Mehdi Frashër me ministrat e qeverisë së Mbretnisë Shqiptare gjatë vitit 1943
HISTORIA

Mehdi Frashëri, Rrëfimet e njeriut-çelës të kufijve tanë

Shkruan: FATOS BAXHAKU

Shqipëria që doli nga 28 Nëntori i 1912-s edhe për do kohë do të mbetej e pavarur vetëm në letër. Jo vetëm se shumë territore të saj ishin të okupuara nga shtete të tjera, të mëdhenj e të vegjël, porse edhe sepse ajo vetëm më 1925-n arriti të ketë kufijtë e saj, të përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht. Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve të Shqipërisë ishte një organizëm ndërkombëtar ku merrnin pjesë përfaqësues të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve kufitare, Jugosllavisë dhe Greqisë. Përcaktimi i këtyre kufijve ka qenë një “aventurë” më vete, me shumë pasoja, shpeshherë të përgjakshme, dhe me shumë diskutime, që vazhdojnë ende sot e kësaj dite, jo vetëm në plan të diskutimit historik.

Ky komision kishte për detyrë vendosjen e piramidave kufitare mes Shqipërisë dhe fqinjëve mbi bazën e dy dokumenteve: Protokollin e Londrës së 1913-s dhe Protokollin e Parisit të 1921-shit. Ai praktikisht nisi punë më 1922-shin. Në fillim anëtarët shqiptarë të tij u ndërruan për arsye të ndryshme, dikush për shkaqe moshe, një tjetër sepse nuk shkonte mirë me anëtarët e tjerë e kështu me radhë. Ali Pashë Kolonja i la vendin Hilë Mosit, ky Bajram Fevziut, më pas erdhi Dhimitër Berati, derisa më 1922-shin shfaqet në “skenën kufitare” Mehdi Frashëri. Ky vinte si përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Lozanës, ku u vendosën kushtet e armëpushimit midis Greqisë dhe Turqisë. Për tre vjet me radhë Mehdi Frashëri do të merret me fiksimin e kufijve mes nesh dhe fqinjëve, kushtit të parë për të pasur një shtet të vërtetë. Për fat dëshmitë e tij kanë arritur falë këmbënguljes së nipit të tij Tefik Çelo, që të mbërrijnë deri në ditët tona. Prej tyre janë shkëputur këto copëza historie.

Vrasja e Tellinit

Gjenerali italian Tellini ishte kryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve (KNK). Në gusht të 1923-shit ai ndodhej në territorin grek duke u munduar të kuptonte diçka më shumë në pretendimet mes dy palëve. Ai, bashkë me shpurën e tij, u ekzekutuan nga njerëz “të panjohur”. U krijua menjëherë një skandal ndërkombëtar. Musolini, ende i ngazëllyer nga marshimi mbi Romë, dërgoi menjëherë luftanijet e tij, të cilat pushtuan Korfuzin. E lëshoi vetëm kur Athina pranoi të paguajë 50 milionë lireta. Ai kërkoi gjithashtu që grekët të nisnin hetimet për kapjen e fajtorit dhe të kërkonin ndjesë publikisht. Mes Shqipërisë dhe Greqisë lindi një luftë deklaratash të ndërsjella. Secila prej palëve akuzonte tjetrën si fajtore. Në fakt, shqiptarët nuk kishin asnjë arsye, të paktën politike, që të vrisnin gjeneralin italian, i cili ishte sjellë gjithnjë korrekt me ta. Lidhja e Kombeve – si me thënë OKB e atëhershme – krijoi një komision të posaçëm për të zgjidhur lëmshin dhe për të dënuar fajtorët. Delegati shqiptar në këtë komision ishte Mehdi Frashëri, i cili mbërrin në Gjirokastër në shtator të 1923-shit. Veç tij dhe përfaqësuesit grek, komisioni përbëhej nga një gjeneral italian, një kolonel francez, një ushtarak japonez dhe nga konsulli britanik në Selanik.

Në fakt, historia lidhet me një tjetër atentat ndaj një tjetër figure të njohur të historisë sonë, ndaj Myfit bej Libohovës. Më 1922-shin, kundërshtarët e Libohovës kishin paguar një të arratisur grek për të vrarë beun e njohur. Greku kishte gabuar, sepse në errësirë në vend që të vriste beun kishte vrarë shërbëtorin e tij. Vrasësi, që quhej Koço Memo, u kap nga libohovitët dhe u burgos. Mehdi Frashëri në kujtimet e tij thotë se të njëjtët njerëz që e kishin paguar vrasësin më parë hapën Burgun e Gjirokastrës dhe e strehuan Memon në familjen Karagjozi. Këta, kundërshtarë me Myfid beun, paskan pasur një armiqësi të vjetër edhe me një farë Koço Balo, kështu që nisin të përgatisin vrasësin profesionist Memo për të vrarë kundërshtarin e tyre. Sipas Frashërit, disa nga paria e grekëve të Dropullit, e kandisën vrasësin që, në rast se e pyeste dikush duhej të thoshte se shqiptarët ia kishin mbushur mendjen të vriste Tellinin dhe jo Balon. Me një fjalë, hetimi u ngatërrua më shumë në vend që të qartësohej. Pala shqiptare arrestoi një niviciot të krishterë, si të dyshuar për vrasjen, por asnjë nga dëshmitë nuk doli bindëse. Pas kësaj, vendosja e kufijve u ndërpre për do kohë. Porse tashmë Mehdi Frashëri ishte zyrtarisht përfaqësuesi shqiptar në KNK.

Kakavija

Duket se asokohe Kakavija, pika jonë e njohur kufitare, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një fshat i vogël me disa godina ushtarake diku në anë. Shkruan Mehdi Frashëri: “…Vija e ndarjes së ujërave e ndan katundin më dysh, por, meqenëse konferenca e mëparshme e Florencës më 1913 thoshte që vija shkon prej katundit Kakavijë, unë dhe delegati italian insistuam që gjithë katundi t’i mbetej Shqipërisë dhe me këtë mënyrë edhe godinat e rojave të Greqisë t’i mbeteshin Shqipërisë, duke i paguar Greqisë një shpërblim të vogël. Delegati grek, kolonel Avramidhi, insistonte ndryshe dhe u hidhërua e u nervozua tepër, kur komisarët e shteteve të mëdha, pasi u hoqën mënjanë dhe biseduan mes tyre, na komunikuan se katundi Kakavijë i mbetej Shqipërisë, me gjithë rojat aktuale të grekëve. Duke përparuar vijës në jugun e Kakavijës, arritëm në fshatin që quhej Katuna. Ky fshat vetëm kishën ka përmbi vijën ku ndahen ujërat, por fshati vetë ndodhet në rrjedhën e majtë të kurrizit ku shkonte kjo vijë. Sipas pozitës topografike, fshati Katuna duhej t’i mbetej Greqisë, por, meqenëse Konferenca e Florencës thoshte se fshati i takon Shqipërisë, unë insistova që ky fshat të mbetej në Shqipëri, kurse greku pretendonte të kundërtën, d.m.th. që vija të vazhdonte majën e malit. Në caktimin e kufijve të Shqipërisë, u thashë, nuk ishte marrë parasysh rrjedhja e ujërave, sepse, po të ishte marrë parasysh kjo normë, Shqipëria lypsej të përfshinte shumë katunde, të cilat sot i ka Greqia, prandaj në këtë rast të respektojmë pikërisht tregimin e konferencës më datë 1913. Ky vendim thotë shprehimisht se fshati Katuna i mbetet Shqipërisë. Më në fund fitoi teza ime. Dhe, meqenëse, ky fshat ishte çifligu i disa familjeve gjirokastrite, kur e morën vesh lajmin, u gëzuan tepër…”.

Bilishti

Në fund të prillit 1924, pikërisht ditën që Avni Rustemi jepte shpirt në Tiranë, Mehdi Frashëri ndodhej rrugës drejt Korçës. Kufijtë verilindorë ende nuk ishin vendosur. Sipas kujtimeve të tij, problemi më i madh ishte se në Protokollin e 1913-s ishte shënuar se vija kufitare do të ndiqte kufirin mes ish-kazasë së Korçës dhe asaj të Kosturit. Nëse zbatohej kështu, atëherë një pjesë e mirë e Devollit, duke përfshirë edhe Bilishtin dhe Bozhigradin, do të mbetej në Greqi. Nga ana tjetër, në territorin grek, ende të padefinuar kishin mbetur 16 fshatra të krishterë shqiptarë. Mehdi Frashëri e bën fare të qartë: këmbëngul që të mbahet Bilishti dhe fshatrat rreth e rrotull në Shqipëri, duke u lënë grekëve një pjesë të fshatrave që tashmë i kishin okupuar. Me keqardhje Frashëri na njofton se këto ndryshime kufijsh shkaktuan menjëherë largimin e popullsisë. “Është për t’u shënuar – shkruan ai – se në këtë kohë kishte filluar përshkulja e popullsisë myslimane të Maqedonisë për të shkuar në Turqi. Afër kufirit që kishim caktuar nga ana e Kosturit, që i ka mbetur Greqisë, ndodheshin tri katunde thjesht shqiptare: Kalevisht, Revan, Shark. I pari është krejt i krishterë, por thjesht shqiptar nga gjaku e nga gjuha. I dyti dhe i treti thjesht shqiptar dhe nga besimi muhamedan, por Greqia me propagandë i kishte bindur që të deklaroheshin si turq dhe kështu ato ditë përgatiteshin të shkonin në Turqi. Gratë po lanin teshat në lumë duke vajtuar që do të linin atdheun e tyre, eshtrat e të dashurve dhe kujtimet e tyre familjare e shoqërore. Gjë për t’u habitur ishte vendimi i gjysmës së popullsisë së katundit Rakickë, që, duke i mbetur Shqipërisë, dhe për pak ditë do të liroheshin, duke parë piramidat, që kishim ngritur gjatë majës së malit të tyre, që provonin se katundi i tyre i mbetej Shqipërisë, nga propaganda se në Turqi do të gjenin pasuri dhe fe, ishin bërë gati të iknin në Turqi, sepse ishin deklaruar si turq pranë komisionit të shkëmbimit të popullsisë muhamedane… Kjo ngjarje rrëfen sa fatkeq është një komb pa kulturë, pa histori të shkruar dhe pa ndjenja kombëtare. Popullsia e Rakickës janë të shëndoshë nga trupi, të gjatë e të hollë si lastarë, burra e gra të bukur nga fytyra. Ishte një mëkat i madh që këta njerëz të bukur dhe inteligjentë të shkonin në Turqi për të vdekur gjysma…”.

Vermoshi

Në Vermosh KNK “i kurdisi çadrat” në verën e 1924-s. Që pas 1913-s, kjo zonë ishte “terra nonullius”. Palët nuk kishin rënë dakord për vijën përfundimtare kufitare, ndërsa jugosllavët kishin pretenduar se tokat e lëna Shqipërisë nuk lejonin një jetë dhe një ndërlidhje të paqtë mes territoreve të tyre. Me pak fjalë, sipas tyre, trekëndëshi më verior shqiptar kishte depërtuar ca si shumë në Veri. Ndërkombëtarët vendosin që të dëgjojnë nga tre përfaqësues të secilës palë. Mehdi Frashëri takon urgjentisht njerëzit më me influencë në Vermosh, Atë Cirilin, Prenkë Calin dhe vojvodën Uc Turku. Nga pala serbe u paraqitën një avokat, një ushtarak dhe një gazetar. Pasi dëgjoi të dyja palët, KNK ia dërgoi të dhënat qendrës. “…Pas 15 ditësh – shkruan Frashëri – komisioni mori përgjigjen e konferencës, e cila konfirmonte vendimin e KNK, duke ia lënë Vermoshin Shqipërisë”. Puna nuk kishte mbaruar me kaq. Jugosllavët kërkuan që të shkëmbenin disa kullota. Frashëri bie dakord. “Kjo mënyrë zgjidhjeje ishte e dobishme për të dyja palët – thotë ai – sepse shihej grindja e armatosur dhe ne kishim lehtësirat e liqeneve dhe të rrugës afër karakollit të Grençarit. Unë, para se të jepja pëlqimin, u këshillova me malësorët, të cilët me gëzim dhanë pëlqimin e tyre, sepse sigurohej Vermoshi. Unë, veç pikave që u thanë më sipër, kërkova që një pjesë e kullotës që shkëmbenim me shqehët, një qark me një shtizë prej 100 metrash përqark karakollit të Velipojës, që do të shërbente për mbrojtjen e vendit, t’i mbetej Shqipërisë, sepse përndryshe godina e karakollit nuk mund të ngrihej atje ku ka qenë, se vija e kufirit shkonte gjatë kurrizit. Ngritja e karakollit të Velipojës do të shërbente për qetësinë dhe për sigurimin e Vermoshit…”.

Shën Naumi

Historia e Shën Naumit që në fillim kishte nisur ters. Në Protokollin e 1913-s ishte shkruar tekstualisht se “vija kufitare nis nga Lini dhe përfundon në Shën Naum”, pa përmendur nëse Shën Naumi mbetej përkëndej apo përtej Shqipërisë. Diskutimet që vazhduan gjatë nuk dhanë asnjë rezultat. Jugosllavët pretendonin se manastiri, por jo vetëm, u përkiste atyre, meqenëse Shën Naumi ishte një shenjtor tipik sllav. KNK, me gjithë kundërshtimin e përfaqësuesit jugosllav, vendosi që Shën Naumi t’i mbetej Shqipërisë. Jugosllavia nuk pranoi, kështu që çështja shkoi në Lidhjen e Kombeve, e cila, nga ana e saj kërkoi mendimin e Gjykatës së Hagës. Edhe kjo dha vendim pozitiv për Shqipërinë, por Jugosllavia nuk pranoi zbatimin e vendimit. Por ndërkohë kohët kishin ndryshuar, Zogu ishte rikthyer në pushtet me ndihmën e Jugosllavisë. Në fillim të 1925-s, qeveria i kërkonte Mehdi Frashërit që të gjente një mënyrë për të rënë dakord me jugosllavët. Në fillim pala shqiptare kërkoi që në këmbim të Shën Naumit të merrte disa katunde shqiptare që janë rreth Dibrës së Madhe. Jugosllavët nuk pranuan, kjo gjë, sipas tyre, e linte qytetin pa fshatrat e tij. Më në fund jugosllavët hedhin kartën e fundit. “…Qeveria jugosllave – thotë Frashëri – më në fund si kompensim shkëmbimi pranonte që t’i cedonte Shqipërisë katundin Peshkopi në rrëzën e Malit të Thatë dhe tokat e tri katundeve, që si të tilla i mbeteshin Shqipërisë, por që tokat e tyre mbeteshin në Jugosllavi. Me cedimin e këtyre tokave Shqipërisë kufiri jugosllav largohej nga rruga Korçë-Pogradec 13 kilometra. Me një fjalë, Shqipëria cedonte një kishë dhe ballë saj merrte një katund dhe tokat e tre katundeve: Tushemisht, Podgoriçan, dhe Halamja. Përveç këtyre, kufiri jugosllav largohej nga rruga Korçë-Pogradec me 13 kilometra. Se po të mos ishte bërë kjo marrëveshje, rruga Korçë-Pogradec ndodhej një nishan pushke me kufirin jugosllav…”.

Në pranverën e 1925-s, Venizellosi i famshëm fton për drekë në Paris si Mehdi Frashërin ashtu edhe Spalaikoviçin, asokohe ambasador jugosllav në Paris. Spalaikoviç gjen kohë t’i thotë Frashërit: “Ahmet bej Zogu duhet ta ketë mirë me Jugosllavinë dhe të ketë marrëdhënie drejtpërsëdrejti me mbretin Aleksandër të Jugosllavisë, sepse çdo gjë që po shkon nga Ministria e Jashtme nuk mbetet e fshehtë”.

Në maj të 1925-s, Frashëri takon Ahmet Zogun në Durrës. Zogu e udhëzon që të bëjë gati letrat për t’i paraqitur në Parlament. Myfid bej Libohova, asokohe ishte ministër i Jashtëm. “Meqenëse nuk i njihte as vendet, as çështjen – thotë Frashëri – m’u lut që të veja bashkë me të në Parlament për të dhënë shpjegimet e duhura”. Në Parlament çështja e kufijve me Jugosllavinë kaloi shpejt. Ishte maji i 1925-s, afër 13 vjet pas Pavarësisë.

Apologjia e njeriut të kufijve

Janë bërë, po bëhen, do të bëhen shumë diskutime mbi këto ngjarje. Më poshtë po citojmë se si e mendonte këtë punë Mehdi bej Frashëri, një nga personazhet më interesante të historisë moderne të Shqipërisë, njeriu që ishte vetë prezent, ndërkohë që vendoseshin piramidat e para shqiptare të kufirit: “Bashkë me çështjen e Shën Naumit ishte edhe pranimi i kufijve të Vermoshit. Refugjatët kundërshtarë këto dy çështje donin t’i shfrytëzonin për qëllimet e tyre kundërshtare dhe këtë gjë e tregonin si tradhti, por në realitet tundej mali për një mi. Rrethi i Shën Naumit që cedonte Shqipëria, ishte një copë tokë me diametër gjysmë kilometri. Pozitën e Shën Naumit donin ta tregonin si pikë strategjike, kurse në realitet kjo pikë, me shkëmbimet e përmendur, përmirësohej në favorin e Shqipërisë. Gjithë zhurma bëhej prej disa ortodoksëve të Korçës, që i jepnin Shën Naumit rëndësi fetare. Me këtë marrëveshje, çështja e kufijve shqiptarë, që kishte mbetur e varur që nga viti 1913, për 13 vjet rresht merrte formën definitive dhe ky përcaktim në politikën ndërkombëtare merrte një zgjidhje të favorshme dhe qetësiprurëse për Shqipërinë, sepse moscaktimi i kufijve definitivisht linte portë të çelur për elementët e brendshëm që mendonin keq për avenirin e Shqipërisë…”.

Amaneti

Këto kujtime janë ruajtur për shumë vjet nga familjet e Haki dhe Gani Karapicit dhe u kanë shpëtuar kontrolleve të dy arrestimeve, të fshehura midis librave të fëmijëve të tyre.

Gjyshi kishte miqësi me këtë familje dhe ua kishte lënë amanet pjesëtarëve të saj në prag të largimit nga Shqipëria në nëntor të vitit 1944. Rreth vitit 1960, këto kujtime të gjyshit, të ruajtura më se 15 vjet, mi dërguan në Gradishtë, ku vazhdoja të isha i internuar. Pasi i lexova me kujdes e me keqardhje që mungonte pjesa pas vitit 1933, u binda për vlerën e tyre dhe mendova se do të vinte një ditë që do të shihnin dritën e botimit… U përula me nderim përpara figurës dhe veprës së gjyshit dhe i fsheha me shumë kujdes.

Netëve vonë, kur isha vetëm, i lexoja e i rilexoja, duke i ngulitur në kujtesë, sikur kështu do të siguroja edhe më shumë ruajtjen e tyre.

Këto kujtime qenë për mua “libri i shenjtë” që më dha forcë e kurajë të përballoja internimin e gjatë dhe të vështirë, duke ruajtur dinjitetin e familjes, si dhe nderin e gjyshit.

Nipi i Mehdi Frashërit

Tefik Çelo

Guvernatori shqiptar i Palestinës

Mehdi Frashëri ishte pasardhës i Frashërllinjve të famshëm. Lindi në Frashër më 1874-n. Studioi në Manastir e Stamboll, ku edhe u diplomua si ekonomist. Pas kësaj u emërua në poste të ndryshme në administratën osmane deri në bej i Jerusalemit dhe guvernator i Palestinës, zëvendëskomisioner i lartë në Egjipt. E la këtë post të fundit sapo mësoi për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u kthye në Atdhe. Në fillim ishte emëruar prefekt i Beratit, por në 1913-n u emërua përfaqësues shqiptar në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit. Gjatë Luftës së Parë Botërore punoi si mësues i shqipes në kolegjin arbëresh të San Demetrio Koronas në Kalabri. Ishte disa herë ministër, përfaqësues shqiptar në Lidhjen e Kombeve, përfaqësues shqiptar në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, dhe Kryeministër (tetor 1935 – nëntor 1936). Kishte prirje italofile, porse u shpreh kundër pushtimit fashist të Shqipërisë. Pikërisht për këtë u mbajt për disa vjet i internuar në Romë. Në tetor të 1943-shit, gjatë pushtimit gjerman pranoi postin e kryetarit të Këshillit të Regjencës. Në nëntor të 1944-s, u arratis në Itali. Mbylli sytë në Romë në moshën 89-vjeçare. Ishte i dënuar me vdekje nga Gjyqi i Posaçëm kundër Kriminelëve të Luftës.

(Të dhënat që do të citohen në këto faqe janë marrë nga: Mehdi Frashëri, Kujtime, 1913-1933, OMSCA-1, Tiranë 2005).

One thought on “Mehdi Frashëri, Rrëfimet e njeriut-çelës të kufijve tanë”

  1. Për mua Mehdi Frashëri është një nga 4-5 intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohëve.Ai ka pasur një talent të fuqishëm,përvojë të madhe administrative,politike dhe diplomatike.Njohuri të thella nga ekonomia,diplomacia,sociologjia,gjeografia,historia,religjioni,politika e brendshme dhe ndërkombëtare,letërsia dhe ishte poliglot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *