OPINIONE

15 vjet pas luftës, ish-ushtarët e UÇK-së ndjehen të lënë pas dore

Të përbuzur, nëpërkëmbur, nëpër burgje e të vrarë… kjo është pasqyra me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, 15 vite pas përfundimit të luftës së vitit 2001 në Maqedoni, thotë Vadedin Ibrahimi, ish pjesëtar i UÇK-së.

Sipas Ibrahimit, është e pakuptimtë që pas gjithë këtyre viteve të mos mund të gjendet një formulë për rregullimin e statusit të tyre. Ai fajin për këtë e adreson tek politika, gjegjësisht partitë politike shqiptare për të cilat thotë se kanë keqpërdorur dhe lënë pas dore ish-ushtarët e UÇK-së, përfshirë edhe invalidët dhe familjet e dëshmorëve.

“Unë si ish-pjesëtar i UÇK-së nuk jam aspak i kënaqur me të arriturat e politikës shqiptare në Maqedoni, sidomos qëllimet e luftës që e kemi bërë me të arriturat nuk përputhen askund, qëllimet kanë qenë krejt ndryshe ndërsa realiteti është i hidhur. Sidomos kategoria më e prekur janë ish ushtarët e UÇK, përbuzemi, nëpërkëmbemi, raste të montuara, të vrarë, tmerr”, tha Ibrahimi.

“Lirisht mund të them se aspak nuk është ndryshuar gjendja nga ajo e cila ka qenë menjëherë pas luftës së viti 2001, unë si ish-eprorë i UÇK për shkak se e ndjejë pjesën përgjegjësisë ndaj ushtarëve të mi por edhe shumë të tjerëve që janë në një gjendje të mjerueshme, shumica e tyre janë në gjendje të vështirë, një numër i madh sot është nëpër burgje, me fletë-arreste, një numër i madh janë shpërngulur në perëndim për kafshatën e bukës, disa të tjerë kanë probleme financiare, sot e kësaj dite statusi i ish-pjesëtarëve është i parealizueshëm”, u shpreh Abedin Zymberi, gjithashtu ish-ushtar i UÇK-së.

Të zhgënjyer e të dëshpëruar janë edhe banorët e komunës së Likovës, posaçërisht ata të fshatit Sllupçan, fshat i cili në luftën e vitit 2001 dha shumë për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Për Alsat-M ata shprehen të dëshpëruar nga gjendja të cilën po jetojnë sot.

“Kala e pamposhtur emrin e ka, por fshati Sllupçan ka mbetur shumë poshtë. Mund të shihni se çka kanë shkruar lart – “Për tradhtarët është e ndaluar me hy në Sllupçan”, kjo është tmerr, e imja e ka pas më, unë po vdes, por po më dhimbsen rinia që po e lëmë mbrapa, shkolla, ambulantë nuk ka hiç, tmerr”, u shpreh një banor i Sllupçanit.

“Prej 2001 e deri tash asgjë nuk është punuar, shikoni lumi i shkatërruar, asfaltimi më i dobët është në fshatin tonë, kontributi ynë ku ka shkuar deri më tani ne nuk e dimë. Ende një shajkë nuk është vënë në fshatin tonë me thanë që është punue diçka. 73 shtëpi të cilat janë shkatërruar në 2001-ën nuk janë rregulluar, shtëpinë time vetë me kontributin tim e kam rregulluar. Gjithashtu edhe fqinjët e mi vet i kanë rregulluar dëmet e luftës. Ku është komuna, ku është qeveria?!”, tha një banor i Sllupçanit.

“Kërkesat e dëshmorëve nuk janë realizur as 1% në fshatin Sllupçan. Prej vitit 2001 nuk kanë vënë as një shajkë, a të gjithë si shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit të drejtat për të qenë të barabartë i kanë marrë prej këtij fshati”, tha një tjetër banor i Sllupçanit. Ndryshe gjatë luftës së vitit 2001 pos shkatërrimit të pronës private, pati edhe humbje të mëdha në njerëz. Gjatë kësaj lufte në altarin e lirisë kanë rënë rreth 105 dëshmorë të UÇK-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *