OPINIONE

Babai i Komandat Malishevës: I di emrat e atyre që tradhtuan në Kumanovë

Një vit pas rastit të Kumanovës, ku 10 shqiptarë u vranë dhe 19 të tjerë u burgosën në Maqedoni, pas një aksioni të armatosur, ende nuk është bërë shumë e qartë se çfarë realisht ndodhi.

Skënder Krasniqi, baba i Muhamet Krasniqit, i njohur si Komandant Malisheva dhe i burgosur në Maqedoni, ka thënë se kosovarët shkuan në Maqedoni për të çliruar shqiptarët, porse u tradhtuan më pas.

Ai thotë edhe se e di kush e tradhtoi Grupin e Kumanovës.

“Ata kanë shkuar për çështjen shqiptare, për t’i çliruar gjithë shqiptarët që janë në Maqedoni dhe kanë shkuar me ftesë të disa shqipfolësve të cilët u ngritën kurth dhe i tradhtuan. Unë i di emrat, por unë do t’i them ata emra. Por, ata janë shqiptarë të Maqedonisë në bashkëpunim me strukturat maqedonase. Ata janë të shitur për të ruajtur pozitat e veta në qeveri dhe bashkëqeverisjen”, ka thënë Krasniqi në Ora e Fundit në Klan Kosova.

“Është një faktor i fuqishëm politik që i ka ftuar këta në Maqedoni”, tha ai.

Skënder Krasniqi ka treguar edhe për keqtrajtimet që u bëjnë policia maqedonase kur shkojnë për të vizituar djemtë e tyre në burgjet e Maqedonisë.

“Ne familjaret që shkojmë për t’i vizituar djemtë tanë në burg, njësia speciale maqedonase na kontrollon lakuriq, dhe na i kontrollojnë edhe veturat në detaje, kurse ata që janë të burgosur kanë keqtrajtime psikike dhe jetojnë në kushte të mjerueshme”.

Krasniqi, duke përcjellur bisedat që i zhvillon me djalin e tij kur e takon, tregon se asnjë nga të burgosurit nuk ndjehet fajtor për atë çfarë kanë bërë, por është një ndjenjë tjetër që i mundon ata.

“Ndjehen të tradhtuar. Por asnjëherë nuk janë penduar se shkuan në Kumanovë, sepse qëllimi ishte madhor, por ranë në tradhti dhe s’kishin çfarë të bënin”.

Babai i Komandat Malishevës ka pohuar se nuk ka besim fare në drejtësinë e Maqedonisë dhe se qeveritë e Kosovës e Shqipërisë nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar shtetasit e vet.

“Unë nuk besoj në drejtësinë në Maqedoni, por shpresoj se do të intervenojë faktori ndërkombëtarë. Ndërsa faktori shqiptar, as në Kosovës e as në Shqipëri, nuk ka bërë asgjë për ata të burgosur”.

Krasniqi ka mohuar edhe njëherë se i ashtuquajturi Grupi i Kumanovës ishte paguar për të shkruar në Maqedoni.

“Nuk shkuan për para, askush nuk vdes as për miliarda euro, ata shkuan për ideal, sepse për ideal jepet edhe jeta”, ka thënë Krasniqi në Ora e Fundit në Klan Kosova.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *