OPINIONE

Letër publike deputetëve të Republikës së Kosovës

Deputetë të nderuar

Kohë më parë lexova në medie se Kosovafilmin do ta shuani, ndërsa pasurinë do ta përvetësoj Kuvendi. Nuk e di a ua lejon ligji një gjë të këtillë, ashtu sikurse nuk e di a është ky vullneti juaj, apo dikush përpiqet të spekuloj në emrin tuaj.

Po u informojë se Projektligji për kinematografi ka një vjet e sipër që përtypet nga një Komisioni i caktuar nga Ministria e Kulturës. Atë komision e udhëheqin njerëzit të cilët e bënë ligjin e vjetër (2004), ndërsa ai ligji dështoi ende pa filluar zbatimi i tij. A duhej ta përpilonin projektligjin e ri komisionarët e dështuar të ligjit të vjetër? A kemi kohë që pas një viti ta nisim projektligjin tjetër? Sepse, ashtu si është përpiluar ky projektligji nuk do të kaloj një vjet e do të hidhet në plehra. Është ligj i pazbatueshëm, është kundër vullnetit të pjesës dërmuese të kineastëve, është kundër interesave të kinematografisë, ka formulime të çoroditura e nene anakronike që s’t’i kap mendja. A thua na pret Bashkimi Evropian që ta rishkruajmë pas çdo ndryshimi të kabinetit ministror ligjin e ri nga të njëjtit njerëz të dështuar- të përkëdhelur të qeveritarëve tanë?

Komisioni asnjëherë nuk me ka ftuar në propozimet e projektligjit, ndërsa duan ta shuajnë shtëpinë më të famshme filmike në Kosovë. Janë përkujdesur tërë kohën që të mos jem në asnjë debat për kinematografi: projektligji është mbajtur fshehtë nga unë dhe nga kineastët. Kalimi i tij në Kuvend është bërë gati në mënyrë klandestine.

Athua do të bëjë ballë Kuvendi i Kosovës ta tumir ligjin më shumë defekte, të njëanshëm, kundër vullnetit të pjesës dërmuese të kineastëve të Kosovës, kundër interesave të kinematografisë shqiptare. Më vjen keq nëse Kuvendi i Kosovës, me emrat tuaj do të mbetet në histori më shuarjen e Kosovafilmit. Kuvendi i deputetëve në socializëm e themeloi këtë institucion më shumë peripeci e presione nga Serbia (“çfarë u duhet shtëpia filmike, kur i keni pesë në Beograd”, u thoshin tërë kohën), ndërsa në shtetin demokratik Kuvendi po e shuan. Kjo është e pakuptueshme dhe e dhimbshme. Kam frikë që po bini viktima të mos informimit, lojërave të pista të kompanive të shverc komercit e të padrinove partiak, të cilët ushtruan tutelë mbi hartuesit e projektligjit.

Ligjvënës të nderuar

Dijeni se kurrë nuk do të kthehet trashëgimia 40-vjeçare e Kosovafilmit dhe e kinematografisë shqiptare të Kosovës (origjinalet, apo negativet e filmave) nga Beogradi, po e humbëm emrin, ndërsa ishim aq afër t’i kthenim filmat, këtë e di mirë edhe Ministria e Kulturës, megjithëse nuk na financoi në kthimin e origjinaleve. Kosovafilmi e ka Arkivin e filmit. Pse duhet të shkatërrohet ky arkiv e të themelohet tjetri? Prapë me 95 për qind nga ky arkiv do të themelohet arkivi i ri, i propozuar nga Komnsioni. Nga kjo prirje rrënimtare e Komisionit të projektligjit? Apo u kanë dhënë detyrë ta shuajnë vetëm emrin e Kosovafilmit?

Duhet ta dini se një grup ndërtuesish e luftoi dhe e mundi Kosovafilmin për t’ia marr pronat më pak para, por topin ua hodhi juve, ju do të jeni ata që do t’ua dorëzoni në pjatë të argjend pasurinë. Kosovafilmi ka mbi 30 milion euro prona, ku përfshihen mbi 3000 metra katror objekt të klasës së parë, mbi 3.85 hektar tokë në rrethin e parë dhe 16 hektarë në rrethin e dytë (për fatin e 16 hektarëve askush nuk di asgjë), ndërsa një ari e ka vlerën 25 mijë euro në tregun e lirë. Shumëzojini. Në të njëjtën mënyrë u shit prona në shtetin fqinj, Serbinë: “Avala filmi pati pronë prej 100 milion eurosh, ndërsa e bleu një kompani e lidhur me shtetin për 4 milion euro, po ashtu për të ndërtuar banesa “të bukura dhjetëkatëshe”, sikurse thanë. Athua e njëjta kompani ia ka vënë syrin edhe pronës së Kosovafilmit, në bashkëpunim më vendësit?

Në këtë skandal të tjetërsimit të pronës, sigurisht do t’i del punë EULEX-it, sepse do të jetë skandali më i madh i tjetërsimit të pronës shtetërore. Shpresoj se nuk do të kaloj shumë kohë e do të nisin arrestimet pasi kompanitë e shverc komercit ta kenë marr lejen e Kuvendit për ndërtimin e objekteve “të bukura dhjetëkatëshe”. EULEX-i, sigurisht do të nis hulumtimin e 16 hektarëve tokë të uzurpuar, pronë që figuron në emër të Kosovafilmit. 3.85 hektarë me objektin 3 mijë metra katror, i shfrytëzon dhe i ruan KFOR-i.

Punëtorët e vjetër e dinë se ish drejtori i dhunshëm i Kosovafilmit, Boshko Drobnjak, para luftës i ka dhënë disa prona në shfrytëzim e më qera. Ka rrezik t’i ketë tjetërsuar disa prej tyre. Po sot kush i vjel paratë e këtyre pronave: ish drejtori serb, apo dikush tjetër në emër të tij? EULEX-i duhet ta hulumtoj uzurpimin e kësaj prone. Komunarët e vjetër kurrë nuk na i dhanë shënimet për këto prona.

Shuarjen e Kosovafilmit njerëzit e kompanive të shverc komercit e kanë përgatitur nëntë vjet më parë. Nëntë vjet Ministria e Kulturës nuk e financoi asnjë projekt të Kosovafilmit. Arriti të na paralizonte, ndërsa në opinion u krijua përshtypja sikur, ja, ata s’bëjnë asgjë, duhet të shuhen! Këtë karrem, fatkeqësisht e gëlltitën disa medie tona, që na sulmonin, në vend të na ndihmonin e t’i sulmonin ata që s’japin mjete për projekte.

Kosovafilmit po ia marrin shpirtin tinëzisht, ndërsa tash duan ta hedhin në humnerë, përfundimisht përmes jush, deputetë të nderuar.

Me nderime:
Gani MEHMETAJ
drejtor i Kosovafilmit

One thought on “Letër publike deputetëve të Republikës së Kosovës”

  1. Gani, prona te cilen e ka pase Kosova Filimi nuk e ke krijuar Kosova Filmi, por iu eshte dhene nga shteti per shfryteim. Prandaj kosova filmi nuk e ka asnje meter prone te vehten. Fatmiresisht tani kjo prone shfrytezohet nga NATO aleanca per strukturen komanduese dhe per te morembajte LIRINE DHE PAVARESINE te Kosoves. Prandaj mos u beni sikur nje shimpanxe me emrin Bekim Lumi qe dklaroi keto dite se toka e kosova filmit u okupua nga NATO!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
    Sepse qenefoidin bekim lumi ne beligrat e presin me dy femra dhe ai thote se NATO eshte okupator!!!!!!!!!!!!
    Perfundim. Shteti nuk duhet bere filama shtetror, por filma personal te financuar nga donatoret privat …..e jo shtetror.
    Komunizmi ka ngordh……

    Toka e kosova fil ot eshte toke e qdo Kosovari, e jo e pese puntorve te Kosova Filmit.

    Qaq. P.s. Bonu pak me i meqem se budallla i njohur bekim luma

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *