HISTORIA

Popullsia e Epirit

Shkruar nga Mit’hat Frashëri, Lozanë 1915

Do të na dukej krejt e kotë dhe pa vlerë, që të flisnim për kombësitë e Epirit. Mendojmë se, të shkruash një artikull të tillë, është sikurse të provosh vërtetësinë e dritës së diellit, apo të nxehtësisë së zjarrit. Por, paturpësia e grekëve nuk paska kufij dhe padituria e publikut qenka kaq e madhe, saqë ajo që po thuhet dhe po përsëritet çdo ditë, rrezikon të besohet dhe të mirret si e vërtetë.

Në fakt, rrallë mund të gjesh, një në njëmijë njerëz, që të kenë dëshirë të studiojnë dhe të thellohen në një çështje; shumica mjaftohen me ato çka u rrëfejnë të tjerët dhe i gëlltisin idetë pa i përtypur.

Duke i përshkruar egërsitë e grekëve në Epir, kemi thënë se në të gjitha provincat e Korçës dhe të Gjirokastrës nuk ka grekë, përveç banorëve të nja pesë a gjashtë fshatrave në Jug të Delvinës, në kufirin e përcaktuar nga Komisioni Ndërkombëtar i kufijve jugorë të Shqipërisë.

Ne kemi deklaruar se nuk ka pasur asnjë grek në provincën e Korçës dhe këmbëngulim në këtë fjalë: ASNJË.

Kështu nuk do të përpiqemi aspak të provojmë mendimin tonë me anë të thënieve të autorëve dhe udhëtarëve të huaj; ne vetëm do t’u kërkojmë kundërshtarëve tanë grek, që të na japin provat e pretendimeve të tyre.

Lexuesve inteligjentë dhe të sinqertë ne do t’u rekomandonim të hidhnin një sy shkarazi mbi hartat etnografike të Lejean, Shafarik, Kiepert, të lexojnë cilindo libër udhëtimesh, me kusht, që ai të mos jetë vepër e ndonjë njeriu dashakeq; të kalojnë nëpër duar të gjitha shënimet e udhëtarëve që kanë vizituar trevat e Korçës dhe të Gjirokastrës dhe të shohin vetë se ç’farë mendon popullsia e tyre.

Për më tepër, vetë grekët e kanë pranuar gjithmonë karakterin shqiptar të banorëve të Korçës dhe të Gjirokastrës. Vetëm gjatë Luftës Ballkanike, ata kanë shfaqur një ringjallje të shovinizmit dhe të fanatizmit të verbër.

Ne themi se rajonet e Korçës dhe të Gjirokastrës janë shqiptare. Me këtë nënkuptojmë se banorët e tyre flasin gjuhën shqipe, ndjehen tërësisht shqiptarë dhe kanë në damarët e tyre gjak të racës shqiptare. Në këtë mënyrë e kuptojmë ne konceptin shkencor të etnografisë së një populli.

Tani, kur grekët pretendojnë se, këto rajone janë të banuara prej bashkëkombasve të tyre, atyre iu pëlqen të nisen nga disa iluzione dhe koncepte të gabuara. Në fillim grekëve iu pëlqen të ngatërrojnë kishën me kombësinë. Është një gabim ndaj të cilit ne kemi tërhequr shpesh vëmendjen e lexuesit tonë, por që grekët nuk e kanë marrë asnjë herë parasysh, sepse ai është shumë i dashur për ta.

Pra, kur një grek përdorë këtë fjalë (kombësinë), ai më shpesh nënkupton ritin ortodoks, kishën greke. Fantazia e tij nuk njeh asnjë kufi, kur futet në këtë qorrsokak. Atëherë, ai është i zoti të bëjë montime nga heleno-shqiptar në heleno-turk, duke dashur të tregojë me këtë një shqiptar të krishterë të ritit ortodoks dhe një të besimit mysliman.

Vetëm se, në vend që të përdorë termat “ortodoks” e “mysliman” që tregojnë besimet fetare, ai përdorë fjalët “helen” e “turk”, që tregojnë racat, kombësitë.

Dhe kështu, me këtë logjikë së prapthi, një njeri që ndryshon fenë, IPSO FACTO, do të kishte ndërruar njëkohësisht edhe racën. Por, logjika greke nuk ndalet aspak këtu. Ata kanë gjithashtu edhe shprehje të tjera të çuditshme si alvanofon-helen, vllahofon-helen, bullgarofon-helen, duke dashur të nënkuptojnë me këto helen që flasin shqip, vllahisht dhe bullgarisht.

Është një letërsi tepër zbavitës ajo e broshurave dhe e librave propagandistike të fabrikave nga shoqata “Helenizimi i Athinës”, “Kazazis” e “CIE”. Aty do të gjeshë këto marrëzi të grumbulluara në mënyrën më të habitshme. Nganjëherë, përsa i përket afërsisë me shqiptarët, grekët kanë seriozitet grotesk. Flasin për Pellazgët e vjetër, Ilirët, Dorjanët e ku e di unë se ç’farë dhe arrijnë në konkluzionin se grekët dhe shqiptarët janë dy raca motra, dy popuj vëllezër.

Vëllezër, sigurisht se sipas gjenezës biblike, pra atëherë jemi vëllezër edhe me Zulu-të dhe Samojedët. Le t’i kthehemi sërish “argumenteve” të fqinjëve tanë jugorë.

***

Jo rrallëherë në statistikat e botuara nga grekët, mund të shohësh shifra të nxjerra nga statistika zyrtare të Turqisë (salname të vilajeteve). Kjo mënyrë dokumentimi u vjen mjaft mirë për shtat politikanëve të Athinës, sepse në çështjet e kombësive dhe të komuniteteve fetare, turqit nuk janë aspak më të saktë se grekët; mentaliteti i tyre dhe mënyrat administrative janë të mbështjella me një çoroditje të pashembullt.

Kujtojmë në fillim se Turqia ka në bazë të administrativit të vet ligjet e nxjerra nga Kanuni. Sipas këtyre principeve, Turqia ka njohur vetëm dy klasa njerëzish, myslimanët dhe jomyslimanët. Këta të fundit të quajtur “qafirë” (të pafe), “raja” dhe “ziemi”. Me këto përcaktime janë poshtëruar të gjitha racat jomyslimane të tokës, por të quajtur gjithmonë me emrin që u jep atyre Kurani (Jehudi, xhehud).

Kur Turqit u zëvendësuan nga perandoria e Bizantit, Mehmeti II qe padyshim shumë i lumtur kur gjeti një peshkop në Konstandinopojë që pranoi të marrë përsipër administrimin e klasës së papastër të qafirëve.

Kështu patriarku mori juridiksionin shpirtëror dhe laik të të gjithë krishterëve të ritit ortodoks, të cilët ishin regjistruar nga burokracia otomane vetëm me emrin “roum” (domethënë romak); ata të perandorisë së poshtme shënoheshin me termin Diari-i-roum, ndërsa grekët thirreshin Rimios, Romak.

***

Të veshur me këtë fuqi supreme që i bënte me të vërtetë ekumenik, patriarkët në vend të proselitizmit fetar, nisën të bëjnë proselitizmin kombëtar. Ky zell i madh i klerit ortodoks është lehtësisht i kuptueshëm, nëse kujtojmë se administrimi i kishave, manastirve dhe shkollave (më shumë fetare), ishte në duart e patriarkatit. Kështu, ai që ishte kleri ortodoks, u bë një kler krejtësisht grek dhe helen, siç i pëlqente t’a quante veten.

Ka pasur një çast ku të gjithë të krishterët ortodoks të Turqisë Evropiane u quajtën grek. Në fillim ishte më shumë zell fetar, por më vonë u shfaqën edhe idetë kombëtare e politike, sidomos gjatë këtyre 150 vjetëve të fundit.

Atëherë patriarkati u bë qendra e helenizimit dhe politikës helenike. Shkollat u shtuan, propaganda e letrave dhe e gjuhës greke mori një shtrirje të gjerë; sigurisht lindën edhe shkolla për vajza, me qëllim që të ndërhyhej akoma më shumë në familje, deri te djepi i fëmijës.

Të gjithë shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe vllehët u quajtën Roum (grek), si të gjithë qafirët. Prifti në kishë, mësuesi dhe kujdestarja në shkol¨ë, bënin ç’ishte e mundur për rrënjosjen e kësaj ndjenje të rreme kombëtare, për shkatërrimin dhe paragjykimin e karakterit të vërtetë etnik të popujve dhe kombësive.

Ja pra, cilat janë arsyet që grekët janë të dashuruar me të dhënat zyrtare turke mbi popullsinë e Epirit dhe të Maqedonisë. Në Salnamet (vjetarët) e vilajeteve, të gjithë myslimanët janë të emërtuar ISLAM, n¨dersa ortodoksët ROUM d.m.th. grek, që frekuentojnë kishën greke dhe varen nga juridiksioni fetar i Patrikanës së Fanarit. Vetëm në vitin 1872 idhtarët e kishës bullgare u quajtën zyrtarisht bullgar nga autoritetet otomane.

Ortodoksët shqiptarë, duke mos pasur një kishë autoqefale dhe, duke qenë të varur ndaj juridksionit të Patriarkatit të Fanarit, kanë figuruar gjithmonë si Roum në regjistrat turq.

Një tjetër argument i përdorur nga grekët është ai i shkollave. Sidomos në këto vitet e fundit ky argument është përdorur dhe konsideruar prej tyre si një armë tepër e fuqishme në duart e veta.  Grekët gjithnjë kanë publikuar numrin e shkollave, mësuesve dhe nxënësve. Në çdo vend tjetër, përveç Turqisë, këto të dhëna do të kishin pasur një vlerë mjaft të madhe. Ato do të kishin qenë një udhërrëfyes për të përcaktuar karakterin e vërtetë etnik dhe aspiratat e vërteta të një populli.

Por ajo që kemi thënë më lart mjafton për të kufizuar këtë argument në vlerën e tij të saktë. Dhe ja përse:

  1. Drejtimi i shkollave është në duart e komuniteteve, të cilët janë grupuar rreth kreut fetar, pra shkollat dhe komuniteti përbëjnë një trup të vetëm me kishën dhe qeveria turke i njihte këto institucione vetëm nëpërmjet kreut fetar, i cili ishte i ngarkuar me administrim.
  2. Komunitetet kishin në dispozicion të tyre fonde të mëdha, donacione e trashëgimi, të gjitha të shënuara në emër të komunitetit si entitet fetar. Atëherë kuptohet se sa i madh ishte roli shtypës i këtyre shumave të mëdha, që ndodheshin në duart e klerit dhe të komuniteteve.
  3. Kleri ka në duart e tij edhe një forcë tjetër, atë të komunikimit me jashtë dhe të persekutimeve fetare. Këto armë mbështeten nga qeveria, e cila është një konservatore e thellë, që sheh me frikë çdo inovacion.

Pra, kërkoni ju të dërgoni djalin në një shkollë të padëshiruar nga kleri, nga i cili fatkeqësisht jeni të varur? Ju menjëherë shpalleni heretik, syrgjynoseni nga gjiri i kishës, prifti ju mohon shërbimet e zakonshme, kaq të shtrenjta për shpirtërat e besimtarëve. Ai refuzon të pagëzoj fëmijën e porsalindur, t’ju vërë kurorë çifteve të reja në martesë, madje ju refuzon edhe një copë tokë në varreza.

Me qindra raste të tilla janë provuar në Shqipëri dhe shpeshherë njerëzit janë detyruar të ndërmarrin një udhëtim të gjatë për të pagëzuar fëmijët, ose për të celbruar çdo martesë.

Këtyre armëve shpirtërore u shtoni edhe disa të tjera më të fuqishme dhe më therrëse; terrorizmin e bandave të andartëve, për llogari të klerit grek e të komuniteteve fetare dhe ju do të kuptoni më mirë nëse ekzistenca dhe numri aq e kaq shkollave mund të konsiderohet si kriteri i karakterit etnik të një populli.

Kjo nuk u ka shpëtuar pa vënë re autorëve serioz që kanë studiuar çështjet e Ballkanit. Engelhardt thotë tekstualisht: “Përsa i përket shkollës si shenjë dalluese e kombësisë, kjo cilësi mund t’u atribuohet atyre në Maqedoni, ku kleri grek e ka pasur prej shekujsh monopolin, d.m.th. drejtimin ekskluziv të institucionit të arsimit publik.”

Statistikat zyrtare të Turqisë dhe numri i shkollave greke janë argumentet më të fortë të sllavëve fqinjë, arma e tyre e preferuar, por që ne e pamë së toku se sa vlen ajo.

Por le të shohim se ç’farë thonë këto statistika të famshme, aq të dashura për grekët: Qysh në ditët e para të janarit të vitit 1913, qeveria helenike, paraqiti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, një promemorie mbi kufijtë e Epirit, të cilës i bashkëngjitej një tabelë statistikore e nxjerrë edhe ajo nga të dhënat otomane të vitit 1908.

Sipas kësaj promemorie të famshme, kazaja e Korçës numëronte 69 609 banorë, nga të cilët 35 438 janë grekë dhe 34 171 myslimanë. Nga këta 35 438 grekë, 33 894 ishin shqipfolës dhe 1 544 vllahifolës.

Pra, 33 894 + 1 544 = 35 438. Me fjalë të tjera, në kazanë e Korçës ka 34 171 shqiptarë myslimanë dhe 33 894 shqiptarë ortodoks, plus 1 544 vllehë ose shqiptaro-vllehë.

Gjithmonë sipas kësaj promemorie të famshme që siç u tha më lart, është një kryevepër absurditeti llafollogjik, kazaja e Starovës e lakmuar nga grekët përmbanë 13 409 banorë, ndër të cilët 10 104 myslimanë dhe 3 305 grekë, që të gjithë shqipfolës. Pra, asnjë grek.

Kazaja e Kolonjës me 14 701 banorë numëron 9 664 myslimanë dhe 5 057 grekë, që të gjithë shqipfolës. Pra, asnjë grek.

Të tri kazatë e sipërpërmendura bënin pjesë në Vilajetin e Manastirit. Ja tani shifrat për Vilajetin e Janinës: Përmeti, nga 17 986 banorë numëron 9 265 myslimanë dhe 8 721 grekë, nga të cilët 8 721 shqipfolës dhe 1 600 vllahofonë. Pra, asnjë grek.

Pjesa e kazasë së Tepelenës, e reklamuar nga grekët, numëron rreth 10 241 banorë, nga të cilët 5 855 myslimanë dhe 4 386 grekë, që të gjithë shqipfolës. Himara me një popullsi të përgjithshme prej 11 968 banorësh, numëron 7 218 grekë dhe 4 750 myslimanë, nga të parët 3 865 janë greqishtfolës dhe 3 353 shqipfolës. Pra, vetëm 3 865 grek.

Kazaja e Delvinës prej 21 836 banorësh, numëron 16 386 grekë dhe 5 350 myslimanë, nga të parët 3 865 janë greqishtfolës dhe 4 155 shqipfolës. Do të shohim më poshtë cili është karakteri i vërtetë etnik i atyre, që pretendojnë se janë grekë.

Kazaja e Gjirokastrës në një total prej 42 126 banorësh, numëron 21 094 greküe dhe 21 032 myslimanë.

Pra, në një popullsi të përgjithshme prej 201 876 banorësh, që përfshihen në tetë kazatë e sipërpërmendura, vetëm 29 274 banorë janë grekofonë, d.m.th. që flasin greqisht: të tjerët, e pranuar kjo edhe nga vet grekët, janë shqiptarë qoftë të besimit mysliman, qoftë të besimit të krishterë. Raporti i grekofonëve me atë të shqiptarëve është përafërsisht 14%.

Ja pra, ku i bazojnë grekët pretendimet e tyre, për ta konsideruar grek Jugun e Shqipërisë ose Epirin e Veriut, siç e quajnë ata. Por kur grekët gjenden me shpatulla pas murit dhe kur e shohin se janë të detyruar të pranojnë absurditetin, ata kapen mbas një argumenti tjetër.

Nga konsideratat fetare dhe shkollore, ata kalojnë në konsiderata psikologjike dhe të përgjigjen: të kesh në damar gjak të tillë ose të atillë, të flasësh këtë apo atë gjuhë, nuk do të thotë asgjë; kryesorja është ndërgjegjja kombëtare, njeriu i përket racës për të cilën ai deklarohet. Dhe epirotët janë grekë nga ndjenjat!

Kjo është një tjetër logjikë. Të përpiqemi të analizojmë këtë argument të ri të grekëve. Në fillim duhet që lexuesi perëndimor të ketë parasysh se kemi të bëjmë me një komb evropian, se nuk ndodhemi përpara një grupimi të tillë etnik si francezët, anglezët, italianët, gjermanët, të cilëve u janë dashur shekuj që të zhvillohen, të afirmohen e të ndërgjegjësohen.

Lexuesi nuk duhet të harrojë se ndodhet në pjesën lindore të Evropës, ku gjithçka ka qenë kaq e ngatërruar, kaq e falsifikuar, kaq e gjymtuar dhe e mbushur me mashtrime.

Ndërgjegjja kombëtare!
Por, a nuk është kjo ndërgjegje kombëtare ajo, për të cilën Pukëvili njëqind vjet më parë thotë se nuk ekzistonte grek përpara pavarësisë së tyre?

Për cilën ndërgjegje duhet të flasim? A kemi harruar se ka më shumë se tri të katërtat e shekullit, kur rumunët konsiderohen sllavë, ndërsa fisnikët e tyre mbahen si grekë?

Asgjë e përcaktuar, asgjë e qëndrueshme për sa i përket kombësisë së këtyre njerëzve të nënshtruar ndaj një çoroditje tepër fantastike, sepse është kisha, prifti, shkolla, janë bandat, ato që diskutojnë në ndërgjegjen e tyre.

Jo rrallë dëgjon të thuhet: az sem grec, no ne znam gertski ( unë jam grek, por nuk di greqisht ). Ky bullgar i mirë që sot e quan veten grek, nesër do të besojë se është serb dhe ndoshta një ditë do të kuptojë, se është bullgar.

Nuk do të harroj fjalët e famshme të Princit të Parë të Bullgarisë, Aleksandër De Battenberg: “Kemi bërë Bullgarinë, tani na duhet të bëjmë bullgarët.”

Pra, meqenëse ndërgjegjja kombëtare nuk shprehë asgjë të saktë dhe, në rastin kur kjo ndërgjegje nuk është e sofistikuar nga ndikimi i kishës dhe propagandës, detyrohemi të marrim si kriter të karakterit etnik gjuhën dhe gjakun e një populli, sepse vetëm atëherë do të jemi në rrugë të drejtë.

Do të ishte mirë që antropologët të ndërmarrin studime antropologjike mbi popullsinë e Epirit dhe jemi të bindur qysh tani, se këto studime shkencore do të jenë mbështetëse të tezës sonë… Në fakt, ndryshimi ndërmjet kafkës së një shqiptari dhe të një greku është aq i madh, sa mjafton të shohësh një epiriot ndërmjet njëmijë grekësh, për ta dalluar menjëherë.

Duke pasur njohuri mbi disa studime shkencore, le të shohim të dhënat e nxjerra nga konsideratat etnografike të udhëtarëve, që kanë njohur dhe studiuar vendin tonë.

Kemi thënë më lart se kazaja e Himarës, Akrokerauni i lashtë që gjendet në jug të Vlorës në breg të detit me një popullsi të përgjithshme prej 11 968 banorësh, ka 3 865 grekë. Po a janë ata grekë autentik? Mos vallë ka këtu ndonjë gabim dhe këta njerëz e fshehin karakterin e tyre të vërtetë etnik?

Në fakt, bëhet fjalë për banorët e tri fshatrave të Himarës: Drimada, Palasa, Himara që janë treva dygjuhëshe, domethënë ku flitet njëkohësisht edhe shqip edhe greqisht.

Koloneli anglez William Martin Leake, që ka qëndruar në Shqipëri si konsull britanik pranë Ali Pashait të Janinës, thotë si më poshtë: “Greqishtja flitet nga të gjithë njerëzit, ndërsa italishtja nga ata që kanë udhëtuar jashtë, por femrat njohin vetëm gjuhën shqipe.”

Vini re: femrat në Himarë flasin vetëm shqip, ndërsa burrat, që kanë udhëtuar dhe kanë parë botën me sy, mund të njohin çdo lloj gjuhe tjetër: greqisht, italisht ose kinezçe.

Për më tepër, himarjotët në shërbim të Mbretërisë së Napolit, formonin një batalion të quajtur: REAL CACCIATORI ALBANES. Pra, ata nuk quheshin aspak grek dhe qysh prej njëqind vjetësh, askujt nuk i ka shkuar nëpër mend t’i quajë me këtë emër.

Ajo ç’farë kemi thënë dhe provuar për Himarën, vlenë gjithashtu edhe për dy kazatë e tjera, të Delvinës dhe Gjirokastrës, pjesë të të cilave pretendohen nga politikat e Athinës se janë territore greke. Por mendoj të mos kufizohem në studimin e popullsisë së rajoneve, që përfshihen në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Londrës, për Shqipërinë e pavarur. Për ne, Epiri është krejt Jugu i Shqipërisë, që shtrihet në kufijtë e tij të vërtetë, domethënë, deri në gjirin e Artës dhe në kepin e Prevezës.

Epiri kufizohet dhe ndahet prej Greqisë nga malet e Pindit dhe gjiri i Ambrakisë. Kjo pjesë e Epirit përfshinë tri sanxhaqe: i Janinës, Prevezës dhe i Igumenicës, të cilët sipas statistikave të famshme greke, aq të dashura për grekët, numërojnë: Sanxhaku i Janinës ka 128 148 banorë, nga të cilët 10 706 myslimanë, 4 024 shqipfolës, 11 230 vllahfolës, si rrjedhojë 102 188 grek dhe 25 960 jo grek. Sanxhaku i Prevezës ka  36 540 banorë, nga të cilët 2 736 myslimanë dhe 1 100 shqipfolës. Sanxhaku i Igumenicës ka 74 844 banorë, nga të cilët 34 406 myslimanë, 11 662 shqipfolës dhe 100 vllahfolës. Kështu pra, të tri sanxhaqet bashkë numërojnë një popullsi të përgjithshme prej 249 532 banorësh, ndër të cilët 64 594 shqiptarë dhe 11 330 vllehë.

Nuk dëshirojmë të hyjmë në diskutime për numrin e vllehëve në Epir, nuk na takon ne të bëjmë një përshkrim dhe numërim të fshatrave vllehe përgjatë pregamenteve të Pindit, ose për karakterin e vërtetë etnik të rajoneve të Zagorisë, Pogonit, etj.

Lexuesit, që dëshirojnë të dinë më shumë, le të lexojnë publikimet nga vetë vllahët. Ata do të gjejnë në to të dhëna tepër të hollësishme mbi çështjet e racës dhe një tjetër konfirmim mbi ç’farë kemi thënë në fillim të këtij studimi, mbi klerin grek dhe tiraninë e patolerueshme. Ndërsa nga ana tjetër ne duhet të të jemi të qartë për elementin shqiptar, të cilin grekët e Athinës dëshirojnë ta quajnë një minoritet në Sanxhakun e Janinës dhe Prevezës. Shembulli i Himarës do të jetë përsëri i vlefshëm për ne.

Në jug të Shqipërisë ndodhet një krahinë që quhet Suli, ndërmjet Janinës dhe Prevezës, të cilën Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu si krahinë greke.

Sot çdo grek i ndershëm do t’ju htotë, se banorët e kësaj zone janë grek dhe do të arsyetojnë se janë pikërisht suljotët ata që i kanë dhënë Greqisë kapitenët dhe heronjtë më të mëdhenj gjatë luftës për pavarësi. Bindja e grekëve në këtë pikë është apsolute. Por ka disa djetër vjet që, grekët e kanë njohur vetë kombësinë shqiptare të suljotëve. Historiani grek Papa Rigopulos e pranon me ndershmëri edhe në fjalorin grek të historisë e gjeografisë, nga autorët Vutira, Vretos dhe Vafiadhis.

Oficeri francez Adolf Serfber, që me emrin Ibrahim Monsur Efendi ka qenë për një kohë të gjatë pranë Ali Pashait të Janinës, duke folur për suljotët këmbëngulë për gjakun e tyre shqiptar. Një pjesë e mirë e njerëzve në Evropë, i marrin ata për grek vetëm duke u nisur nga lufta e Ali Pashës. Për më tepër, suljotët në shërbim të qeverisë franceze në vitet 1807 – 1814, a nuk kishin formuar një regjiment të quajtur regjimenti shqiptar?

Për problemin e Epirit, ne do të përpiqemi t’i japim lexuesit një ide më të gjerë mbi përpjekjet që bën propaganda athinase dhe fanariote me qëllimin e greqizimit të shqiptarëve.

Autori i këtij libri ka vizituar gjashtë vjet më parë tetë fshatra të pjesës jugore të Sulit, në rajonin e quajtur Laka Lelova. Në njërin nga këto fshatra, në Papadate, kam takur një djalë rreth 10 vjeç, të cilit kur i fola shqip, m’u përgjigj se nuk e dinte këtë gjuhë. Unë këmbëngula disa herë, që ai të fliste shqip dhe më në fund mësova prej tij se mësuesi i shkollës, ai dhaskal i mjerë, i ndalonte fëmijët të flisnin gjuhën amtare, madje i kërcënonte se do të bënin herezi…, se do të shkishëroheshin… dhe, se do të provonin në shpinë kamxhikun. Nga sa thamë më lart, shihet se ç’farë tregojnë statistikat greke dhe ku bazohen pretendimet e fqinjëve tanë jugorë. Ndoshta mund të mendohet se grekët kanë të drejta historike mbi Epirin, një e kaluar, që lidh Epirin me Greqinë, një traditë që bashkon fatin e Shqipërisë së Jugut me atë Greqisë.

Sigurisht, në rast se ka pretendime dhe të drejta historike, nga më absurdet janë ato të grekëve ndaj Epirit, sepse Shqipëria e Jugut e quajtur Epir, nuk ka qenë asnjëherë greke. A nuk është historiani grek Tuqidid, që thotë dhe e përsërit pa pushim se epiriotët janë barbarë (domethënë jo grek), se ata flasin një gjuhë të pakuptueshme nga grekët?

A nuk është Herodoti, që i konsideron epiriotët dhe maqedonasit si të huaj?

A nuk e thotë të njëjtën gjë Straboni e Plutarku dhe a nuk është Demosteni thumbues, që lëshon shigjetat e tij më të mprehta kundër barbarit Filip të Maqedonisë?

Gjeografi francez Malte-Brun e përmbledhë shumë bukur të kaluarën e Epirit kur thotë: “Epiri, të cilin të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia, është përshkruar edhe në librat “Iliria” dhe “Maqedonia” nga Straboni. Kantonet e tij kryesore kanë qenë Kantoni Thesprot dhe Kantoni Molos. Straboni dhe Plutarku na tregojnë se epiriotët flisnin një gjuhë të veçantë dhe se kjo gjuhë ishte e njëjtë me maqedonishten. Duket se e folura moderne e shqiptarëve rrjedh prej saj.

Pra, gjatë gjithë antikitetit, Epiri ruan një figurë të veçantë nga ajo e Greqisë. A mos vallë kjo ka ndrshuar gjatë Mesjetës? Dëshmitarët e historisë vërtetojnë se, Epiri ka mbetur gjithmonë jogrek dhe do të na vinte keq nëse grekët do të tregohen aq naivë sa të konsideronin sundimin bizantin si një dominim grek, që të mund të sajonin ndonjë të drejtë mbi Epirin.

Qysh nga ardhja e turqve në Evropë, Epiri ka qenë konsideruar si një pjesë e Greqisë apo e Shqipërisë? 

Te një autor me origjinë greke Teodore Spandugino Cantacuscino, në një histori mbi origjinën e Turqisë, ne lexojmë pjesët e mëposhtme: “Perandori Cantasuzene zgjodhi në Janinë një njeri nga shtëpia Shpata dhe e bëri nëndespot dhe guvernator së bashku me një Musak Topia, nga të cilët njeri qëndronte në Janinë, që ishte kryeqyteti i Mbretërisë së Shqipërisë”.

Pak më poshtë lexojmë: “Janina, e cila është një vend i fortë, ka qenë kryeqytet i gjithë Shqipërisë”. Dhe përsëri disa rreshta më poshtë: Popullsia e Epirit – “Amurati, që ishte në gatishmëri, pa pritur më gjatë hyri në Shqipëri dhe pushtoi Artën.” Pra, jo vetëm Janina, por edhe Arta konsiderohej territor shqiptar. Për më tepër, Sansovino, në faqen 302 na tregon se, në kohën e ardhjes së turqve, e gjithë Maqedonia quhej Shqipëri, se banorët e saj flisnin shqip dhe shtriheshin nga Thesalia deri në Dalmaci, kufizuar në Lindje nga lumi Strimor dhe shtatë liqenet e tij të mrekullueshëm.

Domethënë qysh nga koha e ardhjes së turqve, Epiri shqiptar nuk ishte aspak grek, përkundrazi mund të thuash se, një pjesë e madhe e Greqisë ishte Shqiptare dhe se turqëve, iu desh të luftonin në Greqi jo kundër princave vendas, por kundër princave shqiptarë.

Mbas pushtimit turk dhe gjatë shekujve modernë, a ka pësuar ndryshime fizionomia etnografike e Epirit? Nuk e besojmë. Turqit e kanë konsideruar gjithmonë Epirin si një tokë shqiptare dhe historianët e tyre e përshkruajnë këtë rajon me emrin arnautllëk (Shqipëri), kurdoherë kur flitet për Himarën, Delvinën, Pargën, Janinën ose Prevezën. E tillë është konsideruar ajo edhe nga misionarët katolikë të Romës, për të cilët Epiri formonte vazhdimësinë jugore të Shqipërisë.

Një dokumentar interesant i ruajtur në arkivat e “Propaganda Fide” të Romës, që daton më 1703 dhe është dërguar nga peshkopi i Antivarit Mgr. Vinçenso Zmajeviq, një slloven i lindur në Perasto, përcakton kufijtë e Shqipërisë, që shtrihen nga Antivari dhe Dulcingo, deri në gjirin e artës në jug. “Shqipëria, e vënë nën zgjedhë nga turqit, e kufizuar me Maqedoninë dhe Epirin, si dhe me një pjesë të mirë të skajit të Dalmacisë, zë sot gjithë atë pjesë bregdetare, që ndodhet ndërmjet Postoviçit, kufiri i fundit i Republikës Venetë dhe gjirit të Mabrakisë, i quajtur liqeni Arta, duke përfshirë me emrin Shqipëri, jo vetëm qytetin Tivar dhe Ulqin, pranë Dalmacisë, por edhe Epirin, që shtrihet nga Vlora deri në Arta dhe pjesa më e madhe e Maqedonisë. Pra, Epiri përshkruhet vetëm si pjesë, si një provincë e Shqipërisë, si Toskana në Itali, si Gaskonjë ose Provencë në Francë.

Për dijetarët modernë kjo çështje qëndron vetëm kështu dhe jo ndryshe. Në botimin e tretë të vitit 1778 në Gjenevë, të Enciklopedisë nga Didero dhe Dalembre, në artikullin “Shqipëria”, ky vend përshkruhet i kufizuar: “… në Perëndim nga gjiri i Venecias, në Veri nga Dalmacia dhe Bosnja, në Lindje nga maqedonia dhe një pjesë e Thesalisë, ndërsa në Jug nga Achaie ose Livadie. Me emrin e Shqipërisë kuptohet Iliria e vjetër dhe Epiri i Greqisë.

Gjatë gjysmë pavarësisë së Ali Pashës, Epiri ka qenë konsideruar vetëm si një pjesë integrale e Shqipërisë dhe francezi Mark Bruere des Rivaux, s’ka bërë gjë tjetër veçse ka thënë një të vërtetë të thjeshtë, kur i shpjegonte Ali Pashës së Janinës, se: “Me Epir kuptohet e gjithë hapësira e banuar prej arnautëve ose shqiptarëve me përjashtim të Maqedonisë, ku ishte vendosur pashallaku i Shkodrës.” Mbas luftës ruso-turke në vitin 1877, atëherë kur projektohej copëzimi i Turqisë, në një seancë të kongresit të Berlinit, u propozua me shumë “bujari” nga Franca që t’i jepej Greqisë një pjesë e Shqipërisë së Jugut, që shkonte nga Preveza deri në lumin e Kalamasë.

Ky ishte një territor shqiptar, por në atë kohë mendohej vetëm për një shtet tashmë të pavarur dhe ishte e natyrshme, që të mohohej ekzistenca e një kombësie tjetër aty. Shqiptarët u revoltuan kundër një dhunimi të tillë të të drejtave të tyre kombëtare. Ata protestuan kundër kësaj padrejtësie dhe e famshmja Lidhja e Prizrenit, që shtrihej nga Shkodra deri në Prevezë, mori pjesë aktive në këtë çështje duke dërguar një mision në kancelaritë e Fuqive të Mëdha.

Përkundrejt këtij manifestimi krejt të ligjshëm dhe me gjithë demonstrimet dhe qëndrimin qesharak të Greqisë, gjyqi Evropian e dha verdiktin e vet dhe nuk pranoi t’i jepej Greqisë një pjesë e Shqipërisë.

Ky sigurisht ishte triumfi i drejtësisë. Nuk ka mësim më të mirë dhe më interesant, se sa të lexosh korrespondencën zyrtare të asaj kohe, ku përfaqësuesit e Fuqisë së Madhe (anglezët, italianët dhe francezët), u detyruan të njohin vërtetësinë e fakteve dhe sugjeruan se duhet ndrequr një gabim i tillë, i shkaktuar nga dashamirësia e tepruar ndaj Greqisë zhurmëmadhe.

Kemi parë se sa të pabazuara janë pretendimet etnografike dhe historike të Greqisë ndaj Epirit shqiptar dhe e përsërisim akoma edhe një herë, se historikisht, grekët nuk mund të kenë asnjë të drejtë mbi Shqipërinë Jugore. Ata nuk kanë qenë kurrë zotër të këtij rajoni dhe se përkundrazi, të drejta e shqiptarëve ndaj fqinjit jugor janë ndoshta shumë të serioze.

Po ashtu etnografikisht numri i grekëve, ose të greqizuar në Shqipëri, është tepër i vogël, ndërkohë që elementi shqiptar në Greqi arriti një shifër mjaft të rëndësishëm.

Kemi parë gjithashtu, se eksperienca e shkollave nuk mund të merret si kriter i kombësisë dhe se ndërgjegja kombëtare është në më të shumtën e rasteve e tjetërsuar nga ndikimi tiranik i kishës greke.

Grekët, që janë mjaft të zgjuar, me gjithë shovinizmin e tyre, e kuptojnë fort mirë këtë edhe kur përpiqen të sjellin një argument tjetër. Ata kapen mbas kësaj teze: kriteri i kombësisë nuk është as historik, as etnografik, as gjuhësor, por është ndërgjegjja e popullit, dëshira e tij për t’u deklaruar i tillë, apo i këtillë. Është manifestimi spontan i zemrës dhe i shpirtit.

Tani, banorët e Epirit të paktën të krishterët, e quajnë veten grekë, kanë ndjekur dhe ndjekin shkollat greke, ndërkohë që shpirti shqiptar nuk “shfaqet” në asnjë formë tek ata.

A nuk është manifestimi spontan i ndjenjave filo-helenike ai që duhet të përcaktojë kriterin e kombësisë?

Spontan! Sigurisht fjala tingëllon shumë ironike, sepse do të ishte një spontanitet i çuditshëm ai që shfaqet me forcën e dëbimit nga komuniteti, me mallkime, me bandat e armatosura dhe me terrorizëm moral e fizik. Ndoshta lexuesi i huaj për këtë çështje  mund të ndikohet nga llafollogjia greke. E ndoshta mund ta besojë. Por, a është e vërtetë se banorët e krishterë të Shqipërisë jugore e ndjejnë veten grekë dhe se ata nuk kanë asnjë ndjenjë e ndërgjegje për kombësinë e tyre të vërtetë? A është e saktë se ata njerëz, që ndryshojnë fe e kombësi dhe në rast se është kështu, përse i duhet dhënë kaq shumë rëndësi disa renegatëve të racës së Atdheut?

A është e vërtetë se shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një ndjenjë të vërtetë të racës së tyre?

Na vjen keq që gjithmonë jemi të detyruar të përgënjeshtrojmë grekët dhe do të kishim dashur, që ata të kishin të paktën njëherë të drejtë.

Por jemi të detyruar përsëri, që të shohim se sa vlenë ky argument i fundit i tyre.

Banorët e Epirit, qofshin të krishterë apo myslimanë e kanë mjaft të zhvilluar ndjenjën e racës së tyre. Madje, edhe filohelenët më të tërbuar, mburren dhe krenohen me këtë cilësi, për gjakun e tyre shqiptar, të cilin e konsiderojnë më superior dhe më të pastër se ai grek.

“Unë jam shqiptar dhe jo grek”, thonë shqiptarët në mes të Athinës, qofshin me origjinë nga Epiri apo nga Megara. Kurrë të krishterët shqiptarë, me përjashtim të disave të shitur tek qeveria greke ose të helmuar nga propaganda megalomane greke, nuk kanë shfqaur ndonjë prirje ndaj Greqisë dhe në asnjë rast u janë përgjigjur thirrjeve të grekëve. Bandat greke e kanë bredhur kudo vendin, por ata nuk kanë gjetur kurrë mbështetje dhe si pasojë, nuk kanë mundr të ushtrojnë ndikimin e tyre, përveç në disa rrethina të kufizuara të Thesalisë.

Shqipëria jugore nuk ia ka vënë veshin kurrë thënieve të tyre. Përkundrazi, Lidhja e Shqiptarëve e vitit 1878 numëronte shumë anëtarë të krishterë në degën e saj të Epirit. Por dështimi i pësuar nga grekët mbas luftës ruso-turke, fakti që nuk mundën të shtinin në dorë pjesën jugore të Shqipërisë, i detyroi, që të përqëndrojnë të gjitha forcat dhe mjetet në këtë pjesë të Shqipërisë.

Veprimtaria e ushtruar nga propaganda e Athinës gjatë këtyre 35 vjetëve të fundit, ka qenë e shfrenuar dhe qeveria turke me verbërinë e saj kokëfortë dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve, e ka mbështetur këtë mynxyrë fuqimisht, duke qenë turq e grekë së bashku në një mendje kundër regjimit kombëtar shqiptar.

Porta e lartë dhe Jilldizi i lanë dorë të lirë Patriarkanës së fanarit.

Me dhjetëra shkolla shqiptare të hapura në Kolonjë (në jugperëndim të Korçës) më 1893, mundën të mbijetojnë fshehurazi, vetëm pesë vjet dhe e vetmja shkollë që pati njëfarë kohëzgjatje, ajo e Korçës, u themelua më 1886 dhe u mbyll nga autoritetet turke më 1902.

Intoleranca turke e bëri shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, çdo aksion në Shqipëri, por megjithatë shqiptarët nuk u dëshpëruan aspak…

Shoqata shqiptare e themeluar me 1879 në Konstandinopojë, u transferua më 1881 në Buresht, ndërkohë që shoqata të tjera lindën në Egjipt dhe në qytete tjera të banuara me shqiptarë. Këta shqiptarë të Rumanisë dhe të Egjiptit nuk ishin gjë tjetër veçse të krishterë ortodoks me prejardhje nga pjesa jugore e Shqipërisë, epiriotë, të cilët, zotërinjtë e Athinës i quanin grekë.

Veprimtaria dhe shërbimet, që këto koloni i kanë bërë çështjes shqiptare, janë jashtëzakonisht të mëdha. Këta shqiptarë të krishterë kanë meritën e publikimit të librave shqip, të lulëzimit të letërsisë shqipe.

Këto shoqata janë zhvilluar dhe përhapur në vazhdimësi. Shumë shpejt lindën edhe shoqata të reja në Konstancë, Sofje dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse ka spontanitet, ai sigurisht gjendet në veprimtarinë e këtyre shqiptarëve të krishterë, të cilët luftonin kundër tiranive të kombinuara të patriarkatit grek dhe autoriteteve turke, duke përhapur propagandë kombëtare të rrethuar nga rreziqe të panumërta.

Kjo propagandë ishte shumë herë më e zbehtë sesa propaganda greke e mbrojtur dhe e veshur me të gjitha imunitetet, e pajisur me fonde të pashtershme dhe me një përvojë shekullore. Kështu nuk ka asgjë të habitshme dhe të jashtëzakonshme, që numri i veprimeve të kryera nga përpjekjet e shqiptarëve, është shumë më i vogël se ai i propagandës zyrtare e jo zyrtare greke. Besoj se kjo është tepër e kuptueshme. Ndërkaq, kur tirania turke u dobësua, kur njerëzit një ditë besuan se kushtetuta e vitit 1908 i jepte liri dhe garanci çdo kombi të Perandorisë, atëherë u shfaq një ripërtëritje e fuqishme e shqiptarëve.

Në pak kohë dhe si me magji lindi një numër i pafund klubesh, gazetash, shkollash e shtypshkronjash. Për fat të keq kjo liri zgjati sa hap e mbyll sytë. Dy vjet më vonë, në fillim të vitit 1910, xhonturqit treguan se ishin tiranë më të këqij se pasardhësit e tyre.

Por këto dy vjet mjaftuan për t’i dhënë një drejtim zhvillimit të çështjes shqiptare dhe çdokush që dëshiron ta studiojë problemin shqiptar, duhet të ketë mirë parasysh përpjekjet e mëdha të kryera gjatë asaj kohe të shkurtër.

Ndërmjet klubeve të shumta, të hapura në Shqipëri (rreth pesëdhjetë), një numër i madh prej tyre u themelua në Epir, në Janinë, në Korçë, në Gjirokastër, Delvinë, Përmet, Frashër, Leskovik, Prevezë, Loros, Filat, Mazarek, Konispol, Pogon, etj. Këto klube frekuentoheshin si nga myslimanët edhe nga të krishterët, nga ata të krishterë që sot mund t’i quajmë grekë. Gazetat shqiptare (ka pasur dy në Korçë dhe një në Janinë, të shtypura, që të tria në shtypshkronjat e tyre), kanë shpërndarë me dhjetëra mijëra kopje gazetash nëpër Shqipërinë e shtypur, në Manastir, Selanik, Konstandinopojë, Shkup, Shkodër, SHBA.

Nuk vonuan të hapen edhe shkollat, çdo klub kishte edhe një shkollë nate: ndërsa shkolla të tjera të rregullta u çelën në kryeqendrat dhe fshatrat e trevave të Korçës dhe të Gjirokastrës deri në Negovan (Follorinë). Nisën të shfaqen shoqatat letrare në Korçë dhe në Janinë, si dhe një shoqatë muzikore në Korçë me një orkestër frymore të mirë. Kolonitë në SHBA (koloni që jetuan vetëm disa vjet atje dhe pastaj u rikthyen në shtëpi dhe vatrat e tyre), u organizuan shumë mirë, duke themeluar shoqatën federative VATRA, shoqatë që grumbullon sot rreth vetes dyzet degë, duke çelur në të njëjtën kohë edhe një gazetë të përjavshme shumë të mirë, (sot e përditshme).

Përpjekjet e bëra në qendër, në veri dhe në lindje të Shqipërisë nuk ishin të vogla: gazetat përpiqeshin të përhapnin mendimin intelektual, shtypshkronjat prodhonin një ushqim me vlerë dhe mjaft të bollshëm me libra të dobishëm, klubet dhe shoqatat letrare e shkollore përgatisnin me durim një të ardhme më të mirë.

Një shkollë e mirë normale e themeluar në Elbasan më 1909 ishte shpresa e jonë për organizimin e mëtejshëm të shkollave fillore. Por rëndësi patën për vëllazërimin e patriotëve dhe intelektualëve edhe dy kongreset e mbledhura në Manastir dhe Elbasan.

Përfitimi nga liria e dhënë prej autoriteteve turke, nuk ishte veçse një gjysmëlirie. Duhej çliruar gjithashtu edhe nga thonjët e klerit grek, duhej dalë nga ai qerthull poshtërues i Fanarit, agjenti më i fuqishëm i helenizimit.

Kështu qysh në ditët e para të kushtetutës së famshme xhonturke, u krijua në Korçë një Lidhje Ortodokse me një organ të përjavshëm me të njëjtin emër. Lidhja kërkonte emancipimin e kishës shqiptare, ose të paktën të drejtën zyrtare për të predikuar në gjuhën shqipe një pjesë të liturgjisë. Tashmë, kjo lëvizje kishte filluar në Amerikë, ku shqiptarët epiriotë kishin dy kisha të tyre dhe priftërinj, që përkthyen librat e parë të meshës.

E gjithë kjo lëvizje: klube, shkolla, shoqata letrare dhe muzikore, lidhje fetare, po shkonte si jo më mirë. Por zhvillimi dhe përparimi i tyre i madh, do të shkaktonte turbullirë te të tjerët. Xhonturqit u treguan njëqindherë më reaksionarë dhe tiranë, sesa padroni i tyre Sulltan Hamiti.

Ata e panë me sy të keq përparimin paqësor të shqiptarëve. Ndërkohë, qëndresa energjike dhe burrëria e shqiptarëve, u dha atyre një pretekst për një kryqëzatë të vërtetë turke kundër racës shqiptare.

Ekspedita të dërguara njëra pas tjetrës kishin marrë urdhër, që të mbysnin çdo shenjë të rilindjes dhe të rizgjimit shqiptar. Çarmatosja nuk ishte veçse një pretekst, në të vërtetë duheshin ndëshkuar nacionalistët bashkimas (sipas emrit të klubit të tyre “Bashkimi”), duheshin mbyllur shkollat, të ndaloheshin gazetat dhe t’i dorëzoheshin inkuizicionit mysliman veprat e nacionalizmit.

Shkishërime, gjyqe kadilerësh kundër alfabetit latin, djegie në turrën e druve, asgjë nuk lanë mangët turko-mëdhenjtë e rinj që udhëhiqeshin më shumë nga një mëri e verbër vetjake, sesa nga arsyet e shtetit.

Por ata që ngazëlloheshin gjatë kësaj kohe qenë agjentët e helenizimit dhe pothuaj të gjithë priftërinjtë e patriarkët, që duke harruar divergjencat e mëdha me turqit, u kthyen menjëherë në spiunë të autoriteteve turke.

Në këtë luftë me xhonturqit, kanë qenë pikërisht shqiptarët e jugut të Shqipërisë, epiriotët ata që luanin rolin më të madh e më të rëndësishëm duke zhvilluar mitingje proteste, qëndresë me armë në dorë ose propagandë dhe luftë paqësore. Ishin gjithashtu epiriotët ata, që shpallën me një zë aq të lartë vullnetin dhe dëshirat e tyre, ishin ata, që ranë viktima të idealit kombëtar, gjë që dëshmohet nga gjashtë djem të rinj të vrarë në një përpjekje në Korçë, pesë prej të cilëve ishin të krishterë ortodoks, epiriotë dhe një prej tyre ishte biri i atij që katër vjet më parë ishte vrarë nga plumbi i një vrasësi politik grek në Selanik. Dhe janë padyshim këta shqiptarë të jugut që janë quajtur grek nga politikanët dhe publicistët e Pireut dhe të Athinës.

Sofje, Shtypshkronja e pavarësisë së Shqipërisë, 1915

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *