALLA

I nderuar z.Kryetar i Shtetit Shqiptar! Ju falënderoj nga zemra për vlerësimet që i keni bërë për të dytën herë figurave kombëtare nga Çamëria. Ndoshta jeni i vetmi kryetar i shtetit shqiptar që brenda një kohe të shkurtër keni nderuar zyrtarisht kontributin e çamëve për çështjen tonë kombëtare.

Në 23 qershor 2014, ju vlerësuat me Dekoratën “Nderi i Kombit” atdhetarin Abedin Dinon (pas vdekjes), dhe me titullin “Naim Frashëri” historianin e njohur Ibrahim Hoxhën. Dy figura të njohura që vijnë nga Çamëria, pjesë e trojeve shqiptare të tjetërsuara me luftë nga Greqia. Pas dy vitesh, më 8 Maj 2016, ju organizuar një pritje institucionale me temë: “Kontributit të popullsisë çame në Luftën e Dytë Botërore me rastin e 71 vjetorit të fitores historike të koalicionit ndërkombëtar kundër nazifashizmit. E pra, i nderuar z.Nishani për mua si historian dhe si shqiptar e vlerësoj lartë gjestin tuaj për të nderuar lartë figurat tona kombëtare nga Çamëria. Pa harruar edhe një falënderim për ish-kryetarit e Shqipërisë z.Alfred Moisu i cili më 8 shkurt 2005 nderoi me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, dy pjesëtarë të komunitetit çam, Nuri Emin Zane (pas vdekjes) dhe Hajri Hasan Fetahu (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, në Krahinën e Çamërisë, dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqendrimit të Dakaos në Gjermani”.

Çamët janë pjesë e kombit shqiptar, ata s’janë minoritet brenda trungut tonë familjar edhe pse janë trajtuar nga shteti shqiptar që nga viti 1945 e deri më sot si njerëz të dorës së dytë. Për fatin e keq ende qeveritë tona nuk kanë një strategji kombëtare për zgjidhjen e çështjes çame. Qeveritë të drejtuara ndër vite nga PD dhe PS nuk kanë guxuar që në krye të ministrive të vendosin një shqiptar me origjinë nga Çamëria. Përse ky racizëm brenda familjes sonë kombëtare? Çamët janë njerëzit e punës, të urtë, paqësor, nuk njihen historikisht si shqiptar grindaveca. Prandaj askush të mos trembet nga emri çam dhe Çamëri, sepse s’ka çam të pabesë, por ka shqiptar të pabesë ashtu siç ka shqiptar me besë.

Ne nuk duhet të harrojmë çështjen çame, nuk duhet të lejojmë që ajo të varroset, të mbulohet me pluhur sepse nëse e lejojmë një gjë të tillë ne kemi mohuar dhe harruar trashëgimin tonë kombëtare, ndoshta më të lashtën dhe thelbësore, atë që shqiptarët kanë lidhje trashëgimie më shumë se të tjerët me Trojën, Pirron dhe Aleksandrin e Madh.

Në përfundim z.Kryetar Nishani ju them se është shteti ai që bënë kombin dhe jo kombi që bënë shtetin. Greqia në fillim të shek.19, (1821), u themelua si shtet nga shqiptarët, më tej në vitet 1832 u forcua nga vllehët, sllavët, hebrenjtë, gjermanët, italianët, etj., dhe si përfundim u themelua kombi grek. Ndërsa shqiptarët kanë patur gjithnjë kombësinë por nuk po forcojnë prej kaq dekadash institucionet shtetërore. Kjo është tragjike për ne si një komb kur shikon pas historinë se kemi kontribuar në rreshtin e parë për themelimin e shteteve të tjera si Turqia, Italia, Rumani, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia, Egjipti, etj. Prandaj të gjithë bashkë duhet të bashkëpunojmë për një qëllim, për forcimin e institucioneve shtetërore sepse ashtu ne forcojmë kombësinë dhe ndihemi të fuqishëm dhe të barabartë në tavolinën ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *