OPINIONE

Mërgimtarët, qytetarët e shtetit pa identitet!

Shkruan: Florim Zeqa 22/04/2016

Simbolet e një shteti nuk janë gjë krejt e parëndësishme siq e kualifikojnë disa nga handikapët politik dhe qytetarët e pakujdesshëm të shtetit të Kosovës. Simbolet kombëtare (himni dhe flamuri) përveq identitetit kombëtar të një shteti, përcaktojnë të kaluarën historike, kulturën dhe traditën popullore.
Përgjatë këtyre tetë viteve të pas”pavarësisë”, gjatë festave kombëtare dhe shtetërore, më ka rënë shpesh të dëgjojë nga bashkatdhetarët naiv të thonë; “E rendësishme është që e kemi shtetin tonë,…simbolet e shtetit (flamuri lara-lara dhe hymni pa tekst) janë gjëra të imponuara nga ndërkombëtarët,…ne në zemër kemi simbolet e lashta kombëtare”
Ky, është më tepër se vetmashtrim që disa i bëjnë vetës dhe opinionit të gjërë. Përveq aspektit vizuel dhe fonik, simbolet shtetërore (himni dhe flamuri) duhet të prekin thellë në ndjenjat e qytetarëve,…që për fatin e keq, të 93 % të popullatës (shqiptare) të Kosovës, jo vetëm që nuk sensibilizojnë ndjenjat e tyre, e bëjnë të kundërtën, provokojnë ato në mënyrën më të keqe, duke ua mohuar identitetin e lashtë kombëtar.
Akoma më i shëmtuar se dizajni i flamurit të shtetit, është përmbajtja e dokumenteve personale, në veqanti e atyre të udhëtimit, ku nuk është i përcaktuar fare nacionaliteti i personit fizik që bartë me vete pasaportën e Kosovës.
Politikanët kosovar, të dalldisur pas pushtetit, e pranuan në “Pako të mbyllur” planin diskriminues, apo më mirë të themi shkombëtarizues (për shqiptarët) të Ahtisarit, pasojat e të cilit i ndjejmë tani tani e sa vite ne mërgimtarët në shtetin italian.
Se vërtet simbolet shtetërore, jo vetëm që janë akronim i shtetit, janë bazë fundamentale për trajtimin e qytetarëve jasht kufinjëve shtetëror. Këtë që e themë e dëshmon trajtimi i shtetasve kosovar nga autoriteteve italiane nga 17 i vitit 2008-të e deri në ditët e sotme.

Mërgimtarët, qytetarët e shtetit pa identitet!
Mospërcaktimi i identitetit kombëtar në Pasaportë, ua ka dhënë mundësinë e keqpërdorimit me (pa) qëllim të autoriteteve italiane me shtetasit kosovar. Edhe pse kanë kaluar tetë vite nga njohja ndërkombëtare e shetit të Kosovës, Italia vazhdon të tallet me shtetasit kosovar, me rastin e lëshimit të Lejëve të Qëndrimit (Permesso di Soggiorno), duke ua vënë siglën YUG, herë në vend të nënshtetësisë e herë në atë të vendlindjes,…ndërsa akoma më keq se kaq, në vend të kodit fiskal të Kosovës (160), e vën atë të Jugosllavisë (118) !
Ky është identifikimi më paradoksal që shteti italian është duke u bërë shtetasve, të cilëve ua ka njohur shtetin tetë vite më parë!
Vënja e siglës “YUG” për shqiptarët e Kosovës paraqet fyerje të rëndë dhe poshtëruese për shumë arsye;
-e para, për faktin se jemi të vetmit emigrant nga ish Jugosllavia që na ndodhë një gjë e tillë. Këtë dëshiroj ta ilustroj me një shembull konkret; emigrantëve të Bosnjës, në Lejët e Qendrimit ua vëjnë vetëm siglën B e H, ndërsa nacionalitetin sipas përkatësisë etnike; serb, kroat apo boshnjak,
-e dyta, Jugosllavia është një krijesë e cila nuk ekziston më (nga viti 1995),
-e treta, më kryesorja, pas 17 shkurtit 2008, shteti i Kosovës është njohur juridikisht nga mëse 110 shtete gjithandej globit tokësor.
Andaj kthimi prapa në kohë i autoriteteve italiane, përveqse tendencioz dhe me prapavijë politike është shumë i dëmshëm sa i përket identitetit të shqiptarëve në Ballkan.
Në këtë rast, vetvetiu shtrohet pyetja për pushtetarët në Prishtinë; jemi apo s’jemi shtet, kemi apo s’kemi Qeveri, kemi apo s’kemi Ministri të Punëve të Jashtme, kemi apo s’kemi Ambasadë në shtetin italian, kemi apo s’kemi Polici Kufitare?!
Në veqanti mbetët i pashpjegueshëm fakti i këtyre të fundit (PK), se si sigla YUG në Lejët e Qëndrimit të shtetasve kosovar në Itali nuk ua ka ngacmuar akoma syrin e diplomatëve dhe “vigjilentëve” të sovranitetit të shtetit,…ngase kjo përbën një nga format e shkeljes juridike të sovranitetit të shtetit.
Pikërsht me këtë çështje, në radhë të parë do duhej të mirrej Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë, si përfaqësuese diplomatike e shtetit dhe mbrojtëse e të drejtave të bashkombasve të tyre në shtetin italian.
Megjithatë pyetja e parë i shtrohet kryeministrit të vendit; “Zoti Mustafa, a e keni fuqinë politike, guximin njerëzor dhe intelektual, që në bisedimet e radhës me Vuçiqin në Bruksel ta parashtroni hapur këtë çështje brengosëse të bashkatdhetarëve tuaj,…nëse jo, atëhere gjatë përqafimit të radhës me ndërmjetësuesën italiane të bisedimeve me palën serbe, zonjën Federica Mogherinin, t’ia thotë fshehurazi në vesh; “kujdes zonja Mogherini, mos m’i trajtoni shtetatasit e mi si jugosllav…”
Trajtimi paradoksal i shtetasve kosovar si jugosllav nga ana e shtetit italian, në njërën anë po vë në pahë identitetin artificial të shtetit, ndërsa në tjetrën dukurinë e mosfunksionimit të aparatit shtetëror, e në veqanti të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Mbase, ky duhet të jetë shqetësim për të gjitha shoqatat dhe veprimtarët e shumtë në Itali, për reagimin e menjëhershëm ndaj autoriteteve italiane, për ndaljen e kësaj dukurie sa absurde po aq të dëmshme të trajtimit të shtetasve kosovar si “YUG”!

One thought on “Mërgimtarët, qytetarët e shtetit pa identitet!”

  1. Nese po te poshteron Italia, pse po jeton atje !.!.!.
    Certifikata e lindjes vlen per ne kohen e lindjes. Nena Tereze per shembull ka linde ne Shkup, Kosove, Perandori Otmane ne vitin 1906….. Keshtu shkruan ne Brttanica…….i nderuari analfabet funkcional.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *