Shoqnia Bashkimi Shkoder 1899
HISTORIA

Persekutimi i klerit katolik në Shqipëri

Përgatitur nga Veli Haklaj

Procesverbali i pyetjes së Padër Frano Kirit

Më 30 nëntor 1947, në zyrën e seksionit të Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga oficeri i këtij seksioni aspirant Ali Xhunga, u muar në pyetje i pandehuri Padër Frano Kiri, i biri i të ndjerit Tom dhe i Gjystes, 47 vjeç, lindur në lagjen ‘Rus’ dhe banues në Kuvendin Françeskan (Arra e Madhe) Shkodër, me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi sa vijon:

Në vitin 1912 kam mbaruar pesë klasë shkollë fillore, në vitin 1920 kam mbaruar Gjimnazin Françeskan Shkodër, në vitin 1924 kam krye edhe shkollën e lartë për Mitologji e Filozofi në Romë dhe jam kthye në Shqipëri me detyrë meshtar, ku kam shërbye si profesor matematike në Gjimnazin Françeskan deri më 1941. Gjatë vitit 1938 deri më 1941 kam qenë edhe si profesor i Normales sigmatinë. Nga viti 1941 deri më 1944 kam shkue famullitar në Kir. Më 1945 kam qenë i sëmurë në Tiranë pa detyrë. Nga 1945 deri në ditën e arrestimit (14 dhjetor 1946) kam qëndrue në Kuvendin Françeskan të Arrës së Madhe, në Shkodër, pa detyrë.
Kur kam qenë nxënës në Gjimnazin Françeskan, kam pasë profesor Padër Ambas Marlaskaj, i cili në mësime e sipër na ka rrënjos dashurin për Gjermaninë dhe anglezët, e cila simpathi ka ekzistue deri më fund.

Kur u ktheva nga Italia, Padër Marlaskajn e gjeta drejtor të gjimnazit, e këtu bisedojsha edhe mâ hapët nga kur isha nxënës, i cili më fliste ngaherë për gjermanët tuj i paraqitë si popull të zot nga shpirti, mendimi etj. Kështu që mua m’u rrënjos dashurija për ta. Këtë simpathi për gjermanët jam mundue ta fus edhe ndër nxënës, kur kam qenë profesor.

Me politikë jam marrë qysh më 1924, ku kam simpathizue opozitën, për të cilën edhe kam punue duke bâ shokë që të votojshin në favor të saj, në marrëveshje me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin etj.

Mbasi opozita humbi dhe fitoi Zogu, kleri po të thuash në përgjithësi ka qenë kundra tij e sidomos kur Zogu mbylli shkollat, të cilat u mbyllën për tri vjet (1933 – 1936). Mbas një kërkese që u bë në Lidhjen e Kombeve, e cila ndërhyni pranë qeverisë, shkollat u çelën përsëri, me gjithë se një pjesë e klerit qëndronte kundra Zogut.

Kleri katolik, para 1918-ës, ka simpathizue Austro- Hungarezët, mbasi këtej mvareshin financiarisht dhe merrshin drejtime prej andej si politike etj. Mbas vitit 1918 e këndej, kanë simpathizue Italinë mbasi këtu mësojshin në shkolla, na jepej ndihmë në të holla e shumë të tjera, të cilën e bânte me të vetmin qëllim politik për të ngallur simpathinë e saj në Shqipëri, ashtu sikundër është bâ që pjesa ma e madhe e klerit t’a simpathizojnë dhe t’a ndihmojnë në veprimet e saja në Shqipëri.
Veprimi im fillon që në vitin 1933, në të cilën kohë, me mbylljen e shkollave kam themelue Shoqërinë Antoniane me urdhër të Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Mjedës, e cila u formue me të vetmin qëllim për t’u dhânë rinisë nji edukatë fetare. Në këtë kohë, në mos u gabofsha, është formuar edhe Shoqëria Dom Bosko me iniciativën e Padër Pjetër Meshkallës. Të dyja këto shoqëri kanë pasë për qëllim me e rritë rininë me një edukatë fetare për të qenë më afër klerit dhe t’i përdorte për nevojat e tij.

Më kujtohet se në vitin 1936, me urdhër të Papës u formue Veprimi Katolik nëpërmjet delegatit apostolik dhe ky në marrëveshje me Arqipeshkvin Thaçi formoj veprimin në të gjithë Shqipërinë.

Qysh në fillim u ngrit Rrethi i Zojës Dhimbshme (vajzat) dhe Rrethi i Veprimit Katolik (djemtë) etj. Në këtë kohë Arqipeshkvi Thaçi bani një mbledhje ku thirri të gjithë drejtuesat e shoqërive të ndryshme si p.sh. Dom Mikelin, Bumçin, Vinçens Prendushin, delegatin e Papës Nigrit etj. Mbas kësaj mbledhjeje, të gjitha shoqëritë u futen në Veprimin Katolik simbas urdhrit të Papës, vetëm se nuk u shkrinë në të, por qëndronin në këmbë si shoqëri dhe punonin si mbas nji direktive të veprimit katolik.

Di se Dom Mikel Koliqi ka qenë drejtor i Veprimit Katolik për qarkun e Shkodrës e kshtu çdo ipeshkvi në Shqipëri ka pasë një të ngarkuar si drejtor të Veprimit Katolik si p.sh. Durrësi, Lezha, Dukagjini, Mirdita, Zadrima, por që nuk di të përcaktoj emrat e tyre se kush ka qenë drejtor. Për të gjitha këto ka qenë Arqipeshkvi Thaçi, nga i cili mvareshin të gjithë.

Drejtuesat e shoqërive bënin mbledhje të ndryshme, ku bisedonin mbi mbarëvajtjen e Veprimit Katolik, merrshin udhëzime që të luftonin komunizmin dhe raportonin çdo të metë.

Veprimi Katolik figurën e jashtme e paraqiste shoqëri fetare, por në të vërtetë ka qenë një organizatë politike që është formuar më të vetmin qëllim për të luftuar komunizmin në Shqipëri si dhe çdo rrymë që ishte në kundërshtim me doktrinën katolike, mandej kishte për qëllim grumbullimin e të gjithë katolikve që të nxirrshin delegatët e tyre në parlament për të kërkuar të drejtat e tyre (katolike) nga çdo regjim që do të vinte në Shqipëri.

Kleri ka simpathizue fashizmin qysh mâ parë, ku në një mënyrë ose tjetër e kanë ngjallur këtë simpathi edhe në popull, e mandej qe përgatitë terreni në mënyrë indirekte për ardhjen e fashizmit.

Kjo vinte mâ tepër nga Veprimi Katolik që bënte një punë në këtë drejtim, mandej qeveria italiane na ka ndihmuar me të holla, si p.sh. ndihma me të holla për shkollat klerike, profesorët italian, librat që tërhiqeshin me anën e konsullatës etj., të cilat kanë influencuar në vendin tonë.

Marrëdhënie me konsullatën italiane kan pasur At Gjergj Fishta (vdekur), Padër Pal Doda (burg), Padër Bernardin Palaj, Padër Çiprian Nika, Padër Anton Harapi etj., por se çfarë marrëdhënie e se si i kanë mbajtur këto nuk di ta shpjegoj.

Veprimi Katolik vrullin mâ të madhë e mori në vitin 1937 dhe 1938, ku në atë kohë pranojshin të merrshin pjesë të gjithë populli pa përjashtim, mbasi në këtë kohë janë ngritur edhe shoqëri të tjera si Zonja e Dhimshe etj., që vareshin nga Veprimi Katolik.

Ardhjen e fashizmit në Shqipëri e kam pritë me keqardhje, mbasi unë edhe mâ parë nuk e kam simpathizue si shokët e tjerë klerikë. Mbas ardhjes së fashizmit, kleri ka pasë një miqësi edhe mâ të ngushtë, për të cilën ka ndihmuar me shtyp ku ngrenin në qiell fashizmin dhe ulnin poshtë komunizmin.

Me daljen në shesh të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, kleri katolik ka mbajtë një qëndrim armiqësor kundra saj dhe është mundue me çdo mënyrë të ndaloj përhapjen e saj, mbasi dihej se në të bënte pjesë edhe Partia Komuniste të cilën e kishte luftuar qysh mâ parë, për arsye se e quajshin antife dhe në kundërshtim me doktrinën katolike. Në këtë kohë kam qenë famullitarë në Kir, Dukagjin, të cilën (LNÇ) e kam luftuar si të pafe etj., por si luftëtar kundra të huajit i kam admirue.

Me daljen në skenë të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Nacional Indipendentëve kleri katolik i ka furnizuar dhe ka punuar me to, si p.sh. Dom Zef Shestani me Ballin Kombëtar, Padër Lek Luli me Legalitetin e shumë të tjerë që kanë dalë publikisht. Në këtë kohë Veprimi Katolik ka punuar edhe mâ tepër dhe shumë anëtarë të saj kanë marrë pjesë në tri partitë e sipërme, duke luftuar edhe mâ mirë LNÇ me pjesëmarrjen në këto parti.

Në vitin 1941, kam marrë pjesë në mbledhjen e ipeshkëve ku merrshin pjesë delegati apostolik Nigris, Monsinjor Thaçi, Imzot Volaj, Dom Mikeli, dy jezuitë italian, Dom Tom Laca e ndonjë tjetër që s’më kujtohet. Këtu u shtrue çështja e presidentave të shoqërive të ndryshme që banin pjesë në Veprimin Katolik, se cilës shoqëri i takon parija në funksion fetar.

Di se fashizmi, që në ditët e para që erdhi në Shqipëri, i ka dhânë shuma të mëdha në të holla klerit katolik, të cilat i jepte nëpërmjet delegatit Nigris. Këto të holla, pasi i merrte në dorëzim, ipeshkvi ua shpërndante famullitarëve.

Fashizmi edhe para se të vinte në Shqipëri i ka dhënë ndihma në të holla klerit, përveç atyre që ishin të përvitshme. Këto të holla ua jepte konsullata disa priftërinjve për kishat si p.sh. Padër Bernardin Palajt, Padër Gjergj Fishtës etj. Fashizmi, qysh para ardhjes, kishte çelur spitale, shkolla industriale, instruktora etj., të cilat ngriheshin në Çelë nga Veprimi Katolik; prandaj këta shtrojshin që fashizmi në qarkun tonë të mos luftohej, si me ardhjen e tij, ashtu edhe më vonë kur luftohej në të gjithë Shqipërinë, ngaqë ishte bâ në masë mendimi për t’u koordinue se ishin katolikë duke mos mendue se ishte një okupacion.

Në pranverën e vitit 1943, në Dukagjin ka ardhur Pjetër Daragjati, i cili ka mbledhë bajraktarët e Shalës dhe të Shoshit për të mbledhë vullnetarë në ato bajraqe. Ai regjistroi një numër prej tre – katërqind vetash, tuj u caktue edhe rrogë, armatim etj., dhe i shpërndau nëpër shtëpijat e tyre dhe kur të shihej nevoja, me anën e bajraktarëve të tyre, të mblidheshin menjëherë. Pjetër Daragjati në këtë kohë nuk u ka folur për asnjë parti, përveç se u thoshte se duhet të organizohemi për qetësin e vendit dhe për kurrë kundra komunizmit. Në këtë kohë, bajraktarët vendosën që në të gjithë Dukagjinin të mos qaset brenda asnjë parti për të mos hy grindja në mes njëri-tjetrit.

Në shtator të vitit 1943, jam ulë në Shkodër e këtu jam takue me Padër Anton Harapin, i cili më tha se duhet të interesohesh me bajraktarët që t’u çelet rruga ballistave në Dukagjin. Kështu që kur u ktheva u mora vesh me to, por në këtë kohë ka ardhur edhe i biri i Sulço Begut me disa ballista në Cukal, i cili ka bisedue vetë me Lulash Gjeloshin. Pas bisedës u kthye i biri i Sulços, e mbas pak kohe Dukagjini filloj të shkruaj ballista në Shkodër. Kështu që u prish vendimi që kishte marrë Dukagjini për mos të qasur [forca] me përjashtim të partive që vazhdoj të mos i qasi deri në fund që erdhi me luftë.

Në korrik të vitit 1944, kam qenë në Tiranë e këtu kanë ardhur dy vetë prej Dukagjinit, Vat Gjoni e Mark Sadiku, të cilët m’u lutën për t’u nxjerrë municion nga gjermanët. Atëherë unë u mora vesh me Padër Anton Harapin, i cili më dha nji letër për komandën gjermane për të tërhequr njëzet arka me fishekë, nga të cilat nëntë do t’i merrte Lik Marashi dhe një e mora unë të cilën ua shpërndava fshatarëve të Kirit.

Unë kam punuar kundra Lëvizjes NÇ si individ, por punë të organizueme nuk kam bâ kurrë dhe nuk është e vërtetë se në Dukagjin jam dërgue me mision nga kleri për të organizue popullin kundra Lëvizjes NÇ.

Çlirimin e Shqipërisë kombëtarisht e kam pritë mirë, por si regjim e kam pritë keq, mbasi dihej se ishte një parti komuniste brenda.

Padër Gjon Shllaku më ka thënë në tetor të vitit 1945 se ka ardhur një autoritet i lartë nga Tirana, i cili ka folur për votimet e lira, prandaj duhet të formojmë Demokristianen. Unë në këtë rast i thashë mos u pengo me këtë punë dhe u ndamë e nuk biseduem asnjëherë, deri sa u arrestova.

Pak ditë para zgjedhjeve, ka ardhur Gjelosh Luli me një nga Tirana që s’ia di emrin. E lamë në Kuvend të Arrës së Madhe me u takue me mue. Ai më foli për Bashkimin Shqiptar e mandej më tregoi se e kanë zgjedhur kryetar të saj, si dhe një ose dy mbledhje që kishin bâ në Seminarin Jezuit me disa xhokojë si p.sh. me Mark Çunin, Gjon Shllakun etj. Mbas këtyre fjalëve i thashë se duhet të largohesh se do të të diktojë qeveria e do marrësh veten më qafë.

Me Gjenarin Topallin dhe Ndrek Kakariqin kam bisedue mbi Demokristianen në Shqipëri e që të përdoret për kundra zgjedhjevet. Atëherë unë u thashë se kjo nuk bëhet, por vetëm ideja duhet të vazhdoj, mbasi është e mirë.

Në tetor 1945 kam shkue tek ipeshkvi Monsinjor Thaçi ku kemi bisedue rreth Demokristianes, i cili nuk më dha pëlqimin as po dhe as jo.

Simbas mendimit t’em, Demokristiania është pjella e Veprimit Katolik, mbasi Veprimi Katolik s’mund të paraqitej haptas si parti politike prandej u formue Demokristiania.

I arratisuri Mark Mala më ka shkrue dy herë dhe unë i jam përgjigj letrave të tij. Letrat m’i ka dërgue në Shkodër me një djalë nga Dukagjini që nuk ia di emrin.
Në letra më ankohej se ishte tuj hjekë keq, e mandej më pyeste në se kishte ndonjë lajm të ri. Në këtë rast, unë i kam shkrue rreth Konferencës së Paqes si dhe për atë të U.N.O.S. Mandej i kam shkrue që mos të dëshpërohet, se kush e di si sillet puna dhe e kam porositë të mos merrte në qafë popullin etj. I kam dërguar katërqind franga shqiptare, në Berat, mbasi këtu qëndronin në internim.

Me anën e malësorit që thashë më lartë, Markut i kam dërgue një pallto të madhe dhe as di t’i kem dhënë ndonjë ndihmë tjetër, si Markut ashtu dhe familjes së tij. Nuk është e vërtetë që unë t’i kam shkrue Markut që të qëndronte në mal dhe të organizonte shokë të tjerë, po ashtu nuk është e vërtetë t’u kam dërguar ndihma të arratisurve të tjerë, siç akuzohem.

Për lëvizjen e Postribës nuk kam ditë gjë përveç se, kur kanë ra pushkët, kam marrë vesh dhe as di të jetë organizue një punë e tillë mbas daljes në shesh të organizatës Bashkimi Shqiptar.

Procesverbali i marrjes
në pyetje të Padër
Çiril Canit

Më 27 shkurt 1947, në Zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit, Shkodër, në pranin e kapiten Zoi Shkurti, duke qenë pranë edhe sekretari i këtij seksioni Fadil Rexhepi, u muar në pyetje Padër Çiril Cani, i të ndjerëve Pashko dhe Lules, i datëlindjes 1875, lindur në Shkodër e banues në atë kohë në Bajzë të Kastratit, të nënprefekturës së Koplikut, lagjia Ivanaj, banues i përhershëm në Shkodër, i mvarun nga Provinçeliati, nënshtetësi dhe kombësi shqiptare, shtresë e mesme, me profesion prift, i pamartuar e pa fëmijë, i cili deklaroi:

Në vitin 1890, së bashku me njëzet xhakojë të tjerë kemi shkuar në Bosnje të Austrisë, në qytetin Kreshevicë, për të studiuar. Mbas 15 vjetëve jam kthye në Shqipëri, ku kam ardhun në Shkodër dhe kam gjetun si okupator në vendin tonë Turqinë. Në shkollë, përveç mësimeve të përditshme, na kanë edukuar dhe frymëzuar se si të propagandonim e të ngrinim popullin në luftë kundra okupatorit. Për këtë gjë profesorët na binin si shembull se filan frat ka luftuar kundër Turqisë dhe âsht vrarë në luftë e sipër si patriot dhe të tjera.

Me ardhjen në Shkodër u emërova nga Provinçeliati si frat në Prevezë dhe mâ vonë në Dukagjin. Në Dukagjin kam ndenjur deri në vitin 1912. Gjatë kësaj kohë në këtë krahinë kam bâ propagandë në popull për t’u ngritur në luftë kundër zaptuesit që ishte n’atë kohë (Turqija). Kështu që më para se të ngrihej flamuri në Shkodër, unë me iniciativën time kam ngritur flamurin e Shqipërisë mbi kishën e Shalës.

Në vitin 1908, âsht bâ konstitucioni në Turqi d.m.th rrëzimi i Sulltan Abdyl Hamitit dhe në kâmbë të tij hypi nji tjetër. Më hypjen e tij vendit t’onë ju vunë shumë kondita të rënda. Për këtë arsye unë së bashku me popullin e Shalës dhe të gjithë Dukagjinit ia nisëm pushkës kundra forcave ushtarake të Turqisë. Lufta është bërë në Qafë të Agrit, në Qafë të Ndërmanjes në Majat e Shalës dhe në Qafë të Sterziqes; ndër këto vende âsht nisë pushka. Në këtë luftim forcat t’ona dolën fitues dhe hynë në Shkodër. Mirëpo forca të tjera të Turqisë erdhën përsëri në vendin t’onë dhe bënë që neve të dorëzonim armët. Bash në këtë kohë më ka thirrë në Shkodër Pashaj. Më parë se të shkojshim me u paraqitë, i pari i jonë (Ipeshkvi) u muer vesh me Konsullatën Austriake që ky të ndërhynte dhe të bisedonte me Pashën. Kështu që kur ynë kur kam shkuar me u prezantue, Pasha më tërhoqi vërejtje për punën e keqe që kisha bâ kundra Turqisë dhe më këshilloi që mos të përsëritsha mâ të tilla gabime.

Në vitin 1913, mbas ikjes së Turqisë, Mali i Zi sulmoi Dukagjinin. Unë (Padër Çiril Cani) mobilizova popullin në luftë kundra forcave të Malit Zi. Për këtë herë forcat malazeze u thyen dhe nji pjesë e tyre u zunë rob nga forcat t’ona. Mbas pak kohe, forcat të tjera malazeze sulmuen për herën e dytë Dukagjinin. Në këtë kohë jemi gjetun të papërgatitur dhe s’mundëm t’i përballonim dot forcat malazeze. Unë (Padër Çirili), si një nga prijsat e popullit, në atë kohë jam ilegalizuar dhe kam ndenjun për shtatë muaj i fshehur në Berishë. Mirëpo një komandant i Malit të Zi më ka çuar lajm që të dorëzohesha mbasi isha në besë të tij dhe se nuk do të më pushkatonin. Jam dorëzuar dhe së bashku me komandantin kemi shkuar drejt e tek prefekti në Shkodër, i cili ishte malazez. Si u prezantova me të, më këshilloi se s’kisha bâ mirë qi kisha ngritun popullin kundra forcave malazeze. Në mbarim të bisedës, prefekti më tha se po deshe ti, neve po të bâjmë si qeveritarin t’onë në Dukagjin, mirëpo unë këtë gjâ se pranova. Mbas kësaj ngjarje, s’kam shkuar në Dukagjin për arsye se kisha frikë se mos më vrisnin në befasi, por kam ndejtun në Shkodër.

Me ardhjen e Zogut në fuqi, Arqipeshkvi Monsinjor Serreqi ishte në lidhje të plotë me qeverin e Zogut dhe kishin biseduar me të që një nga pjesëtarët e kishës katolike të merrte pjesë në punën që do të bënte Zogu. Për këtë arsye Monsinjor Serreqi më thërret në Kuvend dhe më ngarkon si nënkomandat të forcave të Shkodrës. Si komandant ishte Rexhep Shazi (Shala), kurse Sylçe Begu, Muharrem Kazazi dhe Man Hoti ishin si anëtar të Komandës. Unë gjatë kësaj kohe kam propagandua në të gjithë Malësinë e Shkodrës që të bënin fli të gjithë pasunin dhe mâ në fund dhe jetën për të mirën e vatanit. Me këtë propagandë që kam bâ në ato vende, kam bâ që e gjithë Malësija të dalin me armë dhe të bashkohen me forcat tona që ishin në luftë kundra Malit të Zi. Lufta ka vazhduar për gjashtë muaj rresht dhe malazezët u thyen dhe neve shkuem deri në piramidat e kufinit t’onë.

Gjatë kësaj kohe ka ardhur për të vizituar frontin Ahmet Zogu së bashku me gjithë suitën e tij. Në mbarim të luftës më ka ardhur grada kapiten, e cila m’u dha në bazë të punës që kisha bâ.

Në vitin 1924, Zogu iku dhe erdhi opozita. Unë jam bashkuar me qeverinë e Fan Nolit, mbasi shokët e mi si Luigj Gurakuqi, Rexhep Shazi (Shala), Gaspër Mirashi, u bënë pjesëtarë të qeverisë. Në këtë kohë, forcat zogiste të ndihmuara nga Jugosllavët kanë sulmuar qeverinë e opozitës dhe mbas një luftimi të shkëputur morën qeverinë. Me ardhjen e qeverisë së Zogut, unë jam arrestuar dhe futur në burg për disa ditë. Jam burgosë nji herë tjetër në kohën kur Dukagjini sulmoi Shkodrën (kryengritja e Dukagjinit 1926). Në këtë kohë kam ndejë gati pesë muaj në burg dhe mâ vonë jam liruar.

Si jam liruar, kam ardhun në Shkodër dhe jam emëruar si Frat në Rubik të Mirditës. Bash në këtë kohë, në Rubik vjen Konti Çianua për të vizituar dhe kontrolluar punën që bëhej aty. Ky ndejti vetëm nji ditë dhe në këtë ditë kanë ardhur mjaft katundarë për t’i bâ vizita. Mbas tij ka ardhur dhe Jakomoni, i cili ishte si kryetar i Legatës italiane në Shqipëri. Punëtorët, teknikët dhe specialistët italian që punonin aty kanë buejt në qelën tonë për dy vjet rrjesht. Për këto na paguenin në vit si qira pesëqind franga shqiptare.

Gjatë kësaj kohe italianët kanë bërë propagandë fashiste në Rubik, duke propaganduar në popull se Italia fashiste është nji regjim për popullin dhe juve kini për të parë të mirën e tyre atëherë kur juve të bashkoheni me neve, do t’ju ndreqim urat, rrugët dhe të tjera.

Me ardhjen e forcave italiane në Shqipëri, unë Padër Çiril Cani jam ndodhur në Lezhë, ku kam pa se populli po përgatitej për të shkuar të luftonte kundra forcave italiane. Kam propaganduar dhe vetë që populli të mos kursehej për këtë punë, mbasi ata na vinin si zaptuesa në vendin tonë dhe jo me të mirë. Gjatë kësaj kohe jam marrë vetëm me punët e kishës dhe nuk jam përzier me politikë.

Me ardhjen e gjermanëve dhe me ikjen e italianëve nuk jam përzier, por kam ndejtur indiferent. Në këtë kohë (në kohën e gjermanëve) Padër Anton Harapi, Provinçial i Françeskanëve u emërua Regjent. Unë di se për këtë punë Padër Antoni ka marrun leje njëherë të Provinçiali Padër Çiprian Nika, i cili ishte i pari i Fretënve në Shqipni. Ky, Padër Çiprian Nika, është marrë vesh me Papën në Romë për punën e Padër Anton Harapit dhe se përgjigja nga Roma ka ardhuar që Padër Antoni të merrte përsipër Regjencën dhe të bënte pjesë në qeverin e atëhershme që ishte nën gjermanë.
Në kohën e gjermanëve, atëherë kur forcat partizane po shtypeshin për rreth vendit t’onë, i kam shkruar Provinçialit Padër Çipirian Nikës se çfarë qëndrimi duhet me mbajtë tash që komunistat po vijnë në vendin tonë. Ai nuk më është përgjigjë me letër, por kur kam shkuar në Kuvend, kam biseduar dhe më ka thënë se një herë duhet me ndejtë në punën t’onë dhe mos me u përzie.

Me Dom Lazër Shantojen jam njohur dhe kam biseduar shumë herë çështjen e Shqipërisë dhe ai thoshte se Shqipëria do të bahet e madhe me shqiptarët si dhe me ndihmën e italianëve. Dom Lazri ka pasun shumë të shkuar me Padër Anton Harapin, Padër Gjon Shllakun, Monsinjor Volen, Monsinjor Thaçin dhe me të tjerë.

Kur partizanët hynë në Shqipëri, unë me thanë të drejtën nuk e kam dashtë mbasi e urreja Partinë Komuniste, mbasi kjo parti është kundra fesë, kundra familjes dhe kundra zakoneve. Kur populli vinte dhe kërkonte ndonji skjarim nga unë për komunistat, unë jam përgjigjur tekstualisht siç kam thënë mâ sipër.

Përsa i përket kryengritjes së janarit të vitit 1945, që kryesohej nga Llesh Marashi, nuk di gjâ, por kam marrë vesh vetëm atë natë që forcat e Lleshit po përgatiteshin për të marrë Koplikun dhe mâ vonë Shkodrën. Në këtë përleshje, me sa di unë, janë vrarë pesë vetë, ndër këta dy partizanë, njëri nga këta është vrarë në derë të kishës. Forcat e Lleshit hynë në Koplik dhe si pushtuan Komandën e Koplikut kanë dashtë të hyjnë në Shkodër, por forcat partizane që erdhën nga Shkodra, sulmuan dhe thyen forcat e tij.

Elementë të pakënaqun në Kastrat dhe që unë kam biseduar me ta janë Gjon Martini, Kol Lleshi (që të dy të pushkatuar), Gjok Toma, Mark Luca, Tom Lika, Mirash Paloka dhe Gac Çuni, mësues nga Shkodra. Me Gac Çunin që ishte mësues në Kastrat kam biseduar më tepër se me të tjerët. Me këtë kam biseduar se qeveria e sotshme po na merr tokat, po na ndërron fenë dhe zakonet tona, po na i burgos dhe po na i pushkaton kot priftërinjtë duke mos patur faje, po na e mbyll Kuvendin, shkollat etj. Për të gjitha këto unë isha i pakënaqun, si dhe Gaci. Gac Çuni, në bisedë e sipër, më tha se në mal kam të arratisur dajën tim (Gjergj Vatën), me të cilin ishte në marrëveshje dhe i kishte dërguar letër. Kur Gac Çuni ishte në Shkodër dhe u vonue për ca ditë, unë (Padër Çirili) i kam çuar xhevap me Gjek Marashin nga Kastrati që të takohesha me të dhe të na njoftonte nëse kishte xhevap nga i arratisuri Gjergj Vata. Ai i ka thânë “thuaj Padër Çirilit se s’kam marrë xhevap nga daja”.

I kam thanë Gac Çunit, në bisedat që kam bërë me të, se po të isha i ri do të kisha dalë në mal, mbasi jam mërzitë shumë nga Çun Jonuzi, sepse ai më ka sulmue shumë herë si sabotator i punës së pushtetit etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *