POLITIKA KOMBËTARE

FARK dhe UÇK

Shkruan: Arbër Gashi

Shqipëria e vitit 1996 ishte katandisur në duart e skemave piramidale. Shqiptarët, sipas zakonit, më me dëshirë mbështesin dhe financojnë premtimet boshe, se sa të investojnë në vetëdijësimin personal dhe kolektiv për realitetin që i rrethon. Një vit më parë, të këshilloje ndokend nga shqiptarët dhe t’ju kërkoje atyre që të mos investojnë pasuritë private në skemat piramidale, rrezikoje të shpallesh armik. Histeria kolektive pas Sudes, Gjallices etj. kishte marrë dhenë. Shqipëria ishte bërë poligon i premtimeve dhe plaçkitjeve marramendëse. E ’97-ta nuk erdhi rastësisht. Shpërthimi dhe shkatërrimi i shtetit u shoqërua me viktima të shumta në mesin e popullsisë civile, të cilat janë harruar tashmë dhe nuk i përkujton askush! Falimentimi i skemave piramidale ishte dëshmi e falimentimit të kahershëm moral e politik të shtetit dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Shembjen e dhunshme të institucioneve të shtetit shqiptar, ideologët e së majtës sllavo-komuniste e cilësuan si “revolucion të vonuar demokratik”!

Në një ambient të kaosit të përgjithshëm, në Shqipërinë e vitit 1997, aktivistët shqiptarë nga Kosova ballafaqoheshin me pengesa dhe probleme të shumta. Pushteti i sapoinstaluar i “revolucionarëve të vonuar” e filloi procesin e diferencimit. Ata që ishin majtistë dhe me PS-në e LPK-në, përfituan shumë dhe krijuan bazat e tyre për aktivitet. Të tjerët trajtoheshin si armiq të klasës, pavarësisht kontributit të pamohueshëm që kishin dhënë përgjatë katër viteve të qëndrimit dhe aktivitetit në Shqipëri.

Logjistika e organizuar për luftën e madhe që pritej të ndodhte në Kosovë, punën e saj e kishte kryer me kohë. Duke filluar nga viti 1992, shumë vullnetarë të bashkuar rreth grupit operativ të Organizatës Balli Kombëtar në Mërgim u inkuadruan dhe dhanë një kontribut të madh në qendrën koordinuese të Shoqatës Humanitare “Nëna Tereze” në Zvicër. Së bashku me drejtuesit kryesor të Shoqatës dhe të Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër, ata u kujdesën për vite të tëra, që në momentin vendimtar, ushtria e ardhshme e Kosovës të ketë magazinat e mbushura përplot me veshmbathje ushtarake, medikamente dhe materiale tjera të nevojshme për ndihmë drejtuar popullatës civile. Nuk mungonte as armatimi i sofistikuar, i cili priste, priste, priste e priste me padurim dritën e gjelbër të qeverisë së deklaratave boshe të Bukoshit.

Për hirë të së vërtetës e cila duhet të dalë në dritë, më duhet t’a theksoj dhe potencoj si shumë domethënës edhe faktin tjetër, se po të mos ishin ndihmat financiare të CARITAS-it, HEKSI-t dhe organizatave tjera të besimit katolik për Shoqatën Humanitare “Nëna Tereze” në Zvicër, shumica e transporteve drejt Kosovës as që do e shihnin dritën e diellit, për shkak se mungonte tërësisht ndihma e nevojshme financiare dhe përkushtimi atdhetar për ta ndihmuar logjistikën. Qeveria e Bukoshit dhe partitë tjera politike shqiptare, për katër vite të plota, logjistikën e atëhershme e kanë mbështetur me fjalë goje, ndërsa kontributi i tyre financiar ka qenë i barabartë me ZERO.

Faktet e disponueshme në administratën e Shoqatës “Nënë Tereza” dëshmojnë katërcipërisht, se po të mos ishte mekanizmi i solidaritetit institucional, bashkpunimi shumë i ngushtë i Misionit Katolik Shqiptar dhe Këshillit Koordinues të Shoqatës me OKB-në, CARITAS-in, HEKS-in dhe organizatat tjera të krishtera në perëndim, bllokada që i bëhej Kosovës përmes embargos së OKB-së ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë, nuk do të mund të thyhej asnjëherë. OKB-ja, pas presionit të Kishës Katolike, i dha dritën jeshile Shoqatës “Nënë Tereza” për aktivitet të papenguar. Transportet e sajë drejt Kosovës as nuk do të ndaloheshin dhe as nuk do të kontrolloheshin nga shtetet europiane. Megjithatë, problemet më të mëdha me transportet e shumta do të lindin në Shqipëri, menjëherë pasi filloi sundimi i “revolucionarëve të vonuar”.

Po e theksoj edhe një fakt, se deri në momentin kur ndodhi masakrimi i familjes Jashari në Prekaz, kontributi i subjekteve tjera politike për ushtrinë tonë që po lindte ishte fare i papërfillshëm në krahasim me forcën ushtarake që po e kërcënonte ekzistencën e shqiptarëve në Kosovë. Kjo vlenë të potencohet edhe për shumicën e mërgimtarëve shqiptarë, të cilët ishin pajtuar me patriotizmin e 3%-shit dhe së fundi edhe me kontributin e palodhshëm “çlirimtar”, duke mbushur deri në kupë të qiellit arkën e fondit komunist, “Vendlindja thërret”.

USHTARAKËT PROFESIONIST TË KOSOVËS NISEN DREJT FRONTIT TË LUFTËS

Nisja e kuadrove ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës drejt Shqipërisë ka qenë një moment shumë i veçantë. Një javë më parë, pas një pune 17 orëshe në logjistikë, të dërmuar nga lodhja dhe derisa ishim duke u çlodhur në një lokal ku mblidheshin shqiptarët, ndodhi sulmi i parë fizik kundër nesh. Komunistët, të bindur se po ju vinte koha dhe rasti, shpresonin që përmes kërcënimit, shantazhit dhe frikësimit do ia arrijnë qëllimit dhe do të fusin në dorë edhe kalanë e logjistikës. Por, komunistët e LPK-së kësaj radhe e kishin bërë planin pa hangjinë, sepse, ne jo vetëm se nuk iu nënshtruam presionit dhe kërcënimeve, por përkundrazi, në vazhdim të aktivitetit i ndërmorëm të gjitha masat e duhura që përpjekjet e këtij lloji të dështojnë tërësisht. Megjithëse në Zvicër këtë synim e realizuam me sukses të plotë, këtë nuk mund ta pohojmë për pjesën e logjistikës që operonte në Shqipëri dhe vendet tjera europiane. Maltretimet, plaçkitjet, rrahjet, ndalesat e transporteve dhe kërcënimet nuk kishin të ndalur.

Pasi u furnizuan me mjetet e nevojshme dhe pasi u dakorduam rreth koordinimit të logjistikës me ministrin Ahmet Krasniqi, drejt frontit të luftës po nisej shpresa e madhe e lirisë së Kosovës. Jo vetëm në përshtypjen e parë gjatë komunikimit, por edhe me sjelljet e tyre vërtetë mahnitëse, dinjitoze dhe plot atdhedashuri, ushtarakët profesionist të Kosovës po niseshin ballëlartë drejt frontit të luftës. Vullnetarët e shumtë që sapo kishin filluar t’i bashkoheshin kryengritjes kombëtare në Kosovë, ndjenin nevojën e një udhëheqësie profesionale ushtarake. Për herë të parë që nga fillimi i ballafaqimit ushtarak me forcat pushtuese të Serbisë, me nisjen e kuadrove profesionale të Ministrisë së Mbrojtjes drejt frontit të luftës, ne e ndjenim thellë në shpirtë se ata do e trasonin rrugën e pakthyeshme drejt lirisë, duke shkatërruar kufijtë ndarës mes shqiptarëve dhe duke e shkruar me shkronja të arta, historinë e fitores së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

MARRËVSHJA ME ALI AHMETIN DHE MUSA XHAFERRIN

Katër javë pas hyrjes së trupave ushtarake të Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi në Shqipëri, në sallën e Kishës St. Michel në Lucern, kemi zhvilluar një takim zyrtar me përfaqësuesit e krahut të “UÇK-së” së LPK-së, Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferrin. Në atë takim, Ali Ahmeti ka premtuar se vet LPK-ja do të angazhohet që të mos pengohet puna e logjistikës ushtarake në Shqipëri dhe të mos shpërndahen komunikata pa mbulesë, por të angazhohemi të gjithë së bashku dhe të japim maksimumin për bashkimin e forcave drejt synimit tonë final, lirisë dhe bashkimit kombëtar. Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferri premtuan se ata do të angazhohen që përmes Adem Demaçit të arrihet një marrëveshje për bashkpunim dhe të shmanget konfrontimi i panevojshëm. Nga ana jonë, ne i siguruam dhe e mbajtëm fjalën e dhënë se do të mbështesim të gjithë ushtarët dhe komandantët pa asnjë dallim, duke i dhënë prioritet maksimal fitores kundër pushtuesit, lirisë dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve.

vazhdon…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *