POLITIKA KOMBËTARE

Fjala e Ambasadorit të SHBA Donald Lu në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi

Z. Xhafaj, z. Halimi, Ambasadore Vlahutin, anëtarë të komisionit,

Kam një mesazh shumë të thjeshtë:

Nëse kjo reformë dështon, ju, anëtarët e këtij komisioni do të turpëroni njerëzit që ju kanë zgjedhur. Dhe, do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Por fatmirësisht, ne nuk do ta lejojmë të dështojë. Vendi po shpreson që ju ta realizoni këtë reformë me sukses. Ne do t’ju ndihmojmë ta bëni këtë.

Dr. Smibert dhe Dr. DeVille janë ndër njerëzit më të mençur në profesionin e tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ata, së bashku me kontributin tuaj dhe nën drejtimin e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, kanë përgatitur këtë draft përfundimtar të projektit të reformës në drejtësi.

Jam krenar të them se e mbështes atë, edhe pse nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara. Di gjithashtu që askush nga ju nuk ka pasur mundësinë ta lexojë atë. E mbështes atë sepse besoj në integritetin, njohurinë dhe paanshmërinë politike të këtyre dy ekspertëve ndërkombëtarë. Unë besoj në aftësitë e tyre dhe në dëshirën e tyre të sinqertë që Shqipëria të ketë sistemin gjyqësor më të mirë të mundshëm.

Ju bëj thirrje ta studioni këtë dokument. Ngrini pyetje dhe diskutoni mbi atë që do të gjeni këtu për t’u siguruar që t’i shërbejë më mirë popullit shqiptar. Në fund të ditës, ju kërkoj të gjithëve të votoni pro reformës në drejtësi.
Gjatë vitit të shkuar, kam parë znj. Merkel, znj. Mogherini, z. Hahn, z. Kerry dhe z. Obama t’i kërkojnë Shqipërisë ta miratojë këtë reformë. Nuk kam parë kurrë mbështetje të tillë nga aleatët tuaj më të afërt për asnjë temë tjetër. Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë.

Por më shumë se kaq, ju dhe unë e dimë se populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, e kërkojnë këtë reformë. Nëntëdhjetë e një për qind e mbështesin këtë reformë. Mendojeni pak. Shqiptarët nuk bien dakord për shumë gjëra e megjithatë 91 për qind mund të bien dakord se vendi ka nevojë për këtë reformë.

E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë.

Së fundmi, i kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar, një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komision deri në fund të majit dhe në parlament deri në fund të qershorit.
Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *